Rexhep TORTE PRIZRENI S’DUHET TA HARROJË DIBRËN Më 10 - TopicsExpress



          

Rexhep TORTE PRIZRENI S’DUHET TA HARROJË DIBRËN Më 10 qershor të këtij në Prizren dhe në viset tjera shqiptare në mënyrë madhështore e solemne u shënua 134 Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që përkon edhe me vitin jubilar të 100 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këto data na bëjnë të jemi krenarë dhe janë dëshmi e fuqishme e përpjekjeve të paraardhësve tanë për të pasur shtetin dhe lirinë tonë kombëtare. Ajo që na ra në sy dhe na habiti në shënimin e 134 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit por edhe në përvjetorët e mëparshëm, është fakti janë mbajtur edhe simpoziume, por pa praninë e historianëve nga zona e Dibrës, ku janë dorëzuar edhe mirënjohje për kontributin e qyteteve në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke anashkaluar Dibrës, edhe pse Dibra ka dhënë kontributin e saj në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe se Iljaz Pashë Qoku – Dibra ka qenë edhe kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lidhjet e Dibrës me Kosovën janë shekullore. Për këtë flasin lidhjet tradicionale, dokumentet dhe ngjarjet e shumta historike. Iljaz Pashë Qoku – Dibra më 10 qershor 1878 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Patrioti dhe iluministi dibran Said Najdeni, përveç me Ismail Qemalin e vëllezërit Frashëri bashkëpunoi ngushtë edhe me Hafiz Ibrahim Mitrovicën, Haxhi Zekën dhe shumë patriotë kosovarë . Në fjalimet e tij asokohe në Kosovë, Said Najdeni,thoshte, “Shqipnia s’ka miq fare dhe që të shpëtojë nga rreziku, një rrugë i ka mbetur. Me u zgjua kombi, me mësuar gjuhën e tij, e me i dalë zot vetes”. Sa për njoftim na duhet të informojmë se, Shoqata e historianëve dhe Muzeu i Rrethit-të Dibrës së Vogël - Peshkopisë më 6 qershor dhe Shoqata e historianëve të Dibrës së Madhe më 7 qershor 2003, në pallatet e kulturës së qyteteve të tyre,mbajtën sesionin shkencor kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me temë “Roli i Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Mois Kamberi, historian nga Peshkopia,në fjalën e hapjes së këtij sesioni shkencor, tha se:”Në jetën e popullit shqiptar ka ngjarje që sipas domethënies së tyre qëndrojnë udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë. Shqiptarët në fund të shekullit 19 krahas kryengritjeve të armatosura bënë përpjekje edhe në drejtim të zhvillimit të arsimit, kulturës e ideologjisë, brenda dhe jashtë vendit kundër “Naçertanies” dhe megaloidesë greke. Lufta Ruso-Turke shtoi rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare,që rezultoi me nënshkrimin e traktatit të Shën Stefanit në mars të vitit 1878,me reagimin e ashpër të shqiptarëve dhe me rishikimin e tij në Kongresin e Berlinit qershor 1878. Në këto rrethana u përhap ideja për themelimin e një lidhje të përgjithshme kombëtare pavarësisht nga krahina,feja dhe pozita shoqërore. Lidhja Shqiptare e Prizrenit që filloi punimet në 10 qershor 1878 kryetar i së cilës u zgjodh patrioti dibran Iljaz Pashë Qoku-Dibra,bashkoi masat popullore mbi bazën e një programi të ri e të përparuar të lëvizjes kombëtare për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare,për bashkimin e shqiptarëve në një unitet shtetëror autonom kombëtar. Në zjarrin e luftës dhe në kuvendet popullore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit para faktorit ndërkombëtar paraqiti kërkesën për njohjen e kombit shqiptar si tërësi,ruajtjen e paprekshmërisë së tërësisë së trojeve shqiptare dhe bashkimin e trojeve shqiptare në njësi të vetme administrative,gjuhësore me kryeqendrën e vet,duke iu kundërvënë traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit dhe apetiteve pansllaviste. Dibra në themelimin dhe veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit zë vend të veçantë në aspektin e kontributit dhe të personaliteteve si Iljaz Pashë Qoku- Dibra me shokë, që e bënë Dibrën qendër në planin politik dhe ushtarak, me veprimet në Prizren, Shkodër,Shkup, Manastir, Gjirokastër etj. Dibra u bë qendër e kuvendeve të rëndësishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në drejtim të ruajtjes së tërësisë,autonomisë dhe zhvillimit të arsimit e kulturës,Lidhja e Prizrenit la gjurmë të pashlyera në vetëdijen dhe kujtesën e popullit shqiptar që ndikoi në ngjarjet e mëvonshme të Rilindjes Kombëtare. Pashko Vasa,shkruan,”Populli shqiptar i thotë Evropës. Unë dua të jetoj,të përparoj dhe të jem i lumtur. Përse doni të më copëtoni. Jam anëtar i familjes suaj, më ndihmoni të futem në shoqërinë tuaj dhe të ndjej me ju të mirat e qytetërimit”. Nebi Xhembulla, historian nga Dibra e Vogël - Peshkopia,duke trajtuar temën “Dibra në vitet e krizës lindore”, u shpreh se:”Diplomacitë e huaja të vendosura në Ballkan ndiqnin me vëmendje aspiratat sllave për shkëputjen e tokave shqiptare,e njëherit reagimet dhe përgatitjet e popullit shqiptar për t’i bë rezistencë të fuqishme këtij copëtimi. Konsulli anglez nga Selaniku njoftonte Londrën për patriotin dibran Selim Bej Rusi, i cili kishte mobilizuar 4000 ushtarë vullnetarë dibranë për të mbrojtur tokat shqiptare nga aneksimi serb në veri dhe 15 mijë ushtarë vullnetarë nga aneksimi grek në jug. Kuvendet e Dibrës patën një rezonancë të gjerë të përhapjes në vilajetet shqiptare dhe në kancelaritë e mëdha evropiane, duke i detyruar ato që të merren më shumë me trojet shqiptare dhe me Dibrën në veçanti. Duke ndjekur veprimtarinë e LSHP, konsujt e diplomacive të huaja vënin në dukje rolin e Dibrës për të mbrojtur me gjak trojet shqiptare,sepse në këtë periudhë edhe LSHP kalon në Dibër dhe që këtu organizohen çetat vullnetare për të mbrojtur trojet e rrezikuara. Nga e gjithë kjo del se Dibra me veprimtarinë e saj politike e ushtarake u bë barometër i politikës patriotike mbarëshqiptare. Kjo i detyroi diplomatët e huaj që të shkruajnë për shqiptarët,të merren me shqiptarët dhe të marrin parasysh qëndrimin e tyre”. Dr.Lutfi Turkeshi-Dibër, studiues nga Dibra e Madhe duke folur në temën “Kontributi i Iljaz Pashë Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shtoi se :”Kriza lindore dhe traktati i Shën Stefanit i dhanë zjarr diskutimit në shkallë ndërkombëtare të çështjes së kombit si kategori historike,kombëtare,me të drejtat kombëtare të popujve për të formuar shtetin e vet kombëtar. Sipas parimit të miratuar nga opinioni publik shkencor,popullsia e një vendi që nuk përbënte komb nuk mund të gëzonte të drejtën për të formuar shtetin e vet kombëtar. Në këto kushte në emër të këtij parimi ishin vënë në lëvizje pendat publicistike ballkanike me lakmitë e tyre ekspansioniste ndaj trojeve që ndodheshin në sundimin osman,duke propaganduar të drejtën e tyre “historike’ për trojet që aspironin dhe për të vërtetuar se gjoja shqiptarët nuk përbënin një komb. Shqiptarët për t’i zhvlerësuar tezat e armiqve nxorën një plejadë personalitetesh politike shqiptare që me devotshmeri ngritën dhe mbrojtën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër Iljaz Pashë Qoku- Dibra, shquhet si atdhetar, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe veprimtar i lëvizjes gjithkombëtare. Si tribun i mendimit dhe si luftëtar Iljaz Pashë Qoku veproi me kredon politike nga e cila nuk u lëkund për asnjë çast,se atdheu i tij i mohuar nga perandoria osmane, i papërfillur nga diplomacia evropiane dhe i lakmuar nga fqinjët gllabërues,do ta fitonte betejën. Ai bashkëpunoi ngushtë me Abdyl Frashërin. Ishte vlerësues realist i situatës së ndërlikuar në të cilën ndodhej çështja shqiptare. E dinte se shteti shqiptar nuk mund të themelohej brenda natës dhe se fara e mbjellë në arë do të korrej, por në kohën e vet. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua nga krerë të krahinave të ndryshme me përmasa mbarëkombëtare, për t’i bërë ballë rrezikut që kërcënonte vendin. Këtë ia thoshte Iljaz Pashë Qoku-Dibra popullit në Dibër,Kosovë e gjetkë. Si kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit fjala e tij kishte vlerë dhe peshë në frymëzimin e patriotëve shqiptarë,ndaj e çmonin mendimin e tij “. Moisi Murra, studiues nga Dibra e Vogël- Peshkopia,duke foli për temën ”Kuvendet e Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”,theksoi se:“Kuvendet në Dibër janë mbajtur si domosdoshmëri për të rregulluar nomalitetin në rrafsh krahinor e ndërkrahinor me rrjedhime thellësisht të pastra kombëtare. Nga ana juridike dhe social-politike ato barasvlerësohen me parlamentet më demokratikë të Evropës së sotme moderne. Këto kuvende gjatë pushtimit osman kanë pasur për qëllim të mos prekej popullata nga reformat e Portës së Lartë, të fitohej pavarësia e të jetohej në liri,ndërsa gjatë pushtimit serb, bullgar e austro-hungarez në këto kuvende është bërë organizimi për dëbimin e pushtuesve. Kuvendet kanë pasur vlera historike e atdhetare,dhe kanë qenë me karakter demokratik,pa marrë parasysh gjendjen sociale,krahinore,hasmëritë dhe bindjet fetare. Vetëm në Qernanicë janë mbajtur 4 kuvende,me përmasa mbarëkombëtare-ai në korrik 1878,nëntor 1880,shkurt 1899 dhe korrik 1909. Më 2 korrik 1878. Lidhja Shqiptare e Prizrenit miratoi programin për ruajtjen e tërësisë së tokave shqiptare nga rreziku i shovinistëve fqinjë. Për realizimin e këtij programi dhe për krijimin e degëve nëpër krahina kërkohej mbështetja e dibranëve,jo për arsye se në fund të programit figuronin nënshkrimet e Iljaz Pashë Qokut - Dibra, Sadik Pashë Hoxhollit,Ismail Agait,Ismail Markes, Haxhi Iljaz Hoxhës dhe Mahmud Mujë Rekës,por se këtu mishëroheshin identiteti dhe qenia kombëtare. Pas Kongresit të Berlinit që ishte vazhdimësi e vendimeve të Shën Stefanit,ku Plava ,Gucia,Rugova iu dhënë Malit të Zi,Vranja,Piroti-Serbisë,Thesalia,Çamëria-Greqisë,krahu radikal i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , përqendroi vëmendjen në mbrojtjen e trojeve në veri dhe në jug të Shqipërisë. Abdyl Frashëri pjesëmarrës në njërin nga Kuvendet e Qernanicës në Dibër,shkruan:”Në këtë Kuvend u shtrua pyetja, “Kush është më i rëndësishëm atdheu që e ka krijuar natyra,apo kanuni që e kanë bërë njerëzit”.Kështu u bë akti më madhor i faljes së gjaqeve.kur dhjetë mijë njerëz lëshuan armët në tokë dhe iu drejtuan njëri tjetrit, “Falma Gjakun-e për këtë besë”- “Gjakun falë- e besa-besë”.Në këtë kuvend u morr vendim për t’i kërkuar Portës së Lartë njohjen e Shqipërisë si vilajet autonom dhe ruajtjen e tërësisë territoriale nga lakmitë shoviniste fqinje. Për shkak të shpirtit atdhetar dibran dhe kërkesave autonomiste dibrane, në nëntor 1880, selia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kalon në Dibër, dhe Dibra për nga aktivitetet dhe veprimtaria që zhvillonte,ishte si kryeqytet i Shqipërisë,me kërkesë autonomi të plotë të Shqipërisë deri në Vidin, me Manastirin e Ohrin. Siç raportonte konsulli britanik Blanti nga Selaniku, në Dibër u vendos të dërgohet një fuqi ushtarësh vullnetarë për mbrojtjen e Ulqinit dhe të viseve jugore të Shqipërisë. Por Porta e Lartë dërgoi gjeneralin famëkeq Dervish Pashën që e shkatërroi LSHP. Dibra deri në tetor 1881 mbeti e fundit e pa u nënshtruar,derisa Dervish pasha me dinakëri preu në besë dhe arrestoi përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u mori deklarata se njohin sulltanin dhe pushtetin turk,që shënoi edhe fundin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas dokumenteve arkivore osmane, ruse, serbe, angleze e frënge, kontributi i Dibrës dhe dibranëve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ka qenë i pranishëm dhe përcaktues. Ngulmi që Prizreni,Manastiri, Ohri të bëhen kryeqytete, mbështetej në faktin se,asokohe këtu shihej rreziku i shkëputjes së trojeve,sepse po të ishte ndryshe, kufiri i sotëm politik do të kishte trajta tjera nga ato që ka. Ndalimi i gjakmarrjeve në Dibër në vitin 1878,është jë apel që u bëhet shqiptareve dhe klasës politike në dy anët e kufirit ,se për interesat madhore të kombit, duhet ngritur mbi interesat partiake”. Dritan Murrja, studjues nga Dibra e Vogël - Peshkopia,në temën e tij “Përpjekjet e atdhetarëve dibranë për arsimin dhe kulturën gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”,tha se:”Patriotët dibranë ndoqën tezën racionaliste se pa emancipim arsimor e kulturor, nuk mund të ketë emancipim politik. Në këtë drejtim në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20 ndjenjat kombëtare kishin marrë përmasa të fuqishme, që pasqyrohej me përhapjen e abetareve shqipe dhe me hapjen e shkollave shqipe që nga Kristoforidhi, Josif Bageri, Said Najdeni,Dervish Hima e Hamdi Ohri. Në Kuvendin e Dibrës në mars 1899, ndër kërkesat kryesore ishte edhe lëvrimi i gjuhës shqipe,çelja e shkollave shqipe dhe financimi i tyre. Këtu rol me rëndësi luajti edhe Klubi “Bashkimi” në Dibër nën kujdesin e Hafiz Sherif Langut, Kadri Fishtës,Riza Rusit e patriotëve tjerë. Ky klub thotë Stërmilli “Rrënjosi idenë me mësuar gjuhën kombëtare e cila për popullin dibran ishte tapia e vendit”.Edhe në Kuvendin e Dibrës në korrik të vitit 1909,thuhej, “Asnjë popull nuk mund të mësojë për nevojat e jetës së tij në një gjuhë tjetër” dhe se “gjuha shqipe krahasohej me burime pa të cilat thaheshin ara e kopshte”.Dibranët në hapjen e shkollave shqipe përveç kundër turqve, rezistuan edhe kundër sllavëve dhe grekëve. Dibranët paraqisnin kërcënonin autoritetet turke se, “nëse Porta e Lartë nuk hapën mejtepe shqipe,atëherë Drini i vjetër do të marrë ngjyrë tjetër”.Kjo pozitë e përparuar e Dibrës në fushën e arsimit kombëtar shpjegohet me patriotizmin e dibranëve dhe me dëshirën e madhe për gjuhën shqipe,me nevojën për tu bërë ballë presioneve asimiluese të shteteve fqinje, dhe se në saje të pozitës malore dhe qëndresës së vazhdueshme,Krahina e Dibrës nuk kishte qenë aq e nënshtruar nga pushtuesi osman siç ishin krahinat e tjera”, tha në fund Dritan Murrja. Tani që Kosova e ka edhe shtetin dhe pavarësinë e saj, duhet krijuar kushte dhe mundësi për të thelluar e forcuar këto lidhje mes Dibrës e Kosovës, duke mos harruar bëmat e lavdishme historike të paraardhësve tanë, por përkundrazi të hedhim më shumë dritë ndaj këtyre ngjarjeve dhe figurave që sakrifikuan dhe dhanë kontributin e tyre mbarëkombëtar në trazimin e rrugës për themelimin e shtetit shqiptar. Organizatorët e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk duhet ta harrojnë Dibrën, Iljaz Pashë Qokun kryetarin e saj nga Dibra dhe bashkëpunëtorët e tij. Organizatorët e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhet t’i ftojnë edhe historianët nga zona e Dibrës për të dëgjuar edhe studimet dhe mendimet e tyre në të mirë të fakteve historike.
Posted on: Wed, 25 Sep 2013 11:22:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015