Shëndetësia e Saliut mbylli spitalet në 30 qytete, 1.3 milionë - TopicsExpress



          

Shëndetësia e Saliut mbylli spitalet në 30 qytete, 1.3 milionë shqiptarë drejt prefekturave për një vizitë Nga Përparim Halili Ish- kryeministri Sali Berisha, gjyshi i lodhur, i cili tashmë është ngujuar në “kullën” e tij dhe prej andej që pas 23 qershorit kur hëngri dajak votash nga populli, po bën opozitë cinike e histerike, po vazhdon të propagandojë “arritjet e tij rekord botëror” në 8 vite qeverisje. Një nga këto gjoja “arritje madhështore” që Saliu u ofroi shqiptarëve gjatë pushtetit të tij mynxyrë është dhe shërbimi shëndetësor. Po si është realiteti? Nëse duhet të përmendim nivelin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri, duhet të mbajmë parasysh plotësimin e nevojave me këtë shërbim, sa më pranë qytetarit. Po a është pranë qytetarëve si funksion, cilësi, kulturë dhe ndershmëri shërbimi shëndetësor që instaloi dhe la Saliu? Pa bërë komente, po ndalemi në një fakt. Qeveria “Berisha” nuk ua ka ofruar, por ua ka larguar shërbimin shëndetësor shqiptarëve, duke ua hequr nga qendrat e banuara dhe duke ua çuar në qendrat e prefekturave, qendra këto që janë nga 30-40 kilometër larg zonave të banuara. Sipas vendimit, aktualisht janë 30 qytete pa shërbim spitalor, pa mjekë të specialiteteve, por vetëm më ish-spitalet e tyre të kthyera me vendim qeveria në ambulanca injeksionesh. 26 spitale pa kirurgë, operacionet në 12 spitalet rajonale Afro 1 muaj më parë, një fëmijë 13 vjeç nga Shijaku u aksidentua rëndë prej një automjeti, ndërsa lëvizte me biçikletë. Në spitalin e Durrësit nuk kishin as vend për ta shtruar fëmijën, por as autoambulancë me pajisje emergjente oksigjeni për ta transportuar atë drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Fëmija mbeti në spitalin e Durrësit në gjendje kritike për jetën. Çdo ditë ndodhin aksidente e krime njerëzore në çdo zonë të Shqipërisë. Të gjithë dërgohen me urgjencë në spitalet rajonale, ose në Tiranë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, apo në ish-Spitalin Ushtarak. Mjafton ky fakt, për të trajtuar një problem tepër të madh që lidhet me efiçensën dhe organizimin e mjekësisë shqiptare. E kemi fjalën për mungesën e specialistëve në spitalet e qyteteve shqiptare. Çfarë ndodh? Dje u interesuam në Ministrinë e Shëndetësisë, në lidhje me faktin se përse spitali rajonal i Durrësit nuk ka mjek neurokirurg. Pyetëm nëse kanë ose jo të tillë dhe 11 spitalet e tjera rajonale e ato të rretheve. Pyetëm gjithashtu dhe nëse mungojnë të tjerë mjekë kirurgë sipas profesioneve në këto spitale apo jo? Pyetëm edhe për faktin që e kemi ndeshur shpesh, që spitalet e qyteteve dhe rretheve nuk kanë as mjek specialist për vizita e as salla operacioni. Edhe pse me “frikë” e me rezerva, drejtuesit që takuam, na konfirmuan se spitalet rajonale janë kthyer në spitale sa për vizita mjekësore rutinë. Në këto spitale mungojnë mjekët kirurgë sipas profileve, sidomos neurokirurgët dhe kardiokirurgët etj. Po pse? Sepse sipas tyre, ata janë “dyndur” në Tiranë, duke u emëruar me miqësi, shoqëri e militantizëm politikë. Është sa skandal edhe turp, që rajoni i Durrësit, Fierit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës, Vlorës, Dibrës, Kukësit, Gjirokastrës etj, me afro nga 300 mijë deri në 450 mijë banorë, të mos kenë mjekë kirurgë? Mirë Durrësi që është vetëm 25 minuta larg Tiranës po Vlora, Fieri, Berati, Skrapari, Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Erseka, Korça, Kukësi e Dibra që janë nga 130-260 kilometër larg, a mund të çojnë dot urgjencat në Tiranë në kohën e duhur për të shpëtuar jetët në rrezik? Kur kërkon shpjegime, thonë se kështu është bërë organizimi i shërbimit shëndetësor shqiptar nga qeveria “Berisha”. Ministria e Shëndetësisë e ka organizuar shërbimin e kirurgjisë në Shqipëri, në mënyrë të tillë, që i ka lënë 26 spitale pa të tillë specialistë. Qytetarët që gjenden në hall për operacione, janë të detyruar të udhëtojnë me të afërmit e sëmurë “në krahë” drejt qendrave të prefekturave, sidomos ata që banojnë në zonat fshatare, ku 60% e tyre janë ende pa rrugë automobilistike në qendrat e tyre të banuara. Po kështu, këtë stres e mangësi vuajnë dhe banorët në shumë qytetet të vendit. P.sh, banorët e Pogradecit, Ersekës e Leskovikut, në mungesë të kirurgëve detyrohen të udhëtojnë qoftë edhe për operacion të thjeshtë drejt spitalit rajonal të Korçës. Banorët e Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt e Tepelenës, detyrohen të udhëtojnë drejt Gjirokastrës. Banorët e Cërrikut, Gramshit, Librazhdit e Përrenjasit, detyrohen të udhëtojnë drejt Elbasanit. Kjo ndodh me banorët në zonat e Dibrës, Shkodrës, Fierit, Vlorës, Kukësit, Tropojës, Hasit, Beratit, Skraparit etj. Por edhe në këto spitale, mungojnë disa pavijone kirurgjie për operacionet në kokë, në zemër, në veshka, mëlçi, në sy etj. këta mjekë kirurg specialistë nuk gjenden në spitalet rajonale, mbasi janë “tufëzuar” me vendim të ministrisë dhe me klientelizëm shoqëror, familjar e politik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Dhe ndodh, si në rastin e fëmijës së aksidentuar nga Shijaku, të cilit iu dërgua mjeku nga Tirana. Po kështu ka ndodhur që mjekët nga Tirana në raste të rënda janë dërguar me gjithë “sallën e operacionit” në Korçë, Kukës, Gjirokastër, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë etj. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, në Shqipëri janë 26 spitale pa asnjë “lloj” kirurgu. Edhe operacionet e lehta që kanë nevojë banorët e këtyre qyteteve, dërgohen privatisht prej familjarëve dhe me rekomandim të mjekëve, ose në disa raste kur gjendet ambulanca në gatishmëri, nisen prej spitaleve të qyteteve,drejt 12 spitaleve rajonale. Ndërkohë që 80% e rasteve të operacioneve totale, nisën drejt Tiranës. Nga 42 ish-spitale qendrore, ekzistojnë vetëm 12 të tillë Nga 42 spitale që kanë pasur rrethet, vetëm 12 vazhdojnë të kryejnë këtë funksion shërbimesh komplekse shëndetësore, pra vetëm spitalet në 12 qendrat e prefekturave. Ndërsa spitalet e tjerë, në 30 qendra të banuara qytete e qendra zonale rurale, spitalet janë mbyllur e janë kthyer në poliklinika, madje në disa prej tyre janë “zhdukur” edhe si objekte, duke u zaptuar nga pronaret e tokave dhe nga biznese te ndryshme. Mbyllja e 30 spitaleve ishte projekt i qeverisë “Berisha” në kuadrin e reformim modernizmit të shërbimit shëndetësor. Nuk e dimë nëse mbyllja e spitaleve të qyteteve quhet reformë modernë, por dihet fakti që afro 1 milion e 300 mijë banorë në 30 qytete e zona janë pa shërbim spitalor dhe detyrohen të bëjnë dhjetëra kilometër rrugë për vizita tek specialistët dhe për një shtrim në spital, për një operacion, apo konsulencë mjekësore. Kjo politikë qeverisëse e pushtetit “Berisha” për të lënë banorët pa shërbim spitalor, ka krijuar tashmë shumë probleme. Ky urdhër, tashmë i bërë realitet është kundërshtuar ashpër nga banorët e qendrave që u mbyllen spitalet dhe nga drejtuesit e pushtetit lokal, por qeveria nuk e ka përfillur protestën e tyre. Tashmë, 30 qytete e qendra zonash rurale që kanë pasur spitale, nuk kanë më të tillë, mbasi janë mbyllur përfundimisht, duke larguar pajisjes dhe mjekët e duke lënë 2-3 infermierë, nga 2 mjekë, nga 1 mami e nga një krevat lindjeje. Këtë vendim qeveria e ka justifikuar me faktin, që këto qytete e qendra zonale ku mbyllen spitalet, i kanë afër si distancë qendrat e prefekturave. Por fakti flet ndryshe. Qendra e Buzit, Krahësit e Memaliajt të rrethit të Tepelenës, e kanë qendrën e prefekturës Gjirokastër 50, 60 e 100 kilometër larg. Kaq larg e kanë qendrën e prefekturës së Gjirokastrës dhe fshatrat Bubs, Ballban, Mokricë e Frashër të rrethit Përmet. E po kështu kaq larg e kan ë qendrën e prefekturës edhe fshatrat Rehovë, Sevran, Dobrushë e Zhapokikë të rrethit Berat. Banorët duhet të udhëtojnë disa orë për të çuar një të sëmurë për shtrim në qendrat e prefekturave në Gjirokastër, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Peshkopi, Berat, Elbasan, mbasi në qendër të prefekturave i ka çuar shërbimet spitalore qeveria. Për të bërë psh një skaner, për të bërë një vizitë tek okulisti, neurologu, ortopedi, kardiologu e etj, apo edhe për të bërë një ndërhyre të thjeshtë kirurgjikale, të sëmurët duhet të udhëtojnë dhjetëra kilometër, për të marrë shërbimin në spitalet rajonale Fshati, vetëm në 6% të territorit ka shërbim shëndetësor Demagogjia e ish-kryeministrit Berisha për gjoja shëndetësi të kompletuar dhe më shërbim në gjithë terrorin e vendit, del blof kur i referohesh realitetit të këtij shërbimi. Nuk e kemi fjalën për cilësinë dhe kompletimin spitaleve e të shërbimit shëndetësor, por për ekzistencën e këtij shërbimi në gjithë zonat. Shqipëria është i vetmi vend në rajon e në Evropë, që mbulohet vetëm në masën 45% me shërbim shëndetësor. Siç e thamë përveç 30 qyteteve e qendrave zonale të banuara që janë pa spitale, janë edhe krejt zonat rurale në fshatra e komuna të cilat nuk kanë jo vetëm shërbim spitalor e ambulator, por as një lloj shërbimi mjekësor. Ky shërbim publik është i shkallëzuar në tre nivele. Në spitalet dhe ambulancat qendrore në qarqe, në spitalet në rrethe, në shërbimet ambulatore në qytete. Sipas kësaj skeme, ata që banojnë në qendrat e prefekturave i kanë të gjithë llojet e shërbimit. Ata që jetojnë në qendrat e rretheve, kanë vetëm gjysmat e shërbimeve mjekësore. Ata që jetojnë në qytete, kanë vetëm shërbim ambulator ditor. Ndërsa ata që banojnë në fshatra kanë nga 1 mjek e nga 1 infermier në komuna, sa për vizita formale e për injeksione dhe asgjë tjetër, kjo mesatarisht 1 mjek dhe 1 infermier për 10 mijë banorë. Më saktësisht, shërbimi shëndetësor publik i ofruar nga qeveria “Berisha” në fshatin shqiptar është vetëm 6%, pra në vetëm 6% të zonave, ose në 10% të popullsisë ekziston ky shërbim në zonat rurale. Realisht, shëndetësia sot, mbulon me shërbim shëndetësor fizik vetëm 42% të territorit të vendit dhe 55% të popullsisë. Pjesa tjetër, pra 58% e territorit dhe 45% e popullsisë nuk kanë shërbim shëndetësor atje ku jetojnë, por shkojnë atje ku ua ka caktuar qeveria, dhjetëra e pse jo qindra kilometra larg qendrave të banuara. Konkretisht, në 26 qytete të vendit, prej 8 vitesh qeveria ka mbyllur spitalet, duke lënë banorët pa shërbim spitalor, aq i domosdoshëm në një qendër banimi. Këtë shërbim, banorët detyrohen ta kryejnë në qendrat e rretheve, ose të prefekturave. Në zbatim të platformës së shëndetësisë “Berisha”, ky shërbim është asfiksuar e zhdukur në afro gjysmën e territorit të vendit. Qeveria “Berisha” firmosi dhe vulosi vendimin absurd, që në 22 rrethe hoqi mjekët e specialiteteve, duke i përqendruar në poliklinikat e 12 prefekturave. Në shkallë vendi, janë afro 500 fshatra pa mjekë, pa mami, pa infermierë e pa ndihmësmjekë, aq sa nga largësia dhe urgjencat punën e mjekëve e bëjnë veterinerët. Ja 12 spitalet që nuk janë mbyllur •Tirana •Durrësi •Fieri •Vlora •Gjirokastra •Lushnja •Elbasani •Korça •Lezha •Dibra •Shkodra •Kukësi Ja 30 spitalet që janë mbyllur 1.Shëngjin 2.Memaliaj 3.Rubik 4.Vau-Dejë 5.Këlcyrë 6.Krahësi 7.Klos 8.Bulqizë 9.Delvina 10.Himarë 11.Patos 12.Kuçovë 13.Ballsh 14.Laç 15.Fratar 16.Maliq 17.Përrenjas 18.Cërriku 19.Fushë-Arrëz 20.Leskovik 21.Koplik 22.Divjakë 23.Rrogozhina 24.Urë-Vajgurore 25.Has 26.Mamurras 27.Poliçan 28.Fushë-Krujë 29.Buz 30.Selenicë Ja 10 tregues rrënimi nga shërbimi shëndetësor - Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë, që shpenzon 5 herë pak financime për frymë në sektorin e shëndetësisë se ish-vendet e lindjes komuniste në këto 20 vite. - Edhe pse që nga viti 2005 e deri sot duket se janë rritur shpenzimet për frymë, nuk ka mundur të arrijë as nivelet e Maqedonisë, Moldavisë e Bosnjës. - Më shumë se 70% e shtetasve paguajnë ryshfete në shërbimin shëndetësor ndaj mjekëve, ndërsa pothuajse 50% u paguajnë ryshfet infermierëve. - Afro 95% e qytetarëve që trajtohen në shërbimin spitalor, i përballojnë privatisht shpenzimet dhe shërbimet spitalore. - Vetëm 25% deri në 30% mbulohet me sigurim për kujdesin shëndetësor, ndërkohë që të tjerët detyrohen të paguajnë sepse janë të papunë e të pasiguruar. - Me 2.1% të fondit të caktuar për kujdesin shëndetësor, Shqipëria ka buxhetin më të ulët të kujdesit shëndetësor në rajon. - Kontributi i sigurimit shëndetësor është vetëm 3.4% e pagës mesatare, ndërkohë që nuk rimbursohen ilaçet në masën e plotë, por vetëm 10% e tyre. - Shqipëria është e fundit ne Evropë, me 549 dollarë për frymë dhe ka një diferencë jo të vogël me vendin e dytë, Maqedoninë, rreth 30% më pak. - Mali i Zi e ka financimin për frymë për shërbimin shëndetësor 4 herë më shumë, ndërsa Greqia mbi 6 herë më shumë së Shqipëria. - Në spitalet shqiptare, futesh me një sëmundje dhe del prej andej me 2 e tre sëmundje të tjera, për shkak të kushteve higjieno sanitare skandaloze dhe për shkak të mungesës së sigurisë në shërbim.
Posted on: Mon, 02 Sep 2013 18:23:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015