SA TRONDITËSE KUSH VOTON LIGJIN PËR AMNISTI I NJOLLOS DUART ME - TopicsExpress



          

SA TRONDITËSE KUSH VOTON LIGJIN PËR AMNISTI I NJOLLOS DUART ME GJAK VIKTIMASH - nga Enver Robelli Kush voton këtë ligj për amnisti i njollos duart me gjak viktimash! (I) Publikuar: 12.07.2013 - 08:50 Një apel përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës për tërheqjen e plotë të të ashtuquajturit Ligj për amnisti. Kosovës i duhen ligje cilësore, të cilat e çojnë vendin drejt përvetësimit të standardeve europiane. Kosova nuk ka nevojë për legalizim të krimeve të kallashnikov-politikanëve shqiptarë në emër të amnistisë për disa banditë në veri të vendit I nderuar z. Borchardt, shef i EULEX-it Të nderuar ambasadorë: - Jacobson (SHBA) - Blomeyer (Gjermani) - Cliff (Britani e Madhe) - Daviet (Francë) - Giffoni (Itali) Të nderuar diplomatë të vendeve të tjera të akredituar në Prishtinë, Të nderuar deputetë me ndërgjegje të Kuvendit të Kosovës, Opinioni publik dhe kritik i Kosovës është i tronditur me synimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që në Kuvendin e Kosovës të kalojë një ligj të ashtuquajtur për amnisti. Ky ligj opinionit publik i shitet si normë e domosdoshme në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Argumentohet, mes tjerash, se përmes ligjit duhet të amnistohen ata që do të integrohen në shtetin e Kosovës, pra pjesëtarët e komunitetit serb në veri të vendit, të cilët në 14 vjetët e fundit nuk kanë respektuar asnjë autoritet kosovar apo ndërkombëtar dhe janë marrë me veprimtari të paligjshme. Për t’i dhënë fund anarkisë në veri mbase duhet një ligj që do të rregullojë kalimin nga një shtet jofunksional në një shtet funksional, për aq sa kjo është e mundshme në rrethanat kosovare. Për këtë ligj si shembull mund të merret modeli i Maqedonisë apo edhe i vetë Serbisë, ku janë amnistuar kategori të caktuara (ta zëmë kryengritësit e armatosur dhe të paarmatosur shqiptarë). Nuk mund të ketë amnisti paushall, siç po synon pushteti kosovar për hesape të veta. Opinioni publik dhe kritik i Kosovës sheh i tronditur se përmes këtij ligji po synohet të amnistohen shumë krime të kryera edhe në pjesën tjetër të Kosovës, ku që nga viti 1999 nuk ka pasur konflikt etnik, për dallim prej veriut. Autorë të këtyre krimeve në Kosovën e dominuar dhe qeverisur nga shqiptarët jo rrallë janë militantë, anëtarë dhe funksionarë të atyre që vetëprezantohen si parti të “krahut të luftës”. Autorë të këtyre krimeve janë pjesëtarët e shërbimeve sekrete dhe ilegale partiake, siç ka qenë shërbimi PDK-së, SHIK. Amnistia do të duhej të bëhej aty ku kishte konflikt etnik (në veri të Kosovës) dhe jo aty ku kishte qeverisje me elemente kriminale (në pjesën tjetër të Kosovës). Rrjedhimisht një ligj për amnisti do të duhej të ishte i kufizuar për territorin e katër komunave veriore (Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë). Vlefshmëria e tij nuk duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, sepse po ndodhi kjo, atëherë në Kosovë do të faleshin haraçi, dhuna, kërcënimet, shpifjet, vrasjet, fyerjet, mospagimi i tatimeve, falsifikimi i dokumenteve me qëllim të përfitimit dhe shumë vepra të tjera penale. Në emër të integrimit të veriut në Kosovë nuk guxojnë të amnistohen krimet, të cilat dyshohen t’i kenë kryer që nga viti 1999 eksponentë të afërt me pushtetarët e sotëm dhe me ndonjë parti që hiqet si opozitare. Ligji për amnisti është prerë tamam për nevojat e kastës sunduese dhe votëvjedhëse, e cila ka grabitur pushtetin me zgjedhjet e manipuluara të vitit 2010 dhe ka legjitimitet shumë të cunguar për të përfaqësuar Kosovën. Një ligj amnistie që do të synonte të merrej me veriun do të ishte shkruar e miratuar enkas për veriun, jo për gjithë Kosovën. Opinioni publik dhe kritik në Kosovë është shumë i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjeve të hapura me Serbinë, është i vetëdijshëm edhe për nevojën e negociatave, por në këtë proces populli i Kosovës ka të drejtë të jetë i përfaqësuar nga të zgjedhurit e vetë dhe jo nga ata që janë vetëzgjedhur duke futur duart në kuti votimi. Rezultati i përfaqësimit të Kosovës nga kryeministri Hashim Thaçi është ky: bashkësundues zyrtarë të Kosovës janë bërë edhe homologu i tij serb Ivica Daçiqi dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiqi. Këta emëruan komandantin e policisë në veri, këta caktuan datën e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Thaçi në këtë mes është vetëm kamerier politik, i ngjashëm me një hyzmeqar dasmash, të cilin mysafirët cinikë e urdhërojnë të shkojë herë andej-herë këndej me legen e ibrik në duar. Ligji për amnisti ia mundëson çdo vrasësi që krimin e tij ta arsyetojë me gjendjen jostabile mendore. Ligji për amnisti indirekt është ligj edhe për faljen e vrasësve të shumë atdhetarëve të Kosovës të vrarë gjatë dhe pas luftës. Duhet thënë shumë hapur: Kosova sidomos pas vitit 1999 ka qenë në prag të luftës civile ndërshqiptare. Nga njëra anë “komandantët” e etur për pushtet dhe të gatshëm që në këtë vijë të vrasin e të presin pa mëshirë. Në anën tjetër shoqëria shqiptare e Kosovës e shkatërruar nga lufta dhe politika shfarosëse e Serbisë dhe e frikësuar nga bashkëkombësit barbarë, të cilët politikën e bënin dhe e bëjnë me kallashnikovë. Ky ligj, përkundër krejt përbetimeve të rrejshme, mund të krijojë rrethanat juridike që të amnistohen nesër qindra vrasje me motive politike në Kosovë. Ky ligj mund të jetë ligj edhe për faljen e vrasësve të Xhemail Mustafës, Enver Malokut, Haki Ymerit, Smajl Hajdarajt dhe shumë e shumë të tjerëve. Është ligj që e amniston edhe atë tipin e UÇK-së që pas plagosjes së Sabri Hamitit kishte thënë: “A pshtoi profa, a? Herën tjetër s’pshton!” E shihni kush ka interes ta bëjë këtë ligj: në radhë të parë partia e Adem Grabovcit, Hashim Thaçit dhe tarafit të tyre! Kjo parti nuk është politike, por autoritare dhe plaçkitëse e pasurisë publike. Për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) demokracia dhe ligji janë nocione abstrakte përtej kornizës shtetërore. Shtetin kjo parti e sheh vetëm si mekanizëm për realizimin e planeve të prijësve të saj. Këto plane lidhen vetëm me botën e paligjshme dhe ilegale. PDK ka interes që me këtë ligj të amnistojë ata militantë dhe të dyshuar si kriminelë nga radhët e saj, të cilët me dhunë e krime, me frikësim të rivalëve politikë dhe me terror i ndihmuan PDK-së të marrë pushtetin. Këtë pushtet ata zor s’e e lëshojnë pa rezistencë të fuqishme të popullit të Kosovës. PDK do të vazhdojë të vjedhë vota derisa opinioni publik i Kosovës nuk i mbush rrugët dhe sheshet në protesta paqësore dhe këmbëngulëse kundër një pushteti që fytyra dalluese i ka protagonistët e “Aferës Pronto”. Deri aty ka shkuar pafytyrësia, saqë përmes ligjit për amnisti do të falen edhe djemtë e dhunshëm të Adem Grabovcit – ndonëse ata do të duhej të dilnin para gjyqit për rrahjen e një polici. Sot, më shumë se kurrë pas vitit 1999, kërkohet rezistencë popullore kundër kësaj murtaje politike. Është e patolerueshme që të lejohet qeverisja e kësaj PDK-je siç është sot. Për këtë ligj amnistie mund të ketë interes edhe Ramush Haradinaj për shkak të “kontributit” të tij madhor pas luftës në rajonin e Dukagjinit. Kështu lufta civile dhe haraçi në Dukagjin do të shpallen disiplina të Lojërave Olimpike. Deri aty shkon cinizmi dhe etja për pushtet e këtij politikani, saqë ka varrosur çdo parim. Prej se ka dalë nga burgu i Hagës Haradinaj asnjëherë nuk ka kërkuar që autoritetet të zbulojnë vrasësit e vëllait të tij, Enver Haradinaj. Prej se ka dalë nga burgu Haradinaj i bie në sy opinionit me bankete opulente me 700 e 800 veta, të cilat i organizon në hotelin “Emerald”. Ai bie në sy edhe me gatishmërinë dhe servilizmin për t’u bërë pjesë e çfarëdo konstelacioni qeverisës. (Duket se kryetari i AAK-së paratë për të paguar banketet e “Emeraldit” i ka kursyer në Hagë). E ardhmja jo fort e largët do të tregojë se kasta aktuale sunduese dhe ndonjë opozitar joparimor si rasti i Haradinajt e kanë futur shtetin e Kosovës në një pazar për interesa personale dhe klanore. Motoja e këtij pazari është: pranojmë çdo lloj marrëveshjeje me Serbinë në shkëmbim të ligjit për amnisti. Për këtë amnisti mund të kenë interes edhe disa politikanë të diskredituar brenda LDK-së, të cilët kanë përlyer duart me korrupsion kur qeverisnin me “partinë” e Haradinajt dhe më vonë kur bashkëqeverisnin me pushtetarët e sotëm. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë se si njëri prej sulmuesve më mizorë të EULEX-it javëve të fundit ishte edhe një deputet i LDK-së. Dhe kjo kaloi pa u dëgjuar zëri kundërshtues i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili gjithnjë e më shumë po e përkund LDK-në në kllapinë e saj tashmë legjendare. Ata deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që votojnë për këtë ligj duhet të jenë të vetëdijshëm se janë duke i përlyer duart në gjakun e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Ibrahim Rugovës, të cilët u vranë pas lufte. Vota për këtë ligj do të ketë pasoja afatgjata për LDK-në, e cila po qe se vazhdon kështu shumë shpejt mund të shndërrohet në fusnotë historike. Nëse falet “vrasja e kryer në gjendje të afektit mendor”, atëherë do të shohim se si vrasësit, po qe se zbulohen, do t’i prezantojnë letrat e psikiatrisë nga Zvicra a Gjermania, ku mund të jenë shpallur mendërisht jostabil. Ose shpejt e shpejt mund të falsifikojnë në Kosovë ndonjë “dëshmi mjekësore” për çmenduri. Fahredin Gashi, punëtori i SHIK-ut për punë të përgjakshme, është dënuar me 18 vjet burg për vrasje. Nuk është rastësi që ai po thotë se ka probleme mendore, duke bërë skena palaçoje derisa shoqërohet nga policia. Ky ligj e përgatit terrenin për faljen e krimeve të SHIK-ut! [email protected] (Vijon nesër: Si ia sheh hairin krimineli shqiptar banditit nacionalist serb në veri? Pse ata që në fund të viteve 80-të përkrahnin heqjen e autonomisë së Kosovës nga Serbia sot mbështesin ligjin për amnisti? Si u bë që ligji për veriun të shndërrohet në ligj për faljen e krimeve të Draganëve dhe Xhabirëve? Pse Kosova sidomos sot ka nevojë për rezistencë dhe jo rehati të rrejshme?)
Posted on: Fri, 12 Jul 2013 09:58:29 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015