Përse nuk kemi një shëndetësi europiane? YLLI - TopicsExpress



          

Përse nuk kemi një shëndetësi europiane? YLLI VAKËFLLIU Përse nuk kemi një shëndetësi europiane?Shëndetësia jonë ka trashëguar nga e kaluara mënyrën më inefi çente të administrimit. Tek ne nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston koncepti ekonomik në shëndetësi. Ne nuk dimë sa na kushton një procedurë diagnostike apo një procedurë terapeutike, nuk dimë sa na kushton një ditë qëndrimi në spital i një pacienti me pneumoni, me insufiçence respiratore apo i një pacienti me tumor. Duke mos patur asnjë ide se sa shpenzojmë, sa duhet të shpenzojmë, duke mos patur protokolle diagnostikë-terapeutikë dhe asnjë kontroll të brendshëm apo të jashtëm (nga ai që jep paratë), i lihet rrugë e lirë shpërdorimit, që është karakteristika kryesore e sistemeve shëndetësore, të cilat nuk kanë futur konceptin ekonomik në administrimin e tyre. Për fat të keq, jemi i vetmi vend në Europë, që nuk e kemi këtë koncept. Shëndetësia jonë është si një thes i madh, ku të gjithë ata që kanë mundësi të futin duart, marrin sa më shumë të jetë e mundur, me mendimin se “po nuk morra unë do t’i marrin të tjerët”. Duke mos ditur se sa ka brenda thesi dhe duke mos ditur sa i takon të marrë secilit, vjen një çast kur thesi boshatiset dhe shfaqet fjala magjike “s’ka!”. Atëherë, të gjithë vazhdojnë të “kavërdisen” me “thërrimet” që kanë mbetur në fund të thesit dhe pacientët vazhdojnë të blenë medikamente në farmacitë rreth spitaleve dhe të bëjnë ekzaminime të kushtueshme në klinikat rreth spitaleve. Kjo quhet mënyra “tërhiq e mos e këput” e administrimit të shëndetësisë. Gjithashtu, ne trashëgojmë nga sistemi i kaluar shpërndarjen më të çuditshme të shërbimeve shëndetësore. Ne kemi vetëm një qendër spitalore, që është ajo e Tiranës, sepse spitalet e rretheve i dërgojnë në Tiranë pacientët me patologji, që normalisht duhet të trajtoheshin në strukturat spitalore të rretheve. Por, edhe në Tiranë, shërbimet janë shpërndarë në mënyrën më inefiçente të mundshme. Kemi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në zonën lindore të qytetit, ku trajtohen gati të gjitha patologjitë, përveç sëmundjeve të mushkërive, që janë përqendruar në kodrat e Saukut, një maternitet tek ‘Stacioni i Trenit’, një tjetër maternitet tek “Bërryli”, kemi dhe Spitalin Ushtarak në zonën veriperëndimore të qytetit. Gjithë zona perëndimore dhe jugperëndimore e Tiranës është “zonë e lirë” nga spitalet dhe banorëve të këtyre zonave u duhet të udhëtojnë nga njëri skaj i Tiranës (të moshuar dhe të sëmurë) në skajin tjetër për të zënë radhë, si gjithë Shqipëria në Qendrat Spitalore Universitare, që përmendëm më sipër. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës, ku shumica e shqiptarëve aspirojnë të integrohen. Nuk bën vaki që në Italinë fqinje për shembull, nga Milano, nga Torino, nga Firence, nga Napoli, apo nga ndonjë qytet tjetër i Italisë, të ngrihen pacientët, me një rekomandim dhe librezën e shëndetit në dorë dhe të nisen e të zënë radhë në spitalet e Romës për t’u konsultuar apo për t’u shtruar. Jo vetëm qytetet e mëdhenj, por edhe ata më të vegjël, kanë disa spitale të shpërndarë në zonat e ndryshme të qyteteve, në mënyrë që të jenë sa më afër qytetarëve. Në këto spitale janë të inkorporuar të gjitha shërbimet, sëmundjet e zëmrës, ato onkologjike, kirurgjikale, të mushkërive, bile edhe shërbimet e obstetrikës dhe gjinekologjisë janë të përfshira në këto spitale. Kjo ndodh sepse organizmi nuk është i ndarë, sëmundjet nuk janë të ndara, një sëmundje e caktuar për një pacient! Sidomos sot, me shtimin e moshës mesatare të popullsisë, shtohet edhe mundësia që një pacient të vuajë njëkohësisht nga mushkëritë, nga diabeti dhe nga çrregullimet e ritmit të zëmrës, pra kërkon trajtim edhe nga pneumologu, nga endokrinologu edhe nga kardiologu. Më shumë se 60% e pacientëve me Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike paraqesin të paktën një patologji tjetër kronike shoqëruese. E njëjta gjë mund të ndodhë me një pacient me sëmundje të zëmrës, i cili mund të vuajë edhe nga bronkiti kronik, si pasojë e konsumit të duhanit, karakteristikë e një pjese të mirë të shqiptarëve. Eshtë i ditur gjithashtu fakti që gati gjysma e popullsisë me moshë mbi 65 vjeç paraqet të paktën tre sëmundje kronike. Edhe gratë kandidate për të lindur, apo menjëherë pas lindjes, nuk janë të përjashtuara nga mundësia për të patur, ose për të bërë një sëmundje të zëmrës, të mushkërive, të veshkave etj. Për këtë arsye, në botën me shëndetësi të zhvilluar, spitalet janë struktura të përgjithshme dhe të shpërndara në zona të ndryshme të qyteteve, sidomos në ata të mëdhenj. Kjo mënyrë inefiçente e shpërndarjes së shërbimit shëndetësor shkakton sorollatje edhe gjatë orëve të pasdites dhe të natës. Kështu, nëse në urgjencën e QSUT arrin një pacient me vështirësi në frymëmarrje dhe aty konstatohet se shkaku është nga mushkëritë, ai dërgohet në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Sauk. Mendoni një pacient të moshuar me vështirësi në frymëmarrje, që mbërrin më në fund në spital, duke menduar se aty do të marrë trajtimin që meriton, të dëgjojë t’i thuhet se duhet të shkojë në spital tjetër disa kilometra larg për të gjetur derman. Mungesa e konkurrencës Shpërndarja aktuale e shërbimeve shëndetësore eliminon mundësinë e konkurrencës midis spitaleve dhe shërbimeve. Dihet që konkurrenca është zhvillim dhe mungesa e konkurrencës është prapambetje. Në Tiranë nuk ka dy spitale të ngjashëm. E përmendëm më lart, që QSUT trajton të gjitha patologjitë, përveç sëmundjeve të mushkërive, me të cilat merret ekskluzivisht Spitali “Shefqet Ndroqi”, Spitali Ushtarak ka pneumologë, por nuk bën pneumologji. Kjo për faktin se nuk mund të kuptohet një repart Pneumologjie, në të cilin nuk realizohet bronkoskopia dhe nuk matet funksioni respirator (spirometria dhe gazet në gjak). Këto shërbime mungojnë në Spitalin Ushtarak. Kam frikë se jemi i vetmi vend në Europë që maternitetet i kemi të veçuar nga pjesa tjetër e shërbimeve. Pra, në Tiranë nuk gjenden dy spitale të ngjashëm, repartet e të cilëve mund të krahasohen me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë do të nxiteshin drejtuesit dhe mjeket e një shërbimi të një spitali të përmirësonin punën, për të arritur nivelet e të njëjtit shërbim, më të përparuar të një spitali tjetër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kostot. Nëse një shërbim i caktuar realizohet me një sasi të ardhurash në njërin spital, nuk ka pse të realizohet me një sasi më të madhe në një spital tjetër. Nëse një shërbim i një spitali të caktuar fut një metodë të re diagnostike apo terapeutike, atëherë do të nxiteshin edhe mjekët dhe drejtuesit e spitalit tjetër ta adoptonin këtë metodë. Por, kjo nuk mund të ndodhë kur spitalet janë unikalë dhe nuk mund të krahasohen midis tyre. Një rol të rëndësishëm do të luanin për mirëfunksionimin e shëndetësisë shqiptare edhe Shoqatat e Pacientëve. Edhe përsa i përket mungesës së tyre mendoj se jemi unikalë. Këto shoqata mbledhin në gjirin e tyre pacientë me sëmundje kronike, të cilët kanë nevojë për shërbim të vazhdueshëm shëndetësor. Ato mbrojnë interesat e pacientëve, që bëjnë pjesë. Përsa i përket shërbimit të urgjencës, çdo spital, që mbulon me shërbim një zonë të caktuar të qytetit, duhet të mbulojë këtë zonë edhe me shërbimin e urgjencës. Kjo do të thotë që çdo spital të jetë i pajisur me 2 apo 3 autoambulanca, të cilat qëndrojnë në pikat kyçe të zonës. Për shembull, nëse do të kishim një spital në zonën e ‘Tiranës së Re’, një autoambulancë mund të vendosej pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, tjetra pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe tjetra pranë “Kodrës së Diellit”. Kështu, në repartin e urgjencës së spitalit priten telefonatat për rastet urgjente dhe kjo qendër njofton autoambulancën që është më pranë pacientit të niset në destinacion, t’i japë ndihmën e parë në banesë, gjatë rrugës dhe ta transportojë pacientin në spital. Vetëm kështu mund të japim një ndihmë të shpejtë, të kualifikuar dhe të evitojmë incidentet e rënda, që janë shoqëruar edhe me goditjen e mjekut nga familjarë të personave të vdekur gjatë kohës që autoambulanca përpiqej të shkonte nga shkolla “Emin Duraku” në zona të skajshme të Tiranës. Këto incidente kanë shkaktuar edhe deri thyerjen e kockave të fytyrës dhe shtrimin e mjekut urgjent në spital. Spitalet e Tiranës janë i vetmi vend ku konsultat ambulatore kryhen pa prenotime. Në këto spitale, pacienti pasi merr një rekomandim nga mjeku specialist i rrethit, me librezën e shëndetit me vete, merr rrugën për në Tiranë, ku zë radhën në derën e specialistit përkatës. Kështu, ndodh që para derës së specialistit krijohet një radhë me pacientë dhe familjarët e tyre, fillon muhabeti dhe sherret se kush e ka radhën, kush ka ardhur i pari dhe kush ka ardhur nga rrethi më i largët i Shqipërisë. Krijohet kështu një rrëmujë, ku të gjithë flasin njëkohësisht dhe me zë të lartë, duke krijuar kushte shumë të vështira për mjekun dhe personelin tjetër të spitalit. Kjo rrëmujë vazhdon deri në mesditë, pastaj mjekët presin orën për të ikur në shtëpi. Kjo situatë përsëritet zakonisht të hënën, të martën dhe të mërkurën, ndërsa të enjten dhe të premten mjekët shohin orën duke thënë me vete dhe me njëri-tjetrin: “Nuk po shtyhet fare dita sot!”. E kundërta ndodh në vendet me shëndetësi normale, ku mjeku i familjes apo specialisti përkatës prenotojnë një konsultë për pacientin e tyre. Në këtë rast pacientit i caktohet data dhe ora e konsultës apo ekzaminimit dhe ai mbaron punë pa patur nevojë të zërë radhë dhe për të qëndruar gjatë në këmbë para derës së konsulentit apo ekzaminuesit, ku kanë ndodhur edhe raste fatkeqësish! Edhe mjeku punon i qetë në këto kushte dhe me cilësi të mirë të punës. Jo më kot në vendet me shëndetësi të zhvilluar është i përcaktuar numri i konsultave që mund të kryejë brenda orarit të punës një mjek konsulent apo ekzaminues. Spitalet e Tiranës janë i vetmi vend në Europë ku konsultat ambulatore kryhen pa një dokument si kartela klinike, ku të shënohen ankesat e të sëmurit, ekzaminimi objektiv, ekzaminimet e rekomanduara dhe mjekimi i dhënë. Në asnjë vend tjetër me shëndetësi normale nuk ndodh kështu. Në këto vende, në momentin që prenotohet konsulta apo ekzaminimi për pacientin, nxirret dhe konsultohet më parë kartela klinike e tij. Një tjetër aspekt ku ne ndryshojmë nga vendet me shëndetësi normale është fakti që ne shpenzojmë miliona euro për llaç, tulla dhe beton, shpenzojmë miliona euro për aparatura moderne, por nuk shpenzojmë asnjë euro për kualifikimin e mjekëve në klinikat e specializuara të Europës dhe të botës. Dhe jemi pikërisht ne ata që kanë më shumë nevojë për kualifikim! Një problem tjetër është edhe çështja e disertacioneve për grada dhe tituj shkencorë! Mjekët tanë, sapo marrin emërimin, nuk mendojnë të kryejnë një kualifikim dy apo tre mujor në klinikat e avancuara perëndimore, por fillojnë menjëherë të mendojnë për të marrë grada apo tituj shkencorë. Kështu fillon kalvari i marrjes së firmave, gjetjes së udhëheqësit shkencor, gjetja e temës së disertacionit, etj. Kështu, mjeku humb dy apo tre vitet më të vlefshme duke u marrë me shkresa dhe nuk shkon për kualifikim në një klinikë të specializuar! Kështu, mjeku mbetet gjithë jetën i pakualifikuar, por ama ka fituar një titull apo gradë shkencore! Dhe të mendosh që disertacioni në fjalë nuk i hyn në punë spitalit apo klinikës, por vlen vetëm për të shtuar rrogën e mjekut, ose si mburojë për të ruajtur vendin e punës. Pra, mjekët, për të ruajtur vendin e punës, apo për të shtuar rrogën, janë të detyruar të marrin titull shkencor, pra të bëhen shkencëtarë! Prandaj Shqipëria ka numrin më të madh të mjekëve me tituj e grada shkencore, edhe pse është vendi më i prapambetur në Europë! Pa korrigjuar më parë këto probleme të karakterit organizativ dhe që nuk kërkojnë shumë para për t’u realizuar, e shoh të pamundur kryerjen e një reforme për ta kthyer shëndetësinë shqiptare në rrugën europiane! * Autori është mjek në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 11:19:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015