RIPERKUFIZIMI FUNKSIONAL I STANDARDIT RRIT FUQINE FAKTIKE TE - TopicsExpress



          

RIPERKUFIZIMI FUNKSIONAL I STANDARDIT RRIT FUQINE FAKTIKE TE SHQIPES “Kam neveri nga gjithë kjo situatë si dhe nga vështirësia që po vërej se ka shumëkush për të shkruar dhjetë rreshta kuptimplote në lidhje me çështjet e ligjërimit. Shqetësuar prej kohësh nga klasifikimi logjik i këtyre çështjeve, e sidomos nga pikëpamjet me të cilat ato trajtohen, po konstatoj përditë e më fort sa shumë punë u dashka për t’i dëftuar gjuhëtarit atë çka ai bën sot, duke e reduktuar çdo lëndë gjuhësore në një kategori të parashikuar, dhe nga ana tjetër, për t’i treguar sa shumë punë të tjera, tash për tash krejt të shpërnjohura, mund të marrë përsipër gjuhësia”. Fjalët e mësipërme i takojnë fundshekullit XIX dhe janë marrë prej një letre private të F. de Saussure-it dërguar bashkëpunëtorit të tij Antoine Meillet. Ndonëse ndan një shekull nga koha kur u shkruan këto fjalë, mund të pohohet se për gjuhësinë shqiptare ato vijojnë të kenë një kumt mëse aktual. Në këto tetëmbëdhjetë vjet, pas rënies së mureve ideologjike, kur askujt nuk i ka munguar liria shkencore, nga institucionet tona është vijuar gjithsesi me ngulm përqëndrimi te po i njëjti objekt studimi: tek aspekti metalinguistik i shqipes, duke e konsideruar çështjen e gjuhës së përbashkët, ende në transformim e sipër, si kapitull të mbyllur e të sanksionuar njëherë e mirë. Me kapërcime shkencërisht të pajustifikueshme në dy dekadat e fundit energjitë kërkimore u derdhën në vjelje krejt të pjesshme dialektologjike në skaje të veçanta të trevave shqipfolëse, por edhe ato, studiuar në vetvete e për veteveten, duke mbetur shpesh si pirgje dheu mineral, krejt të papërpunuara. Sa për të bërë një cekasë, u trajtua b. fj. e folmja e Hasit pa shqyrtuar nëse ajo bën apo jo pjesë në hartën e dialektologjise urbane te ndonjë varieteti krahinor . Sakaq sfera më e rëndësishme e Shqipes, Përdorimi Faktik i saj, ka mbetur thuajse krejt jashtë vëmendjes shkencore. Kemi të bëjmë pra me një zgjedhje shkencërisht të gabuar të objektit të studimit, e, sikundër thotë Saussure “objekti përcakton edhe metodën”, kuptohet vetiu se dhe metoda rezulton e pasaktë. U la pas dore kësisoj shqyrtimi i stadeve faktike, bartja e repertorëve të shenjuesve stad pas stadi dhe fuqia reale e ketyre repertorëve për të përmbushur nevojat komunikuese të bashkësisë shqipfolëse. Sa u lanë pas dore këto repertorë dhe sa u zbythën ato nga përdorimi i Shqipes se Sotme tregon qartë Fjalori i Gjuhes Shqipe përgatitur nga Mehmet Elezi. Nuk di nëse është rastësi simbolike apo gjetje e zgjuar e autorit fakti që ky Fjalor ka po aq lema “të heshtuara” saç përmban edhe fjalori “i bujshëm” i Akademise, por kjo përshfaqje bëri publike një fakt te njohur mirë e të padeklaruar: faktin se keto 41.000 lema të çmuara të gjuhës sonë amtare janë konsideruar ku me qëllim e ku pa qëllim si fjalë kopile; dhe kuptohet vetiu se, në rastin më të mirë, procedurat normuese e kanë përgjysmuar fuqinë reale të shqipes. Keshtu padyshim që ky Fjalor, veç funksionit të tij primar, atij të dokumentimit lëndor dhe ofrimit te kësaj lënde sferës së përdorimit letrar, shtron ngultazi edhe njëherë nevojën e ripërcaktimit të detyrave objektive te Gjuhësisë Shqiptare. Tashmë është kuptuar nga shumkush se detyra e parë dhe më e rëndësishme mbetet puna për rilevimin dhe katalogimin e repertoreve të shqipes së shkruar e të folur. Vjelja dhe matja statistikore e mjeteve që përdoruesit e një gjuhe vënë në punë kur flasin apo shkruajnë, rilevimi dhe katalogimi i Usus-it të saj është një procedurë e sprovuar tashmë në gjuhësinë ndërkombëtare bashkëkohore. Kjo garanton besueshmërinë e përfundimeve të saj pasi përfundimet bëhen mbi bazën e rezultateve të katalogimeve dhe statistikave në truallin konkret gjuhësor. Gjithashtu materiali që përftohet nga katalogimi i hollësishëm i usus-it, pas përpunimit, mund dhe duhet të shërbejë si bazë të dhënash faktike, qoftë për të matur ndërhyrjet nga jashtë në Përdorim të Shqipes, qoftë për të programuar ndërhyrje azhornuese nga planifikuesit e gjuhës. Bëj me dije me këtë rast se kjo ndërmarrje voluminoze sapo është miratuar dhe së shpejti do të nisë realizimi i saj në Institutin e Gjuhësisë. E meqë shqipja është mjeti më i rëndësishëm dhe i vetëm i kohezionit të hapësirës shqipfolëse, është me vend që ky rilevim të kryhet jo veç në Republikën e Shqipërisë, por në mbarë hapësirën ku shqipja ushtrohet publikisht në katër funksionet e saj. Kësisoj vehikula jonë e përbashkët e komunikimit mund të shndërrohet vërtet në një mjet më të fortë kohezioni kombëtar, kulturor e social, ku të gjithë të ndjehen të përfaqësuar, e për pasojë, të gjithë të kenë mundësi të kontribuojnë në rritjen e fuqisë së saj faktike. Usus-i i Shqipes, pra, paraqitet sot si detyra parësore e gjuhësisë shqiptare. Kjo pasi me anë të tij: 1) rilevohen dhe përshkruhen gjendjet konkrete gjuhësore të çdo stadi socialkulturor; 2) zbulohen faktorët kryesorë që përcaktojnë marrëdhëniet gjuhë – bashkësi; 3) tipologjizohet Modeli Rregullator, sipas të cilit shoqëria përçon, ndryshon dhe prodhon gjuhë. Pasi të jetë kryer rilevimi dhe katalogimi i usus-it të Shqipes së Shkruar dhe të Folur, dalin në pah konvergjencat dhe divergjencat mes këtyre entiteteve vetë si dhe të secilit entitet ndaj Kodit Parashkrues. Pra mund të verifikohet ecuria reale praktike e këtij të fundit, të nxirren në pah aspektet ku ky kod ka zënë vend mirë si edhe aspektet ku rezulton të jetë i diskutueshëm apo i paasimiluar. Së bashku me këtë diagnostikim, e duke u nisur nga denduria e patologjive të mundshme dhe nga natyra e tyre, mund të nxirren së këndejmi edhe faktorët e mosfunksionimit apo keqfunksionimit të kodit. Këta faktorë ka gjasa të jenë: ose Ekzogjenë, pra që nuk lidhen me strukturën e standardit si sistem (por lidhen b.fj. me didaktikën gjuhësore ndër shkolla apo me kujdesin institucional ndaj kodit) ose Endogjenë, dmth faktorë që lidhen me probleme a pasaktësi të brendshme që ngërthen në thelb sistemi i përcaktuar si Kod Standard (si për shembull inkoherenca të panevojshme gramatikore, të cilat shkaktojnë konfuzion te përdoruesit, thyerje mjaft të shpeshta të parimit të analogjisë e të vijimësisë, sanksionime subjektive të mbështetura së tepërmi mbi logjikën metagjuhësore, etj.). Faktorët endogjenë e vështirësojnë nxënien e kodit, rrisin koston e investimit për këtë nxënie dhe e bëjnë atë të varur kurdoherë nga kujtesa e jo nga rrjedhshmëria objektive. Me fjalë të thjeshta pengojnë asimilimin e tij masiv e të suksesshëm. Si të jetë mbërritur kjo shkallë njohjeje e gjendjes gjuhësore dhe e natyrës së faktorëve që sjellin çrregullime, gjuhësia mund të verë në veprim me efikasitet dy instrumentet e saj ndërhyrës: Planifikimin Gjuhësor dhe Politikën Gjuhësore. Pa dashur të zgjatem këtu mbi dallimin midis Planifikimit Gjuhësor dhe Politikës Gjuhësore, dëshiroja të pohoja me këtë rast se një Politikë e re Gjuhësore, e shndërruar në mjet edukues demokratik, ka përnjimend mundësi dhe fuqi ta avisë natyrshëm kodin e folur drejt kodit të shkruar të ripërkufizuar. Në dallim nga Planifikimi, Politika Gjuhësore ka natyrë të vijuar dhe përpiqet t’u paraprijë dukurive gjuhësore, ende para se të ndodhin. Me fjalë të thjeshta ajo përfaqëson tutelën institucionale ndaj shqipes letrare. Nëse këto dy instrumente veprojnë njëherësh, sistematikisht e me të njëjtin intensitet, atëherë vehikula jonë gjuhësore e përbashkët jo vetëm mund të bëhet gjithpërfshirëse, por largesa variabël mes shqipes së shkruar e asaj të folur mund të mbahet po ashtu vijimisht nën kontroll. Gjithë sa u tha, i takon asaj procedure shkencore e cila vlen si parakusht për çdo rinormim të mëtejshëm gjuhësor. Mirëpo do pasur parasysh që nga një procedurë e tillë statistikore nuk përftohet vetëm lëndë konkrete gjuhësore, por, duke arsyetuar mbi tipologjitë e kësaj lënde, mund të nxirret s’andejmi edhe filozofia e ndërhyrjes në standard. Për këtë, në dorë të parë mjaftohemi fillimisht edhe me një studim pilot, i cili heton prirjet e diktuara sot nga Përdorimi. Çdo te thote konkretisht kjo? Po jap me poshte nje grimce te procesit rehabilitues te shenjuesve jonormative, gjithe duke u bazuar mbi kriterin funksional: Idhnì – se është përligjur “idhnak” dhe gjithashtu se shenjuesi “hidhërim” nuk mjafton për ta mbuluar fushën semantike të vendit që mbetet bosh nga mungesa e shenjuesit “idhnì”; Krenì dhe Krenari – se ka një “krenohem” e mandej “kreni” përmbush edhe funksione të tjera semantike; e po ashtu shkon për analogji me “brezni”, “farefisni” të cilat janë pranuar duke mos pasur gjegjëse në toskë; Burrnì dhe Burrëri – se e para, përveçse po paraqitet më dendur se e dyta, dhe kete na e jep studimi pilot qe ceka me siper, po dallon gjithashtu në përdorim si stilemë e veçantë, pra po paraqitet edhe me funksionin e shenjuesit të një tubimi burrash; Burrnohet dhe Burrërohet – se e para ka edhe kuptimin “merr zemër” dhe po ashtu shkon për analogji me formën e përligjur “grunohet = bëhet grua”; kjo e dyta është pranuar në mungesë të një gjegjësje në idiomën jugore; Drunohet dhe Drunjtëzohet – se e para mund të ofrohet si formë më sintetike dhe sot rezulton semantikisht më asnjanëse, pra me fushë më të gjerë; kësisoj mund të shprehë edhe veprim jometaforik (të mbahet parasysh se e dyta është përdorur edhe për kontekste si “drunjtëzimi i mendimit, i ideve” dhe përdorimi kërkon kohën e vet për t’i çngjyrosur fjalët nga ngarkesat semantike); Barna dhe Barëra – se e para ka kuptimin “ilaçe” dhe është përligjur një “barnatore” apo “barnashitës”; Hiesinë – si vend me hije; nuk ka një të tillë ne FGJSSH, ndersa po aty “hiesirat” janë bimë t’ulëta që rriten në pyll; Kumbonë dhe Këmborë – se përdorimi po e përcakton vetë me analogji iterin: “kumb” - “kumbon” – “kumbonë”, ku dy të parat janë shenjues normativë; Bardhinë dhe Bardhësi – se e para po dallon në përdorim si stilemë; Gjanisht dhe Gjerësisht – se e para sot rezulton se po ofrohet edhe si alternativë sintetike ndaj sintagmës “me zemërgjerësi”; etj.etj. Në përmbyllje të kësaj cekase do të ritheksoja se ndërmarrja e matjes se usus-it, pranimi i parimit të analogjisë, dhe ripërkufizimi funksional i standardit, për të cilin sapo dhashë pak shembuj, vlejnë sot për të formuluar metodikën e ndërhyrjeve rregulluese në varietetin standard. Është koha me i kthy shqipen Shqipes!
Posted on: Wed, 07 Aug 2013 22:35:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015