Skandal te Mjekësia, profesorët përplasen për kreun e - TopicsExpress



          

Skandal te Mjekësia, profesorët përplasen për kreun e Këshillit TIRANE - Duket se situate vlonte prej kohësh, por gjithçka ka shpërthyer në mbledhjen e një javë më parë, të datës 11 korrik 2013. Mbledhje pas së cilës duket se profesorët janë ndarë haptazi në dy kampe. Në mbledhjen e kësaj dite, pas këmbënguljes së një grupi profesorësh që të zgjidhej kreu i ri, që sipas tyre duhet të ishte zgjedhur që tetorin e 2012, ka pasur një reagim ekstrem. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm 44 profesorë, dhe duke parë reagimin, kreu i këshillit të Profesorëve, Nestor Thereska, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa dekani ka shpallur në çast garën për postin e lirë. Dikush ka propozuar emrin e Elsa Kones dhe janë shpërndarë në çast fletët e votimit. Por plot 19 profesorë e kanë quajtur këtë një farsë dhe kanë braktisur mbledhjen. Në mbledhje ka qenë e pranishme edhe rektorja Jera Kruja, e cila e quajti absurde gjithçka po ndodhte dhe është larguar nga salla e mbledhjes. Ndonëse për të zgjedhur kreun e ri të KP, duhen 33 vota, sërish procesi është quajtur i rregullt. MIHAL TASE Kardiologu i njohur, profesor Mihal Tase, nuk nguron të shpjegojë edhe arsyet se përse ai e konsideron një turp për të gjithë fakultetin atë që ka ndodhur. “Në bazë të ligjit të arsimit të lartë, është krijuar Këshilli i Profesorëve. Një strukturë që funksionon në çdo fakultet. Ligji e ka përcaktuar qartë se kreu i tij zgjidhet një herë në vit, nuk ka të drejtë të rikandidojë dhe duhet të jenë së paku dy kandidatë në garë, në zgjedhjen e tij të lajmëruar e përgatitur siç e kërkon ky komision, duhet të marrin pjesë 2/3 e anëtarëve të këshillit. Por në fakultetin tonë, ky këshill i ka humbur të gjitha funksionet dhe është kthyer në monopol. Në të vërtetë është mandati i dytë që po tejkalohet përtej çdo logjike, në rastin e parë prof. Petrela qëndroi gati dy vjet e tani prof. Thereska ka në rastin më të mirë një tejkalim të mandatit ligjor me 7 muaj. Pse? Në të dy rastet ka patur një shkelje të ligjit e të rregulloreve nga drejtuesit e Univesitetit, dhe për rastin e dytë të dekanit, Bajram Hysa, thjesht për konjukturë politike. Është në nderin e profesoratit të FM që të mos pranojë pa fund këtë diktat edhe sepse për fat të keq vitin e fundit është bërë anekdotik me qëndrimet që mbajnë, me politizimin ekstrem, me batërdinë në zgjedhjen e shefave dhe shpërndarjen e titujve, duke krijuar një situatë qesharake sepse ne po fabrikojmë Profesorë, Prof. AS dhe Doktorë Shkencash me shumë se Harvardi! Deri para tri javësh dekani thurte hosana Kryeministrit Berisha, rolit dhe vizionin të tij në krijimin e Universitetit Mjeksor. Po sot??? Për ata që mund të mos jenë informuar po ju citoj çfarë na thotë sot, më 18.07.2013, Dekani ynë i nderuar, në një e-mail dërguar të gjithë profesorëve: ”Fatkeqësisht, të gjitha zhvillimet e mëpasme të rrugëtimit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë vërtetuan faktin e njohur se fillimet antiligjore dhe të pa studiuara mirë nuk mund të prodhojnë liri akademike dhe zhvillim institucional të qëndrueshëm. Është rregull i njohur në demokracitë e tipit perëndimor europian, që institucionet e arsimit të lartë, veçanërisht në fushën e mjekësisë dhe shëndetit, janë imune nga influencat politike, por në rastin e UMT ky fakt nuk u vërtetua. Universiteti i ri u shndërrua në një strehë militantësh, një administratë politike, thuajse me tiparet e një partie politike, ku dominon administrimi vertikal dhe takimet „kokë më kokë“ me titullarin si metoda pune”. Për këto arsye e shumë të tjera, të ditura, të dukshme apo okulte edhe reagimi në mbledhjen e fundit të KP, njerzit me integritet moral e profesional iu kundërvunë farsës së zgjedhjes pa paralajmërim, pa kandidat alternativ, jashtë rendit të ditës së lajmëruar, në shkelje të rregulloreve e ligjeve në fuqi”, - përfundon profesor Tase. ANYLA BULO Profesoreshë Anyla Bulo është një tjetër anëtare e këshillit të profesorëve të Mjekësisë që e quan absurde atë që ka ndodhur. “Reagimi im në mbledhje dhe më tutje ka të bëjë me procedurën dhe jo kandidaturën. Çdo profesor në këtë këshill ka të drejtën të informohet dhe të kandidojë (nëse dëshiron) për këtë post. Veprimi i datës 11 korrik ka cënuar këtë princip demokratik. Sigurisht që nga procese të parregullta dhe të paligjshme rrjedhin akte dhe veprime të paligjshme, të cilat mund të cënojnë pa të drejtë titujt e gradat që ky këshill, me një kryetar të paligjshëm aprovon. Fakulteti i Mjekësisë duhet t’i kthehet normalitetit dhe ti japë fund drejtimit arbitrar të deritanishëm”, - thotë prof. Bulo. GENC SULÇEBE Profesor Genc Sulçebe, është njëri ndër profesorët që madje edhe është paralajmëruar për pushim nga puna, për kundërshtimin e fortë që i ka bërë mënyrës së organizimit të këtij procesi në mbledhjen e 11 korrikut. Por ai shprehet se e vetmja gjë që ai kërkon është zbatimi i ligjit dhe se askush nuk mund ta ndalojë të thotë fjalën e tij hapur. “Ajo që ndodhi në mbledhjen e fundit të Këshillit të Profesorëve ka ardhur si një reagim ndaj mënyrës arbitrare dhe të personalizuar të drejtimit të Fakultetit të Mjekësisë në përgjithësi dhe Këshillit të Profesorëve në veçanti, gjë që u shpreh në mënyrën më flagrante në mbledhjen e fundit të KP. Këshilli i Profesorëve është “kuvend” i pavarur ku bëjnë pjesë profesorët si “të barabarta” mes tyre. Aty ata kanë të drejtë t’i thonë lirisht mendimet si dhe të respektohet e të dëgjohet fjala e tyre, gjë që në të vërtetë nuk ka ndodhur. Përkundrazi ka pasur një sjellje thuajse detyruese nga dekani, për të miratuar me çdo kusht planin e tij. Edhe kryetari i zgjedhur nga ky këshill nuk mund të marrë vendime pa u konsultuar me këshillin dhe pa marrë aprovimin e tij. Në rast se ka kundërshtime ato duhen dëgjuar dhe respektuar. Po kështu dekani nuk ka asnjë autoritet në këtë këshill dhe aq më tepër nuk ka të drejtë t’i imponohet atij pasi aty ai është i barabartë me anëtarët e tjerë. Për të gjitha këto arsye ne e konsiderojmë antiligjore dhe të pavlefshme mbledhjen e datës 11 korrik 2013”, - shpjegon Sulçebe.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 06:49:03 +0000

Trending Topics