SFIDAT E POLITIKËS SHQIPTARE SIVJET - interviste - shkurt - TopicsExpress



          

SFIDAT E POLITIKËS SHQIPTARE SIVJET - interviste - shkurt 2013 2013-02-08 në orën 11:34.PD Korrupsioni 1.Cilat janë sfidat me të cilat përballet politika shqiptare në këtë vit. -Sipas mendimit tim, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë dy janë sfidat me të cilat politika shqiptare në këtë vit, në vitin 2013, do të duhej të merrej shumë më përkushtueshëm, shumë më vendosmërisht se sa në vitet e shkuara: Korrupsioni dhe Papunësia. Në Shqipërinë shtetërore, ndërkaq, është edhe një sfidë, sfida e tretë, me të cilën politika kombëtare shqiptare do të duhej të merrej, po ashtu, shumë më përkushtueshëm dhe shumë më vendosmërisht, se sa viteve të shkuara; dhe këtë sfidë, në të vërtetë këtë të keqe e përbën politika despotike e Sali Berishës me një varg përbërësish primitivë siç janë trysnitë, kërcënimet, shpifjet, gënjeshtrat dhe mashtrimet që janë thelbi, mjeti, taktika, strategjia, mosmorali i asaj politike në jetën shqiptare sot. Edhe Kosova do të vazhdojë të përballet me një sfidë të tretë: me problemin e veriut të Kosovës, domethënë me problemin serb në Mitrovicë. 2.Korrupsioni është sfidë për politikën shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, që po e theksojnë edhe ndërkombëtarët dhe që po paraqitet si pengesë për integrimet evropiane të të dy shteteve tona. -Korrupsioni është një e keqe tepër e madhe, shumë më e madhe se ç’flitet për të në politikën shqiptare. Dhe, është e keqe aq dhe ashtu e madhe sepse pashmangshëm është e lidhur me veprimtari tepër ndikuese: me krimin e organizuar dhe me politikën. Trekëndëshi korrupsion – politikë – krim i organizuar është trekëndëshi që po përcakton sot privilegjet, mjerimin dhe pasigurinë në jetën tonë shoqërore. Korrupsioni është e keqe aq e madhe sepse njëkohësisht pengon zhvillimin ekonomik të vendit, shkakton papunësi, sjell pasurimin e pandalshëm të disa njerëzve në politikë e të tajkunëve të tyre, në njerën anë, kurse varfërimin e pandalshëm të shumicës , në anën tjetër. Pavarësisht pse në institucionet politike e shtetërore për të flitet si për një dukuri, korrupsioni nuk është thjesht një dukuri në politikën, në ekonominë, në gjyqësorin, në shëndetësinë, madje, edhe në arsimin: ai është sistem. Korrupsioni nuk është prodhim i mentalitetit, trashëgim etnik, shoqëror, politik, moral, siç mendojnë e shkruajnë disa; jo; nuk jemi ne të paracaktuar për t’u marrë me korrupsion, për të qenë të korruptueshëm. Korrupsioni në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë është prodhim i sistemit politik, juridik, shtetëror sepse është i përmbajtur në strukturën shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Pikërisht pse është i tillë, korrupsioni përfaqëson rrezik të madh për të sotmen dhe të ardhmen shqiptare: ai i ka çmoralizuar rrënjësisht politikën dhe institucionet shtetërore; ai po kërcënon sigurinë e vendit; ai po dëshpëron fort popullin; ai po nxit shpopullimin e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës, në mënyrë të veçantë të Shqipërisë shtetërore. Nuk ka dyshim se korrupsioni me përmasat që ka marrë në jetën tonë në përgjithësi është dëshmuesi më i qartë se çfarë njerëzish kanë depërtuar në politikën shqiptare sot, në të vërtetë edhe çfarë banditësh e kanë rrëmbyer politikën shqiptare sot, të cilën po e shfrytëzojnë për të pasuruar veten dhe për të pasuruar pasardhësit e vet njëherë e përgjithmonë! Sistemi 3.Korrupsioni, megjithatë, po luftohet nga institucionet politike e shtetërore sado rezultatet e kësaj lufte kundër korrupsionit nuk janë të kënaqshme. Apo jo? -Në pjesën më të madhe të kohës në politikën shqiptare, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, korrupsioni po luftohet me fjalë, me retorikë, me parulla, me demagogji! E korrupsioni sistemor mund të luftohet, mund të parandalohet vetëm në qoftë se luftohet institucionalisht në burimin e tij: në sistemin, domethënë, aty ku prodhohet. Për ndalimin, të mos them për zhdukjen e korrupsionit, nuk ka nevojë fare që të filozofohet: janë vendet shembuj në botë, në Perëndim dhe në Lindje, që kanë vuajtur shumë prej korrupsionit, por që kanë arritur ta ndalin. Si e kanë ndalur korrupsionin ato? Së pari kanë përcaktuar përmbajtjet, trajtat, mjetet e korrupsionit. Hulumtuesit e korrupsionit, fjala vjen, edhe konfliktin e interesit e kanë përkufizuar si korrupsion të rrezikshëm. Mandej kanë formuar organin shtetëror përkatës,ta quajmë Këshill, ta quajmë Pleqësi, ta quajmë Komision; ky organ përkatës ka formuar mandej degët e veta të përbëra prej një numri përkatës hetuesish. Në disa prej këtyre vendeve janë caktuar prokurorë shtetërorë vetëm për korrupsionin. Dhe, këto organe për luftë kundër korrupsionit janë formuar pas nxjerrjes së ligjeve përkatëse, ndër të cilët kryesori, themelori, është ligji për prejardhjen e pasurisë, në sajë të të cilit do të hetohet jo vetëm pasuria e zyrtarëve, por edhe e familjarëve a e disa të afërmëve të tjerë të tyre, në emrin e të cilëve disa prej pushtetarëve, ndoshta, shumica e tyre, e qesin pasurinë e krijuar me korrupsion, në të vërtetë në mënyra të ndryshme korruptive. Përpos se me ligjet në fjalë dhe me organet e themeluara në bazë të atyre ligjeve, korrupsioni do të luftohet dhe në një mënyrë: duke u konstatuar faktueshëm se sa detyrat, se çfarë detyrash krejt, ushtrojnë funksionarët e lartë kryetarë, nënkryetarë, kryeministra, zëvëndëskryeministra, ministra, zëvendësministra, këshilltarë e zyrtarë të tjerë politikë. Shumësia e detyrave, shumësia e autorizimeve, përshtrirja vetjake e ingjerencave, siç dihet dhe siç shkruhet, pashmangshëm përmban mundësi të mëdha për korrupsion të madh. Çka do të thotë e gjithë kjo? Çka arrihet me nxjerrjen e këtyre ligjeve dhe me formimin e këtyre organeve kundërkorruptive? Arrihen ndryshime në sistemin juridik shtetëror, që bëjnë të mundshëm ndalimin e korrupsionit të përtashëm dhe parandalimin e korrupsionit të ardhshëm. Dhe, kështu, duke e luftuar institucionalisht korrupsionin, shërojmë rendin politik shoqëror dhe kushtetutar juridik. Togfjalësha mashtrues 4.Viti 2013, nëse i referohemi sloganeve të dy partive kryesore në vend, duhet të jetë viti për rilindjen e shqiptarëve apo shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbështesin alternativën e një Shqipërie që po ndryshon. -Togfjalëshi Shqipëria po ndryshon, që është bërë slogan i fushatave zgjedhore dhe në përgjithësi politike të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, është një togfjalësh tautologjik . E kjo tautologjik në rastin konkret do të thotë thjesht mashtrues. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria, si edhe të gjtha vendet e tjera ish-komuniste evropiane, ka hyrë në rend të ri politik shoqëror dhe kushtetutar juridik. Ndryshimi është bërë përmbajtja, qëllimi dhe kuptimi i këtij rendi të ri politik shoqëror dhe kushtetutar juridik, i quajtur rend demokratik. Dhe, ky ndryshim është proces në të cilin marrin pjesë të gjitha partitë, që nuk ndalet për kohë të gjatë, proces që në të vërtetë nuk ndalet kurrë. Dhe, këtë ndryshim pashmangshëm e sjell natyra e rëndit të ri dhe këtë ndryshim pashmanshëm e bëjnë të gjitha institucionet qeverisëse pavarësisht prej cilave parti janë të përbëra. Të thuash, prandaj, pas rënies së komunizmit se Shqipëria po ndryshon është njësoj si të thuash: Shqipëria ekziston. Shqipëria ekziston dhe do të ekzistojë pavarësisht u tha a nuk u tha se ajo ekziston e do të ekzistojë. Shqipëria po ndryshon dhe do të ndryshojë pavarësisht u tha a nuk u tha se ajo po ndryshon dhe do të ndryshojë. Domethënë: togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është edhe një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politike shqiptare tani e njëzet e dy vjet! Por po ta pranojmë këtë slogan si të vërtetë do të shtrojmë pyetjen: si po e ndryshon Shqipërinë qeveria e Sali Berishës? Përgjigjen në këtë pyetje e japin emisionet e jashtëzakonshme Shqipëria tjetër. Dhe, emisioni për fshatin afrikanisht të varfër Peza afër Tiranës. Dhe, emisioni për lagjen skëterrore të romëve në Gjirokastër; dhe emisionet për një varg lagjesh, fshatrash, shkollash, rrugësh, familjesh në Shqipëri. Viti në të cilin kemi hyrë do të duhej të jetë vit i rilindjes shqiptare e kur them i rilindjes mendoj edhe i pastrimit të njëmendësisë politike e shoqërore dhe historisë shqiptare prej pasojave të despotizmit të Sali Berishës. Po, me këtë rast nuk mund të mos e përgëzoj Partinë Socialiste dhe Aleancën Kuqezi për gjithë ato përpjekje të faktuara që po bëjnë për t’i bërë plotësisht të dukshme, sado me vonesë, pasojat e politikës së tij. Forca e tretë politike 5.Aktualisht politika shqiptare është e ndarë në dy pole. A mendoni ju se ndonjë parti mund të krijojë një pol të tretë? -Prej paraqitjeve të kryetarëve të tyre dhe anëtarëve të kryesive të tyre mund të supozohet se dy parti të reja , të krijuara dy vitet e fundit, Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike, nuk janë pa pretendime që të krijojnë atë polin e tretë në politikën shqiptare. Krijimi i këtij, si po e quani ju, poli të tretë, në politikën shqiptare do të kishte rëndësi politike, shoqërore dhe kulturore sepse do të ndikonte në krijimin e një baraspeshe në jetën politike kombëtare në përgjithësi. Tani për tani pretendimet e Aleancës Kuqezi duken më reale se të Frymës së Re Demokratike dhe duken më reale thjesht pse kjo parti është më vepruese, më gjallëruese, më “agresive”, pse ka një program politik më origjinal se sa Fryma e Re Demokratike. Pretendimet e saj janë më reale, natyrisht, në qoftë se nuk ia ndalin turrin ndërkombëtarët për shkak të retorikës kur e kur të tejtheksuar kombëtare që prej të tjerëve perceptohet si nacionaliste. Zgjedhjet 6.A keni besim se në 23 qershor, qeveria aktuale do të mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? -Jo, jo, nuk kam besim, asnjë çast nuk kam besim se qeveria e sotme mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të ndershme sikur nuk bën të mundshme as Kodi ekzistues zgjedhor. Në Shqipëri, deri në këtë ditë kur po i përgjigjem kësaj pyetjeje tuaj, nuk kemi pasur zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet të jesh naiv e të besosh se do të kemi më 23 qershor të këtij viti. Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme një qeveri që e kryeministron, siç e quajnë në Shqipëri, stalinisti i fundit në Evropë? Jo, ky njeri që e ka ndryshuar vetëm retorikën politike, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Jo, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme qeveria e kryeministruar prej këtij stalinisti, e cila aq hapur, aq pafytyrësisht i vodhi e stërvodhi votat e qytetarëve të Tiranës për ta bërë kryetar të saj njërin prej nënbishtërinjve të tij. Edhe SHBA-të, edhe Bashkimi Evropian herët kanë filluar të ushtrojnë trysni në këtë qeveri që të mos bëjë çka ka bërë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e Tiranës. Bashkimi Evropian, madje, edhe mundësinë që Shqipëria të fitojë të drejtën e bisedimeve për kandidate e ardhshme e tij, e BE-së, po e kushtëzon me lirinë dhe ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve. Kot. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë dëshmuar shumëkund shumëherë se në politikën e vendeve të demokracisë së çoroditur i kritikojnë butë, gati sa i falin, të gjitha dallavaret, të gjitha vjedhjet e ndorimet e tjera përpos grushtshteteve. Unë kam drojë që Sali Berisha, në qoftë se sheh se po i humb zgjedhjet – e të gjitha të dhënat që pranon mendja e shëndoshë tregojnë se do t’i humbë – mund t’i sjellë farë tragjedie të re Shqipërisë! Agresiviteti që tashmë po e shpreh tregon për rrezikun që ai përfaqëson në zgjedhjet e 23 qershorit. Çdo e keqe përgatitet më heret 6.Debatet zgjedhore kanë nisur tashmë, nëse kemi parasysh ato për zonat zgjedhore dhe tjetra, akuzat për rritje artificiale të popullsisë në Kukës, çka nënkupton manipulime për çështje votash. Cili është sugjermi juaj për 23 qershorin? -Zgjedhjet e palira dhe të pandershme ndodhin ditën e votimeve, por ato përgatiten me muaj a vjet përpara. Si është vërejtur më herët, teknologjia e manipulimeve, falsifikimeve, keqpërdorimeve, frikësimeve, mashtrimeve, korruptimeve para zgjedhjeve apo, madje, edhe në ditën e zgjedhejve në Shqipëri është e përpunuar jashtëzakonshëm. Në këtë teknologji të përsosur të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, në të gjitha zgjedhjet, është i përmbajtur edhe ai agresiviteti i tij që vazhdimisht është treguar efikas! Si duhet t’i kundërqendrojë opozita kësaj teknologjie zgjedhore ? Së pari me kompromitimin politik, shoqëror, moral të të gjitha trajtave të manipulimeve, keqpërdorimeve, falsifikimeve, frikësimeve, korruptimeve dhe, në qoftë se me reagime të tilla nuk ndalen ato, atëherë me protesa, apo, madje, me demonstrata. Protestat dhe demonstratat janë mënyra me të cilën një e keqe politike a një qëllim politik bëhet më i dukshëm, më përshtypjebërës për opinionin. Kryeprokurori 7.Shqipëria ka tashmë një kryeprokuror të ri. Adriatik Llalla është kreu i ri i organit të akuzës, ardhur në detyrë vetëm me votat e mazhorancës. Cilat duhet të jenë prioritetet e tij? A mendoni se do t’i përgjigjet pozicionit që mban jashtë ndikimit të kaheve politike? -Ç’është e vërteta, kryeprokurori i ri, Adriatik llalla, erdhi në detyrë në mënyrë që, mjerisht, nuk mund të quhet plotësisht e pastër. E para, ai erdh në detyrën e kryeprokurorit vetëm me votat e mazhorancës, domethënë pa marrë edhe votat e opozitës. Në qoftë se nuk gabohem, opozita nuk e kontestoi si kandidat, si profesionsit, por e kontestoi procedurën e zgjedhjes së tij; dhe, e dyta, ai erdhi në detyrën e kryeprokurorit, pa i kaluar mandati i rregullt, pa e bërë gjithë kohën në detyrën për të cilën ishte zgjedhur, paraardhësja e tij, kryeprokurorja, Ina Rama. Qeveria dhe kryetari, Bujar Nishani, deshën ta ndëshkojnë zonjën Ina Rama për integritetin moral dhe profesional që tregoi gjatë mandatit të saj, për çka u çmua e u nderua shumë prej opinionit demokratik kombëtar dhe prej institucioneve ndërkombëtare. Po ta vlerësojmë, tani, kryeprokurorin e ri, Adriatik Llalla, me kritere intelektuale, do të duhej të thuhej: ai do të tregonte burrëri dhe identitet intelektual po të refuzonte të merrte atë detyrë pa e mbushur ish-kryeprokurorja, Ina Rama, me mandatin e saj gjithë kohën në të cilën i shtrihej mandati. Po, mirë, u zgjodh si u zgjodh dhe, tani, mbetet të shohim çka do të bëjë? Të shpresojmë se për ushtrimin e detyrës së kryeprokurorit do ta ketë më të lehtë se Zonja Ina Rama dhe do ta ketë më të lehtë sepse Shqipëria do të lirohet prej sundimit despotik të Sali Berishës më 23 qershor. Dhe, të shpresojmë se në punën e tij do të jetë siç e kërkon detyra që ka të jetë: plotësisht i pavarur. Dhe, të shpresojmë se do të bëjë krejt çka varet prej tij si kryeprokuror që të çohen deri në fund, por deri në fund, me drejtësi, proceset gjyqësore që interesat partiake dhe interesat qeveritare i kanë bërë lëmsh e nuk po kryhen tani e sa kohë, apo janë “kryer” pa drejtësi, siç janë procesi i Gërdecit, procesi i vrasjeve të 21 janarit 2011 e procese të tjera. Të shpresojmë se do ta përthellojë e do ta përshtrijë luftën kundër korrupsionit duke arritur që të çohen atje ku e kanë vendin ata njerëz të politikës të cilët vitet e tranzicionit të stërzgjatur dhe karrierën e tyre të stërzgjatur politike i kanë shfrytëzuar për të vjedhur, për të grabitur, për të plaçkitur pasurinë kombëtare shqiptare. Të shpresojmë se do të arrijë të bëjë reformën e domosdoshme të sistemit juridik shqiptar, i cili në gjendjen në të cilën është sot i ka lejuar dhe vazhdon t’i lejojë gjithë ato shfytyrime kriminale që kanë ndodhur e po vazhdojnë të ndodhin në jetën politike, shoqërore, ekonomike shqiptare. Do të jam i lumtur në qoftë se kryeprokurori i ri, Adriatik llalla, me punën e tij do të më japë mundësi që një ditë në qoftë se do të jam gjallë të shkruajë për të me përkushtimin dhe me nderimin me të cilin kam shkruar për punën prej kryeprokuroreje të Zonjës Ina Rama. Referendumi 8.Aleanca Kuqezi ka depozituar të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri. Cilat janë pritshmëritë tuaja nëse kemi parasysh se po të martën ambasadori amerikan, Arvizu, tha se njeh vetëm Shqipërinë zyrtare? -Me politikën e tij anakronike rrejshëm atdhetare, turbosportive e turbofolklorike, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili 20 vjet i ka kaluar në luftë politike kundër, si thoshte ai, Shqipërisë së madhe, domethënë kundër bashkimit kombëtar tani po i nxit disa forca politike, që idenë e bashkimit kombëtar, në të vërtetë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e kanë në programet e tyre partiake, të bëjnë hapa politikë të parakohshëm e kjo do të thotë edhe të papërgatitur si duhet politikisht. Një hap i tillë , i shpejtuar, i parakohshëm për mendimin tim ishte edhe kërkesa që Aleanca Kuqezi ia paraqiti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e referendumit mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, por jo tani në sajë të kërkesës së tanishme për referendum të Aleancës Kuqezi. Agimi i Artë – Agim i Errët 9.Ka pasur një shkëmbim deklaratash të ashpra nacionaliste mes Aleancës Kuqezi dhe Agimit të Artë në Greqi. Pavarësisht patriotizmit që karakterizoi kryeministrin në fundvitin që lamë pas, ai nuk është ndjerë, ndonëse deklaratat e Agimit të Artë e shpallin grek Skënderbeun dhe Verio – Epirin... -Shkrimet dhe deklaratat e përfaqësuesve të partisë greke e quajtur Agimi i Artë përmbanin një nacionalizëm primitiv! Ato ishin njëkohësisht edhe fyese ndaj shqiptarëve si komb. Deklarata kryesore shumë e nevojshme me të cilën Aleanca Kuqezi u përgjigj ndaj shovinizmit kundërshqiptar të një partie parlamentare greke, që e paraqiti Lisen Bashkurti, nuk më bëri përshtypjen e deklaratës nacionalsite: ajo ishte një deklaratë politike atdhetare me të cilën mbrohej kombi shqiptar prej atij nacionalizmi primitiv të asaj partie neonaziste greke. Por disa prej argumenteve në të cilat mbështetej kjo deklaratë e Aleancës Kuqezi nuk mu dukën bash përkatëse sepse mu dukën romantike, kur e kur të paqëndruara. Mendoj se ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi populli më i lashtë në Evropë, më i lashtë se, ta themi, grekët.Grekët janë popull i lashtë sa edhe shqiptarët: paraardhësit e tyre - të shqiptarëve dhe të grekëve, janë popuj të njëkohshëm, kurse historia e lashtë antike e grekëve është shumë më e njohur se e ne shqiptarëve. Ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi populli më i kulturuar në Ballkan. Edhe grekët janë popull me kulturë, me kulturë të lashtë, madje me kulturë të lashtë më të pasur se e jona dhe me kulturë bashkëkohore të pasur. Ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi më evropianë se grekët jo vetëm se grekët qe shumë vjet janë në BE por edhe sepse, pos me retorikë, nuk mund të jemi më evropianë se grekët. Agimin e Artë do të duhej fundosur politikisht duke fundosur ideologjinë dhe politikën e tij neonaziste. Agimin e Artë, në përgjigjen e Aleancës Kuqezi, do të duhej fundosur duke fundosur ideologjinë e tij fundamentaliste neonaziste, e cila dikur i ka sjellë Evropës dhe Botës tragjedi shumë të madhe. Atë do të duhej quajtur jo Agimi i Artë po Agimi i Errët. Kjo parti është një devijim patologjik politik dhe ideologjik në njëmendësinë e sotme greke. Heshtjen e kryeministrit, i cili me kiçin e tij politik atdhetar e dalldisi infrastrukturën e tij politike në fundvitin e kaluar dhe në fillimvitin e filluar do kuptuar. Para Greqisë dhe para Italisë ai në vazhdimësi bëhet pulë! Pse jo? Atje, në Greqi dhe në Itali ai don që të jenë të gjithë shqiptarët të cilëve atdheu i tyre, Shqipëria, të cilën po e sundon Sali Berisha, nuk u jep punë dhe nuk u jep bukë! Duhet t’i lutemi Zotit të Madh e të Plotëfuqishëm që Greqisë ai të mos i falë edhe toka shqiptare siç i fali det shqiptar! E ai u jep lehtë dhurata të shtrenjta të gjithë atyre që e ndihmojnë sidoqoftë e me çkadoqoftë që të mbetet sa më gjatë në pushtet në Shqipëri! Çështja çame 10.Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që përfaqëson komunitetin çam, ka paraqitur në kuvend një rezolutë përmes së cilës i parashtron shtetit shqiptar nevojën që ai të kërkojë të drejtat e çamëve në Greqi. A ka ardhur koha që shteti të marrë përsipër këtë detyrë? -Kërkesa e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që përfaqëson Bashkësinë e çamëve në Shqipërinë shtetërore, e paraqitur në trajtën e Rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë, është plotësisht e arsyeshme. Kur i lexon njeriu kërkesat e paraqitura në këtë Rezolutë do t’i bëjë vetes pyetjen: pse një rezolutë e tillë nuk është bërë më parë? Dhe, kur i lexon njeriu kërkesat e paraqitura në këtë Rezolutë do t’i bëjë vetes pyetjen: pse Shqipëria, si shtet ku jetojnë çamët e dëbuar me dhunë prej tokave dhe shtëpive të tyre, nuk kërkon prej Greqisë që t’ua kthejë atyre të drejtat e mohuara, të cenuara, të shkelura në mënyrat që dënohen sot në gjithë botën? Ka ardhur koha që të drejtat e mohuara të çamëve, të mbrohen prej shtetit ku ata sot jetojnë – prej Shqipërisë. Ka ardhur koha që çështja çame të jetë çështje kombëtare e shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës, domethënë të jetë çështje me të cilën do të merren të dy shtetet shqiptare. Kufijtë detarë 11.Greqia do të bëjë deklarim të njëanshëm në OKB për kufijtë detarë. Si duhet të veprojë Shqipëria në këtë rast? -Kërcënimi i shtetit grek se do të bëjë deklarim të njëanshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për kufijtë detarë është një çështje serioze. Greqia tani e di se në ujërat detarë, që nuk janë nën sovranitetin e saj, ka pasuri të mëdha të naftës e të gazit, prandaj prej asaj pasurie të madhe nxitet të bëjë deklarime të tilla, në thelbin e vet shqetësuese për shtetet që kanë dalje në ato ujëra. Të shpresojmë se ai deklarim i njëanshëm i Greqisë për kufijtë detarë do të frenohet në OKB-n. Shqipëria me diplomacinë dhe me politikën e saj do të duhej t’i jepte argumente Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta frenojë deklarimin e njëanshëm të shtetit grek për kufijtë. E në qoftë se, megjithatë, Greqia e bën atë deklarim të njëanshëm, Shqipërisë do t’i dalin disa punë të paparapara politike, diplomatike dhe ekonomike! Akademiku i akuzuar 12.Pak ditë më parë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë vendosi t’i ngrijë titujt e një anëtari të saj, Kosta Bajraba, i cili u ndalua në SHBA për vjedhje. Ju, si akademik, si e komentoni këtë vendim nëse kemi parasysh se titujt akademikë jepen për shkencë e jo për moral? -Vendimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për t’ia ngrirë titujt anëtarit të saj, Kosta Bajraba, për shkak se u ndalua për vjedhje ende të padëshmuara në SHBA, më duket i shpejtuar. Ndoshta është dashur të pritet sqarimi i atij rasti: sqarimi a ka ndodhur dhe nëse ka ndodhur si ka ndodhur ajo vjedhje për të cilën institucioni anëtar i të cilit është ai po e ndëshkon aq rëndë.Mund të jetë që Kosta Bajraba është bërë viktimë e intrigave të grupeve tona të partishme që mbërrijnë edhe në Kaliforni! Në Akademitë e Shkencave, në të vërtetë në Akademitë e Shkencave e të Arteve krijues të ndryshëm pranohen për shkencë dhe për arte. Ata, siç e theksoni edhe ju, pranohen, pra, për krijimtari shpirtërore e jo për moral. Por, edhe morali mund të bëhet arsyeja që një akademik të përjashtohet prej Akademisë. Raste të këtilla kanë ndodhur në botë dhe raste të këtilla e di se kanë ndodhur edhe në ish Jugosllavinë. E di se në Jugosllavi ka pasur akademik që është përjashtuar prej Akademisë së Shkencave e të Arteve anëtar i së cilës ishte për arsye politike: për arsye se ishte ngritur kundër politikës së brendshme e të jashtme të shtetit. E di se në Jugosllavi një akademike është përjashtuar prej Akademisë së Shkencave e të Arteve për arsye se është akuzuar për plagjiat dhe komisioni i caktuar për të hetuar çështjen e plagjiaturës së saj e kishte pohuar akuzën. Dhe, ajo ishte përjashtuar prej Akademisë . Dhe, prej Fakultetit ku punonte. Në statutin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dikur , në kohën e komunizmit, shkruante se zgjedhja anëtar i Akademisë është e përjetshme, përpos nëse akademiku bën dy veprime të palejueshme, domethënë të ndëshkueshme: e para, në qoftë se çohet kundër shtetit, domethënë kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe, e dyta, në qoftë se bën plagjiat. Në shtetet demokratike asnjë akademik nuk mund të përjashtohet prej Akademisë pse flet e shkruan kundër shtetit të vet. Por, në shtetet demokratike akademiku mund të përjashtohet prej Akademis për plagjiaturë. Siç dihet, dy-tre viteve të fundit prej akademive a fakulteteve evropiane u përjashtuan dhe doktoratat iu morën për shkak të plagjiaturës kryetarëve të Hungarisë e të Rumanisë dhe një ministri gjerman. Ç’është e vërteta, plagjiatura është një vjedhje, domethënë një shkelje e parimeve morale, që në këtë rast përcaktojnë portretin moral të çdo autori të krijimtarisë shpirtërore. Por, shkelja e parimeve morale duke bërë plagjiaturë nuk është e barabartë me shkeljen e parimeve morale duke vjedhur në një shitore, në një shtëpi mallrash, në një bankë a në një fermë. Me vjedhjen e quajtur plagjiaturë cenohet rëndë, komprometohet rëndë vepra shkencore a letrare në sajë të të cilave plagjiaturisti është zgjedhur anëtar i Akademisë, kurse me vjedhje të gjërave materiale në shitore, në vetëshërbim, në bankë a në fermë kjo nuk ndodhë. Duke vjedhur, në shitore, në vetëshërbim, në bankë a në fermë komprometohet morali shoqëror i akademikut vjedhës, por jo identiteti i tij krijues, por jo vlera e veprave të tij. Të isha anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të merrja pjesë në mbledhjen ku do të vendosej për titujt e tij unë nuk do të votoja për ngrirjen e titujve të Kosta Bajrabës. Sa akademiku është i pamoral ekonomik, finansiar, politik, shoqëror, por askujt nuk i shkon mendja t’i përjashtojë prej Akademisë. Disa prej tyre vjedhin me të madhe, por vjedhin në mënyra të sofistikuara,vjedhin “ligjshëm”, korruptueshëm, në administratën e Akademisë në të cilën janë , në fakultetet në të cilat japin mësim, në pozitat politike e shtetërore që kanë. Dëmi që këta hajna shumë “të autoritetshëm” i bëjnë shtetit dhe popullit të vet është shumëfish më i madh se dëmi që mund t’i ketë bërë Kosta Bajraba, i akuzuar, ende nuk e dimë pse: pse ka bërë deliktin apo pse deliktin ia kanë trilluar! Koka e Ali Pashës 13.Sjellja e kokës së Ali Pashë Tepelenës ka qenë kërkesë e radhës së kryeministrit. Intelektualë të njohur shqiptarë e kanë kritikuar sepse nuk mund të varroset sërish i ndarë, e të tjerë e kanë parë si lëvizje diplomatike për t’i thënë Greqisë se Janina ku ai prehet është shqiptare. Cili është opinioni juaj? -Në krejt këtë punë rreth kokës së Ali Pashë Tepelenës – kësaj figure të madhe të historisë shqiptare, dhe rivarrosjes së tij sërish i ndarë, koka shkoqur prej trupit, përpos djallëzive që bën kryeministri me qëllim që të korruptojë qoftë edhe tre votues më shumë për partinë e tij në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ka edhe perversitet. Prej tij, deri në 23 qershor, mund të presim që prej Ankarasë a prej Athinës të kërkojë që të lejojnë të sillen në Shqipëri pjesët e lëkurës së pashallarëve shqiptarë të bërë synet kur ishin fëmijë në Stamboll a në Janinë! Do të ketë çka të kërkojë kryeministri ynë se , siç dihet, prindërit e disa pashallarëve tanë të ardhshëm në Perandorinë Otomane, kur i bënin synet ata, natyrisht si fëmijë, kërkonin që lëkura e pjesës së synetuar të mos hudhej kudoqoftë po të “varrosej”! Në këtë mënyrë atdhetarizmi i posazgjuar i kryeministrit shqiptar do të mund të dëshmohet edhe me ato pjesë të synetuara të pashallarëve shqiptarë të sjellura në Atdhe në prag të zgjedhjeve! Mos ngurroni: duartrokitje për turbo atdhetarin! Bashkimi 14.Po sa i takon krijimit të një Lige të përbashkët të futbollit, ç’mendim keni? -Kryeministri tani para zgjedhjeve po vjedh dhe po rrëmben idetë dhe propozimet që përpara tij kanë paraqitur qoftë Partia Socialiste, qoftë Aleanca Kuqezi. Nuk kam ç’them për këtë çështje: ato që duhej të thuheshin i thanë veprimtarët e futbollit në Tiranë dhe në Prishtinë. Hapësira e njësuar kombëtare sportive, mediale, kulturore, shkencore, arsimore është diçka e vetëkuptueshme që është dashur të ndodhë shumë më herët. Dhe krijimi i kësaj hapësire s’është penguar prej askuj por prej nesh: prej moskujdesit, prej mospunës, prej mënjanërisë sonë. 15. Është përfolur disa herë ndarja e Kosovës (çështja e veriut) dhe ndarja e Maqedonisë, sidomos pas incidenteve ndëretnike. A është e mundur dhe e duhur shpërbërja? -Çështja e Veriut të Kosovës dhe çështja e Maqedonisë Perëndimore nuk janë çështje të njëjta. Ka ndryshim në përbërjen e tyre dhe në historinë e tyre si çështje. Në rastin e Veriut të Kosovës, domethënë të Mitrovicës Veriore, flitet për shkëmbim teritori me Luginën e Preshevës e në rastin e Maqedonisë Perëndimore flitet për bashkimin e saj me Shqipërinë a me Kosovën. Për mundësitë e këtilla nuk flasin vetëm shqiptarë, por flasin edhe analistë dhe gjeostrategë perëndimorë, kryesisht amerikanë. Për mundësitë e këtilla, domethënë për ndryshime kufijsh shtetërorë, që mund të bëhen në Evropë herdokurdo, folën këto ditë edhe disa nga mediat tona, por folën gabimisht: duke ua dhuruar mendimet e tilla disa mediave ruse a serbe e jo atyre që që i kanë paraqitur jonjëherë të parët: analistëve dhe gjeostrategëve perëndimorë. Këto ndryshime kufijsh mund të ndodhin sado jo shumë shpejt dhe me to – me bashkimin e Maqedonisë me Shqipërinë a me Kosovën dhe të Luginës së Preshevës me Kosovën e, mandej të Kosovës me Shqipërinë, do të ndreqej padrejtësia e madhe historike që i është bërë popullit Shqiptar. Presheva 16.Tensionet etnike në Preshevë kanë qenë të pranishme gjatë këtyre ditëve, sa i takon përmendores së UÇPMB. A po interesohet sa duhet shteti amë për të bijtë dhe si duhet vepruar sipas jush? -Për shqiptarët e Luginës së Preshevës,të Maqedonisë, e të Malit të Zi tani ekzistojnë dy shtete amë: Shqipëria shtetërore dhe Kosova. Mjerisht është e vërtetë se këto dy shtete nuk po interesohen sa duhet e si duhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pjesërisht i kuptoj: u duhet të sillen ndaj tyre ashtu siç i këshillojnë, të mos them siç kërkojnë prej tyre, faktorët ndërkombëtarë, që nuk janë pa një sovranitet në Shqipëri dhe në Kosovë sot. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të kërkojnë që të interesohen më shumë për ta si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por punët më të mëdha për veten duhet t’i bëjnë vetë. Dhe, ata po i bëjnë këto punë. Tani për lapidarin e UÇPMB, të cilin Serbia vandalisht e zhvendosi prej vendit ku ishte vënë dhe e çoi në depot e lëndëve të saj të ndryshme, Shqipëria dhe Kosova mund të bënin më shumë se ç’bënë. Por, për atë lapidar dhe mbajtjen e tij aty ku ishte vënë, nuk bënë çka do të duhej të bënin as vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Mbas kërcënimeve të Serbisë se do ta heqë lapidarin ata do të duhej ta prisnin policinë serbe duke qenë rreth lapidarit, duke qenë rreth lapidarit edhe burra edhe gra, të vetëdijshëm se Serbia nuk do të guxonte ta përgjakte atë lapidar e as tokën ku ishte vënë ai. Dhe në atë mënyrë, duke mbrojtur lapidarin ata do të mbronin edhe disa vlera e disa qëllime të rëndësishme, shumë të rëndësishme për ardhmërinë e tyre. Qytetar Nderi i Vlorës 17.Vlerësimi me titullin Qytetar Nderi i Vlorës, që Ju dha nga kryebashkiaku, Shpëtim Gjika, shkaktoi reagime në kampin e djathtë në Shqipëri, zëra brenda të cilit nuk ngurruan ta komentojnë këtë vlerësim që Ju bë, me faktin se socialisti Gjika ju vlerësoi si një anti-Berishë më shumë sesa për kontributin që ju i keni dhënë Vlorës. Keni një koment? -Të jesh Qytetar Nderi i qytetit në të cilin është shpallur pavarësia e Shqipërisë etnike, që do të përbëhej prej të gjitha tokave shqiptare, është nder i madh, është ngjarje jete për çdo krijues shqiptar. Dhe, për çdo shqiptar. I kuptoj reagimet e disa vetjeve ndaj këtij nderimi që më është bërë: ata mendojnë se vetëm ata me kryetaren e tyre të Kuvendit të Shqipërisë, me kryetarin e tyre të Shqipërisë dhe me kryeministrin e tyre të Shqipërisë, që në të vërtetë është kryetar i të gjithë kryetarëve të Shqipërisë, meritojnë të nderojnë vetëm ata që duan ata me rastin e 100 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dhe, ç’është e vërteta, nderuan shumë kë: shumë kë që meritonte dhe shumë kë që nuk meritonte të nderohej me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. E kuptoj edhe rrenën në asnjë rast të fundit, të kryeministrit, që tha për mua në takimin me gazetarët. E ai , tha. se unë nuk paskam lejuar që në shtëpinë time në Vuthaj të vendosej ndonjë familje e Dukagjinit, që gjatë luftës në Kosovë u shpërngulën në Plavë e në Guci. E vërteta është: në shtëpinë time në Vuthaj në atë kohë ishte vendosur Cen Krasniqi nga Lugu i Baranit me familjen e tij: me gruan , me të bijën dhe me dy djemtë. Gënjeshtari i lindur gënjeshtar, Sali Berisha, mund të informohej për këtë të vërtetë, por jo: ai donte të rrente. Por krijimtaria ime intelektuale dhe veprimtaria ime politike e duron lehtë, jo vetëm këtë rrenë të Sali Berishës. Ata që kanë reaguar siç thatë ju se kanë reaguar ndaj shpalljes së Rexhep Qosjes Qytetar Nderi i Vlorës sigurisht nuk duan të kuptojnë pse jipet ai: titulli qytetar Nderi i Vlorës nuk u jepet vetëm atyre që kanë bërë më së shumti për Vlorën, po, në radhë të parë, atyre që kanë bërë më së shumti për Shqipërinë, dhe u jepet atyre që kanë bërë më së shumti për Shqipërinë sepse duke bërë çka kanë bërë për Shqipërinë ata kanë bërë edhe për Vlorën njëkohësisht. Dhe, kanë bërë edhe për Vlorën njëkohësisht sepse Vlora është Shqipëria: zemra dhe mendja e Shqipërisë. E ç’kam bërë unë për Shqipërinë, prandaj edhe për Vlorën, nuk mund ta caktojë Sali Berisha me nënbishtërinjtë e tij: e cakton Vepra ime albanologjike – historiko-letrare dhe historiko-politike, vepra ime publicistike dhe vepra ime letrare. Le ta lexojnë! Apo së paku le ta shikojnë! Shpëtim Gjika Sa i përket vërejtjes që i bëhet kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjikës, se më ka dhënë titullin Qytetar Nderi i Vlorës si një intelektuali anti-Berishë, unë vetë do të doja që kjo të ishte e vërtetë. Në arsyetimin pse më jepet ai titull unë do të doja shumë të ishte theksuar se më jepet edhe për kundërshtimin tim ndaj politikës së Sali Berishës: ndaj politikës së tij gjithnjë të konfliktshme, domethënë përçarëse në Shqipëri; ndaj politikës së tij autonomiste, me të cilën kundërshtohej pavarësia e Kosovs deri në çlirimin e Kosovës; ndaj politikës së tij të furnizimit të Serbisë me naftë edhe në kohën kur OKB i kishte vënë embargo Serbisë; ndaj politikës së tij cenuese , nënçmuese të studimeve shqiptare dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me mjetet mjerueshëm të pakta finansiare për të, por edhe me disa nga kuadrot që vendosin për qeverisjen e tyre; ndaj politikës së tij të mbështetur gjithnjë në shpifje, në gënjeshtra e në mashtrime me të cilat ai fyen mendjen dhe nderin e qytetarëve të Shqipërisë; ndaj politikës së tij despotike orientale që ka bërë të mundshëm një lulëzim të jashtëzakonshëm të korrupsionit në Shqipëri dhe një përdallim të tmerrshëm mes të pasurve politikë dhe të të varfërve të sotëm në Shqipëri; ndaj politikës së tij, me të cilën po i sillen aq shpërfytyrime dhe aq ndotje përtashësisë dhe historisë shqiptare. Do ta kisha për nder po të më ishte dhënë titulli Qytetar Nderi i Vlorës, si anti-Berishë sepse, ngritjen e Sali Berishës në politikën shqiptare e konsideroj fatkeqësi për Shqipërinë, kurse largimin e tij prej politikës shqiptare e kam konsideruar dhe e konsideroj interes kombëtar shqiptar. Linda Rama Dhe, si të mos e konsideroj interes kombëtar largimin e tij prej politikës shqiptare? E dëgjuat ç’tha Organizata Ndërkombëtare Fridom Haus? Ajo tha: Shqipëria (Kosova dhe Maqedonia) janë të vetmet tri vende në Ballkan dhe, natyrisht, në Evropë gjysmë të lira. Të lira edhe Mali i Zi, edhe Bosna e Hercegovina, edhe Serbia, por Shqipëria gjysmë e lirë, gjysmë e lirë sepse e sundon stalinisti i fundit në Evropë! E dëgjuat ç’tha Banka Botërore? Ajo tha: Rritja ekonomike e Shqipërisë, në vitin 2012 është 0.5 përqind. E dëgjoni si gënjen kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kur flet për zhvillimin e konomik të Shqipërisë? Ai thotë: Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike më të madhe se Gjermania, Franca, Britania e madhe. Dhe këtë rritje ekonomike e ka shënuar falë modelit ekonomik që ka shpikur ai! A po dëgjoni çka thonë ekonomistë në Shqipëri? Ata po thonë se Sali Berisha do t’i lërë fëmijët tanë në borxhe të cilat për shumë dhjetëvjetsha nuk do të arrijnë t’i paguajnë! A po dëgjoni si përgjigjet kryeministri i Shqipërisë? Ai përgjigjet: gjithë Shqipëria është digjitalizuar prej Vërmoshit e në Konispol! A po dëgjoni se ç’thonë emisionet e disa televizioneve shqiptare? Ato thonë se gjysma e shqiptarëve jetojnë ashtu siç jetojnë fshatarët e fshatit Peza afër Tiranës, që tronditi të gjithë ata që e shikuan? A po shihni se si u përgjigjet kryeministri Sali Berisha këtyre pamjeve rrënqethëse? U përgjigjet duke thënë se i pëlqejnë pjeshkat! A e shikuat dhe a e dëgjuat ç’bëri e ç’tha kur i dëgjoi kritikat për korrupsionin kolosal, për grabitjet, për plaçkitjet, që po i bëhen Shqipërisë nën despotizmin e tij mesjetar oriental? A e vërejtët dhe a e dëgjuat kë vendosi të vriste shpirtërisht e moralisht me përgjigjet e tij? Vendosi të vriste kënd se: Linda Ramën! Dhe, vendosi ta vriste thjesht pse është gruaja e atij që në pozitën e kryeministrit të Shqipërisë frikësohet se, do të vijë menjëherë mbasi të dëbohet ai prej pushtetit shqiptar. A e shikuat dhe a e dëgjuat sa e si gënjeu? A e dëgjuat çka krejt shpifi për atë zonjë të fisme, të lindur dhe rritur në familje tiranase të fisme? Nuk u mjaftua që me të dhe me të shoqin e saj, Edi Ramën, të qëronte hesape vetëm ai me familjarët e vet, por angazhoi edhe nënbishtërinjtë e tij të të dy gjinive. I dëgjuat shtatë shpifjet dhe shtatë gënjeshtrat fundbotshëm të poshtra që, në emrin e Partisë Demokratike, i shqiptuan para mediave shqiptare këta nënbishtërinjë të tij të të dy gjinive? A e shikuat dhe a e dëgjuat Zonjën Linda Rama se si ngadalë, qetë, qëndrueshëm, mençur, zemërgjerë, pa pezmin dhe pa mendjeerrësirën e rroktarëve e rroktareshave të kryeministrit, me argumente dhe vetëm me argumente, e fundosi politikën e shpifjeve, politikën e rrenave, politikën e ndotjeve me të cilën kryeministri shqiptar, po rrënon vlerat e përtashësisë dhe të historisë shqiptare! Historia s’e ka shënuar emrin e ndonjë shqiptari që ashtu, me aq shpifje, gënjeshtra, urrejtje, ndotje e ka ndotur jetën dhe historinë e shoqërisë shqiptare deri sot. A është e mundshme që populli shqiptar, kodeksi etik i të cilit me shekur çmohej e adhurohej prej të gjithë popujve që e njihnin, tani e njëzet e dy vjet po lejon që një njeri si ky, si kryeministri i sotëm Sali Berisha, si ky gënjeshtar i pa skrupuj moralë, i pa karakter, i pa përgjegjësi, të hallakatet ashtu egër siç po hallakatet duke përbaltur e rrënuar vlera e merita në shtetin shqiptar – në Shqipërinë shtetërore! A janë duke menduar qytetarët shqiptarë se atdheu i tyre, Shqipëria, do të mund të bëhet shtet normal, evropianisht normal, shtet sadopak etik, sadopak i përgjegjshëm ndaj vetes dhe ndaj vlerave kombëtare e njerëzore, vetëm mbasi kryeministrin e sotëm ta dëbojnë prje politikës shqiptare: ta dëbojnë me zgjedhjet e sivjeme. 18. Si e pritët anulimin e vendimit, me të cilin këshilltarët e komunës Tropojë ju shpallën Qytetar nderi i Tropojës, nga ana e kryetarit të kësaj komune? A ka të bëjë kjo me shkrimet tuaja për kryeministrin e Shqipërisë? I falënderoj këshilltarët e Komunës Tropojë për vendimin e tyre me të cilin më kanë shpallur qytetar nderi i Tropojës. Kryetarit që ka anuluar vendimin e këshilltarëve, me përshëndetjen ia shpreh edhe bindjen time të sigurt se njëri nga kryetarët e ardhshëm me rastin e rishpalljes sime qytetar nderi i Tropojës do t’i kërkojë falje Rexhep Qosjes për sjelljen ndaj tij të kryetarit të sotëm të Tropojës. E kuptoj dhe e ankoj: është detyruar prej stalinistit të fundit europian ende në pushtet të bëjë çka në të vërtetë s’ka dëshiruar të bëjë! 19. Sot kur gjithë Shqipëria priste dënimin e gardistëve Ndrea Prendi e Agim Llupo, për viktimat e 21 Janarit, Gjykata e Tiranës i shpalli ata të pafajshëm. Si e pritët këtë vendim? -Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist i cili mendon, gjykon dhe burgosë siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste. E dëgjuat ç’tha njëri nga gjykatësit, ndshta kryetari? Garda Kombëtare, tha ai, ka mbrojtur qeverinë! Qeverinë që s’e rrezikonte kush? E dëgjuat çka tha një gjykatës a avokat? Gjykata jonë, tha ai, mori vendim në nivelin e vendimeve për çështje të njejta të gjykatave evropiane! Kjo mendje katërkëmbëshe gënjen poshtër. Gardistët evropianë nuk i vrajnë protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e Qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth sajë. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë. 20. Mbas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarve për 21 janarin, kryeministri i vendit, njëkohësisht edhe kryetar i partisë në pushtet, (që pretendon të jetë serish në pushtet edhe pas 23 Qershorit), doli në një konferencë për mediat, ku foli për arritjet në bujqësi e blegtori, duke refuzuar të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës. Si e komentoni ju këtë? - Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka adet t’i komentojë krimet e tij: nuk i ka komentuar dhe nuk i komenton në asnjë fushë të jetës kombëtare. Të shpresojmë se krimet e tij do të komentohen, do të gjykohen e do të dënohen pas 23 qershorit, kur ai të çohet atje ku e ka vendin : të çohet ku çohen vrasësit dhe në plehun e historisë. 21. Në shenjë proteste ndaj vendimit, opozita shqiptare, braktisi seancën plenare. Çfarë do të sugjeronit ju si hap të mëtejshëm? - Opizita shqiptare mospajtimin e saj me këtë krim të ri mund ta shpreh si duhet, përgjegjshëm, ngushëllueshëm për familjet e të vrarëve vetëm me demonstratë popullore. Mu aty, në atë shesh, ku janë vrarë ata.
Posted on: Wed, 31 Jul 2013 13:53:26 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015