RAMA, BERISHA dhe KOSOVA INTERVISTË Me Bedri ISLAMIN, më: 16 - TopicsExpress



          

RAMA, BERISHA dhe KOSOVA INTERVISTË Me Bedri ISLAMIN, më: 16 Shtator, 2013. Bedri Islami është një ikonë e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, një aktivist që në kohën e luftës dhe jo vetëm, mbajti një pozicion kyç, tepër të rëndësishëm, në koordinimin e lëvizjes dhe lidhjeve me vendet e NATO që ndërhynë në Kosovë. Pas vizitës së Edi Ramës në Kosovë iu drejtuam Islamit për të pasur mendimin e tij rreth kësaj vizite, por sidomos edhe për disa episode të pazakonta, siç ishte braktisja e sallës së Kuvendit të Kosovës nga disa deputetë të LDK, apo elozhet e Hashim Thaçit në drejtim të Berishës gjatë vizitave të tij në Tiranë. Bedri Islami është një njohës i sprovuar i realitetit në politikën kosovare dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i disa prej liderëve të sotëm atje, ai nuk ka dyshim se Berisha më shumë është përpjekur të krijojë një imazh si “Babai i Kosovës” në formë makijazhi politik, por realisht ndikimi i tij në Kosovë është tejet relativ dhe jo përcaktues. Në një analizim të detajuar Islami jep shpjegimet e tij mbi këto fenomene të rëndësishme, duke krijuar një panoramë më të qartë mbi atë ç’ka përfaqësojnë për Kosovën Rama e Berisha, Rugova e Thaçi, por dhe prirjet dhe lidhjet historike të socialistëve apo demokratëve shqiptarë me shtetin dhe çështjen e Kosovës. Por mbi të gjitha Islami vë në pah tendencën e Berishës për të eksportuar përçarjen edhe në Kosovë, si një strategji që Islami e konsideron më tepër se një skemë politike, pasi pas saj ai sheh një “sllavo-projekt” të cilit Berisha i qëndron besnik prej 2 dekadash. Çfarë përshtypje ju la në tërësi fakti që Edi Rama vendosi ta zhvillojë të parën vizitë jashtë vendit pikërisht në Kosovë? Është gjëja më normale që mund të bëjë kryeministri i shtetit shqiptar. Njëkohësisht edhe gjëja më e dëshirueshme për të gjithë njerëzit normalë. Njeriu që e përcakton veten mbi ndarjen dhe që dëshiron një hapësirë të përbashkët, nuk mund të veprojë ndryshe. Kam bindjen se kjo ishte ajo që edhe është pritur me një ndjenjë të veçantë përzemërsie në Kosovë, por edhe që ka befasuar jashtëzakonisht shumë një klasë të caktuar politike atje, përgjithësisht e ardhur nga titizmi dhe lidhjet e shumë-qarta me politikën e dikurshme serbe, pasi, në mënyrë të vetëdijshme ata janë mësuar ta shohin Shqipërinë dhe shtetarët shqiptarë thjeshtë e vetëm në një formë të përcaktuar, si dorëdytas ose mbështetës politikë të tyre. Edi Rama ishte i mirëpritur në Kosovë edhe për faktin se njerëzit e arsyeshëm shohin tek ai jo vetëm njeriun për të cilin votuan mbi 1 milionë shqiptarë, por sepse duan të marrë fund politika paternaliste, dyshuese e ndarëse që solli në jetën e përditshme një figurë si Berisha. Me një qasje moderne,por edhe atdhedashëse ndaj Kosovës, Edi Rama përçoi idenë se tashmë askush në Shqipëri nuk kërkon të ketë nën sqetull politikën dhe vendimmarrjen në Kosovë, se e ardhmja e politikës në Kosovë nuk mund të vendoset nga ndonjë lider i përçartur, por denjësisht nga vetë ata që e bënë deri më tash, shpesh herë edhe kundër rrymave që vinin nga Shqipëria. Kjo ishte një risi politike,por e natyrshme dhe me mesazhin që solli, alarmoi mendjet e sëmura, sidomos të atyre që e kanë parë deri më tash Kosovën si një lëmë ku mund të shijnë idetë e tyre, jo vetë paternaliste, por shpesh edhe antikombëtare. Ishte krejt ndryshe nga vizitat e Sali Berishës. Jehona e vizitave të Berishës zgjaste aq kohë sa zgjasnin edhe daullet që binin për të; jehona e kësaj vizite do të ndjehet më pas, sepse nuk ishte e mbështetur mbi frymën e dualleve dhe rekurseve, në dukje patriotike, por thellësisht të çastit, ajo ishte e mbështetur mbi një vizion, mbi një përcaktim, dhe dua të besoj se „shija“ e saj do të ndjehet më pas. Edi Rama nuk shkoi atje si shefi i gjithë shqiptarëve. Ai shkoi atje si një shtetar shqiptar ndër shtetarët e tjerë shqiptarë, të cilët koha dhe politika i ndau mizorisht. Asnjëherë Berisha nuk ka shkuar me këtë mentalitet, sepse nuk e njeh. Edi Rama shkoi atje si njeriu që e di se po thyen një tabu, por , besoj, e kishte të qartë se do të ishte nder për të nëse e thyente denjësisht, dhe u përpoq ta bënte këtë deri në fund. Ai tha mesazhin se në botëkuptimin e tij dhe në përcaktimin e tij të gjithë do të ishin të barabartë, pa asnjë mentalitet ndarje e mosdashje. Sali Berisha dy njerëz nuk ka dashur kurrë në Kosovë, ai nuk e ka dashur kurrë Ibrahim Rugovën, ndaj edhe kontaktet mes tyre që nga viti 1996 e deri në fund ishin të mbyllura, pra nuk ekzistonin, dhe Berisha nuk shkeli në Kosovë sa ishte gjallë Rugova, dhe nuk ka dashur kurrë Hashim Thaçin, sepse tek Ai shihte personifikimin e asaj force çlirimtare që përmbysi përfundimisht politikën Berishiane pro Serbisë. Berisha nuk mund të ia falë kurrë Thaçit dhe lëvizjes çlirimtare përmbysjen e madhe, me të cilën filloi të marrë fund dominimi i tij proserb, ashtu si nuk do të heqë dorë deri në fund nga mbështetja dhe paternalizmi i tij ndaj forcave që dolën nga bota udbashe dhe sidomos të disa figurave të saj dominuese. Edi Rama solli një risi, por që është normalitet. A kishte ndonjë element që ju mendoni se mungoi në mesazhet e fjalimit të Ramës në Kosovë? Edi RAMA u tregua një lider modern dhe unë mendoj se ky është edhe perceptimi i tij për politikën në përgjithësi dhe për atë rajonale e kombëtare në veçanti. Në një vizitë dhe në një përqendrim mesazhesh mund të ketë gjëra që mungojnë, por nuk mund të thuhen të gjitha. Unë mendoj se nëse dikush duhej të ishte ndjerë i mërzitur me fjalimet e Ramës apo me prononcimet e tij për medien, kjo do të kishte ndodhur në mesin e lëvizjeve progresiste në Kosovë, pasi ata kanë pritur e presin më shumë nga Ai dhe nga qeveria e tij. Sepse, thënë ndershmërisht, në një kohë të vështirë për fatet e shqiptarëve në Kosovë ata kanë vënë në provë dy llojet e qeverisjes në Shqipëri: kanë vënë në provë Berishën në vitin 1996 kur ai kërkoi të radikalizojë gjendjen në Kosovë për të hequr vëmendjen nga kriza e fajdeve që po afrohej me shpejtësi, dhe këtë Rugova nuk ia fali kurrë; kanë vënë në provë edhe qeverisjet socialiste në vitet 1998 dhe 1999, kur ajo u është përgjigjur me të gjitha format e mundshme të një shteti sovran; jo vetëm për të pritur mbi 1 milionë bashkëkombës, por mbi të gjitha për ndihmën dhe qëndrimet e fuqishme në mbështetje të luftës çlirimtare. Ka një dallim esencial mes mbështetjes euforike, folklorike, paternaliste që i bëhet Berishës në Kosovë, e cila është si flaka e kashtës; dhe mbështetjes, shpesh edhe të heshtur, që i bëhet qeverisjeve socialiste , të cilat u janë gjendur në momentet më të vështira të ekzistencës së tyre. Mendoj se mesazheve të Edi Ramës në Kosovë u mungoi pikërisht kjo periudhë, kjo lidhje, që më saktë se gjithçka do të ishte paraqitur nëse në krahun e tij do të ishin figura të njohura politike që lidhen me këtë periudhë, si Pandeli Majko, Sabit Brojka, Fatos Klosi, e shumë të tjerë,në mënyrë që njerëzit të shihnin edhe konkretisht ndërlidhjen mes dy periudhave dhe vazhdimin e njëra-tjetrës. Po ashtu do të isha ndjerë i lumtur nëse zoti Rama,në këtë udhëtim të parë, do të kishte me vete qoftë edhe njërin nga përfaqësuesit e 67 shqiptarëve të Shqipërisë , të cilët u vranë në luftën e Kosovës apo të trojeve të tjera shqiptare. Po ashtu, do të doja, që zoti Rama, të kishte mundësuar një takim të veçantë me zotin Haradinaj, i cili, megjithëse mbështeti publikisht zotin Berisha, është jo vetëm një figurë e rëndësishme politike në Kosovë, por edhe një njeri që e do shumë Shqipërinë. Një pjesë e deputetëve të LDK, braktisën në mënyrë demonstrative sallën e Kuvendit ndërsa Rama ishte duke folur në Kuvendin e Kosovës. Arsyeja që ata dhanë ishte mos përmendja e emrit të Rugovës në asnjë rresht të fjalimit të Ramës. Si e vlerësoni këtë që ndodhi? Nëse Edi Rama ka udhëtuar drejt Kosovës, në këtë vizitë premierë historike dhe nuk e ka menduar se do të ketë probleme të kësaj natyre, ai me siguri që ka qenë i gabuar. Këshilltarët e tij duhej ta dinin se një klasë e caktuar politike,që është strehuar më së shumti në Lidhjen Demokratike në Kosovë, nuk e do Edi Ramën, jo se është Edi Rama, por sepse është përfaqësues i një lëvizje politike e cila nuk i la vetëm vëllezërit e saj në pikun e halleve dhe të gjakut të derdhur. Shkaku për të braktisur Kuvendin se Rugova nuk është përmendur në asnjë rresht të fjalimit të Edi Ramës është një sajesë, që ka zanafillën në Tiranë. Mos mendoni se këto njerëz janë të merakosur për Rugovën. Shumë prej tyre e kanë harruar prej viteve, nuk i venë as tek vendi për ti vënë një tufë lule; djalin e Rugovës thuajse e përzunë nga partia e të atit, ata e përdorin emrin e tij kur i duhet,për sa i duhet dhe sipas urdhrit që marrin. Një deputet i LDK-së, Gashi, që mburrej me votën e tij në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, nuk është vetëm personifikim i mediokritetit, por edhe i prejardhjes udbashe në atë lëvizje politike. Por të jemi realë, nuk duhet pritur më shumë. Inekzistenca e ideve dhe mediokriteti i lëvizjes politike sjellin skena të tilla politike. Nuk ka kaluar shumë kohë kur në Kuvendin e kësaj partie janë rrahur me karrige me njëri tjetrin, e përsëri burimi i sherrit ishte Tirana. Saktësisht njerëzit e Berishës. Socialistët nuk e kanë dashur kurrë largësinë me Rugovën. Në fillimin e luftës në Kosovë, në fundin e shkurtit 1998, si përfaqësues i lëvizjes çlirimtare, jam takuar në Mynih, me ministrin e Punëve të jashtme të asaj kohe në Shqipëri, zotin Paskal Milo. Ai ka qenë një njeri vërtet i përkushtuar, mirëpo mua më bëri përshtypje këmbëngulja e tij për vendosjen e kontakteve me Rugovën, duke kërkuar që vetëm përmes tij mund të ishte njohja jonë. Më pas, kam qenë në zyrën e zotit Majko, asokohe kryeministër, kur pritej ardhja e Rugovës në Shqipëri dhe isha i habitur me trazimin e tyre të jashtëzakonshëm për mirëpritjen e tij, deri në detaje. Ka një dallim edhe në qëndrimin e partive politike në Shqipëri ndaj Kosovës. Socialistët mendojnë se afërsia duhet të jetë me të gjithë, pavarësisht qëndrimeve politike e bindjeve; ndërsa Berisha i do vetëm raja, të bindur, dhe kjo politikë e forcës ka gjetur terren në Kosovë, më shumë se ajo tjetra e dashamirësisë. Ka vetëm një shkak, forcat progresive, çlirimtare në Kosovë, për shumë kohë kanë qenë ilegale, ndërsa forcat legale atje, kishin lidhje të fuqishme, të qëndrueshme, jo vetëm me medien, por edhe me struktura të fuqishme të lëvizjeve mafioze e politike antishqiptare e jashtë Shqipërisë. Njerëzit në Shqipëri, më vjen keq, por shpesh herë i marrin gjërat në sipërfaqen e tyre. Ata nuk e dinë, për shembull, se njeriu që drejton sot Lidhjen Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka qenë ministër i Financave në Kosovë në kohën e Millosheviçit. Pra, nëse do të kishte qenë në Shqipëri, ai do të kishte qenë dy herë bllokmen. Më pas ,Isa Mustafa, u bë ministër i Financave në qeverinë Bukoshi dhe drejtoi fondin e saj. E dini se si ka thënë për këtë fond një figurë e njohur politike në Kosovë, Xhafer Shatri, ish ministër i Informimit në po këtë qeveri, në fakt figura e dytë politike e administrative e saj? Po e citoj, sepse kjo akuzë bëhet nga një njeri i afërt i tij dhe ndaj saj ende nuk ka reaguar askush. Shatri ka deklaruar ekzaktësisht: “Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qingja njomakët që kishin ardhur për armë , paratë e këtij fondi ruheshin për ‘ditë të zeza’. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht krye- kopukët ‘institucionalë’ duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit veprimtari kundër tij”. Kjo ishte deklarata e Njeriut të dytë në qeverinë Bukoshi. Disa nga njerëzit ose pasardhësit e atyre që hapur e me paret e popullit zhvilluan veprimtari kundër tij, janë ende sot në Lëvizjen Demokratike të Kosovës, e askush nuk duhet të presë që, ata , të cilët lanë të vriteshin “të vetët” në kufi, do të kenë njerëzi për të tjerët. Njeriu që nuk e donte këtë vizitë të Ramës ishte e mbetet Berisha. Njerëzit e tij u vunë në lëvizje , por bënë shumë pak, braktisën një sallë, e cila edhe përmes kësaj braktisje, dëshmon se kush e braktisi popullin, kush është mosmirënjohës, kush nuk e do afërsinë e barabartë me shtetin shqiptar. Të jeni të bindur se më shumë janë trazuar udbashët e Kosovës për humbjen e Berishës se sa vetë demokratët në Shqipëri. Këtë trazim e shfaqën edhe duke zbatuar një urdhër të ardhur nga Tirana. Lexoj tani,qoftë në shtypin e botuar në Tiranë, por edhe në disa media të Kosovës, se Rama duhet të kërkojë falje sepse ka nderuar një këngëtar serbo boshnjak. Kjo është një ndër hipokrizitë më të jashtëzakonshme, ndër më të fëlliqurat. Unë, e pranoj në vete, se nderimi i një këngëtari duhet të rrijë në sinoret e një këngëtari. Jo më tej. Pra, për mua personalisht, ishte një gabim njerëzor,sepse kaloi disa caqe në një moment jo të përshtatshëm. Mirëpo, si një njeri që i ka shërbyer luftës në Kosovë, unë rri e mendoj për atë që ka bërë Berisha pro Serbisë, dhe qeveria e tij ndaj çlirimit të Kosovës. Është fatalisht e pakrahasueshme. Njeriu i cili i hapi rrugë trafikimit të armëve dhe karburanteve, që ishte pjesë e planit monstruoz të Millosheviçit, i cili që nga dita e parë dhe ende sot është e ka qenë kundër luftës çlirimtare; i cili me njerëzit e tij ngrinte prita ndaj luftëtarëve, nga të cilët disa u vranë, e më shumë u plagosën; njeriu , i cili i hapi portat kriminelit të luftërave, Arkanit; shtetarit që burgosi figurat udhëheqëse të luftës, mes tyre edhe Zahir Pajazitin, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçin, që mbylli rrugët për furnizimin me logjistikë të Adem Jasharit, që burgosi disa nga liderët e tjerë, që dha urdhrin për mos lejimin e aktivitetit çlirimtar në shtetin amë, që i quajti luftëtarët vegla të Arkanit, kur këtë të fundit e kishte në gjirin e shtetit; që bëri nipin e shefit të UDB-së në kohën e Millosheviçit mik shtëpie dhe desh e solli në parlamentin shqiptar, një mafioz të njohur si Damir Fazliç; njeriu që kërkoi të përçajë thellësisht politikën shqiptare jashtë shtetit shqiptar; njeriu që bëri grushtin e shtetit në shtator të vitit 1998, njëkohësisht me ofensivën e forcave serbe në Kosovë, njeriu që dha urdhër të ndiqet Ali Ahmeti dhe fati e deshi jetëgjatësinë e tij; pra, një njeri dhe një forcë politike që ka mbi shpatulla e në mendje mizori të tilla, më së paku duhet të heshtë. Veprimi i disa deputetëve të LDK-së në kohën kur fliste Edi Rama i ngjan si dy pika uji veprimit të deputetëve të PD-së, të cilët braktisën Kuvendin, sapo u çua i pari i tyre. Të dukej si një kope që nuk e dinin se çfarë po bën dashi i tyre. Kur po përgatisja përgjigjet e pyetjeve të dërguara nga Ju, dhe tani jeni padyshim gazeta më autoritare në Shqipëri, më është kujtuar letra e fundit e Grupit të Drenicës, e nënshkruar nga Adem Jashari, në dhjetorin e vitit 1997. Mbajeni në mend kohën kur është shkruar: dhjetor 1997. Në një fragment të saj , ai shkruan se: “Ne s’guxojmë të rrezikojmë shtetin shqiptar. Megjithatë, kurrkush, pra as Evropa e as shteti amë, nuk mund të na detyrojë të pranojmë një autonomi si ishte dikur, në vitin 1974. Ajo kohë shkoi, këtë nuk do e pranojmë, sado i madh të jetë haraçi”. Vëreni ndryshimin mes një strukture në luftë, ku jeta i rrezikohet çdo ditë dhe që mendon për shtetin shqiptar, dhe, në kahun tjetër vendosni një tagër të këtij gashit e gashiçëve të tjerë, të cilët e duan Shqipërinë copëzash. Më e shumta që mund të bënin ata ishte të braktisnin parlamentin në një moment të caktuar. Zoti Islami, vihet re se kur Thaçi vjen në Tiranë, bën gjithnjë kujdes të vërë theksin mbi “rëndësinë dhe peshën” e politikanit Berisha. Sipas jush kjo është një strategji që Thaçi të fitojë zemrat elektoratit kosovar që pëlqen Sali Berishën apo një veprim që e imponon situata e tensionuar mes palëve politike në Shqipëri? THAÇI është një njeri i politikës. Edhe kur ishte lufta ai mendonte politikisht. Pra, ai kërkon të ndërtojë staturën e një burri shteti dhe, të jeni i bindur, se është shumë më i mençur se Berisha. Hashim Thaçi ka aftësinë për të marrë prej secilit atë që kërkon, atë që synon dhe është një njeri i durueshëm, i qetë, që nuk mërzitet se pret. Po të shikoni të gjithë aktivitetin politik të Thaçit, mjerisht ajo nuk njihet si duhet në Shqipëri, kur dikush mendon se ajo filloi kur edhe lufta filloi, do të vëresh qartësinë për synimin që i ka vënë vetes. Mund t’i duket dikujt irreale, por që në dhjetorin e vitit 1993, në njërën nga mbledhjet e jashtëzakonshme të Grupit Drejtues, ku ishte pjesë edhe Thaçi, ai përcakton qartë rrugëtimin që do të bëhej, por edhe pengesat që kishte filluar të nxirrte qeveria nën diktatin e presidentit Berisha. Të gjitha fjalët e Thaçit janë dyfish të kuptueshme. Në varësi të kohës. Ai nuk ngurron të njohë atë që është bërë dhe ta shfaqë në një moment të caktuar. Por ka edhe një dallim të madh: Thaçi e njeh rëndësinë e shtetit shqiptar,jo vetëm në kufijtë londinezë , por edhe jashtë saj. Ai nuk kërkon të ndezë sherr, ndryshe nga Berisha që nuk jeton dot jashtë sherrit. Thaçi , edhe kur është i zemëruar, e mbyll brenda vetes. E njoh prej shumë viteve, ka qenë një periudhë kur nuk dihej e ardhmja, por Ai e kishte të qartë se cila ishte rruga që do të ndiqte. Berisha është një njeri i dehur me të keqen, ndryshe nga ai, Hashim Thaçi është një politikan që e di kurdoherë se çfarë kërkon e ku duhet të shkojë. Berisha i shërben atij për një grusht votash më shumë. Jam i bindur se kaq është vlera e tij tek Thaçi. Asgjë nuk ka përtej saj. Thaçi dhe Rama janë miq të vjetër, nuk jam mes tyre, por janë gjëra që i di fare mirë në lidhjen e tyre shumëvjeçare. Nuk di asnjë rast kur Thaçi dhe Berisha të kenë qëndruar miqësisht, krejt normalisht,në një darkë ose bisedë të zakonshme me njëri-tjetrin. Ndryshe ka ndodhur mes Thaçit e Edi Ramës, ku, në Prishtinë, më ka ndodhur të jem edhe unë. Problemet e Edi Ramës me Kosovën tani sapo kanë filluar. Jam i bindur se do të ndërrojë shumë gjëra që janë bërë mbrapsht, por do e ketë të vështirë të thyejë mentalitetin udbash në disa nga drejtuesit e LDK-së, sepse ata kanë ardhur që andej. Unë mendoj se Ai nuk duhet të mërzitet për një gjë të tillë, sepse ky është një investim dekadash i Serbisë në Kosovë. Dhe nuk mund të thyhet në pak kohë. Detyra më e vështirë e tij është të bëjë reale atë që njerëzit e duan, një bashkim real, ndonëse jo zyrtar, krijimin e një mjedisi të përbashkët, e një ndjenje të përbashkët, e cila, edhe pse mund të jetë në dy streha të ndryshme, do të jetë përsëri e përbashkët. Rruga e Edi Ramës sapo ka filluar. Do të jetë e gjatë dhe e mundimshme. Por është e vetmja që duhet. Nuk ka tjetër. Islami, një ndër themeluesit e UÇK Në Shqipëri fare pak njerëz mund ta dinë se një ish-gazetar shqiptar ka drejtuar në vitet 90-të lëvizjen ilegale të Kosovës që quhej LPK, e që më pas u njoh si Ushtria e Çlirimtare e Kosovës. Ai quhet Bedri Islami, është shkodran, pasardhës i “Lulit të Vocërr” të cilit Migjeni i kushtoi prozën e famshme. Gjatë kontakteve dhe bisedave me disa nga drejtuesit apo luftëtarët më të spikatur kosovarë të UÇK-së, emri i Bedri Islamit nderohet dhe vlerësohet me një respekt dhe përulësi të thellë. Në fillim të muajit Maj 2013 ai ka dhënë një intervistë të gjatë për “DITA”-n ku ka folur sidomos në lidhje me raportet mes shtetit shqiptar të Ramiz Alisë e më pas të Berishës në lidhje me lëvizjen e rezistencës në Kosovë. Si protagonist i dorës së parë, ai theksoi pa asnjë ekuivok në lidhje me përzënien që Berisha dhe Bashkim Gazidede i kanë bërë anëtarëve të lëvizjes së rezistencës, madje shkoi më tej duke folur edhe për përndjekje të tyre dhe për mikpritjen që iu bë një rrjeti të fortë agjenturor serb në Shqipëri, që nuk kishte qëllim tjetër veçse të asgjësonte anëtarët e kësaj lëvizje. Bedri Islami ka sjellë publikisht në vëmendje jo vetëm situata të dekonspirimit të anëtarëve të rezistencës kosovare por ka referuar edhe dokumente të cilat flasin për një bashkëpunim të ngushtë mes Prishtinës, Tiranës, e Beogradit për rakordimin e informacioneve me qëllim goditjen e kësaj lëvizje që për “trekëndëshin” cilësohej si lëvizje terroriste në vitet 90-të. Intervistoi për DITA: Habjon HASANI.
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 10:35:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015