ROZALBA E MASH DHE BRISA E VOGËL E KALLABAKËS Roza është - TopicsExpress



          

ROZALBA E MASH DHE BRISA E VOGËL E KALLABAKËS Roza është titullare e lartë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë. Tash 14-15 muaj i është dhënë të mbulojë mësimin e gjuhës shqipe në ...diasporë. Brisa është nxënëse në shkollën greke të Kallabakës në Greqi, e shkëlqyer në mësime. Është në të njëjtën kohë edhe nxënëse e kursit për mësimin plotësues të gjuhës shqipe hapur me nismën e komunitetit shqiptar atje. Për kursin, ndjekësit e kujdesshëm të emisionit të njohur FIX-FARE mbase mbajnë mend udhëtimin e Sajmirit i ngarkuar me abetare dhe me kompletin televiziv “Luajmë shkollash”. Të tjerat, ato që lidhen me mësuesen e palodhur Merita Ymeri, janë përcjellë në një libër dhe në disa shkrime në shtypin shqip në Greqi dhe në internet. Gjithçka vullnetare, gjithçka pa pagesë për mësuesen që për mbijetesë bën punë të zakonshme si të gjitha gratë emigrante. Një punë që krahasohet me bëmat e Rilindësve të mëdhenj të shekullit XIX, mësues të cilët Dritëro Agolli i ka quajtur “Rilindësit e Kohës sonë”, punë e cila deri tash është përmbledhur në dy libra: “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” e në vijim me vëllimin e tretë: “Shkolla shqiptare e Selanikut-Mësuesit, këta rilindës çudi”. Bisedën me Brisën titulluar “BRISA YMERI NË ÇUDINË TIME SHQIP PËR SHQIPEN”, e kisha lënë për librin tim të tretë për mësuesit e palodhur shqiptarë në Greqi, për këta “Rilindës Çudi”. Një ngjarje në Ulqin, në seminarin e 9-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, seminar tashmë i përvitshëm organizuar nga MASHT e Kosovës dhe MASH e Shqipërisë, ma solli jo thjesht në kujtesë por si një ballafaqim me atë që titullarja e lartë e MASH përcolli me plot gojë para më se njëqind mësuesve të gjuhës shqipe në mbarë kontinentin Evropian. Pyetjes nga salla: “Çfarë bëhet me fëmijët shqiptarë që si pasojë e krizës kthehen në Shqipëri nga Greqia dhe nuk dinë të shkruajnë e lexojnë dhe mezi flasin shqip?”, ajo iu përgjigj: ”Fëmija im, kur u ktheva në Shqipëri nuk dinte asnjë fjalë shqip...” Ndjeva që salla mbajti për një çast frymën duk vështruar ngultas zonjën në presidium. Duke mos u besuar veshëve pyeta në pushim mësues nga mbarë hapësira ku nxënësit mësonin të shkruanin e lexonin shqip, mësues nga Suedia, Gjermania, Anglia, Zvicra, Austria, Greqia, Italia...Të gjithë e kishin përjetuar deklaratën e titullares së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e ngarkuar për të ndjekur kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në emigracion me habi. Një deklaratë e tillë nuk i shkonte ta thotë në një kafene një mërgimtar që i bie bretku në ndërtim dhe fëmijën e le në gjumë dhe e gjen në gjumë. Një intelektuale, me arsim të lartë e diploma në mësuesi, me detyrë shtetërore në një vend perëndimor, nuk i paska folur fëmijës së vet në shtëpi në gjuhën e gjysh stërgjyshit të vet, nuk i paska marrë një abetare ti mësojë si të shkruaj të tridhjetë e gjashtë germat e alfabetit, nuk e paska vënë përballë ekranit satelitor të shohë si flet “Çufo-ja” dhe “Bang-bangu” duke u përcjellë përralla shqip fëmijëve në të gjithë kontinentet, nuk... Ndërkohë më erdhi në kujtesë Brisa 12 vjeç nga Kallabaka, Brisa që në shtëpi i kanë folur dhe ka folur shqip, Brisa me të cilën më 1 Janar 2013 kisha komunikuar në facebook kaq lirshëm dhe kaq saktë sa do ta kishte zili edhe një student i sapodiplomuar për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës. Në respekt të Brisës dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të saj që ndjekin mësimet në ”Shkollat” e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi po e përcjell për lexuesin e këtyre radhëve bisedën e 1 Janarit 2013, ashtu si e kam botuar në shtyp dhe ashtu si do ta fus si pjesë e librit për mësuesit shqiptarë në Greqi që pa asnjë shpërblim, në kushtet e kërcënimeve nga “Krisi Avgji” dhe segmente të tjerë ekstremistë, po bëjnë që Shqipja të mbijetojë... BRISA YMERI NË ÇUDINË TIME SHQIP PËR SHQIPEN Një bisedë që më befasoi dhe më mbushi me gaz e hare... Po komunikoja në facebook me Merita Ymerin, mësuesen e mirënjohur të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kallabaka. Më nderon herë pas here me mesazhet plot respekt që më përcjell, veçanërisht me të falat që më dërgon t’ia përcjell Natashës, shoqes time të jetës, me të cilën është njohur në një nga seminaret për mësimin plotësues të Gjuhës shqipe në Mitrovicë. Kështu ndodhi edhe atë mbrëmje në prag të festave të fundvitit 2012. Kjo deri në çastin kur në komunikim hyri vajza e saj, Brisa Ymeri, 12 vjeçe, nxënëse e klasës së parë gjimnaz në Kallbaka, përndryshe nxënëse e Merita Ymerit në shkollën shqipe të mësimit plotësues të Kallabakës. Komunikova me Brisën, siç nuk kam komunikuar me universitarë, me njerëz që kanë mbaruar fakultetin e gjuhësisë. Nuk desha ta besoj (edhe sot më duket me të vërtetë një çudi) që vajza e mësuese Merita Ymerit, Brisa, shkruante shqip, me shpejtësi e përgjegjësi, aq bukur dhe aq saktë sa më befasoi. Po e përcjell bisedën në facebook me Brisën vetëm me një “redaktim”, me futjen në fjalët e saj të dy germave që i harrojnë sot edhe gjuhëtarë profesionistë, të germës ë dhe ç në vendin e duhur... Për të tjerat lexoni bisedën dhe do të bindeni. Unë, autori i disa librave dhe i dhjetëra shkrimeve për Gjuhën Shqipe në emigrim, u ndjeva krenarë që Brisa jo vetëm e flet por edhe e shkruan gjuhën shqipe saktë por edhe gjen fjalën e duhur për jetën në vendlindjen e prindërve të saj, në Elbasan... * * * Brisa Ymeri: Xhaxhi Abdurahim jam vajza e Meritës. Mami po merret pak me çunin. Do ta thërras tani? Ne jemi të gjithë mirë. Po ju si jeni? Unë: Oh sa bukur! Gëzohem që e shkruan kaq bukur gjuhën shqipe. Ke nënë të mirë, ke edhe mësuese të shkëlqyer. Brisa: Faleminderit shumë xhaxhi Abdurahim ! Në fakt, po, është merita e prindërve të mi, por sidomos e mamasë time që e di kaq mirë gjuhën shqipe!!! Unë: Gëzohem që folëm ! Brisa: Po thërras mamin që të vijë. Unë: Më dërgo një fotografi tënden dhe më trego se si e mëson gjuhën shqipe, çfarë ke mësuar nga historia e Shqipërisë, nga vendet e bukura ku lindi dhe u rrit mami dhe babi, çfarë këngësh këndon, çfarë vjershash recitove për 100 vjetorin... Brisa: Patjetër xhaxhi Abdurahim. Në festën e 100- Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë unë këndova këngën e Vaçe Zelës 'Rrjedh në këngë e ligjërime" Unë: Faleminderit bukuroshe, ma shtove jetën me bisedën tënde shqip. Brisa: Mami e ka hedhur edhe tek profili i saj. Faleminderit xhaxhi Abdurahim. Ishte kënaqësi që fola me juve sepse kam dëgjuar shumë fjalë të mira nga mami për ju !!! Kam lexuar dhe pjesë nga librat e juaj që i keni dhuruar mamit! Më pëlqyen shumë. Unë: Bravo! Po cilët pjesë të kanë pëlqyer më shumë? Brisa: Kam lexuar Rilindësit e kohës sonë ku ke shkruar edhe për mamin edhe për disa mësues të tjerë që janë shokë e shoqe të mamit. Por më shumë nga të gjitha më pëlqeu ajo pjesa tek “Rilindësit e kohës sonë -2”, të ndihmohen mësuesit shqiptarë në Greqi. Dhe më pëlqen shumë sepse flet tamam për ne!!! Unë: Po librin "Rrëfimet e komshiut" e ke lexuar apo nuk ia kam dhënë mamit? Brisa: Librin "Rrëfimet e komshiut" ja ke dhënë mamit si dhuratë për Dashin . Unë të jap fjalën se do ta lexoj librin tuaj "Rrëfimet e komshiut"!!! Unë: Prit pak. Më trego se çfarë ke mësuar për historinë e Shqipërisë? Brisa: Mami na ka mësuar historinë e klasës së katërt dhe mbaj mend se çfarë është historia, matjen e kohës, cilët ishin fiset e para Ilire, si e mësojmë historinë edhe cilët janë burimet historike por gjithashtu edhe shumë të tjera si simbolet e shtetit kombëtar, kush ishte Skënderbeu, Nënë Tereza edhe shumë të tjera që për momentin nuk po me kujtohen... Unë: Nuk ma the emrin dhe sa vjeçe je? Brisa: Më fal që nuk u prezantova, por emri im është Brisa dhe jam 12 vjeç. Shkoj në vitin e parë gjimnaz, domethënë në klasën e 7-të sipas shkollave në Shqipëri. Unë: Bravo bukuroshe. Po për vendlindjen e babit dhe të mamit çfarë të ka mësuar mësuese Merita? Brisa: Mami ka lindur dhe është rritur në Elbasan. Gjithashtu edhe babi. Unë: Çfarë di për Elbasanin? Brisa: Di që është një qytet shumë i vjetër dhe që nga Elbasani kanë dalë figura të njohura, njerëz të dëgjuar si Aleksandër Xhuvani siç e ka edhe universiteti tek i cili ka studiuar mami dhe kam kaluar shumë herë para tij dhe e kam parë. Si dhe është hapur shkolla e parë Normalja e Elbasanit. Kam pare Metalurgjinë... Ooooooooooo, harrova të them për ma të rëndësishmen e cila është Kalaja e Elbasanit. Është vendi im i preferuar i Elbasanit. Gjithashtu për lumin Shkumbin të cilin e kaloj kur shkoj nga Elbasani tek shtëpia e gjyshërve nga ana e mamit në Hajdaran. Unë: Kur shkon në Elbasan? Ke shoqe? Po kush të pret krahë hapur? Brisa: Në fakt kam shumë-shumë kushërinj që janë moshatarë me mua pothuaj, por kam bërë edhe shoqe nëpërmjet kushërinjve! Por me shumë gëzohen gjyshërit kur shkoj. Më duan shumë, jashtë mase si edhe motrën dhe vëllanë tim. Por kur largohemi qajnë dhe mërzitem shumë. Që t’ju tregoj se sa shumë më duan ju them se kur ishte festa e 100-nd vjetorit të Pavarësisë që bëmë këtu me shkollën Shqipe na e bënë surprizë. Së bashku me tezen dhe familjen e saj erdhën këtu për të më parë mua, motrën dhe vëllanë. Unë: U kënaqa shumë. Brisa: Natën e mirë xhaxhi Abdurahim. Tani sapo erdhi mami sepse tani flejti vëllai gjumë. Deri tani nuk po e zinte gjumi. Unë: Natën e mirë bukuroshe. Pashë fotografitë e festës. Ishit me babin e mamin, me vëllanë, po vajza tjetër motra është? Brisa: Po motra ime është. Quhet Erika dhe është 8 vjeçe. Tani më duhet të iki sepse do të shtrihem. Më vajti vonë. U kënaqa shumë që folëm bashkë! Natën e mirë dhe shumë të fala familjes. Gjithashtu gëzuar festat. Athinë, 1 janar 2013 * * * Rozës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, e ngarkuar të ndjekë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë i “rrëshqiti” fjala...tha se kur u kthye në Shqipëri fëmija i saj nuk dinte asnjë fjalë shqip (!)... Pyes: A mund ta drejtojë çështjen madhore të mësimit të gjuhës shqipe të një të tretës së fëmijëve shqiptarë (në mërgim) një njeri në një pozitë kaq të lartë dhe me përgjegjësi zyrtare në MASH, me shembullin që u përcolli mësuesve shqiptarë në mbarë Evropën në seminarin e Ulqinit 2013? Abdurahim Ashiku Gazetar, Athinë Gusht 2013
Posted on: Fri, 09 Aug 2013 05:31:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015