Rrëfej sekserin e Presidentit Nishani 32 Postuar më: 23 Gusht, - TopicsExpress



          

Rrëfej sekserin e Presidentit Nishani 32 Postuar më: 23 Gusht, 2013 tek Aktualitet 23-gusht-2013 Më poshtë do të lexoni një letër të nënshkruar, nga një qytetar i Vlorës, quhet Hamza Hamzaj. Është një letër e hapur, në të cilën ai akuzon drejtpërdrejt Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, si njeriun që i ka dhënë mbrojtje politike dhe jo vetëm, ndihmësit të tij më të afërt, Florian Nurit. Hamzaj akuzon Nurin si njeriun që ka tjetërsuar pronat e tij dhe Nishanin si njeriun që i ka siguruar Nurit paprekshmërinë, duke renditur një sërë faktesh dhe rrethanash që përfshijnë dhe gjykatës apo drejtues të lartë administrativë, të gjithë të implikuar dhe të gjithë të shpërblyer më pas me poste. Hamza Hamzaj është një person real i cili ka ardhur personalisht në redaksinë e “DITA”-s bashkë me një dosje me dokumente për të denoncuar dhe për ti dhënë jehonë problemit të tij. Letra e tij është më se e qartë dhe e detajuar, ndaj dhe, përveç kësaj hyrje prezantuese nuk kemi ç’të shtojmë më tepër. Hamza HamzajNga Hamza Hamzaj Unë e di, se është e vështirë, jo vetëm të fitosh, por edhe të besohesh, kur sot konfliktin e ke me ata që drejtojnë shtetin, por unë nuk mund të tërhiqem para karakterit dhe të drejtës time, se kushdo qoftë dhe kudo qoftë, karrigia e tyre pushtetore, nuk është më e fuqishme se e vërteta dhe e drejta ligjore, që ka brenda shpirtin, sakrificat, djersën, mundin, vendosmërinë e brezave që s’janë më, por edhe të atyre që do të vijnë, kur të mos jemi ne. Nëpërmjet kësaj letre të hapur që po e botoj në gazetën ‘DITA’, unë ju drejtohem publikisht dhe ju akuzoj drejtpërdrejt juve, për sa më poshtë: Unë jam HAMZA QEFSER HAMZAI, banor në qytetin e Vlorës, prind dhe kryefamiljar, një nga militantët e parë të Partisë Demokratike, me prejardhje punëtore, por me origjinë trashëgimtar i ligjshëm prej të paktën 72 vjetësh i një pasurie, që kërkojnë të ma grabitin me forcën e pozicioneve shtetërore dhe marrëdhënieve të korruptuara mes njeri-tjetrit, një grup njerëzish, që të dehur nga qëndrimi i gjatë sa në një karrige në tjetrën, besojnë se mund të mundin këdo, kur pasurisë së tij i kanë vënë syrin. Prej më shumë se 7 vjetësh ka nisur një luftë midis një njeriu të thjeshtë, pronar i ligjshëm dhe disa pushtetarëve të lartë që përdorin institucionet që ata kanë nën hyqëm. Arma ime e vetme ka qenë e vërteta dhe e drejta ligjore, e mbrojtur me dokumente origjinale dhe ankesa të njëpasnjëshme në të gjitha hallkat e pushtetit të vendit tim, kurse arma e tyre ka qenë pozicioni shtetëror që u jep mundësi, ose të gjykojnë vet, ose të influencojnë me të gjitha format mafioze mbi institucionet servile që kanë në varësi. Fatkeqësisht, ata fitojnë, kurse unë humbas. Në këto kushte, s’më ka mbetur gjë tjetër, para hakmarrjes (sikur gjithë fïsi im i madh të shuhet), veç të akuzoj me zë të lartë, publikisht dhe pa marrë parasysh asnjë pasojë, gjithë ata që më vranë ëndrrën demokratike, shpërdoruan militantizmin tim duke tentuar të më shpronësojnë tërësisht, gjë që s’e bëri as shteti diktatorial i Enver Hoxhës, që më mori shumë prona por të paktën më la shtëpinë që kam sot me gjithë bahçe, ndërsa Ju z. President bashkë me vartësin tuaj Florian Nuri, paturpësisht po punoni që të ma vidhni duke përdorur funksionet tuaja shtetërore. Ju akuzoj juve z. BUJAR NISHANI ! Se ai që po na rrëmben pronën tonë, është zyrtari juaj më i afërt, ai që ju e keni marrë pas vetes si ogiç në të gjithë institucionet ku kini drejtuar. Ai është Florian Astrit Nuri. Unë ju akuzoj, pasi jam ankuar disa herë në të gjitha institucionet ku kini drejtuar, se ky zyrtar që ju s’e kini ndarë asnjëherë nga vetja, duke shfrytëzuar detyrën, privilegjet dhe përkrahjen tuaj, po më rrëmben pronën e trashëguar nga babai, qysh prej 72vjetësh. Ky bir komunisti, që s’kish humbur asgjë në sistemin e Enver Hoxhës, edhe në saj të lapsit të të atit, që e lajkatonte atë si “udhëheqësin e pazëvendësueshëm të shqiptareve”, tani, jo vetëm me emrin e tij (rahmet pastë), por edhe me emrin tuaj dhe të karriges që i kini dhënë, po merret me atë (mua, trashëgimtar të ligjshëm), që u fut në proceset demokratike jo si bir komunisti, por si bir i persekutuar. Unë ju akuzoj juve me guxim dhe me të drejtë, se është forca juaj e përkrahjes, është mospërfillja juaj ndaj ankesave dhe denoncimeve të mia, që atë e bënë “të fortë” të manipulojë, të korruptojë dhe më në fund të shpërblejë të gjithë ata, që e ndihmojnë në arritjen e synimeve të tij grabitqare. Ju akuzoj juve z. BUJAR, se e kam humbur besimin, se jeni i drejtë, i ndershëm dhe i pa korruptuar, siç ju kam menduar më parë. Mund të jem i gabuar dhe i nxituar për raste të tjera, që juve ju vijnë në dorë, por për rastin tim ju jeni i tillë dhe unë nuk tërhiqem. Unë tani e kuptoj se Ju, duke pasur aq afër vetes atë për të cilin unë ju ankohesha, nuk mund ta trajtonit dhe ta ndiqnit seriozisht dhe ndershmërisht problemin tim. Ju akuzoj juve z. BUJAR NISHANI, se s’besoj se është rastësi që, kudo ku ka qenë Floriani, zyrtari juaj i ngushtë, i ka fituar konfliktet me mua. Dhe sa here ai ka fituar, unë e kam denoncuar te ju. Po ua kujtoj, ose po i përsërit edhe njëherë denoncimet për të: - Kur Ju ishit Ministër i Rendit, e morët pranë vetes nga departamenti i antikorrupsionit. Pikërisht, në këtë kohë, ky departament kërkoi disa të dhëna dhe përpiloi dosjen e pronës të z.Florian (si trashëgimtar), kur ky vet punonte aty. Kjo dosje u përpilua me plotë dokumente të munguara, që unë i kisha në dosjen time. Dhe kur unë e kapa dhe e denoncova këtë, nën ndikimin e tij një ditë prej ditësh u gjeta i rrahur dhe i izoluar në Polici. Isha 65 vjeç dhe nuk njihem si njeri i pa komunikueshëm. Faji im ishte se unë mbroja pronën time nga zyrtari juaj i afërt. - Kur ju ishit Ministër i Drejtësisë, përsëri e morët pranë vetes suaj si sekretar të përgjithshëm dhe pavarësisht ankesave të mia te ju, ai filloi t’i fitonte gjyqet me mua, njeri pas tjetrit. Dokumentet e mia origjinale, të marra nga zyrat e shtetit, të vlerësuara dhe të mirënjohura nga të gjitha strukturat ligjore, në mënyrë të papritur dolën të pavlefshme. - Kur Ju Z.BUJAR NISHANI u zgjodhët President i Republikës, Florian Nuri u bë përsëri zyrtari juaj i afërt, DREJTOR I KABINETIT TUAJ. Tani ai është në një pozicion që duhej të shpërblente ata që e ndihmuan në sukseset e tij korruptive. Dhe me ndihmën tuaj ia arriti qëllimit. Artur Malaj, kryetari i Gjykatës se Vlorës që gjykoi dhe i dha pronën time atij, sot prej jush është zgjedhur në funksione të larta. Sashenka Jonuzi u emërua në kolegjin zgjedhor. Elvis Çefa, sot kur ju jeni President dhe Z. Florian është bashkëpunëtori juaj i ngushtë, është zgjedhur nënkryetari i KLD-ës. Pra, qokat u ndanë. Tani mbetet të gëzojë pasurinë që “fitoi”. A do mundet?! Në këto veprime tuaja të përbashkëta, më lejoni t’ju pyes :Çfarë borxhi i keni z. Florian Astrit Nurit që ; - e para, e merrni me vete kudo ku drejtoni; - e dyta, që e lini të grabitë pronën e tjetrit; - e treta, që miqtë e tij, të cilët e kanë ndihmuar për këto grabitje, i ngrini në detyrë ?! Janë 128 letra në 5 vjet me të cilat u jam drejtuar të gjitha institucioneve, duke filluar nga ju kur ishit Ministër ì Rendit, pastaj Ministër ì Drejtësisë dhe tani President ì Republikës, kabinetit qeveritar, gjithë institucioneve të Drejtësisë, Avokatit të Popullit e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe reagimi ì tyre ka qenë si loja “Hidh e Prit” nga njeri te tjetri, duke mos marrë asnjëherë një sqarim apo një ballafaqim për ankesën që u shkruaja. Edhe ky qëndrim i tyre dëshmon për atë që unë kam të drejtë kur akuzoj, se mafia që është ngjitur deri në majat e shtetit po më grabit pronën, po më detyron të mos kem besim te institucionet e shtetit tim dhe te njerëzit që drejtojnë atë, të kalojë kufijtë e përmbajtjes dhe ta zgjidh vet hallin që më ka zënë. Janë shumë pyetje që institucionet ligjore duhet t’u japin përgjigje : 1. A mund të jetë përfaqësues ligjor në të gjitha hallkat e gjykimit, ai që punon vet në institucionet ku kontrollohen këto organe? 2. Pse pretendimi për këtë pronë përkon me kohën kur Florian Astrit Nuri filloi ngjitjen në karriget e Pushtetit dhe jo më parë? 3. Si ka mundësi të gjykosh me anësi, pa hetim, pa ballafaqim mbi bazën e dokumenteve që ç‘thuhet në njërën nuk thuhet në tjetrën siç veproi Elvis Cefa kur ishte kryetar i kthimit të pronave dhe më pas u gradua si nënkryetar i KLD ? 4. Si ka mundësi që duke qenë posedues prej 72 vjetësh i kësaj prone, me vërtetim pronësie, me dokumente shpronësimi, i zaptuar nga shteti komunist, me dokumente që vërtetojnë shpronësimin në lekë nga shteti i diktaturës, bazuar në faktin e patjetërsueshëm që jam pronar i ligjshëm, sot pas 72 vjetësh të trajtohem nga hajdutët e pushtetit si njeri pa pronë, KUR Florian Astrit Nuri nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë që është pronar por ka vetëm një KARRIGE që ja keni dhënë ju z.Bujar Nishani?. 5. Si ka mundësi që sa ka qenë gjallë ish pronari që këta pretendojnë, nuk bëri asnjë përpjekje që të merrte “pasurinë e tij”, por duke lënë që edhe qiraja të merrej nga babai ynë Qefser Hamzai.? 6. Si ka mundësi që në të gjitha veprimet që janë kryer nga organet e shtetit pas çlirimit, që nga viti 1941 e deri më sot mbi këtë pronë, përmendin si pronar babain tim Qefser Hamzai, edhe pse në këtë kohë pronari që këta pretendojnë, Gani Tafili, ishte gjallë? 7. Pse nuk besohet se akti ì shitblerjes se kësaj prone nga ish pronari Gani Tafili, mund të jetë humbur gjatë bastisjes që bënë pushtuesit gjermanë në shtëpinë tonë apo mos ndodh ajo që ka ndodhur edhe me të tjerë që edhe pse prona mund të jetë shitur, pronari i ka ruajtur një palë dokumente, kurse dokumentet në arshivë, i kanë zhdukur? A kam të drejtë të dyshoj që dhe dokumentin tim të blerjes së pronës e kanë zhdukur nga arshiva këta hajdutë të paturp dhe të korruptuar ? Janë mbi 72 vjet që si pronar i kësaj prone që duan të ma rrëmbejnë del vetëm emri i QEFSER HAMZAIT. Janë mbi 72 vjet që mbi këtë pronë janë kryer një sërë veprimesh nga shteti i kohës si shtetëzim, konfiskim, rikthim,etj,të gjitha në emrin e QEFSER HAMZAIT. Ku ka qenë ky Gani Tafili (që ka vdekur në vitin 1969)në këtë kohë që trashëgimtarët e tij sot pretendojnë se kjo pronë ka qenë e tij? Janë edhe shumë e shumë pyetje e horrllëqe të tjera që, natyrisht, do të kërkojnë një vend dhe një kohë tjetër për t’i shprehur dhe për t’u sqaruar. Besoj se do të jetë brenda kohës, kur ju do të jeni në detyrë si President. Shpresoj që nuk do të ndikoni, për të mos përfillur kurrë, problemin që shtroj. HAMZA QEFSER HAMZAI L. 10 Korriku- VLORE
Posted on: Fri, 23 Aug 2013 23:08:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015