Shkruan: Mr. Nehat Hyseni :Pozita e Preshevës si qendër rajoni - TopicsExpress



          

Shkruan: Mr. Nehat Hyseni :Pozita e Preshevës si qendër rajoni gjatë historisë Në periudhën para sundimit të Perandorisë Osmane, Presheva ka qenë seli e Rajonit të Moravicës, kurse në vitin 1489 bëhet seli e Vilajetit. Periudha prej vitit 1878-1912 paraqet epokën e prosperitetit më të madh të Preshevës, si Qendër e Kazasë, që ishte pjesë e Sanxhakut të Prishtinës, në kuadër të Vilajetit të Kosovës. Ndërkaq, në periudhën pas vitit 1912, dmth. gjatë Mbretërisë SKS, gjegjësisht Mbretërisë së Jugosllavisë, Presheva edhe më tej e ruan pozicionin e saj si Qendër Rajoni (Rethi), kurse nga viti 1947, dmth. në vitet e para të Jugosllavisë socialiste, Presheva vendoset nën administratën e Bujanocit. Kjo periudhë shënon degradimin e Preshevës si Qendër Rajoni.Me rënien e sistemit monist (njëpartiak) dhe vendosjen e sistemit politik shumëpartiak në vitin 1990, Presheva bëhet Qendër Politike e Shqiptarëve në Serbi, kurse me themelimin e Këshillit nacional të Shqiptarëve në zgjedhjet e 6.qershorit 2010, krijohet mundësia që Presheva të bëhet sërish Qendër Administrative duke u vendosur në te selia dhe administrata e tij. Presheva gjatë sundimit të Perandorisë Osmane (1445-1912) Gjatë historisë Presheva shënon luhatje (oscilime) në aspektin e pozitës dhe rëndësisë së saj për rajonin dhe më gjerë. Në periudhën para sundimit të Perandorisë Osmane, Presheva ka qenë seli e Rajonit të Moravicës, ndërkaq, sipas historianit të mirënjohur Skender Rizajt, Presheva bie nën sundimin e Perandorisë Osmane në vitin 1445, kurse në vitin 1489 bëhet qendër e Vilajetit. Pas luftës dyvjeçare Ruso (Serbo) – Turke (1876-1878), në Kongresin e Berlinit caktohen kufijtë e ri midis Serbisë dhe Turqisë, në Ristovc. Pikërisht në këtë periudhë bëhen dyndjet masovike dhe shpërnguljet e mëdha të Shqiptarëve nga më shumë se 700 fshatra të Sanxhakut të Nishit: Toplicës, Pirotit, Leskovcit, Vranjës etj. në drejtim të Turqisë dhe vendeve të tjera të Azisë, si dhe në Kosovë. Ndërsa një pjesë e vogël e tyre u ndal në disa fshatra të Medvegjës, e cila në vitin 1878 ra nën sundimin e Serbisë. Një pjesë e vogël e këtyre Shqiptarëve u vendosën edhe në Preshevë dhe Bujanoc, duke krijuar me këtë rast edhe disa vendbanime të reja (Shoshaja, Sefert, etj) Periudha nga viti 1878-1912 paraqet periudhë të prosperitetit më të madh në historinë e Preshevës. Kjo është periudhë e „Kazasë së Preshevës“, meqë Presheva ndahet nga Kazaja e Vranjës dhe nga Serbia dhe kufiri Serbo-Turk ishte vendosur në Ristovc. Kazaja e Preshevës bënte pjesë në Sanxhakun e Prishtinës, në kuadër të Vilajetit të Kosovës. “Sipas hapsirës së shtrirjes, kjo trevë (Kazaja e Preshevës, N.H.) bënë pjesë në Kaza të mesme të Vilajetit të Kosovës. Në gjatësi, nga lindja në perëndim, ajo përfshin hapsirën 60-70 km. në gjatësi, dhe në gjërësi 10-15 km. Administrativisht ky rajon i përket Sanxhakut të Prishtinës në Vilajetin e Kosovës“ (Jovan Hadživasiljević: Južna stara Srbija, Knjiga II, Preševska oblast, str.55, Beograd, 1913.). Në periudhën e të qenit të Preshevës nën Kazanë e Vranjës vërehet një rivalitet i nxitur artificialisht nga pushteti i atëhershëm, midis Preshevës dhe fshatit Bilaç, në të cilin ishte e vendosur kazerma e ushtrisë Turke. „Meqë në Preshevë jetonin Shqiptarët, kurse në Bilaç vetëm Turqit (çitakët) edhe pushteti edhe qytetarët Turq nga Vranja gjithmonë e kanë favorizuar Bilaçin në dëm të Preshevës“ (J.H.Južna stara Srbija, Preševska oblast, str.142). Presheva u bë qendër administrative për tërë kazanë, ndërsa Bujanoci në këtë kohë u zhvillua si qendër tregtare për tërë kazanë. Presheva përjetoi një zhvillim të paparë deri atëherë në historinë e saj me vendosjen e pushtetit shtetëror dhe administrativ: kajmekamllëkut dhe pushtetit gjyqësor: kadillëkut. “Presheva dhe Bujanoci midis veti bëjnë gara – Presheva është e tipit të qytezës së pastër Arnaute (turke), kurse Bujanoci si qytezë Serbe, e krishtere ( Po aty, faqe 30). Pra, ishte e qartë se atëherë ekzistonin synimet dhe përpjekjet për ta relativizuar rolin e Preshevës si Qendër Administrative e Kazasë. Më 16.08.1912 Presheva bie nën sundimin e Serbisë dhe me këtë përfundon periudha e „Kohës (Zamanit) së Turqisë“, që ka zgjatur gjithsej 467 vjet, pra nga viti 1445-1912. Sipas shënimeve zyrtare të Vilajetit të Kosovës, Kazaja e Preshevës në vitin 1893 kishte 41.985 banorë dhe 122. fshatra. Presheva gjatë periudhës së Mbretërisë SKS dhe Mbretërisë së Jugosllavisë (1912-1941) Periudha prej vitit 16.gusht 1912, kur ushtria Turke e lëshon Preshevën dhe Bujanocin, ndërkaq pushteti Serb vendoset kah mesi i tetorit të atij viti ( shih: Shukri Rahimi: Vilajeti i Kosovës), e deri në Luftën e Dytë Botërore njihet si periudhë e Jugosllavisë së Vjetër, e cila deri në vitin 1929 quhej Mbretëri e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS), pastaj u emërua si Mbretëri e Jugosllavisë. Ndarja administrative-territoriale e Serbisë e vendosur në vitin 1838, do të mbetet në fuqi, me disa ndryshime të vogla, deri në ditët e sotme: ndarjen në qarqe, rethe dhe komuna. Niveli i kompetencave të tyre oscilon gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore.Vetadministrimi i Qarkut ishte i pjesërishëm dhe realizohej nëpërmes Kuvendit dhe Këshillit të vet: në arsim, në ekonomi, komunikacion, shëndetësi dhe financa.Ndërkaq, Vetadministrimi komunal përfshinte: Kuvendin komunal,Këshillin komunal dhe Gjykatën komunale. Me Ligjin mbi ndarjen politike-territoriale të 24 gushtit 1913, vendet e pushtuara nga Serbia: Rashka, Kosova dhe Maqedonia ndahen në 11 qarqe dhe 41 rethe : Manastiri, Kavadarci, Shkupi, Tetova, Shtipi, Prizreni, Prishtina, Novi Pazari, Plevla dhe Kumanova (ku përfshihej Rethi i Preshevës). Me qëllim që të mund të përcjellim më lehtë ndarjet administrative-territoriale të Serbisë, të cilat kanë qenë të shpeshta, unë kam sjellur dhe përgatitur disa harta grafike, të cilat i kam shënuar me ngjyra të ndryshme për të qenë më të qarta dhe më të dallueshme kufizimet midis njësive të ndryshme adminitrative-territoriale. Gjatë kësaj periudhe Presheva dhe Bujanoci pësojnë ndryshime rrënjësore të strukturës etnike të popullsisë që realizohej me shpërnguljen masive të Shqiptarëve në Turqi si dhe me kolonizimin intenziv të tyre me Serbë. Tabela1. Popullsia e Rethit të Preshevës sipas përkatësisë fetare , sipas Regjistrimit të popullsisë të Mbretërisë SKS më 31 janar 1921 Masat e represionit të pushtetit mbi Shqiptarët ishin të egra dhe të papërballueshme për shumicën e tyre, prandaj ata u detyruan që t’i lëshojnë trojet e tyre dhe të shpërngulen, kryesisht në Turqi. Presheva atëherë kishte 89,2% muslimanë: 4.633 Shqiptarë, ose 77,84%, 323 Turq ose 5,43% dhe 661 Serbë ose 11,11% , i 5,63% „ të tjerë“. Bujanoci kishte 4.807 ose 58,3% muslimanë dhe 3.434 ose 41.7% ortodoksë; në Biaç kishte: 3.453.ose 72,51% muslimanë dhe 1.309. ose 27,49% ortodoksë; në Zhunicë ishin 2.646. ose 76,19% muslimanë, dhe 826. ose 23,78% ortodoksë. Kjo strukturë etnike e popullsisë do të ndryshoj radikalisht në Regjistrimin e popullsisë të vitit 1931, pjesëmarrja e popullatës muslimane do të zvogëlohet në katër vendbanimet e përmendura: në Preshevë bien nga 89,42% në 76.08%, pra 13,34 % ; (ose relativisht për 124 %); situatë e ngjajshme është edhe në Bilaç dhe Zhunicë, kurse në Bujanoc kjo rënie është diçka më e vogël (shih tabelën nr.3). Presheva edhe në këtë periudhë, dmth. pas vitit 1912 e deri në Luftën e Dytë Botërore e ruan pozitën e vet si qendër rethi dhe ka nëntë komuna: Bilaçin, Bujanocin, Klenikën, Zhunicën, Levosojën, Novosellën, Shajincen, Klinovcin dhe qytezën e Preshevës, kurse nga viti 1930 rethit të Preshevës i shtohet edhe komuna e dhjetë: komuna e Zhbevcit (shih: Regjistrimi i popullsisë së SKS më 1921dhe Mbretërisë së Jugosllavisë 1931). Rethi i Preshevës në këtë periudhë (1912-1941) bën pjesë në Banovinën e Vardarit dhe i përket Qarkut të Kumanovës. Në këtë periudhë janë realizuar me përpikëri masat e propozuara nga disa intelektualë serbë, si Ivo Andriqi, Jovan Cvijiqi, Vasa Cubrilloviqi dhe disa të tjerë, për çrrënjosjen e elementit shqiptar dhe vendosjen e Serbëve në këto treva. Njëra nga ato masa ishte edhe Reforma agrare, e cila i shpronësoi Shqiptarët e pasur që ishin „agallarë“ dhe „bejlerë“, posaçërisht të mahallës së Shehlerëve, të cilëve ua morën çifligët dhe pronat në Tabanoc dhe vise të tjera dhe ua shpërndanë falas kolonistëve Serbë. Padrejtësitë ndaj Shqiptarëve në gjykatat serbe të asaj kohe, gjithashtu kishin pasoja të mëdha . Këto ishin veprime të planifikuara dhe të udhëhequra mirë nga pushteti për të bërë presion mbi Shqiptarët që të detyroheshin të shpërngulen në Turqi. Gjykatat nuk ua pranoninë tapitë turke Shqiptarëve si dëshmi për shtëpitë dhe pronat e tyre, kështu që pjesa më e madhe e tyre u detyrua që t’i lë pa i shitur ato me rastin e shpërnguljes së tyre në Turqi. Duhet përmendur edhe faktin se në Turqi shpërnguleshin atëherë inteligjenca dhe pjesa më e pasur Shqiptare, e cila kishte mundësi të heq shpenzimet e udhëtimit dhe të vendosjes në Turqi. Me këtë edhe ndryshoi struktura sociale e Preshevës. Serbët e deridjeshëm që ishin sherbëtorë të Shqiptarëve (agallarë) dhe punonin tokat e tyre, tani u sistemuan në pushtet dhe atyre iu dhanë falas shtëpitë dhe pronat e Shqiptarëve. Ata bënin kërdi mbi Shqiptarët e pambrojtur. Pra, me ndryshimin e pushtetit të Turqisë me atë të Serbisë bëhet shpërngulja masovike e Shqiptarëve. Struktura arsimore e popullatës ndryshoi në dëm të Shqiptarëve dhe gjuha zyrtare e pushtetit që ishte më parë (gjuha Turke) ndryshoi dhe tani gjuhë zyrtare u bë gjuha Serbe dhe shkollat turke u mbyllën dhe u hapën vetëm shkollat në gjuhën serbe. Shqiptarët u përjashtuan nga administrata dhe nga organet e pushtetit. Por, edhepse regjimi i Jugosllavisë së vjetër ishte represiv dhe kishte qëndrim të rreptë dhe rmiqësor ndaj Shqiptarëve, megjithatë Presheva edhe në këtë periudhë e ruajti pozitën e vet si qendër rajoni (rethi). Posted by AGJENCIONI FLORIPRESS at Wednesday, January 16, 2013
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 14:38:45 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015