Si krijohen lumenjtë? Uji i lumenjve vjen nga reshjet e shiut, - TopicsExpress



          

Si krijohen lumenjtë? Uji i lumenjve vjen nga reshjet e shiut, nga dëbora dhe akujt që shkrihen dhe nga ujërat që gjenden në brendësi të Tokës, e që njihen me emrin ujëra tokësore. Lumenjtë e çojnë këtë ujë tatëpjetë, në liqene dhe oqeane, së bashku me sasi të mëdha gurësh, rëre, dheu dhe balte. Lumenjtë mund të përshkojnë edhe shkëmbinjtë solidë, duke gërryer në to gryka të thella dhe ujëvara të stërmëdha. - Rrjedha e një lumi: Gjatë rrjedhjes tatëpjetë lumenjtë e ndryshojnë rrugën, ose rrjedhën e tyre. Fillimi i një lumi quhet burim. Shumë lumenj i kanë burimet në zona malore, ku shiu dhe shkrirja e akujve rrjedhin në formën e rrëkeve të pjerrëta me ujë të kulluar. Këto rrëke krijojnë lugina të ngushta dhe të thella, dhe bashkohen me njëra-tjetrën kur shkojnë teposhtë. Rrëketë dhe përrenj më të vegjël që derdhen në një lumë të madh quhen degë të lumit. Pasi ka zbritur nga malet, uji rrjedh në kanale dhe lugina më të gjera. Në këto zona pak a shumë të sheshta, lumi fillon të gjarpërojë dhe të krijojë kthesa të mëdha. Më në fund, lumi zgjerohet në një grykajë, ose ndahet duke krijuar një rrjet kanalesh që njihen me emrin deltë, përpara se të derdhet në liqen apo det. Pjesa e lumit ku ai takohet me detin quhet grykëderdhja e lumit. - Ndryshimi i rrjedhës: Lumenjtë rrjedhin më shpejt në pjesën e jashtme të kthesës, ose të bërrylit, se sa në pjesën e brendshme. Bregu i jashtëm gradualisht gërryhet, ndërsa lumi depoziton llum në bregun e brendshëm. Kjo do të thotë që, me kalimin e kohës, bërryli bëhet më i gjatë dhe më i ngushtë. Pas shumë kohësh, dy krahët e bërrylit takohen me njëri-tjetrin dhe lumi kalon mes për mes duke krijuar një rrjedhë të re, më të drejtë. Hyrja e bërrylit pak nga pak mbushet me llum, dhe laku mbyllet, duke krijuar një liqen në formën e shkronjës U. - Ujëvarat: Ujëvarat krijohen kur lumi rrjedh nga një zonë me shkëmbinj të fortë në një zonë me shkëmbinj të butë. Lumi gërryen shkëmbinjtë e butë më shpejt, duke krijuar një prag. Uji që rrjedh mbi këtë prag gërryen një gropë aty poshtë, që quhet pellgu i rënies. Sa më i madh pragu, aq më e madhe forca e ujit që përplaset poshtë. Veprimi i ujit dhe gurëzave që vërtiten në pellgun e rënies mund të çajnë nga poshtë shkëmbin e fortë, duke krijuar lart një prag të varur. Nga ky shkëmb i varur shkëputen copëza dhe shumë ngadalë, me kalimin e qindra viteve, ujëvara lëviz mbrapsht, duke krijuar një luginë të thellë që quhet grykë.
Posted on: Wed, 21 Aug 2013 15:16:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015