Si e përgjon NSA-ja çdo përdorues të internetit Një program - TopicsExpress



          

Si e përgjon NSA-ja çdo përdorues të internetit Një program shumë i fshehtë i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit Amerikan, i lejon analistëve të kësaj të fundit të kontrollojnë, pa asnjë autorizim paraprak, mes miliarda të dhënash të ardhura nga email-et, bisedat online dhe historitë e kërkimit të miliona përdoruesve. Ky zbulim është bërë falë dokumentit të siguruar prej Edward Snowden. NSA-ja krenohet në materialet trajnuese të rekrutëve të saj, se programi i quajtur XKeyscore, është sistemi më i madh, që kap materiale të çfarëdoshme për zhvillimin e inteligjencës sekrete në internet. Zbulimet e fundit do t`i shtojnë zjarr debatit intensiv publik-kongres rreth shtrirjes së programeve të mbikëqyrjes së NSA-së. Dokumentet e deklasifikuara u bënë zyrtare, pasi Komiteti Gjyqësor i Senatit po heton për këtë ngjarje që ka tronditur privatësinë e çdo përdoruesi të internetit. Dosjet hedhin dritë në një nga deklaratat më të diskutueshme të bërë nga Snowden, në video-intervistën e tij të parë, të publikuar nga “The Guardian”, më 10 qershor. “Unë, i ulur në tryezën time,-tha Snowden, – mund të përgjoj këdo, që prej adresave tuaja deri tek gjykatësit federalë, madje mund të përgjoj edhe vetë Presidentin, nëse do ta kisha adresën e tij të email-it.” Zyrtarët e SHBA-së e kanë kundërshtuar me vrull, veçanërisht, këtë deklaratë. Mike Rogers, zyrtar republikan në Komitetin e Inteligjencës, në Shtëpinë e Bardhë, tha mbi pohimin e Snowden-it se po gënjente dhe se ai e kishte të pamundur të bënte atë që pretendonte. Por materialet e trajnimit të XKeyscore japin të dhëna të hollësishme, se si analistët mund ta përdorin atë dhe sisteme të tjera, për të hapur të dhëna të panumërta të agjencisë. E gjitha kjo mund të bëhet shumë thjesht, vetëm duke plotësuar një formular në ekran, duke dhënë një justifikim për kërkimin që do të ndërmerret. Kërkesa nuk shqyrtohet nga asnjë gjykatë apo personel i NSA-së përpara se të procedohet. XKeyscore, është sistemi i zhvillimit të inteligjencës sekrete nëpërmjet rrjetit të kompjuterëve, që agjencia e quan “Digital Network Intelligence” (DNI). Në një nga prezantimet, mendohet se programi mbulon “pothuajse gjithçka që një përdorues tipik bën në internet”, duke përfshirë edhe përmbajtjen e email-eve, faqeve të vizituara dhe kërkimeve të bëra. Analistët e NSA-së e përdornin XKeyscore dhe sisteme të tjera, për të siguruar të dhëna në kohë reale për aktivitetin në internet të një individi. Sipas ligjit amerikan, NSA-ja mund të mbikëqyrë vetëm njerëz që gjenden brenda Shteteve të Bashkuara, edhe pse asnjë urdhër i tillë nuk është i nevojshëm, për të përgjuar bisedat e amerikanëve me persona jashtë Amerikës. Por XKeyscore ka kapacitetin teknologjik, ndonëse jo legal, të përgjojë gjerësisht në mënyrë elektronike popullsinë në SHBA, pa asnjë urdhër të dhënë nga një informacion i identifikueshëm. Në një nga faqet e prezantimit, ilustrohej aktiviteti dixhital, i koleksionuar në mënyrë konstante nga XKeyscore dhe nga analistët, që mund të kërkonin të dhëna në çdo kohë. Qëllimi i XKeyscore është të lejojë analistët të kërkojnë çdo gjë që ndodh në kompjuterët e të gjithë atyre që përdorin internetin, edhe kur këta të fundit nuk përdorin një email identifikimi. Analistët mund të kërkojnë gjithashtu edhe nëpërmjet emrit, numrit të telefonit, adresës IP, fjalëve kyçe, gjuhës me të cilën e përdor secili internetin dhe llojit të motorit të kërkimit që është përdorur. Një dokument tërheq vëmendjen, se ky kërkim masiv ndodhte, ngaqë kërkimi vetëm nëpërmjet adresës së email-it i jepte analizuesve të NSA-së, vetëm një kapacitet të limituar të informacionit, pasi shumica e orëve të kaluara në internet performohet në mënyrë anonime. Dokumentet e NSA-së, tregojnë se, që prej vitit 2008, 300 terroristë janë kapur duke përdorur këtë metodë të inteligjencës elektronike. Analistët paralajmërohen se kërkimi i plotë i të dhënave do të jepte rezultate të panumërta, përmes të cilave është e vështirë të hulumtohet. Në një faqe tjetër të prezantimit, e titulluar “Plug-ins” në një dokument të dhjetorit të vitit 2012, shpjegoheshin fushat e ndryshme të informacionit që mund të kërkoheshin. Çdo adresë email-i shihej në një përmbledhje të dyfishtë, edhe nga username, edhe nga domain; çdo numër telefoni shihej edhe nga blloku i kontakteve, edhe nga aktiviteti i përdoruesve, po ashtu edhe bisedat online përmbanin të dhëna të shumëfishta për përdoruesin dhe rrjetin që ai po përdorte. Monitorimi i email-eve Në një intervistë të dytë për “The Guardian”, në qershor, Snowden e shtjelloi deklaratën e tij në lidhje me të qenët në gjendje të lexonte çdo email individual, nëse ai do të kishte adresën. Ai tha se deklarata ishte bazuar pjesërisht në kapacitetin e kërkimeve të email-eve të XKeyscore, të cilin Snowden thotë se ai ishte i autorizuar ta përdorte teksa punonte si një këshillues për NSA-n. Në dokumentin top sekret, përshkruhej se si programi kërkonte mes masës së email-eve, faqeve të internetit dhe dokumenteve, duke përfshirë edhe rreshtat ‘për’, ‘nga’, ‘Ç’ dhe ‘BÇ’, që paraqiten në çdo email që do dërgohet. Për të kërkuar email-e, një analist që po përdor XKeyscore, fut email-in individual në një formular kërkimi online, së bashku me justifikimin për kërkimin dhe për kohëzgjatjen e përgjimit të email-it. Analisti, më pas përzgjedh se cilin prej email-eve të kthyer dëshiron të lexojë, duke e hapur kështu në softuerin lexues të NSA-së. Sistemi është i ngjashëm me mënyrën sipas së cilës analistët e NSA-së, përgjithësisht, mund të përgjojnë komunikimin e cilit do që përzgjedhin, duke përfshirë edhe komunikimet që kalojnë përmes SHBA-së dhe komunikimet që përfundojnë në SHBA. Një dokument, udhëzim shumë sekret i vitit 2010, përshkruan trajnimin e marrë nga analistët e NSA-së për survejim të përgjithshëm nën aktin e amendamentit Fisa të vitit 2008. Ky i fundit shpjegon se si analisti mund të fillojë përgjimin mbi këdo, duke klikuar disa menu të thjeshta, që kërkojnë arsyetim ligjor dhe justifikim se përse po kryhet kërkimi. Pasi opsionet e paraqitura në menu janë përzgjedhur, shënjestra shënohet për survejim elektronik dhe analisti është në gjendje të marrë të gjithë përmbajtjen e komunikimit. Bisedat, historia e kërkimit dhe aktivitete të tjera Përtej email-eve, sistemi XKeyscore i lejon analistëve të monitorojnë një grup të palimituar të aktivitetit virtual në internet, që përfshin edhe ato të rrjeteve sociale. Një mjet i NSA-së, i quajtur “Prezantuesi DNI”, përdoret për të lexuar përmbajtjen e email-eve të ruajtura, duke i mundësuar gjithashtu një analisti leximin e bisedave në Facebook dhe mesazheve private. Një analist mund të monitorojë bisedat në Facebook vetëm duke futur në ekran emrin e përdoruesit dhe një datë çfarëdo. Analisti mund të shikojë edhe aktivitetin e kërkimit në internet, duke përdorur një informacion të gjerë, ku përfshihen edhe termat e përdorura nga individi apo faqet e shikuara. Një tjetër faqe e prezantimit tregon aftësinë për të kërkuar aktivitetin HTTP me fjalë kyçe, çka i lejon analistit të hyjë, pothuajse, në gjithçka, që një përdorues tipik i internetit bën. Programi XKeyscore, gjithashtu, i lejon një analisti të mësojë adresën IP të çdo personi që viziton çdo faqe interneti që analisti vetë e ka specifikuar. Sasia e komunikimit, që mund të qasen përmes programeve si XKeyscore, është tmerrësisht e madhe. Një raport i NSA-së, vlerëson se nga viti 2007 ekzistonin 850 miliardë telefonata të koleksionuara dhe të ruajtura në të dhënat e NSA-së dhe rreth 150 miliardë të dhëna interneti. Çdo ditë, thotë dokumenti, 1-2 miliardë regjistrime shtoheshin. William Binney, ish-matematikan në NSA, tha vitin e shkuar, se agjencia kishte mbledhur rreth 20 trilionë transaksione mes shtetasve amerikanë, një vlerësim, që, sipas tij, po përfshinte vetëm telefonatat dhe email-et. Një artikull i vitit 2010 nga “Washington Post”, raportoi se çdo ditë sistemet e NSA-së mblidhnin, përgjonin dhe ruanin, 1.7 miliardë email-e, telefonata dhe lloje të tjera komunikimi. Sistemi XKeyscore është vazhdimisht duke koleksionuar kaq shumë të dhëna interneti, të cilat mund të ruhen vetëm për një periudhë të shkurtër kohore. Përmbajtja mbetet në sistem vetëm për tri deri pesë ditë, ndërkohë që metadata e ruan për 30 ditë. Një dokument shpjegon se në disa faqe, sasia e të dhënave që marrim çdo ditë (20 ose më shumë terrabajt), mund të ruhet për vetëm 24 orë. Për ta zgjidhur këtë problem, NSA-ja krijoi një sistem multi-nivelesh, që i lejon analistët të ruajnë përmbajtje “interesante” në baza të dhënash të tjera, si për shembull një e quajtur “Pinwale”, e cila mund ta ruajë materialin për më shumë se 5 vjet. Një dokument tjetër tregon se XKeyscore është baza e të dhënave, që tani përmban sasinë më të madhe të të dhënave të komunikimit të mbledhur nga NSA-ja. Në vitin 2012, ishin më e pakta 41 miliardë të dhëna të mbledhura dhe të ruajtura në XKeyscore për një periudhë prej vetëm 30 ditësh. Kufizimet teknike dhe ato legale Ndërkohë që aktet e amendamentit Fisa të vitit 2008 kërkojnë një mandat të individualizuar për të shënjestruar një person që jeton në SHBA, analistët e NSA-së janë të lirë të përgjojnë komunikime të këtyre individëve pa asnjë urdhër, nëse këta po kontaktojnë me një nga shënjestrat NSA jashtë shtetit. Zëvendësdrejtori i organizatës ligjore ACLU, Jameel Jaffer, tha për “The Guardian”, muajin e shkuar, se zyrtarët e sigurisë kombëtare thanë shprehimisht se ligji i ri kishte si qëllim primar t`u bënte atyre të mundur sigurimin e sa më shumë të dhënave të bëra nga amerikanët, pa një urdhër të veçantë. “Qeveria nuk ka nevojë të shënjestrojë amerikanët, në mënyrë që të mbledhë volume të stërmëdha të komunikimeve të tyre”, tha Jaffer. Qeveria, në mënyrë të pashmangshme, shtrihej në komunikimet e shumë amerikanëve, kur ajo shënjestronte njerëz të huaj për t`i mbikëqyrur. Një shembull i tillë u mundësua nga një prej dokumenteve të XKeyscore, që tregonte një shënjestër të NSA-së në Tehran, duke komunikuar me dikë në Frankfurt, Amsterdam dhe Nju Jork. Në vitet e fundit, NSA-ja është përpjekur të veçojë ekskluzivisht komunikimet e brendshme të shtetasve të SHBA-së në baza të dhënash të ndara. Por edhe dokumentet e NSA-së e kuptojnë se përpjekje të tilla janë jo perfektë, meqë komunikimet e brendshme mund të udhëtojnë në sisteme të huaja, ndaj pajisjet e NSA-së e kanë ndonjëherë të pamundur të identifikojnë origjinën e shtetit nga bëhet komunikimi. Për më tepër, të gjitha komunikimet mes amerikanëve dhe dikujt tjetër në tokë të huaj përfshihen në të njëjtën bazë të dhënash si komunikimet mes dy të huajve, duke i bërë kështu të lexueshme pa asnjë mandat. Disa kërkime të kryera nga analistët e NSA-së janë vazhdimisht të rishikuara nga mbikëqyrësit e tyre brenda NSA-së. “Është shumë e rrallë të pyetemi për kërkimet që kemi bërë,” tha Snowden për “The Guardian”, në qershor, “dhe kur pyetemi, pjesa më e madhe kërkojnë vetëm diçka më tepër mbi arsyen.” Në një letër të kësaj jave, të dërguar senatorit Ron Wyden, drejtori i inteligjencës James Clapper bëri me dije se analistët e NSA-së kanë tejkaluar edhe kufijtë ligjorë në mbikëqyrjen e brendshme. Duke pranuar atë që ai e quajn “një numër i pajtueshëm problemesh” Clapper ia atribuoi ato “gabimeve njerëzore” ose teknologjisë së sofistikuar”, por jo “shpërdorimit të besimit”. Megjithatë, Wyden tha në dhomën e Senatit, këtë të martë, se këto shkelje janë më serioze dhe më shqetësuese se ato të deklaruara nga Komuniteti i Inteligjencës. Në një deklaratë për “The Guardian”, NSA-ja tha: “Aktivitetet e NSA-së janë të përqendruara dhe të vendosura në mënyrë të veçantë vetëm kundër shënjestrave të ligjshme të huaja, për të cilat krerët e shtetit kanë nevojë të dinë sa më shumë informacion të nevojshëm për të mbrojtur shtetin dhe interesat e tij.” Sipas tyre, XKeyscore është përdorur si një pjesë e ligjshme e sistemit mbledhës të sinjaleve të huaja të inteligjencës. Ata shtuan se akuzat e qasjes së gjerë të analistëve të pakontrolluar në koleksionet e të dhënave të NSA-së, ishin të pavërteta. NSA-ja tregon se XKeyscore, ashtu si të gjitha mjetet e tjera të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit, është i kufizuar vetëm për personelin, i cili kërkon leje për të hyrë në to. Për më tepër, sipas tyre, ekzistojnë mënyra të shumta teknike manuale dhe mbikëqyrëse, që mund të ndihmojnë në balancën e përdorimit të sistemit dhe ndalimin e keqpërdorimit të tij. NSA-ja pretendon se çdo kërkim i bërë nga çdo analist i NSA-së është plotësisht transparent, për të siguruar se ai është i drejtë dhe në përputhje me ligjin. “Këto lloje programesh na lejojnë të mbledhim informacione që na mundëson të përmbushim misionin tonë me sukses, ky mision është të mbrojmë kombin dhe shtetin e Amerikës së bashku me aleatët”, tha NSA-ja.
Posted on: Tue, 10 Sep 2013 20:21:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015