Shkrim i shkelqyer i Rudolf Markut. Per te mos u humbur kurresesi. - TopicsExpress



          

Shkrim i shkelqyer i Rudolf Markut. Per te mos u humbur kurresesi. -Rruga e vështirë e së vërtetës BLOG | 22 SHTATOR, 2013 - 15:38 | NGA RUDOLF MARKU 1. Natën vonë, Winston Churchill dhe një koleg i ri, anëtar i Parlamentit anglez, po linin House of Commons. Ishte pranvera e vitit 1917, ditët më të errëta të Luftës së Parë Botërore, një moment krize njëkohësisht për Churchill-n dhe kombin anglez. Churchill sapo kishte dhënë dorëheqjen nga kabineti, dhe vetë Britania dukej sikur do shpartallohej nga forcat gjermane. Sipas kujtimeve të kolegut të tij të ri, Churchill u ndal përpara Dhomës ku mblidhej Parlamenti, dhe tha: Vetëm kjo hapësirë e vogël bën dallimin mes nesh dhe Gjermanisë. Vetëm demokracia parlamentare e vendit tonë, vetëm këmbëngulja jonë për të mbrojtur liritë individuale do bëjë që të mposhtet eficenca e shkëlqyer dhe energjia për t’u patur zili e Gjermanisë. Churchill kishte të drejtë. Dhoma e Parlamentit anglez, me këmbënguljen e saj që të mbronte lirinë e individit njerëzor, arriti të fitojë Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore, madje edhe atëherë kur vetë Dhoma Parlamentare u pat katandisur në një grumbull gërmadhash nga bombat gjermane. Sepse gjithmonë ai i drejtohej njeriut, njëshit individual, sepse për Churchill- in dhe politikanët si ai, thelbi i politikës dhe i shtetit është individi njerëzor dhe fati i tij. Winston Churchill do mbetet si politikani që preferonte të fliste të vërtetën. Në botë ka dy lloj politikanësh: ata që gënjejnë, dhe me gënjeshtrat e tyre fitojnë një popullaritet të përkohshëm, dhe ata që artikulojnë të vërtetën, dhe me këtë shpeshherë humbasin popullaritetin, të paktën përkohësisht. “Nuk mbaj mend ndonjë kohë tjetër kur humnera mes fjalëve të politikanëve dhe asaj çfarë ndodh realisht të jetë kaq e madhe”, – pat deklaruar ai në nëntorin e vitit 1932. “Ju lutem, ndërpritini rrenat dhe mësoni t’ia thoni të vërtetën popullit britanik…Ndoshta, duke dëgjuar të vërtetën, njerëzit mund të ndjehen fillimisht të ofenduar, por unë do preferoja këtë pakënaqësi të fillimit sesa gjendjen e pakëndshme të zemërimit e të zhgënjimit të madh që do vinte pas gënjeshtrave”. Për Churchill-in, vlera më e madhe e demokracisë është mbi të gjitha se Demokracia të jep mundësinë që të flasësh të vërteta që nuk të bëjnë popullor. Vetë kundërshtarët e Churchill-it kishin gënjyer gjatë gjithë kohës për rrezikun që sillte Gjermania e viteve ’30, duke e zvogëluar këtë rrezik si të paqenë. Churchill, në të kundërt, pat paralajmëruar me kohë rrezikun e Hitlerit, dhe në të njëjtën kohë sakrificat që e prisnin kombin britanik, i cili nuk ka gjë tjetër që të japë veç ‘’gjakut, stërmundimit, lotëve dhe djersës”. Këmbëngulja e tij për të thënë të vërtetën u shpërblye kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, kur dhe oponentët e tij politikë u gjendën si njerëzit më të diskretituar, falë gënjeshtrave të tyre, ndërsa Churchill u shfaq si autoriteti i vetëm moral i kombit të vet, falë këmbënguljes për të thënë të vërtetën. 2. Nuk do thosha ndonjë gjë të re, nëse do pohoja edhe një herë gjënë më të ditur në botë, se në vendin tonë politikanët janë dhe gënjeshtarët më të mëdhenj. Dhe jo vetëm në vendin tonë. Por këtu tek ne kemi të bëjmë me gënjeshtarë banalë, të paturpshëm, madje që presin dhe duartrokitje dhe lavdërime për gënjeshtrat e tyre. Ne duhet t’i japim taksë iluzionit të politikanëve tanë që janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të na mbushin mendjen se ekonomia jonë është ndër më të përparuarat në botë (në një kohë që ekonomia jonë mbështetet në pjesën më të madhe nga të ardhurat financiare të emigrantëve), se vendi ynë është vendi i vetëm që nuk është prekur nga kriza dhe nuk ka frikë se do preket nga kriza (dhe vërtet, vendi ynë nuk preket nga krizat dhe as që ka frikë se do preket nga kriza, por për të vetmen arsye që ka rënë nga varka drejt e në det, nuk ka frikë që të laget nga shiu), se vendi ynë është një mrekulli ekologjike (me importim plehrash të vendeve fqinje), se vendi ynë është një Eldorado, se në fund të fundit është një rast krejt i veçantë, mrekullisht i veçantë, unik, në tranzicion të përjetshëm, se ne mund të punojmë më pak e të paguhemi më shumë, se mund të dalim në pension herët e të jetojmë më gjatë…Është gati-gati i njëjti arsenal fjalësh që përdorte dje sistemi komunist, e njëjta psikopatologji e parezistueshme për të sugjestionuar turmat, si magjistari Mario tek tregimi i njohur i Tomas Manit. Në kohën e vet, Churchill shihte me shqetësim alarmant greminën që ndante fjalët nga veprat e politikanëve. Asnjëherë tjetër në historinë e njerëzimit kjo greminë nuk ka qenë aq e thellë dhe aq e honshme sa sot. Politikanët shqiptarë të sotëm vijnë në pjesën më të madhe nga rruga, me diploma universitetesh të blera, me vota të blera, të dhunshëm dhe të paprekur nga civilizimi. Që mund të bëhet e qartë qoftë dhe nga antropologjia e tyre. Ose vijnë psikologjikisht dhe kulturalisht drejt e nga sistemi i dikurshëm komunist. Nuk u mbetet gjë tjetër veç të gënjejnë. Asnjëherë nuk ka ndodhur që gënjeshtra dhe mashtrimi të jenë kaq hapur dhe kaq paturpësisht spektri i vetëm i politikës shqiptare. Çfarëdo që të shohësh, sistemin arsimor, atë mjekësor, atë ekonomik, administratën, – humnera mes asaj që pretendojnë politikanët që të jetë dhe asaj që është në të vërtetë janë të ndara në mes me një mur më të lartë dhe më të pakalueshëm sesa Muri i dikurshëm i Berlinit. Dhe ushtarët roje të këtij Muri janë politikanët tanë dhe parlamentarët tanë. 3. Cili nga politikanët tanë është i përgatitur që të pranojë Faktin? Ose çfarëdo fakti? Është e kuptueshme përse politikanët tanë janë alergjikë ndaj fakteve. Faktet janë si ato gjilpërat e mprehta që shpojnë ballonet e iluzioneve. Fjalimet e politikanëve tanë përmbajnë çdo gjë veç fakteve. Por do të qe një provincializëm mjeran po qe se do të besonim se kjo ndodh vetëm me politikanët tanë. Puna është që dhe atëherë kur ne duam të marrim shembuj nga politikanët perëndimorë, për fat të keq, jemi të predispozuar që të marrim shembujt më të këqij. Alastair Campbell është perfeksionisti i asaj që në anglisht quhet Spin Doctor, e që në një shqipe kologiale mund të përkthehej ‘doktor profesori i spërdredhjeve’. Është akuzuar disa herë si njeriu që mbretëroi në Whitehall- në Kryeministrinë britanike-me anë të terrorit të gënjeshtrës e të mashtrimit. Si politikan, mund të jetë njeriu diametralisht i kundërt me parimet që përfaqësonte Winston Churchill. Nuk është e papritur që në Tiranë është i ftuar nga partia që ndodhet tani në pushtet, dhe libri i tij është përkthyer, botuar dhe reklamuar si një manual këshillash për politikanët vendas. Edhe pse libri i tij, ç’është e vërteta, ndodhet nën nivelin e mediokritetit të publicistikes politike. Pranimi i gënjeshtrës si normë nga politikanët shqiptarë ka bërë që ata, për konsekuencë, të paraqiten kaq të padinjitet, a me dinjitet të stërkëmbur, përballë politikanëve perëndimorë, që më së shumti janë thjesht rrogëtarë të Brukselit a aparatçikë të administratave të vendeve të tyre në Tiranë. Por që pozojnë para qyqarllëkut të politikanëve tanë Perëndinë e Olimpit. Politika shqiptare udhëhiqet nga gënjeshtra e organizuar. Ose nga arroganca e padukshme e gënjeshtrës. Udhëhiqet nga mungesa e personaliteteve në politikën shqiptare, ose nga personalitetet e deformuara të politikanëve të ditës. Por në të njëjtën kohë, për fat të keq, jemi dhe ne, individët e jetës së përditshme, që e pranojmë me dëshirën më të madhe gënjeshtrën e politikanëve. Ose dhe më tepër se kaq: indinjohemi po qe se ata nuk na gënjejnë. Politikanët gënjejnë sepse ata e kanë marrë vesh me kohë se ne i pranojmë të ekzaltuar gënjeshtrat e tyre. Dhe kjo flet jo vetëm për dështimin e politikanëve tanë, por dhe për dështimin tonë. Sepse pranimi i së vërtetës nënkupton dhe pranimin për të bërë sakrifica. Dhe asnjëri nga ne nuk është i përgatitur që ta shprishë komfortabilitetin e jetës së vet për hir të një nocioni që duket aq i largët dhe aq i pakapshëm, sa ç’është e vërteta.
Posted on: Tue, 24 Sep 2013 21:59:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015