Sjellja kolektive - turmat Termi sjellje kolektive ka një - TopicsExpress



          

Sjellja kolektive - turmat Termi sjellje kolektive ka një kuptim të veçantë në sociologji. I referohet sjelljes e cila nuk reflekton strukturën sociale ekzistuese (ligje, konventa dhe institucione) por që lind në mënyrë spontane. Kjo kategori përjashton ngjarjet konformuese si ritualet fetare dhe bisedat në tryezën e ngrënies si dhe situatat deviante si krimi apo sjellja e pahijshme. Shembuj të sjelljes kolektive janë paniku në një teatër që digjet, shpërthimi i dhunës në rrugë pas një vendimi të qeverisë apo gjykatës që çliron një përdhunues etj. Sjellja kolektive përfshin një radhë të gjerë sjelljesh, procesesh, strukturash dhe kontekstesh duke përshkruar një pjesë të nën-fushave të sociologjisë. Tendenca është fokusimi tek sjellja si e veçantë sesa në një institucion të caktuar si shkolla, stratifikimi apo struktura burokratike apo të një procesi të veçantë social siç është socializimi. Sjellja kolektive është më tepër e përgjithshme dhe përfshirëse dhe nuk përqendrohet në një tip të dhënë sjelljeje apo procesi social si psh sjella politike apo institucionale. Sociologët katalogojnë një numër procesesh kolektive duke përfshirë studimin e turmave, modës, fatkeqësive, panikun dhe lëvizjet shoqërore. Përkufizimi i këtyre fenomeneve mbi bazën e përvojave empirike na vendos përballë disa çështjeve që shpesh nuk kanë një lidhje të qartë me njëra tjetrën. Psh. Turma është një grup ndërsa ndjekja e modës është një sjellje. Fatkeqësitë i referohen ndodhive dhe mjedisit social. Paniku i referohet një gjendje psikologjike individuale. Një lëvizje sociale shpesh i referohet një organizimi shoqëror. Ndërgjegjësimi për shkallën e diversitetit ka sjellë një debat të zjarrtë se çfarë përfshihet në studimin e sjelljeve kolektive dhe patjetër një numër jo të vogël kritikash. Teoricienët e parë të sjelljes kolektive u shfaqën në shekullin e 19 dhe ishin ata që zgjodhën të studionin elementët e mësipërm. Teoricienët më të rëndësishëm dhe me ndikim të padyshimtë në pikëpamjet bashkëkohore ishin Park dhe Burgess (1924), dhe më pas Blumer (1951). Termi “sjellje kolektive” nuk ka shumë një kuptim gjuhësor strikt duke qenë se nëse i qëndrojmë besnik të shprehurit ai mund të përfshijë çdo sjellje të grupit. Përkufizimet ofrojnë një logjikë e cila përfshin lindjen e një sjelljeje të grupit në mjedise ku orientimet kulturore mungojnë ose nuk janë të qarta, specifike, janë të papërshtatshme apo në konflikt. Pse e studiojmë sjelljen kolektive? Përveç interesit të ndryshëm për të kuptuar ka edhe një numër arsyesh të tjera. Së pari kjo çështje ka një sërë arsyesh praktike. Shembull. 11 te vdekur ne radhët e njerëzve, nga shembja e derës së stadiumit, në pritje për të hyrë në një koncert roku. Dizenjimi më i përshtatshëm arkitektonik dhe menaxhimi më i mirë i turmës mund ta kishte shmangur këtë fatkeqësi. Njohuria se si njerëzit sillen dhe i përgjigjen situatave të tilla të papritura të shkaktuara nga frika, paniku apo fatkeqësitë çuan jo vetëm në përshtatjen fizike të mjediseve por edhe trajnimin e personelit në mënyrë të tillë që dëme të panevojshme të mos ndodhin. Në situata më të rrezikshme si rebelimet në burgje, njohja e sjelljes së turmës dhe lëvizjeve sociale mund të parandalojë dhe reduktojë humbjet e jetëve, dëmtimet dhe parandalojë përshkallëzimin e konfliktit në mënyra destruktive. Humbjet më të mëdha të jetëve të shkaktuara në çrregullimet urbane të viteve 60 nuk u shkaktuan nga protestuesit por nga agjentët e rendit të cilëve i mungonte eksperienca në kontrollin e turmave, dhe se kishin mbi turmat, ide të papërshtatshme dhe diskretituese dhe reagimi i tyre tejkalonte normat. (Marx 1970) Rëndësia e të kuptuarit të sjelljes gjatë fatkeqësive si përmbytjet, tërmetet, aksidentet nukleare është mëse e qartë. Kërkimi, edukimi dhe planifikimi janë të nevojshme që dëmi i shkaktuar të jetë tërësisht rezultat i ngjarjes së ndodhur dhe jo të përgjigjes njerëzore ndaj saj. Përveç dobisë direkte, njohja e sjelljes kolektive është pjesë e rëndësishme e edukimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në një shoqëri demokratike. Thërret vëmendjen në disa pyetje themelore për qenien njerëzore si ajo e Hobbes: A është rendi / rregulli shoqëror i mundshëm? Sa i brishtë është rendi shoqëror dhe çfarë ndodh kur ai pushon së ekzistuari? Frojd gjithashtu ngre çështjen: Sa racional është njeriu modern në mjedisin urban industrial? Apo Karl Marks i cili shtron pyetjen se si shoqëritë ndryshojnë? A ndjek historia ndonjë udhë të paracaktuar? A janë individët gurë shahu të një nevoje më të thellë historike apo ata e bëjnë vetë historinë e tyre? A janë përpjekjet për reforma sociale shpesh të pasuksesshme apo të kufizuara në rezultate? Studimi i sjelljes kolektive është patjetër një mënyrë për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Të dhënat empirike nga detyrojnë të konfrontojmë proceset dhe strukturat, konfliktin dhe bashkëpunimin dhe makro & mikro nivelet e analizës. Siç e vumë re edhe më parë edhe një turmë jetëshkurtër tregon disa rregullsi dhe një farë strukture. Kjo është e kufizuar dhe formuar nga pritshmëritë kulturore dhe karakteristikat sociale që personat sjellin në të. Në të njëjtën kohë mjediset shumë të burokratizuara dhe me shkallë të lartë organizimi si linjat e montimit apo zyrat e gjera do të shfaqin elementë të rinj dhe inovativë. Të kuptuarit e pjesëmarrjes në lëvizje fetare si Hari Krishna apo lëvizje proteste për mbrojtjen e mjedisit lidhet më njohjen e kuptimit të kësaj përvoje nga njerëzit dhe si e shohin ata situatën e tyre. Këto çështje janë studiuar nëpërmjet përqasjes së ndërveprimit simbolik. Ndërsa në përqasjen e gjerë bazohemi jo vetëm në perceptimet individuale dhe dhënies së kuptimeve por në strukturat e grupit dhe funksionet si dhe kontekstin e gjerë shoqëror ndoshta e dhe ndërkombëtar të ndodhjes dhe shfaqjes së këtyre sjelljeve. Shpesh kundërvënëse apo jashtë të zakonshmes natyra e çështjeve që lidhen me sjelljet kolektive dhe fakti që njerëzit mund të ndihen mjaft të përfshirë në to mund të na japë një sërë të dhënësh që shpesh janë të fshehura apo të padukshme. Elementë të fjetur apo të marra si e mirëqenë, të stukturës sociale,mund të dalin në sipërfaqe ose të bëhen problematike. Kështu ne detyrohemi ta shohim shoqërinë në një prizëm të ri. Disa sjellje sociale testojnë limitet shoqërore. Si rezultat aspekte të ndryshme të funksionimit shoqëror mund të zbulohen. Çështjet që lidhen me stratifikimin, pabarazinë, vendim-marrjen, natyrën dhe shpërndarjen e pushtetit dhe legjitimitetin mund të na dalin përpara syve na dimensione te reja. Kundërvënie të tilla me rregullin shoqëror shpesh përfundojnë me përdorimin e strukturave të zbatimit të ligjit ku hyn roli i përdorimit të forcës dhe shtrëngimit për mbajtjen e rendit të vendosur social. Mesazhet e parullave, këngë e protestuesve mund të na vejnë në dukje pafuqishmërinë dhe mungesën e konsensusit ndaj këtyre vlerave. Origjina, mbështetja dhe legjitimimi mbi vlerat dhe praktikat bazë të shoqërisë mund të thirren në vëmendje. Psh. Kur zezakët refuzojnë të ulen në fund të autobusit, kur një 18 vjeçar refuzon të rekrutohen për në luftë, kur homoseksualët kërkojnë të drejtën për t’u martuar etj pyetje të tilla shfaqen si: Nga vijnë rregullat? Kush i vendos ato? Përse shërbejnë? Çfarë është e drejtë apo e gabuar? Kush na tregon se si duhet bërë diçka dhe me çfarë autoriteti? Studimi i sjelljes kolektive është një fushë e cila përfshin si preokupimin shkencor ashtu edhe atë humanist. Perspektiva humaniste lidhet me kuptimin historik dhe vlerat dhe ajo e shkenca sociale me përdorimin e parimeve të përgjithshme të rregullimit sistematik të të dhënave empirike. Kjo reflekton nevojën e interpretimit, gjetjes së rregullsive dhe krahasimit të dijeve, njohurive dhe ngjarjeve faktike. Të kuptuarit e historisë moderne dhe natyrën masive të shoqërisë industriale moderne (përfshirë dinamikat e ndryshimit social që lidhen me industrializimin, urbanizimin dhe modernizimin) kërkojnë njohuri dhe perspektivë të përveçme mbi sjelljen e masave dhe lëvizjet. Revolucioni Francez, Rus apo kinez, lëvizjet fashiste në Itali dhe Gjermani, lëvizjet anti-kolonialiste në vendet e Botës së tretë, lëvizjet që përmbysën komunizmin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë një rëndësi të thellë historike. Trashëgimia e tyre na prek të gjithëve në një shumësi formash dhe mënyrash. Ka pak shenja në lidhje me rolin e sjelljes kolektive si motor të ndryshimit social qoftë nëpërmjet lëvizjeve masive apo edhe procesit tejet të hollë të difuzionit të tendencave dhe prirjeve që janë duke u zbehur. Gjatë viteve 1930 disa dekada më vonë një gjeneratë studiuesish Evropianë dhe SHBA (psh. Fromm 1941, Kornhauser 1959) i kushtuan rëndësi brishtësisë së institucioneve demokratike dhe aftësive të udhëheqësve totalitarë për të manipuluar me grupe të mëdha njerëzish (turmat). Studiuesit e viteve 1960 dhe 1970 u frymëzuan gjithashtu nga lëvizjet e mëdha sociale dhe nga fundi i viteve shumë persona të cilët ishin aktivë dhe mbështetës të lëvizjeve për të drejtat civile, studentore, kundër luftës etj u interesuan për të fituar njohuri mbi proceset e ndryshimeve sociale te cilat prekën jetët e tyre. C. Dimensionet e vecanësive kulturore të mjediseve sociale të emergjencës mund të kontrastohen me përmasat e lejueshme nga kultura të sjelljeve sociale të pranueshme. Nga njëra anë kultura ofron vijat e përgjithshme dhe parimet udhëheqëse: cilat role sociale dhe nga kush; kush mund të jetë anëtar; përcakton mënyrat, qëllimet dhe procedurat për marrjen e vendimeve dhe tregon se ku një ndërveprim mund të ndodhë, fillojë apo mbarojë. Ceremonitë fetare, mësimi në klasë, puna e linjave të montimit të automobilave dhe plot shembuj të tjerë të organizimit në të cilat kultura jep drejtime të rëndësishme. Nga ana tjetër ka mjedise sociale ku kultura nuk ofron apo ofron pak drejtim. Ky është rasti i grupeve të cilat mblidhen së bashku në mënyrë spontane apo si përgjigje e diçkaje të pazakontë apo një incidenti shqetësues. Psh. Turma e studentëve që proteston pas rritjes së taksës së shkollimit. Turma nuk lidhet me kulturën e organizimit formal e cila tregon se: 1. Kush është anëtar (nëse është në një hapësirë publike kushdo është i ftuar për të marrë pjesë) 2. Cilat janë rolet sociale të pranishme dhe kush do të përforcojë në secilin prej tyre (psh; a do të ketë një lider dhe kush do të jetë ky ai më i zemëruari, i pari që vjen, ai që sjell mikrofonin/ megafonin? ) 3. Kush janë qëllimet e grupit dhe si do të vendosen ato (psh. A do kërkohet ulja e çmimit, dorëheqja, krijimi i një komisioni dhe ndoshta për shkak të diversitetit të turmës asnjë qëllim i përbashkët nuk mund të vendoset) 4. Cilat do të jenë mënyrat që do të përdoren (psh. Marshimi, nënshkrimi i peticioneve, dëgjimi i fjalimeve, qëndrimi deri sa të plotësohen kërkesat ), 5. Cilat grupime të tjera do të përfshihen dhe të cilat mund të kenë qëllimet dhe axhendat e tyre, palët? Policia? 6. Vendosja sjelljes në kohë dhe hapësirë (psh. Vendi dhe koha ku një turmë do të mblidhet dhe do të shpërndahet, a do ketë takime të tjera, a do të ketë një vazhdimësi apo ndonjë organizatë tjetër do krijohet apo do ndjeke qëllimet e nisura, a do të përhapet protesta në grupe apo çështje të tjera? Ndërsa studimet e sjelljes kolektive mund të na ofrojnë një bazë të gjerë për parashikime të mira të protestave të tilla në agregatet përbërëse, studimi i një rasti të veçantë tregon se ne nuk mund t’i kemi përgjigjet paraprakisht. Përgjigjet mund të gjenden gjatë vëzhgimit të ndërveprimit që ndodh në terren. Shumë situata mund të ndodhin brenda ekstremeve të përcaktuara qartë nga kultura edhe në mungesë të parimeve të drejtimit të sjelljes. Shembuj të ndërmjetëm: garat, festimet dhe katastrofat. Këto kombinojnë veçanësinë kulturore me emergjencën në varësi të cilit dimension të organizimi kundrejt emergjencës qe do të konsiderojmë. Në rastin e garës, kultura ofron parametra të gjerë mbi kërkesat dhe mjetet specifike që mund të përdoren por lë të hapur zhvillimin dhe se kush është ai që do të fitojë. Në mjaft raste një sasi jo e vogël e emergjencës është instucionalizuar. Kjo sjell për pasojë qe dhe edhe rezultati të jetë relativisht i programuar paraprakisht. Sjellja kolektive dallon nga sjellja e grupit në 3 mënyra: 1. Sjellja kolektive përfshin një ndërveprim social më të kufizuar; grupet kanë tendencën për të qëndruar së bashku më gjatë se kolektivitetet. 2. Sjellja kolektive nuk ka kufij të qartë socialë; kushdo mund të bëhet anëtar i një kolektivi ndërsa anëtarësia e grupit është zakonisht më diskriminuese; 3. Sjellja kolektive gjeneron norma të dobëta, jo konvencionale; grupet kanë tendencën të kenë norma më të forta dhe konvencionale. Termi sjellje kolektive u përdor së pari nga Robert E. Park, dhe më pas nga Herbert Blumer. Turmat Një turmë është një grumbullim njerëzish të cilët ndajnë të njëjtin qëllim dhe influencojnë njëri-tjetrin. Turmat janë ndodhi të zakonshme në jetën moderne. Pjesa më e madhe e veprimtarive sportive, koncerteve apo performancave të tjera rezulton me mbledhje të turmave. Blumer (1951) diferencon 4 tipe turmash: • Të rastësishme – mbledhje të lira njerëzish pa ndonjë ndërveprim real (psh. Njerëzit në treg) • Konvencionale – takime të planifikuar dhe të qëllimshme (psh. Takimet me komunitetin të organizuara nga liderët politikë) • Shprehëse – shprehjet e turmës gjatë një ngjarje të ngarkuar emocionalisht (psh. Ndeshje futbolli, miting politik) • Vepruese - një turmë që ka për qëllim të përmbushë diçka (psh. Fansat të cilët i turren skenës gjatë apo pas mbarimit të koncertit) Rebeka Naqi Gjika Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Posted on: Fri, 18 Oct 2013 17:08:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015