REVANSHI PERANDORAK NË BALLKAN Nga Kolec TRABOINI Po - TopicsExpress



          

REVANSHI PERANDORAK NË BALLKAN Nga Kolec TRABOINI Po kërkohet grupimi i forcave dhe krijimi i aleancave në Ballkan. Veç një qorr nuk po sheh se beteja e domeneve tashmë në këtë rajon gjeopolitik të nxehtë është në ardhje. Çështja siriane u zbeh sepse në krahun e kundërshtarëve të Al Assadit u vunë forcat më regresive të shoqërisë, u vunë terroristët islamikë aleatë të Al Kaedës, të cilët nuk njohin asnjë kulturë e qytetërim veç ligjeve barbare të mesjetës. Përpara shkatërrimit e djegies të qindra kishave e prerjeve të kokave në mënyrë publike, perëndimi dhe Amerika u stepën aq sa edhe pse Al Assadin e urrejnë nuk kanë më atë entusiazmin e parë kur thërrisnin për luftë. Po i thërrasin mendjes. Nuk mund t’i ndihmojnë një kauze që shkatërron qytetërimin sirian dhe e kthen vendin qindra vjet pas. Madje në mënyrë indirekte e pranuan edhe grushtin ushtarak të shtetit kundër Presidentit islamik Morsi që inspironte një regjim total fetar në Egjipt dhe mbylljen e dyerve të qytetërimit mijëravjeçar egjiptian. Nuk mund Amerika të bëjë lojën e terroristëve ndaj dhe kemi këtë tabllo fort të dukshme anipse bëjmë sikur nuk e shohim. Askush nuk po jep më lajme për ngjarjet në Siri ku na paskan shkuar edhe dhjetra shqiptarë të fandaksur pas islamizmit fanatik. Është e kuptueshme se me shmangien e konfliktit të mundshëm siriano-turk, ku Erdogani, ky regres i gjallë i qytetërimit turk shpresonte të ishte faktor lufte për shtrirjen e influencave të tij si kundërpeshë ndaj Izraelit, tanimë aspiranti për sulltan nuk i mbeti tjetër veç t’i hedhë sytë e ambicjet në Ballkan. Platforma turke e ridimensionimit të Ballkanit nën tutelën turke nuk është e panjohur. Ka vite që punohet me këtë platformë e cila është edhe si kundrapeshë ndaj qarqeve europiane që nuk po e pranojnë shtetin e madh islamik në gjirin e Bashkimit dhe gjasat janë mos ta pranojnë kurrë. Sepse ekspansioni islamik, i cili është i konsiderueshëm e për të cilin shpenzohen miliarda dollarë prej vendeve arabe të pasura me naftë, edhe më tej vazhdon të konsiderohet një rrezik për kulturën perëndimore europiane. Teoria e Samuel P. Huntingtonit se luftat e ardhshme do të jenë ato mes kulturave të ndryshme, nuk është e tejkaluar. Pra si kundërpeshë ndaj mospranimit në Bashkimin Europian, Erdogani ëndërron Bashkimin Islamik të Ballkanit në të cilin ai llogarit katërshen Turqi- Shqipëri- Kosovë dhe dhe Bosnjë Hercegovinë. Prandaj me t’u shuar mundësia e një lufte në jug me Sirinë, të cilën e frenuan vetë amerikanët që në fillim e nxitën, tashmë Ergodani ndërmerr inkursionin e tij në Kosovë dhe bën deklaratën bombë “Kosova është Turqi”, që me siguri i ka çoroditur kuintat e diplomacive europiane. Natyrisht europianët nuk nguten të deklarohen, nuk duan t’ia bëjnë atë nder Erdoganit, bëjnë sikur nuk i kanë dëgjuar, por në të vërtetë fjalët e tij janë vath në vesh të europianëve. Potencialisht Turqia përbën një rrezik me inkursionin e orekset ekspansionite të qeverisë së saj islamike. Nuk është krejt pa shkak që në kohën që shkon Erdogani në Kosovë ka lëvizje të izraeliteve në Serbi. Ka dhe deklarata të ambasadorit izraelit Jozef Levi për ngrohtësinë më të cilën serbët i presin izraelitët dhe se ata, Izraeli, nuk e kanë njohur Kosovën, çfarë nënkupton se ia njohin atë Serbisë, ndryshe ç’kuptim ka ky deklarim. Por deklarimet e diplomatëve kurrë nuk janë të paqëllimta. Të mos harrojmë se serbët kanë ndërmarrë edhe aktin e lejimit të shtetasve izraelitë të hyjnë e dalin lirisht në Serbi pa patur nevojën e vizave. Po le të kthehemi nga vetja. Tashmë dihet se nuk kemi më në Europë një shtet perandorak si Austro-Hungaria që na mbrojti me aq këmbëngulje në rrugën tonë të Pavarësisë. Sepse për Turqinë e për shtetet e tjera të mëdha ne nuk do të ishim në hartat e Europës si shtet i pavarur, ndaj nuk ka kush të mbrojë interesat e shqiptarëve siç ndodhi në fillimin e shekullit të kaluar, nëse do të krijohej ndonjë kaos ballkanik apo konflikt rajonal. Kësisoj kemi këtë tabllo të kohës ku Arnautët e Ballkanit si gjithnjë të mbetur në tymnajë nga mungesa e një udheheqje vizionare, po rreshtohemi krejt gabueshëm në krahun e Turqisë si vasale të bindur. Të mos bëjmë naivin. Erdogani në të vërtetë nuk foli për të dëgjuar ne shqiptarët, qëllimi ka qënë shumë më i largët, u tha sllavëve e Rusëve se Kosova është Turqi. Ndërkohë ne me këto lakadredhje e lamë veten që Europa të mendojë për ne sikur jemi me kampin islamik turk që kërkon ta zotërojë Ballkanin e të ringjallë Perandorinë Turke të influencave si kundërpeshë ndaj Europës. Kemi kësisoj një betejë fjalësh të shpalosura në mënyrë nervoze, ndërkohë Izraeli që vepron pa bërë deklarata të shumta jep sinjalin me ambasadorin e vet në Serbi. Dhe në Beograd e njëjta skenë si në Prizren, pra Izraeli dhe Turqia i tregojnë dhëmbët njëri-tjetrit jo më në kufirin me Sirinë, por në Ballkan. Në këtë rradhitje delirante e mburravece faqe botës padyshim që jemi humbës. Sepse në ndodhtë më e keqja në Ballkan nuk do të na i nxjerrë gështenjat nga zjarri gjithmonë Amerika, sepse Amerika ka më shumë interesa e miqësi me Izraelin se sa me ne. Zgjedhja e gabuar mund të na sjellë fatalitet dhe shkatërrim të kauzës kombëtare. Si mund t’i mbajmë shpresat tek Turqia që na shpërftyroi e mohoi çdo të drejtë për 500 vjet, ajo do të sillka për shqiptarët Bashkimin Kombëtar. Po në qoftë se ka mbetur puna të na bashkojë hasmi i historisë sado e largët qoftë ajo, që na përgjaku për 500 vjet, pra të na mbledhë nën flamurin e tij e nën syzerinitetin e tij, kurrë mos u bëftë e lipsur qoftë ai bashkim nën gjysëm hënën turke. Mallkim më të madh në histori nuk do të kishim.
Posted on: Sun, 27 Oct 2013 09:59:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015