Shën Pais Velickofski Ati ynë Pais lindi më 1722 në një - TopicsExpress



          

Shën Pais Velickofski Ati ynë Pais lindi më 1722 në një familje të madhe, ku babai i tij ishte prift i qytetit të Poltavës në Ukrainë. I butë, i përmbajtur, me një zgjuarsi të gjallë, mësoi shpejt të lexojë dhe u zhyt me pasion në studimin e Shkrimit të Shenjtë, të jetëve të murgjve të shenjtë si dhe shkrimeve të Etërve të Kishës, veçanërisht mbi asketizmin dhe dërrmimin e shpirtit. U dërgua në Akademinë kishtare të Kievit për të vazhduar studimet, por shpejt u zhgënjye nga mësimdhënia e thatë e ndikuar nga skolastika latine dhe kultura pagane si dhe nga shembujt e këqij që pa atje. Në fund të katër viteve, braktisi studimet dhe u nis në kërkim të një ati shpirtëror dhe të një manastiri ku do të mund të jetonte në varfëri ashtu si Krishti. Qëndroi në shumë manastire, u bë rasofor me emrin Platon, më pas dëgjoi të lavdërohej jeta që bëhej në skitet e Moldavo-Vllahisë (Rumania sot), ku ishin strehuar murgjit më të mirë rusë të përndjekur nga reformat e Pjetrit të Madh dhe shkoi shpejt me murgj të tjerë. Jetoi atje për disa vite, në kushtet ideale për jetën murgjërore pranë etërve që ndiqnin besnikërisht Traditën e Shenjtë dhe tregoi cilësitë e një dishepulli të vërtetë: bindje absolute, përulësi, dashuri për vëllezërit, qëndrueshmëri e gëzim në prova, zell për meditimin e lutjen. Etërit donin ta dorëzonin prift para moshës kanonike (30 vjeç), kur panë përparimin e shenjtit, por duke iu druajtur udhëzimeve të Traditës së Shenjtë, ai braktisi manastirin e tij dhe Rumaninë për të shkuar në Malin e Shenjtë. Me gjithë pushtimin turk, situata në Malin Athos nuk ishte e shkëlqyer: padituria mbretëronte dhe njerëzit shpirtërorë ishin të rrallë. Duke mos gjetur një at shpirtëror pas përpjekjeve që bëri, Platoni u vendos vetë pranë manastirit Pantokrator duke patur si udhëzues Shkrimin e Shenjtë, ato të Etërve dhe dëshminë e ndërgjegjes së tij. Jetonte në varfëri ekstreme, hante një herë në dy ditë, luftonte shumë kundër mendimeve të dekurajimit. Pas katër vitesh luftë, një jeront që kishte njohur në Rumani gjatë një vizite në Malin Athos, e qethi murg me emrin Pais dhe e këshilloi të kishte pranë edhe shokë të tjerë për t’u shpëtuar rreziqeve të jetës vetmitare të parakohshme. Pak kohë më vonë, një murg rumun i quajtur Visarion, i cili ashtu si Paisi nuk kishte gjetur at shpirtëror, i kërkoi shenjtit me lotë ta pranonte si nxënësin e tij. Duke e gjykuar veten të padenjë për të mësuar të tjerët ai e pranoi, por jo si dishepull, por si shok asketizmi. Jetuan në bindje ndaj njëri-tjetrit duke patur një shpirt e një zemër vetëm për Zotin. Jeta e tyre ishte kaq e pëlqyeshme, saqë erdhën edhe vëllezër të tjerë rreth tyre, rumunë e sllavë. Kur numri i vëllazërisë arriti në 12, filloi jeta e përbashkët, pasi jeta në kinov është ikona e jetës së apostujve të shenjtë mbledhur rreth Zotit dhe e Liturgjisë së vazhdueshme rreth fronit të Mbretit Qiellor. Më 1758, me kërkesën e vëllezërve të tjerë pranoi të bëhet prift dhe ati shpirtëror i tyre. Me gjithë vështirësitë materiale, vëllazëria u rrit. Ndryshuan skitin, shkuan tek skiti i profetit Elia dhe u përpoqën t’i jepnin jetë manastirit të Simonopetrës. Por turqit nuk i lanë të qetë, prandaj u larguan nga Athosi për t’u vendosur në Rumani (1763). Paisi dhe 70 dishepujt e tij u pritën me gëzim nga mitropoliti i Moldavisë, i cili u dha manastirin e vogël të Ngushëllimtarit në Dragomirna. Paisi vendosi jetën e përbashkët sipas modelit athonit e sipas Etërve. “Bindja”-mësonte ai-“është shkolla, e cila çon nga toka në qiell, rruga që të çon në përsosmëri. Duke hequr dorë nga vullneti personal në shumë raste që ofron jeta e përbashkët me përulësi, paqe e frikë Perëndie, murgu mund të ruajë vazhdimisht kujtimin e Perëndisë dhe të thërrasë emrin e shenjtë të Jisuit”. Kur hynte në qeli, meditonte gjatë Shkrimet e bënte metani me lotë. Në vëllazërinë e Paisit të lumur u adaptuan për herë të parë në kushtet e jetës kinoviake metodat e lutjes së brendshme, që deri atëhere ishin rezervuar vetëm për eremitët dhe asketët. Në kishë shërbesat ishin të rregulluara në mënyrë të përsosur, një kor psalte në sllavonik dhe tjetri përgjigjej në rumanisht. Çdo mbrëmje murgjit rrëfeheshin tek jeronti. Nëse një vëlla ishte i zemëruar me të tjerë, e kishte të ndaluar të hynte në kishë, madje edhe të thoshte lutjen “Ati ynë”. Paisi kishte mësuar në Malin e Shenjtë greqishten e vjetër dhe ndërmori me durim shqyrtimin e një serie kopjesh të shkrimeve patriotike në gjuhën e tyre origjinale. Në Dragomirna, punoi pa lodhje për korrigjimin dhe përkthimin nga greqishtja të shumë veprave të Etërve, si shën Andoni, Hezikius, Makari, Diadoku, Filotheu i Sinait, Theodhor Studiti, Simeoni Teologu i Ri, Grigor Sinaiti e mbi të gjitha shën Isak sirianin. Ndihmohej nga një grup bashkëpunëtorësh, i përkthente, i lexonte e i komentonte para vëllezërve. Gjatë luftës ruso-turke (1774) vëllazëria e braktisi Dragomirnën dhe u vendos në Seku. Por vëllazëria u rrit shumë, prandaj Paisi vendosi ta ndante familjen shpirtërore dhe u vendos me numrin më të madh në manastirin afër Neamtsit (1779), qendër e jetës shpirtërore e Moldavisë që nga shekulli i 14-të. Ushtria murgjërore arriti shumë shpejt numrin e 1000 murgjve: 700 në Neamts dhe 300 në Seku dhe përveç aktiviteteve liturgjike e shpirtërore, u organizuan edhe aktivitete bamirëse që vareshin nga manastiri. Vizitorë vinin nga Rusia dha nga tërë anët e Ballkanit. Admironin rregullin, paqen, dashurinë reciproke, devotshmërinë që ekzistonte dhe shumë prej tyre qëndronin për t’u bërë murgj. Paisi, me gjithë punën e madhe të përkëthimit që kishte, pranonte këdo që i kërkonte këshilla dhe mbante një korrespondencë të gjerë në gjithë botën sllave. Fjeti në paqe më 15 nëntor 1794, një vit pas publikimit të përkthimit të parë sllav të Filokalisë, publikuar 10 vjet më parë në greqisht nga shën Makari i Korinthit (17 prill) dhe shën Nikodhim agjioriti, e cila përbëhej kryesisht nga përkthimet e pregatitura që më përpara nga Paisi e nxënësit e tij. Përkthimet dhe rrezatimi i tij shpirtëror ishin origjina e një lëvizjeje të gjerë restaurimi të jetës shpirtërore e të murgjërisë tradicionale, e cila zgjati deri në Revolucionin e 1917.
Posted on: Fri, 15 Nov 2013 08:17:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015