Revista Avokat Xhurxhi: Fyerjet në facebook të dënueshme, të - TopicsExpress



          

Revista Avokat Xhurxhi: Fyerjet në facebook të dënueshme, të kontrollohen qendrat e internetit! 30-08-2013 Avokat Xhurxhi: Fyerjet në facebook të dënueshme, të kontrollohen qendrat e internetit! Fyerjet dhe shpifjet publike, veçanërisht nëpërmjet rrjetit social facebook janë kthyer në një problem shqetësues. Qendra për "Drejtësi dhe Solidaritet" ka kontaktuar me avokatin penalist, Fariz Xhurxhi (18 vite prokuror në të gjitha shkallët), për të sjellë një panoramë të plotë (me qëllim evidentimin e shkaqeve dhe eleminimin e pasojave që shkojnë deri në vrasje), në lidhje me veprat penale që përhapen nëpërmjet përdorimit të padrejtë të mjeteve elektronike. Fyerjet dhe shpifjet nëpërmjet facebook po shtohen së tepërmi, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni negativ? Fyerja dhe shpifja parashikohen si vepra penale në nenin 119 dhe 120 të Kodit Penal. Këto vepra penale kryen në disa forma, nëpërmjet sharjeve dhe ofendimeve për personalitetin e personit. Njëkohësisht, përhapja e të dhënave që dihet që janë të rreme, përbëjnë shpifje. Mjetet për përhapjen e tyre janë telefonat, e-maili, media e kohët e fundit edhe facebook-u . Vihet re që janë shtuar kallëzimet penale në prokurori, polici dhe në gjykatë, ku është kërkuar që personi që ka kryer këto vepra të zhdëmtojë materialisht dhe moralisht personin e dëmtuar. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, p.sh ka shumë persona dashakeqës që kanë si qëllim të prishin një familje apo të dëmtojnë suksesin e një biznesi. Disa, vetëm e vetëm që të shqetësojnë personin tjetër. Gjithashtu, një shkak tjetër ka të bëjë me nivelin e ulët kulturor e juridik të personit që kryen veprën penale. Duke qënë se mjetet e komunikimit si facebook janë masivizuar së tepërmi, ka shumë persona që aktivizojnë profile të rremë për të kryer veprime të paligjshme, duke dëmtuar personalitetin e individit dhe për ta diskriminuar atë në shoqëri. Madje në shumë raste, situata mes personave që konfliktohen është përkeqësuar (pa ju drejtuar institucioneve), sa personat e irrituar kanë arritur deri në vetgjyqësi, duke kryer plagosje apo vrasje. Çfarë masash duhet të merren për parandalimin e këtyre veprave penale? Kjo kërkon që organet kompetente si Oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) dhe organi i Prokurorisë të përdorin metoda speciale bazuar në Kodin e Procedurës Penale si dhe ligjin “Për parandalimin e veprave penale” me qëllim identifikimin e personit që fyen, shpif apo kërcënon nëpërmjet facebook (si dhe mjeteve të tjera të komunikimit) e më pas të parandalojnë ardhjen e pasojave. Të gjitha mjetet dhe metodat për parandalimin e këtyre veprimeve ekzistojnë, por duhet angazhim i personave që merren me këtë detyrë, pra me evadimin e kallëzimeve të kësaj natyre. Personat që kryejnë këto vepra penale, në disa raste përdorin profile anonime ose të personave të tjerë, por mekanizmi i ndaljes së tyre ekziston. Kjo bëhet duke zbuluar nëpërmjet mjeteve të përgjimit se ku ndodhet mjeti. (p.sh ku ndodhet qendra e internetit) dhe më pas personat që kryejnë këtë vepër. Prandaj, lind nevoja që qendrat e internetit të liçensuara duhet të regjistrojnë identitetin e personave ndaj të cilëve kryet shërbimi. Lind e nevojshme që autoritetet liçensuese të qendrave të internetit, duhet të vendosin si detyrim që shërbimi të jepet kundrejt identifikimit. Në të gjitha vendet e Europës personat japin identitetin për shërbimet qëkryen ndaj tyre. Gjithashtu edhe personat që kanë adresa facebook dhe nuk kujdesen për përdorimin e tyre (nuk ruajnë kodet) duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi në raste kallëzimesh do të jenë ata të parët, që do të thirren para përgjegjësisë.
Posted on: Sun, 08 Sep 2013 09:01:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015