Përurohet shtëpia muze e Ukshin Hotit Prishtinë | 17 Qershor - TopicsExpress



          

Përurohet shtëpia muze e Ukshin Hotit Prishtinë | 17 Qershor 2013 Në 70-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe u përurua shtëpia-muze e tij. Duke folur për kontributet kombëtare të profesor Hotit, kryetari i komunës Smajl Latifi, tha se kjo shtëpi do të jetë udhërrëfim për ata që dëshirojnë të ecin në rrugën e nderit e të krenarisë kombëtare. “Ai nuk mori shembull nga të tjerët, ai u bë vetë shëmbëlltyrë. Nuk krijoi pasuri, por pasuri të madhe la për brezat që do të vijnë dhe ne duhet vetëm ta sistemojmë e ta ofrojmë për opinionin e gjerë. Ukshin Hoti është libër i palexuar, prandaj duhet ta lexojmë. Ai nuk i përket vetvetes, i përket njerëzimit. Liria e stome është rezultat i mundit, përkushtimit, vuajtjeve e sakrificave të mëdha të popullit tonë, ndërsa Hoti zë vend të merituar në këtë sakrificë kombëtare. Thirrje e vazhdueshme dhe kërkesë këmbëngulëse e jona është që, faktorët vendor e ndërkombëtar të angazhohen për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Pa mësimin e të vërtetës çdo veprim i yni do të ishte gjysmak dhe do të linte zbrazëti në shpirt. E vërteta ka vetëm një emër dhe ne duhet ta dimë atë”, tha ndër të tjera kryetari Latifi. Ndërsa këshilltari i presidentes së Kosovës Selim Selimi vlerësoi lartë figurën e profesor Hotit, duke e cilësuar si pararendës të formimit të UÇK-së. Ndër të tjera Selimi vlerësoi se filozofia politike e Hotit mbështetej në një demokraci autentike, që buron nga e drejta për të qenë të lirë për vetëvendosje të kombeve. Ai ishte ideolog i lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Me këtë gjest simbolik jepet një shembull i qartë i përkushtimit atdhetar, ku brezat do të gjejnë frymëzim. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, potencoi punën shkencore politike të Ukshin Hotit dhe shtoi se ai e shihte shtetin e Kosovës në funksion të bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Ai është figura më e ndritur kombëtare e politikës shkencore. Figura e këtij kolosi i tejkalon dukshëm përmasat kombëtare, prandaj trashëgimia politike e i përket rrafshit universal. Pasuria më e madhe që ai na la është amaneti i tij për bashkimin e kombit. Ai na e ka lënë të trasuar rrugën dhe në baza shkencore ka arsyetuar si mund të bëhet kjo, shtoi ndër të tjera Konjufca. Në emër të banorëve foli Kadri Dellova, i cili kërkoi ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit dhe të pagjeturve të tjerë, si dhe bëri thirrje për përfundimin e këtij projekti kombëtar. Edhe i vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi kërkoi zbardhjen e fatit të të vëllait, me porosinë që miqtë dhe bashkëpunëtorët të kontribuojnë në pasurimin e muzeut të Ukshin Hotit me dokumente dhe artefakte që lidhe me këtë atdhetar të madh. Në oborrin e shtëpisë-muze të Ukshin Hoti u bë zbulimi i bustit të tij, ndërsa në shtëpi ishin ekspozuar punime shkencore, si dhe dekorata e çmime që i janë ndarë atij nga ana e personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës. nga "Ekonomia Online"
Posted on: Mon, 17 Jun 2013 18:50:18 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015