Shpërthen Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës - - TopicsExpress



          

Shpërthen Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës - ASHAK ASHAK: Heqja e simboleve dëmton bazën e shtetit të Kosovës Publikuar: 06.09.2013 Prishtinë, 6 shtator - Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e konsideron të papranueshme tendencën e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për devijimin e zgjidhjeve të ofruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, thuhet në një deklaratë të ASHAK-ut. Vërejtjet që ASHAK ka bërë përmblidhen në 17 pika dhe ato janë: 1. ASHAK-u konsideron se shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është krijuar mbi bazën e të drejtës legjitime që buron nga vullneti i popullit të saj për vetëvendosje; 2. ASHAK-u kërkon që të mos dëmtohen bazat e shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, nga një proces i kompromisit ndërkombëtar; 3. ASHAK-u gjykon tendencën e Serbisë për të shkelur parimet që janë vendosur në themel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; 4. ASHAK-u kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës ta mbrojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj; 5. ASHAK-u tërheq vërejtjen për qëndrimet e njëanshme të Bashkësisë Ndërkombëtare gjatë bisedimeve me Serbinë karshi Kosovës; 6. ASHAK-u kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga presionet e vazhdueshme ndaj Kosovës për bërjen e kompromiseve të reja, përfshirë këtu edhe çështjen e përdorimit të simboleve shtetërore, elemente këto që mund të dëmtojnë bazën e shtetit të Kosovës; 7. ASHAK-u rikujton se bazat e shtetit të Kosovës janë krijuar në bashkërenditje me të, andaj çdo tendencë për t’i dëmtuar ato do ta bënte përgjegjëse edhe Bashkësinë Ndërkombëtare; 8. ASHAK-u kërkon prej BE-së dhe Misionit të saj për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete dhe efikase për zbatimin dhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës; 9. ASHAK-u kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta ndaj palëve në bisedime; 10. ASHAK-u shpreh indinjatë për standardet e një pjese të Bashkësisë ndërkombëtare që në emër të të drejtave legjitime të popullatës serbe, të garantuara plotësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të legjitimojë dhe legalizojë ndërhyrjet e pashembullta për raportet ndërkombëtare të shtetit të Serbisë në shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës; 11. ASHAK-u e konsideron të padrejtë, joparimor dhe të papranueshëm qëndrimin neutral karshi statusit të Republikës së Kosovës të BE-së në procesin e dialogut të monitoruar nga BE-ja, 23 prej anëtarëve të së cilës bashkë me 80 shtete të botës tashmë e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës; 12. ASHAK-u u bën thirrje serbëve të Kosovës ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës të integrohen dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, si rruga e vetme e qëndrueshme për realizimin e të drejtave të tyre; 13. ASHAK-u kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë të drejtat të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të vendosin reciprocitetin si kusht për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore; 14. ASHAK-u kërkon nga BE-ja të angazhohet vazhdimisht për perspektiven evropiane për Kosovën dhe t’ia hapë derën integrimit të plotë të Kosovës dhe popullit të saj; 15. ASHAK-u konsideron se ruajtja dhe mbrojtja e parimeve të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa tërheq vërejtjen se lëndimi i mëtejmë i elementëve të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës do të krijonte një precedent të rrezikshëm me mundësi reale për destabilitet rajonal; 16. ASHAK-u angazhohet me të gjitha potencialet e veta drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës dhe integrimit euroatlantik; 17. ASHAK-u kërkon prej institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike që të arrijnë unitet politik për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. (boss) Photo: ASHAK
Posted on: Fri, 06 Sep 2013 22:09:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015