Sot dua t’ju njoh me emrat e ministrave të Qeverisë së Re të - TopicsExpress



          

Sot dua t’ju njoh me emrat e ministrave të Qeverisë së Re të Shqipërisë. Po lejomëni më parë, disa konsiderata. Qeveria e Re në nivelin e saj të parë do të jetë mishërim i boshtit strategjik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”; I vizionit tonë politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe më shumë përgjegjësi më të rinjve; I vullnetit tonë qytetar për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile; I programit tonë qeverisës për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare. Qeveria e Re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër. Qeveria e Re është mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më mirë të detyrave brenda maxhorancës plebishitare të 23 qershorit. E cila do të ketë vetëm një pjesë të vetën pa mandat deputeti në ekzekutiv, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e fortë të 23 qershorit në sallën e Kuvendit, për të kthyer në ligj reformat e Rilindjes. Qeveria e Re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit. I jap shumë rëndësi këtij momenti dhe e nënvizoj, qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve. Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm vetëm për të sharë opozitën në parlament. Të mos e harrojë askush që do të na gjykojë që nga sot e deri ditën e fundit, atë që unë nuk do ta harroj asnjëherë që nga dita e parë e fitores sonë plebishitare: Shqiptarët nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër me një tjetër dhe një qeveri me një tjetër. As për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes. Po për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin. Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, kemi ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet. Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehje te diktuara prej revolucionit me votë të 23 qershorit. Pas pak do të dëgjoni emra që mbase mund të mos prisni t’i dëgjoni apo nuk do të dëgjoni emra që mbase prisni t’i dëgjoni. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë si të dhëna me tapi vetëm për burra, apo do të dëgjoni emra të rinjsh që do të marrin patate shumë të nxehta në dorë. Por gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për t’u gjetur punëve njerëzit dhe jo njerëzve punë. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare. Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare. Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ. Prandaj edhe risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të marrëdhënies mes tyre. Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fruti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet. QEVERIA E RE E SHQIPERISE 2013 – 2017 Kryeministër Edi RAMA Zv/Kryeministër Niko PELESHI 1. Ministër i Financave Shkëlqim CANI 2. Ministër i Brendshëm Saimir TAHIRI 3. Ministre e Mbrojtjes Mimi KODHELI 4. Ministër i Jashtëm Ditmir BUSHATI 5. Ministre e Integrimit Europian Klajda GJOSHA 6. Ministër i Drejtësisë Nasip NAÇO 7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben AHMETAJ 8. Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian GJIKNURI 9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond HAXHINASTO 10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina GJERMENI 11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave Edmond PANARITI 12. Ministër i Shëndetësisë Ilir BEQJA 13. Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita NIKOLLA 14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion VELIAJ 15. Ministre e Kulturës Mirela KUMBARO-FURXHIU 16. Ministër i Mjedisit Lefter KOKA 17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirian CELIBASHI 18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena HARITO 19. Ministër për Çështjet Vendore Bled ÇUÇI
Posted on: Thu, 01 Aug 2013 08:08:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015