Ramiz LUSHAJ ÇKA KANË ME SKËNDER HYSENIN, MINISTRIN E - TopicsExpress



          

Ramiz LUSHAJ ÇKA KANË ME SKËNDER HYSENIN, MINISTRIN E JASHTËM TË KOSOVËS ?! 1. Skënder Hyseni, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, po shigjetohet e shitohet çdo ditë nga A tek ZH, prej iksave e ypsilonave, me fjalë terr e në eter, për Pavarësinë e Kosovës, sikur ky të ishte Zeusi apo tek ky na qënka “Thembra e Akilit”, sikur ky paska “shkopin magjik”, thuajse është qëndra e gravitetit diplomatik e politik. Dikush hidhet truçkas e thotë bruçkllas se: “Nuk paska Ministri të Jashtme”. Ec e gjeje fillin apo të zgjidhësh nyjen… Po a e dini ore se çdo të thotë të ngresh nga themelia një Ministri të Jashtme në një shtet të ri, më të riun në botë, në një Kosovë të madhërishme e të vogël. Është e vështirë për çdo politikan eshkë dhe, ndoshta, është e lehtë për çdo politikan rreshkë… Në fillim të fillimit e në fund të fundit, më e lehtë është të ngreshë Kullat Binjake në Nju York se një Ministri të Jashtme në startin e stadin e Kosovës sot. 2. Dikush hidhet pupthi e gjuan ngulthi, sikur: “Nuk paska Politikë të Jashtme të Kosovës”. Të gjithë ata, politikanë (bërës e çbërës), që garohen duke u gërvallë kështu, duan të dalin diku, po janë e ecin kuturu… Në rast se Kosova njihet në Europë, tash dymijë vjet, për prodhim të mineraleve të saj të pasura e të rralla, nga linjitet, plumbi, zinku, argjendi, nikeli, magneziti, kromi, boksidet dhe deri te agregatet e mineralet e ndërtimit, pa frikë mund të themi se tash dy dekada ka “prodhuar” më shumë Politikë të Jashtme në truallin e shtetit të vet, në rajon e në hapësirat globale. Biles, ka nja 10 vjet, që kanë heshtur punën minierat, që kanë munguar edhe dritat, por nuk ka munguar Politika e Jashtme e Kosovës dhe Politika e Jashtme Euro-Atlantike…për Kosovën. 3. Dikush për “arsye të brendshme” e sulmon “politikën e jashtme”. Ne nuk ua dimë të përbrendshmet e tyne. Po çka shkulaviten. Si bëhen qyrros mëngarosh. Qysh shurrosen pip-përpjetë e në fytyrë të vet. Ruajna Zot, në rast se e kanë megjithë mend, atëherë po na lënë pa mend! Po flasim diçka rreth një shembulli të thjeshtë: Kosova zotëron vendin e pestë për rezervat e linjitit, ( 14700 milionë ton), që kanë rëndësi të jashtzakonshme për këtë shtet të ri, pasi kontribuon 97 për qind të prodhimit të energjisë totale elektrike (me 3 për qind të bazuar në hidrocentrale), por ende sot Kosova ka probleme me dritat… Atëherë sa e qysh kërkojnë të ndriçojnë menjëherë, si flakadan, Ministria e Jashtme e Kosovës? Në rast se shfrytëzimi e ndikimi i linjiteve ka filluar që në vitin 1922, atëherë për 5-6 muaj u pritka nga MPJ e Kosovës të rregullojnë të gjitha “linjat e veta” për të shfrytëzuar potencialet intelektuale e diplomatike të Kosovës, për të dhënë rrezatimin e tyre! Dihet se linjiti është i shpërndarë pellgjeve të Kosovës, Dukagjinit e Drenicës, por deri më sot, për 86 vjet, rezervat e tij janë shfrytëzuar në mënyrë të kufizuar vetëm në pellgun e Kosovës. Atëhere, tash,bash për 150 ditë pritet të shfrytëzohen nga MPJ e ministri i saj Skënder Hyseni, të gjitha hapësirat diplomatike të Globit, nërkohë që Kosova tashmë është përmasuar si çështje globale. Në fillim, në pas vitet ’20, shfrytëzimi i linjiteve nisi me punime nëntokësore të cekta e në shkallë të vogël, ndërsa shfrytëzimi i tyre në shkallë të gjerë në qiell të hapur, me mjete moderne, filloi në vitet ’50, në Mirash (1958), në Bardh (1969), por ende edhe sot nuk kemi një shfrytëzim terësor e plotor të tyre. Atëherë çka nuk u krye në mbi 8 dekada për linjitet, që i japin dritë Kosovës, po i kërkohet MPJ që të ndriçojë në Prishtinë, Ballkan, Europë e Botë! Prandaj, këta njerëz, para se të kërkojnë të errësojnë të tjerët duhet të ndriçohen vetë.. As politika e jashtme, as MPJ, nuk ushqehet në qiell e të milet në tokë, por toka e vet e rritë, pasuria e vet e ndritë, ndërsa diplomatët e saj e rrisin dhe e ndrisin vendin e vet në botë. Nuk ka politikë të jashtme të madhe, me hapa ekonomik të tillë, të vegjël, si në këtë rast e në shembuj të tjerë. Përkundrazi: Politika e jashtme është produkt e imazh i vet gjendjes ekonomiko-politike të brendshme të vendit. 4. Skënder Hyseni nuk mund të jetë as Iskander, përndryshe Skënderbeu i lavdishëm. Pamvarësisht se turqisht emri Skënder domethënë Aleksandër, prapë se prapë Skënder Hyseni nuk mund të jetë Leka i Madh. Skënder Hyseni, o vllazën, ka emrin e mbiemrin e tij. Ka vendin e tij atributiv në përpjekjet madhore mbarëkombëtare për Kosovën. Ka sot postin e Ministrit të Jashtëm. Nuk u mor nga rruga Skënder Hyseni dhe as nuk mund të sulmohet rrugaçërisht Ministri i Jashtëm. Në këtë post shkoi jo vetëm e vetëm se mirëdinë anglisht, por edhe se flet shqiptarisht, jo se e çoi vetëm partia e tij, LDK, por se e thirri koha e 17 shkurtit 2008, se donte historia e re që po e shkruan Kosova në shek. XXI. Atë e nuhati diplomacia si njeri shumëdimensional dhe, vet Skënder Hyseni, gjykoj se e ka nuhatjen diplomatike me të gjitha shqisat, ecën me drejtpeshim graviteti në vertikalitetin e horizontalitetin e diplomacisë globale, i jep impulse e kontribute diplomacisë kosovare… Nuk është puna të rrijmë pazë e pavëmendje ndaj MPJ të Kosovës e ministrit të saj. Ka plot gjëra për t’u kritikuar, por aspak për t’u denigruar, anatamuar, për t’iu shkarkuar si me rrufe e për t’ia hedhur gjithçka përdhe…nga shtatanikët, shtalbaknikët, shpërdredhnikët, shpifanikët… Ministri Skënder Hyseni ka bohemën e tij diplomatike për Kosovën nga Senegali i Afrikës në Uashington, kryeqytetin e Amerikës, në Nju York, kryeqëndren e OKB-së, nga Europa në Azi.. Ja, këto ditë, ishte dhe në Çeki. Fjala vjen,në mes rreshtave, në bllok me institucione e klasën politike të Kosovës, edhe unë i kam adresuar kritika të hidhura për të dhënë e marrë mesazhin e një shqetësimi për arritje të shpejta e më të mëdha për Pavarësinë e Kosovës. Po Skënder Hyseni ka për çka të kritikohet me të drejtë e në mënyrë të rreptë, sepse: nuk duhej të priste disa muaj për të hapur një faqe interneti të MPJ të Kosovës, nuk duhet të presin as 100 ditë për të ngritur misionet diplomatike të dekretuara në 10 shtete të rëndësishme të botës, etj. Për koiçindencë. Skënder Hyseni 53 vjeçar, i rritur në këto dy dekada me Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt ka pasë dy gëzime: shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe ditëlindjen e vet. Pra kjo ditë e shenjtë, shenjon edhe diçka më tepër për të në hapecjen ndër vite. Pra, ka lidhje pa zgjidhje, ka rrugë pakthim, ka përkushtim deri në më të fundmin frymim të tij. Skënder Hyseni i përket Botës Anglo-Saksone, jo vetëm se është nga të rrallët anglishtfolës ndër ministrat e Qeverisë së sotme të Kosovës, jo vetëm se ka ndjekur studime për gjuhësi të përgjithshme e sisteme politike në SHBA e Mbretërinë e Bashkuar, jo vetëm se është përkthyes i sprovuar i anglishtes në tavolina pune e takime nivel larta, por edhe për diçka tjetër esenciale, shumë esenciale. Në diplomacionë e sotme globale diplomacia anglo-saksone është më e avancuara, më traditë hershme e më frytëdhënësja e sotme. Prandaj as Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, nuk mund të mbetet jashtë e larg diplomacisë anglo-saksone, sepse i përket me shkollime e veprime, me kontribute të arrira e resurse të pritshme… Skënder Hyseni ka qënë këshilltar politik kryesor dhe i ngushtë i dy presidentëve të vetëm të Kosovës: Ibrahim Rugovës, shenjt i paharruar e Fatmir Sejdiut të respektuar. Ka marrë shumë nga përvoja e madhe e të parit, por ka fituar edhe nga eksperienca e të dytit. Pra, ky “produkt” politik e diplomatik i Rugovës është zgjedhja e duhur për Ministër i Jashtëm i Kosovës. Skënder Hyseni, si asnjë tjetër, ka dy manadate si ministër i kësaj Qeverie të Kosovës: nga kultura tek diplomacia. Kjo jo rastësisht e miqësisht.. Është njeri me kulturë, prandaj e emëruan edhe si kryediplomat në Kabinetin Thaçi. Ishte zëdhënës i Ekipit Negociator të Kosovës në takime nivel larta, ndërsa tani zëdhënës e interpret, distributor e relator i diplomacisë së Kosovës në hapësirat e globit, në diplomacinë globale. Askush nuk mund të presin që kryediplomati Skënder Hyseni të shkojë në kancelaritë e botës me kobure në brez për ta njohur Kosovën, por veçse me prestigjin e postit zyrtar e forcën e mendjes e fjalës së tij si diplomat modern. Nuk e ka as “shkopin magjik” të përrallave të vjetra dhe as “shkopin e dirigjentit” në këto kushtet e reja të Kosovës, por ka forcë përfaqësimi e besimi euro-atlantik, ka peshë nga historia dardane e Kosovës, ka mandatin e votes së popullit të Kosovës. Nisur nga fakti se, në vitin 2008, Kosova, shteti më i ri i botës, është shumë i pranishëm në diplomacinë e sotme globale edhe vet posti i ministrit të jashtëm është shumë i rëndësishëm, më i rëndësishmi dhe më i vështiri ndër të gjitha postet e tjera të kabinetit qeverisës Thaçi. Po të ishte politika e jashtme e Kosovës vetëm tek posti e emri i Skënder Hysenit, pot a kishte vetëm ky pultin e komandimit e imonin e drejtimit, atëherë do të flisnim ndryshe, në përveçi e me ashpërsi… Po, aktualisht, në politikën e jashtme për Kosovën është edhe roli e prestigji i shteteve euro-atlantike, veçanërisht i SHBA, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, që,sipas Rezolutës 1244, mandatit të OKB-së, e kanë në mbikëqyrje në shtrirje në pesë sektorë zonal Kosovën. Në politikën e jashtme të Kosovës është ekskluziv e kontributiv, përgjegjësor apo meritor, edhe posti e emri i Presidentit të Kosovës, Kryeministrit të Kosovës, Kryetarit të Parlamentit të Kosovës… Pra, Skënder Hyseni, ministri i jashtëm i Kosovës, nuk është e tëra në diplomacinë kosovare, por një pjesë e saj. Nuk është veçse një vend e një zë në diplomacinë globale, ndaj çka kanë që e bëjnë përgjegjës për gjithçka e për të gjitha… Tiranë, 28 Gusht 2008
Posted on: Sat, 31 Aug 2013 13:41:15 +0000

Trending Topics



tyle="min-height:30px;">
Carlos Santana Vented Wrap Rectangular Sunglasses I wish you
Grenzen der Literatur: Zu Begriff und Ph�nomen des Literarischen
GRACE AND PEACE “May God our Father and the Lord Jesus Christ
Life is so expensive. Sometimes I want to quit everything. To not

Recently Viewed Topics




© 2015