Qentë e rrugës dhe dashuria për kafshët Nje Opinion nga FATOS - TopicsExpress



          

Qentë e rrugës dhe dashuria për kafshët Nje Opinion nga FATOS BAXHAKU- Gazeta shqip Në Përrenjas, bezdia e vetme e qenve të rrugës është i ftohti i hidhur. Vetëm ai i bën të fshihen me bisht ndër shalë andej nga rrënojat periferike të ish-fabrikës. Në ditë të tjera ata lodrojnë hareshëm të patrazuar në rrugët e qytetit. Një ditë prej ditësh, befas, banorët e qytetit vunë re jo me pak habi se qentë e rrugës, nuk po dukeshin gjëkundi. Tashmë ishin mësuar aq shumë me praninë e tyre saqë disave qyteti iu duk disi bosh. Çfarë kishte ndodhur? Të kishte punuar kaq mirë vallë bashkia? Vërtet disa ditë më parë ishte përhapur fjala se njerëz të caktuar nga bashkia, por askush nuk kishte dëgjuar të shtëna. Më vonë u mësua se si ishte puna. Sapo kishte mësuar se qentë do të ekzekutoheshin me gjak të ftohtë, një studente, Sandi Bardhoshi, aktiviste e mbrojtjes së kafshëve, vrapoi me ndihmën e të atit që të mblidhte duzina prej tyre. Pastaj i strehoi në një godinë të madhe, të cilën i ati e përdorte për punët e tij. Falë vajzës së re qentë, edhe për do kohë, shpëtuan kokën nga saçmat e pamëshirshme të gjuetarëve të natës, ndërsa qytetarëve të Përrenjasit iu kursye një spektakël i përgjakshëm prej atyre që të rrotullojnë rropullitë në bark nga neveria. Ndoshta është e tepërt të ripërsërisim shprehjen e famshme se niveli i një shoqërie varet shumë edhe nga mënyra se si ajo i trajton kafshët. Sa për të bërë pak histori. Margaret Hasllëk, por edhe shumë udhëtarë të tjerë, habiteshin me vlerësimin që i bëhej qenit-roje të shtëpisë apo të kopesë në normat e pashkruara kanunore. Profesor Ismet Elezi në librin e tij “E drejta zakonore e Labërisë” bën fjalë për një ngarje që kishte ndodhur në Kurvelesh kohë më parë e që tregohej brez pas brezi. Një djalosh i hedhur për t’u treguar shokëve se ishte një Don Zhuan i papërballueshëm dilte në shesh të duke mbajtur një brez që ia kishte vjedhur një nuseje të re. Familja e nuses, e prekur në nder u hakmor në mënyrë të rëndë: i vrau… qenin. Kjo bëri që pala tjetër të hakmerrej duke vrarë një nga meshkujt e shtëpisë. Pra gjaku i qenit ishte i barabartë me atë të njeriut. Thonë se zinxhiri i vrasjeve nga njëra dhe nga tjetra palë vazhdoi përgjakshëm për dekada me radhë. Në Kanunin e Dibrës, botuar nga Xhafer Martini në 2003, ka pika striktësisht të përcaktuara për qenin: “Qeni mbahet i lidhun në hekura dy pashë të gjatë që i lejojnë lëvizje në një hapsinë të kufizueme mrena të cilës s’ke kujt t’i qahesh me t’kafshue. Qenit i bahet steli në tokën e të zotit e kurrë në tokë të huej. Qeni lshohet prej hekurave kur errësohet dita. Qeni i lshuem e ka lëvizjen mrena oborrit ja javllisë së shpisë, pa dalë në udhë të madhe. Po kafshoi qeni një njeri në udhë të katundit, i zoti i qenit bie në gjysmë gjaku. Me vdek i kafshuemi prej atyne plagve, të zotit të qenit i kërkohet gjaku i plotë sikur ta kishte vra me dorë t’vet. Kur qeni del në udhë të madhe të katundit e u bën hov kalimtarëve, me e vra të zotit të qenit nuk i jepet hesap. Kur qeni ban ndoji dam në katund e mandej vritet nga i damtuemi, i zoti i qenit nuk hap gojën me thanë: Pse? Ai që vret qenin në avlli ja në oborr të shtëpisë, paguen qenin. Ai që vret qenin lidhun në hekra, paguen qenin e një gjobë të randë mbi te”. Trajtime të ngjashme ka edhe në Kanunin e Lekës apo atë të Skënderbeut. Thua gjithë kjo rëndësi juridike ka qenë një mënyrë e paraardhësve tanë për të shprehur dashurinë e tyre të madhe për qenin, për kafshët, për natyrën në përgjithësi. Sigurisht që jo. Kujdesi për të mbrojtur qenin ishte thjesht kujdes për një vegël pune, për një sistem alarmi natyral, pa të cilin shtëpia do të ishte edhe më e pasigurt nga kusarët apo nga gjakësit, dhe pa të cilën gjumi i natës nuk bëhej i thellë. Për shqiptarët e qëmotit në përgjithësi qeni ishte një gjallesë pa shpirt. Ai mbahej i lidhur në pjesën më të madhe të ditës, gjatë të gjithë kohës jashtë shtëpisë. Ushqehej me mbeturinat që mbeteshin në pjatat edhe ashtu të varfra të shqiptarëve. Rrahja e qenit jo vetëm që konsiderohej krejt normale, porse edhe rekomandohej. Besohej se vetëm nga dajaku qeni bëhej besnik i të zotit. Tani le ta lemë pas këtë trashëgimi “të vyer” në fushën e trajtimit kanil dhe le të kalojmë në mijëvjeçarin e tretë, në kohën tonë. Ndryshimi në jetën e qenve tashmë është i dukshëm. Ndryshimi më i madh është formimi i kastave qenore. Kasta e parë janë qenë të e lidhur ende në shumë familje fshatare. Trajtimi i tyre nuk ka ndryshuar shumë që nga koha e Hasllëkut me shokë. Kasta e dytë janë qentë e stanit. Këta duhen konsideruar fatlumë. Vetëm barinjtë, në izolimin e tyre e quajnë qenin një mik të pandarë. Ndajnë me të bukën e gojës, diellin masakrues të korrikut dhe acarin e maleve përgjatë dimrit. Një tjetër kastë janë qentë e privilegjuar të qyteteve. Këta janë shfaqur kryesisht në këto dekadat e fundit, kur edhe te ne, si kudo në botë u përhap moda e të mbajturit qen. Arsyet janë të ndryshme, disa, shumë i morën, sepse i duan vërtet kafshët dhe sepse besojnë se të marrit me to e bëjnë njeriun edhe më të mirë, të tjerë e morën thjesht, sepse nuk ua prishnin dot qejfin fëmijëve për Krishtlindje, të tjerë e morën vetëm për të treguar rritjen e sërës së tyre. A nuk është kështu që sa më i shtrenjtë qeni aq më e pasur familja adoptuese? Ka plot të tjerë, kryesisht të rinj, që me anë të një qeni me nam të fortësh si Pit Bull, apo Dobermann, u duket sikur u shtohet masa e muskujve që transportojnë mbi këmbët e tyre. Disa të tjerë mbajnë qen sepse… ka me dhjetëra arsye të krijimit të kastës së qenve të privilegjuar. Në SHBA bëjnë një shaka të hidhur: Ka vetëm tri gjëra besnike në jetë: paraja, qeni dhe gruaja. (Kjo e fundit për disa ndodh vetëm në moshë të madhe, shtojnë ata). Kasta më e ulët, por jo më e pakta e qenve shqiptarë, përbëhet nga qentë e rrugës. Këta kanë në dorë një pushtet të madh. Qytetet përgjatë natës janë krejtësisht nën kontrollin e bandave të këtyre qenve, që janë të organizuar në po atë mënyrë si krimi i organizuar, vetëm se si qen që janë nuk e dinë ende këtë punë. Ata kanë kapot e tyre, femrat e tyre, territoret e tyre, “hotelet” e tyre, pikat dhe orët e tyre të takimit. Në Tiranë, apo gjetiu ndër qytete të mëdha është bela më vete të endesh natën në këmbë. Problemi është i dukshëm, shëndetësor, etik, i rrezikshëm dhe çka është mbase më e rëndësishmja, krejt jashtë kohe dhe lehtësisht i zgjidhshëm, mjafton që vetëm të merret në konsideratë. Deri më tani për ta zgjidhur problemin e kanë vrarë mendjen disi me ndrojtje bashkitë. Metoda më tradicionale është ajo e ekzekutimit pa mëshirë të qenve me anë gjuetarësh të paguar për çdo kufomë qeni të dorëzuar. Metoda është neveritëse dhe aspak zgjidhëse. Ndërsa fare mirë dhe me ndonjë shpenzim jo kush e di se çfarë qentë duhen mbledhur në një vend të paracaktuar më parë, dhe pas kësaj vjen sterilizmi. Me pak fjalë duhen ndërtuar vende të tilla të posaçme, në disa rajone kryesore të vendit. Ne jemi sot e kësaj dite ende vendi i vetëm në Ballkan që nuk e bën këtë punë. Gjuetia e qenve ndodhi në Golem në fillim të sezonit turistik, është rikthyer para disa ditësh edhe në periferitë e qyteteve të mëdha. Në Shkodër dhe Elbasan u deklaruan të hapura para disa kohësh tenderë më vete për gjuetarët e natës, porse, për fat, u mbyllën sërish. Mirë që nuk u ka rënë në vesh atyre të BE-së ky hobi i të vrarit të qenve natën se me siguri do të na shtonin edhe ndonjë kusht tjetër. Po nejse, muhabet i gjatë… Ndryshe nga mefshtësia klasike e bashkive, shumë të rinj ndër qytete kanë nisur të organizohen vullnetarisht në shoqata specifike OJQ. Falë aktivitetit të tyre brenda pak kohësh mbi 300 qen të braktisur janë adoptuar. Qindra të tjerë janë kuruar e sterilizuar. Shoqata “ArSa” në Tiranë i ka propozuar bashkisë që ajo vetë të marrë përsipër të sterilizojë 3 qen në ditë, porse tratativat nuk janë mbyllur ende. Më në fund disa shenja civilizimi edhe për punë të qenve. Do të dojë Perëndia që zëri i tyre, tash për tash disi i mekur, ndonjë ditë do të prekë mendjen dhe zemrën e ndonjërit që e ka në dorë këtë punë dhe atëherë nuk do të kemi më as dëshirën e neveritshme dhe as arsyen pa arsye që të lagim netëve rrugët e qyteteve me gjakun e çfarëdolloj gjallese qoftë.
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 09:53:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015