Radha për kolumnen javore të publikuar në të përditshmen - TopicsExpress



          

Radha për kolumnen javore të publikuar në të përditshmen "Tribuna" Peticioni për rrugën e shtëpisë sime Mimoza Kusari-Lila Ka më shumë se pesë vjet që vendbanimi i familjes sime në Prishtinë është shndërruar në një ndër lagjet më kaotike të qytetit të Prishtinës. Lagjja Mat 1 me ndërtimet me dhe pa leje u mbipopullua dhe u krijua kaosi për 2-3 vjet, i cili vështirë se mund të riparohet për 20–30 vjetët e ardhshëm. Qasja e komunës së Prishtinës për këtë zonë ishte mospërfillëse për një kohë të gjatë. Ka shtatë vjet kur fillimisht kemi kërkuar leje për ndërtim të një objekti banimi. Asokohe, kemi pritur nëntë muaj për përgjigje në dokumentacionin e kompletuar nga Drejtoria e Urbanizmit, ndërsa kur kemi takuar zyrtarët komunalë për këtë çështje, përgjigjja e parë ishte: pse nuk keni filluar ndërtim deri më tani? Që do të thotë se prej kohësh ndërtimet pa leje jo vetëm që nuk ndaleshin, por edhe inkurajoheshin. Ne nuk e filluam ndërtimin pa leje, por pritëm për nëntë muaj derisa morëm një copë letër nga komuna. Pagesa të cilën asokohe ia bëmë komunës për lejen e marrë, objekt kolektiv banimi për tri familje (p+3), ishte 29.000 euro! Një copë letër e cila na e jep të drejtën e ndërtimit në truallin tonë, dhe premton se do të mundësojë kushte për banim: rrugë, infrastrukturë dhe instalime, shkolla për fëmijët tanë. Kjo është të paktën ku do të duhej të shkonin paratë e grumbulluara nga leja e ndërtimit. Por,asnjë shërbim tjetër nuk e morëm prej asaj kohe nga komuna, bile situata degradoi ende më keq. Nga ajo kohë komuna lejoi shumë e shumë ndërtime tjera, kryesisht të larta, për banime kolektive shumëkatëshe. Krejt në fillim, lagjja dukej se do të ndërtohej për lakmi, me shtëpi të rregulluara, ndërtim të ulët me rrugë paralele, ende të paasfaltuara. Edhe premtimet për asfalt nuk munguan, në fakt ishin mjetet e buxhetuara për asfaltimin e rrugëve. Por investimi dhe kursimet tona jetësore për një lagje të rregulluar u dëshmuan të kota. Në fundin e katër rrugëve paralele, të cilat lidhen me rrugën kryesore, komuna lejoi ndërtimin e katër objekteve të mëdha kolektive, që në planin fillestar urbanistik ishin paraparë për gjelbërim dhe parqe lojërash për fëmijë, duke mbyllur kështu përfundimisht daljet e tri rrugëve. Edhe pse jo e paraparë me plan urbanistik, ndërtimet u lejuan dhe komuna e Prishtinës shumë shpejt i arsyetoi ndërtuesit se kanë leje, thua se nuk ua dha ajo vetë këtë leje?! Edhe sikur të ishte ashtu, që është mashtrim pasi neve fillimisht na prezantoi një plan tjetër urbanistik, komuna duhej të vendoste disa kritere për këto ndërtime që i lejoi pas ndryshimit të planit fillestar. Kritere elementare si: qasja në rrugë, infrastruktura komunale, siguria fizike e kalimtarëve, asfaltimi i rrugëve të cilat tani kanë degraduar si mos më keq nga kamionët dhe ndërtimet e vazhdueshme, hapësira për shkolla, për çerdhe, për parkim, për gjelbërim. Pronarët e rinj tanimë janë vendosur në këto banesa të cilat bllokuan daljen tonë, ndërsa kompanitë të cilat i ndërtuan dhe i shitën banesat u kujdesen të rregullojnë vetëm hapësirën përpara banesave. Pjesa anësore dhe ajo pas, në të cilën kalojnë qindra automjete dhe banorë të lagjes, është e pluhurosur, e shëmtuar dhe mëngjes e mbrëmje shajmë e fyejmë kur kalojmë andej. Bile, me kërcënimin se kjo rrugë do të na mbyllet krejtësisht, ngase kjo tokë me planin e ri urbanistik përnjëherë u shndërrua në tokë private. Ishte ditë më parë iniciativa e disa banorëve të lagjes të dërgojnë peticion komunës me kërkesën për ndërtimin e rrugës. Në kthim nga puna, më ndalën në rrugë dhe më kërkuan nënshkrimin. Pa asnjë hezitim nënshkrova peticionin dhe u kërkova falje banorëve me fjalët: kërkoj ndjesë që një njeri në pozitën time banon në lagjen tuaj dhe nuk arrin të realizoj të drejtën elementare njerëzore në këtë komunë, të jetojë në mënyrë të dinjitetshme dhe të marrë shërbimet e duhura, pasi kemi kryer obligimet tona si banorë. Duke i ditur përgjigjet e deritashme të kreut të Komunës, se nëse nuk na pëlqen mund të shkojmë të jetojmë diku tjetër, do të isha përgjigjur, se, po, me siguri do të shkojmë të jetojmë diku tjetër. As unë, e besoj edhe asnjë qytetar tjetër nuk ka përgjigje në këtë “mirëqeverisje”. E as që meriton përgjigje. Por mbesin pyetjet, për të cilat deshi nuk deshi, dikur, dikush nga kjo qeverisje do të detyrohet të japë përgjigje: pse komuna e Prishtinës ka lejuar dhe lejon ndërtime të cilat nuk mund t’i shërbejë me infrastrukturë përcjellëse? Pse Komuna e Prishtinës aprovon plane ndërtimi të lartë të cilat nuk i plotësojnë standardet elementare të banorëve të objekteve dhe atyre përreth? Pse ndërtuesit nuk e marrin asnjë obligim për krijimin e kushteve minimale të sigurisë për ambientin përreth? Pse komuna e Prishtinës vë në lajthitje qytetarët duke iu ndryshuar çdo ditë/muaj planet rregullative të zonave ku ata banojnë? Çfarë është përgjegjësia e Komunës për të hollat të cilat i inkasojnë nga lejet dhe shërbimet të cilat nuk i ofrojnë? Për të treguar që nuk është hera e parë që e ngreh këtë problem, më duhet të tregoj se kërkesa për këtë zonë kam pasur prej disa vitesh, me vetë kryetarin, me zyrtarët komunalë, përfshirë edhe drejtorin e inspektoratit. Gjithmonë ka ekzistuar arsyetimi se këtë vit janë buxhetuar mjetet për ndërtimin e rrugës, por ndërtimi është shtyrë. Pastaj më është premtuar se do të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme për pjesën e rrezikuar, por asgjë. Pjesë e peticionit të lagjes ishte edhe protesta e banorëve nëse nuk kemi reagim të komunës në kërkesat tona. Absurdi i radhës është të jem pjesë e protestës së banorëve të lagjes, pasi njëjtë na u shkelën të drejtat duke na u cenuar siguria minimale që secili qytetar i komunës e meriton. Kosova si rast specifik për shumë çështje e tema tjera, do ta ketë edhe këtë Ministre të Tregtisë duke protestuar me banorët e lagjes në kryeqytet për kërkim të kushteve minimale të jetesës, sepse kjo është Prishtina, kjo është Kosova. (Autorja është zv/presidente e partisë Aleanca Kosova e Re; zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)
Posted on: Fri, 16 Aug 2013 08:22:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015