SHTËPIA DHE LUFTËTARI Luftëtari, kurrë nuk kthehet në - TopicsExpress



          

SHTËPIA DHE LUFTËTARI Luftëtari, kurrë nuk kthehet në shtëpi. Atdheu dhe bota ideale e tij, është shtëpia e tij, prandaj ai e konsideron çdo hap dhe çdo sakrificë që e bënë, një gur më shumë për shtëpinë e tij, për njerëzit e tij, për tokën e tij. Kur luftëtarit i bie të jetë kryezot i shtëpisë, lufta e tij s’përfundon askurrë! Veçse, sa herë, e ka të vështirë ta bëj udhën që e bënë, e ka të vështirë ta plotësoj vakumin e të qenurit vazhdueshëm, në shtëpi ! E ka të vështirë t’i bëj zap, robtë e shtëpisë! Nganjëherë, ata nuk e dëgjojnë të zonë! Ia kthejnë shpinën, e sfidojnë. E injorojnë, ose zhgërryhen mbi bëmat dhe gamën e pafundët që kryezoti ka bërë për shtëpinë, për tokën e qiellin, për malet e fushat, për lisat e lulet... Na ka rënë të kemi kryezotër shtëpie vend e pa vend, asi që s’i kemi njoftë askurrë mirë, asi që s’i kemi vendos na, asi kryezotë që ka pasë shtëpia hata nga këmba dhe bëmat e tyre. Epo, kjo histori e shtëpisë sonë...! Kështu disi ka qenë puna e shtëpisë sonë, qindra vjet. Të gjithë kemi qenë keq, brez pas brezi. S’kemi qenë rehat, as ky brez që jemi gjallë, as disa breza që kan ardhë pas nesh! Shtëpia ishte e zaptuar, e rrënuar, e përlarë nga e keqja. Jeta jonë, si edhe krejt jeta e shtëpisë ishte në duart dhe në mëshirën e të tjerëve. Kyezoti i shtëpisë sonë, ishte pak a shumë, kryegjakpirës ynë. I këtillë ishte, meqë ishte i huaj: dhe ne, ishim të tjerë, ishim të padhimbshëm për te...! Ishim të pafuqishëm. Të pa mbrojtur. I huaji, ishte një kryezot i keq. Se, ku ka kryezot të huaj e që pastaj sillet mirë me ty, të do, të trajton me dashuri e me respekt? Luftëtari, kurrë s’u kthye në shtëpi. Që kur shkoi për në luftë. Ai, një ditë, u ndoq nga të tjerë si ai. U bë vetë i shtatë, pastaj vetë i shtatëmbëdhjetë, vetë i shtatëdhjetë...! Ai me ata, e kaluan pragun e shtëpisë, dhe s’u kthyen kurrë në shtëpi. S’u kthyen, të gjallë. Një pjesë e tyre, mbeti udhëve duke e mbrojtur dhe duke e bërë shtëpinë të jetueshme, të bëshme dhe me fytyrën tonë. Një pjesë tjetër, i la gjysmën e ëndrrave dhe gjysmën e eshtrave kësaj udhe, ose rreth e rrotull shtëpisë. Një pjesë tjetër, u daktis botës. Shtëpia, s’u rehatua. Kryezotat e huaj, secili më mizor se tjetri, u ndërruan katërcipërisht. Ora e tyre, ishte koha jonë e amullt, e errët, tragjike. Dora e tyre, ishte vdekja jonë e rilindshme... Po shtëpia, tymon. Shenjë e frymës. Shtëpia, gjëllon. Shenjë e lirisë. Luftëtari, më në fund është kryezoti i saj. Luftëtari, është gjarpëri roje i shtëpisë. S’fle kurrë. Fle, veç sa për dy-tri ëndërra të bukura spartane. Dhe, sa për një ëndërr shqiponje. Por i huaji, e ka lënë pas erën e tij. Gjurmën e tij. Rreth e rrotull shtëpisë. Prandaj, udha e luftëtarit stërzgjatet e përbaltet. Mbjegulla mbi këtë udhë, ia zbardhë flokët, dhe ia shton rrudhat e ballit. Veçse, deri sa të zhduket lagështia e fundme e kësaj mjegulle, kryezoti s’do të kthehet në shtëpi. Kur kjo të ketë ndodh, do të jetë zhdukur era e keqe e gjurmës së mbetur mbi fushën e mëllenjave. Mos kujtoni se ai, luftëtari është kthyer në shtëpi! Ai, s’është kthyer dhe, as s’është harruar. As s’ka vdekur, as s’është tretur. Është lodhur ai, po s’është kthyer t’i vardiset jetës dhe lirisë. Bën roje rreth e rrotull shtëpisë, dhe e shigjeton me sy shqiponje harlisjen tonë të egërt e barbare, në prehërin e armiqve të armiqve tanë. Qeshet e lutet për mëkatet dhe çmenduritë tona. Dhe, s’do të ktheht kurrë në shtëpi, deri sa ne të fillojmçë ta duam shtëpinë më shumë se veten...! Se, ç’na duhet vetja pa kulm e shtëpi, pa dritare, pa oborr, pa roje...?
Posted on: Tue, 12 Nov 2013 21:36:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015