Rruga e Serbisë drejt BE-së është e kushtëzuar tërësisht - TopicsExpress



          

Rruga e Serbisë drejt BE-së është e kushtëzuar tërësisht nga normalizimi i plotë i marrëdhënieve të saj me Kosovën. Ajo nuk mund të bëjë hapa përpara drejt anëtarësimit, pa i plotësuar të gjitha çështjet që ndërlidhen në raportet e saj me Kosovën. Ky është përfundimi që del nga një Dokument Pune, i përgatitur nga dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian, Britania e Madhe dhe Gjermania, ku është formuluar strategjia përmes së cilës rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE do të kushtëzohet me zgjidhjen e të gjitha problemeve që ajo ka me Kosovën. Më poshtë,mund të lexoni tekstin e këtij Dokumenti Pune, të cilin e ka siguruar portali lajmi.net: Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës Konkluzat e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, më 25 qershor, i bëjnë të qartë se hapat që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës do të adresohen në Kornizën e Negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Për të qenë të sigurt se kjo do të ndodhë, normalizimi do të duhet të përfshihet plotësisht në kornizë. Drafti i Kornizës Negociuese, prezantuar nga Komisioni Europian në pjesën e fundit të korrikut, duhet të mirëpritet si pikënisje e mirë. Jep kontribut të rëndësishëm në propozimin që: përmirësimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës duhet që gradualisht të rezultojë me normalizim të plotë, në formën e një marrëveshjeje obliguese ligjore; përparimi drejt normalizimit të plotë duhet të ishte një pjesë e kushtëzimit të anëtarësimit, si dhe do të duhej të reflektohej në një “klauzolën e pabarazisë”, standardet / kriteret e përkohshme dhe elementet tjera që pasqyrojnë Qasje të Re të aplikuar në dy kapitujt e sundimit të ligjit; normalizimi duhet të trajtohet përmes Kapitullit 35 i cili duhet të hapet në fillim të negociatave dhe të përdoret/shfrytëzohet për të siguruar monitorim të vazhdueshëm të normalizimit; në të gjithë kapitujt e Acquis Communautaire Serbia duhet të sigurojë që legjislacioni/ligjet e saj (përfshirë hapësirën e saj gjeografike) të mos jetë në kundërshtim / të mos bie ndesh/ me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë mënyrë, shpejtësia e negociatave për anëtarësim do të përcaktohet nga shpejtësia e progresit në procesin e normalizimit. Këto elemente do të ndihmojnë në funksionimin efikas të BE-së dhe politikave të saj të zgjerimit pas anëtarësimit të Serbisë dhe/ose Kosovës. Për të siguruar që këtyre parimeve t’u jepet përmbajtja dhe fuqia e nevojshme, versioni final i kornizës së negociatave duhet të përfshijë, si në vijim: 1. “Normalizimi i plotë” i garantuar me përfundimin e procesit të anëtarësimit. Arritja e “normalizimit të plotë” (d.m.th., marrëveshje ligjërisht obliguese e cila garanton se Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë në rrugët e tyre respektive drejt BE-së dhe që të dyja do të jenë në gjendje që në plotëni t’i shfrytëzojnë të drejtat dhe t’i përmbushin obligimet) duhet të caktohet si standardi/ kriteri përmbyllës për Kapitullin 35. Ky kapitull duhet të analizohet në fillim dhe të hapet në fillim të negociatave dhe të mos mbyllet para arritjes së normalizimit të plotë. 2. Kushtëzimi i normalizimit duhet të bëhet përmes secilit kapitull të negociatave, përfshirë hapjen/përmbylljen e standardeve të kapitujve relevantë. Kjo do të siguronte që normalizimi të adresohet në të gjithë kapitujt që janë të rëndësishëm për Kosovën. Komision Europian do të ketë nevojë të bëjë një shqyrtim të plotë të kapitujve gjatë procesit të analizimit për t’i identifikuar çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. 3. Kapitulli 35 do ta mbyllë progresin e përgjithshëm të Serbisë drejt normalizimit të plotë, gjatë të gjitha negociatave të saj. Në linjë me Qasjen e Re që është aplikuar në kapitujt e sundimit të ligjit, Kapitulli 35 do të mbështetet në veglat e kushtëzimit; planet e veprimit; pikat matëse fillestare dhe përfundimtare – për të siguruar përparim të qëndrueshëm, përfshirë edhe një rishikim të fuqishëm të përparimit të negociatave në mes të procesit për të informuar vlerësimin e pikave matëse të përkohshme dhe përfundimtare. 4. Mekanizëm i pakalueshëm për ta parandaluar qoftë Kosovën apo Serbinë që ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së (ka mundësi që të marrë formë ligjore në marrëveshjen për anëtarësimin e Serbisë). Kjo duhet të definohet si pjesë e diskutimeve për pikat matëse në Kapitullin 35. 5. Një “klauzolë disproporcionale’ për normalizimin, e ndërtuar në Qasjen e Re për kapitujt e sundimit të ligjit. Kjo do të lejonte ngadalësimin e negociatave në të gjithë kapitujt tjerë (përfshirë ngrirjen e procesit në hapjen ose mbylljen e Kapitujve tjerë), në rast se Serbia nuk bën përparim të mjaftueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. 6. Një “klauzolë të masave korrektuese”. Sërish, duke marrë motiv nga Qasja e Re, kjo do të t’ia mundësonte BE-së krijimin e mekanizmave më të fuqishëm për t’i adresuar problemet serioze nëse do të ketë, siç janë ndërprerja, zhagitja e vazhdueshme lidhur me normalizimin. 7. Një “klauzolë suspenduese”. Zgjerimi i klauzolës ekzistuese në procesin e normalizimit do të ofrojë një levë të fuqishme për rikthimin e progresit në rrugë të duhur nëse dalin probleme serioze. 8. Mekanizëm i fuqishëm mbikëqyrës për t’i ofruar vendeve anëtare vlerësim të përditësuar të progresit. Kjo do të ishte e rëndësishme për të informuar mbi çdo stagnim në klauzolën disproporcionale dhe/ose masat korrektuese. Kjo çështje duhet të përfshihet edhe në raportet vjetore të progresit të Komisionit Europian. 9. Përkushtimi ndaj vazhdimit të Dialogut në ndonjë formë për t’i zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura teknike dhe ligjore si pjesë integrale e procesit të normalizimit. Dialogu bilateral do të mbetet mekanizëm i rëndësishëm për angazhimin politik dhe zgjidhjen e çështjeve të tilla. 10. Rol të fuqishëm për Shërbimin e Jashtëm Europian/ Përfaqësuesin e Lartë bashkë me Komisionin Europian. Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për vazhdimësinë e implementimit të Dialogut/monitorimit. Përqendrimi në procesin e normalizimit në Kornizën Nogociuese nuk duhet ta pakësojë vëmendjen ndaj sfidave të mbetura të Serbisë në agjendën e reformës së brendshme, përfshirë në veçanti çështjet e sundimit të ligjit në Kapitujt 23 dhe 24. Rrjedhimisht, ne i kushtojmë rëndësi të madhe faktit se Korniza Negociuese për Serbinë do ta aplikojë Qasjen e Re në Kapitujt 23 dhe 24, të cilat janë krijuar për negociatat e integrimit me Malin e Zi, përfshirë edhe planet vepruese të detajuara si pika matëse fillestare, të përkohshme dhe aplikimin e klauzolës disproporcionale. Kjo do të jetë vitale për arritjen e reformave kryesore në Serbi dhe, rrjedhimisht, sigurimin e anëtarësimit të suksesshëm të Serbisë në BE.
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 07:07:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015