Përmbyllen të gjitha procedurat zyrtare, ligjërohet qeveria e - TopicsExpress



          

Përmbyllen të gjitha procedurat zyrtare, ligjërohet qeveria e re shqiptare Pasi mori votëbesimin e Kuvendit, u betua te Presidenti, kreu edhe mbledhjen e saj të parë në Kryeministri, qeveria “Rama” tani e tutje cilësohet zyrtarisht si drejtuese e vendit Tiranë, 15 shtator, “impakt.al” – Tashmë nuk ka më asnjë dyshim a pengesë, qoftë zyrtare apo procedurale: Shqipëria ka një qeveri të re, të mandatuar së pari nga shumica e deputetëve të Kuvendit dhe më pas nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Teksa ajo ka zhvilluar edhe mbledhjen e saj të parë, në selinë e Kryeministrisë, mund të thuhet se ka përmbyllur kështu të gjitha fazat ligjore dhe protokollare, të nevojshme për t’u cilësuar njëherë e mirë si “Qeveria e re e Shqipërisë”. Teksa ditën e nesërme, bëhet me dije se kreu i ri i saj, Edi Rama, do të fluturojë drejt Brukselit, duke patur “në xhep” pikërisht titullimin tashmë të vulosur nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, si Kryeministri i ri i Shqipërisë. I cili do ta udhëheqë këtë të fundit përgjatë mandatit qeverisës të viteve 2013-2017. Në këtë mënyrë, për vendin, përmbyllet edhe “odiseja” e gjithë periudhës pas-zgjedhore të procesit elektoral të 23 qershorit, ku ky i fundit i dhuroi atij një mazhorancë të re qeverisëse, ndryshe nga ajo që e drejtoi vendin për tetë vjet me radhë. Duke i lënë vendin një etape të re të zhvillimeve politike në vend. E cila nisi pikërisht me hapjen e siparit të legjislaturës së VIII-të parlamentare, ku në Parlament, në vendet e mazhorancës së djeshme, është ulur opozita e sotme dhe anasjellas. Dhe duket se po vazhdon me nisjen e një “beteje” të re mes dy kampeve politike. Përreth kësaj, një atmosferë e lartë pritshmërie nga ana e qytetarëve mbi rezultatet konkrete të punës së qeverisë së re. Sikundër, edhe një angazhim i madh opozitar për të mbrojtur me forcë atë ç’ka është bërë në tetë vitet e fundit dhe për të mundësuar riardhjen sa më të shpejtë në pushtet ... Ja përbërja e qeverisë së re “Rama” Kryeministër – Edi Rama Zv/kryeministër – Niko Peleshi Ministrat me portofol 1. Ministria e Financave, Shkëlqim Cani 2. Ministria e Brendshme, Saimir Tahiri 3. Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli 4. Ministria e Jashtme, Ditmir Bushati 5. Ministria e Integrimit Europian, Klajda Gjosha 6. Ministria e Drejtësisë, Nasip Naço 7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj 8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri 9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni 10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto 11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti 12. Ministria e Shëndetësisë, Ilir Beqja 13. Ministria e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli 14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj 15. Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro 16. Ministria e Mjedisit, Lefter Koka Ministrat e shtetit: 17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito 18. Ministër për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi 19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi. impakt.al/aktualitet/permbyllen-te-gjitha-procedurat-zyrtare-ligjerohet-qeveria-e-re-shqiptare
Posted on: Sun, 15 Sep 2013 18:12:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015