Sot, më 15 shtator Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri prezantimin e - TopicsExpress



          

Sot, më 15 shtator Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri prezantimin e 881 kandidatëve të saj për Kuvendet Komunale, si dhe 28 kandidatëve për Kryetarë Komunash, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Prezantimin, ku ishin të pranishëm të gjithë kandidatët dhe shumë të ftuar e hapi kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti. Në fjalën e tij, kryetari Albin Kurti tha se përgjatë tetë viteve Lëvizja VETËVENDOSJE! përgjithësisht është rritur për dy arsye kryesore: koncepti i drejtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe puna e palodhshme e aktivistëve të saj. “Rritja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është e dyfishtë. Jemi rritur në numra të anëtarëve dhe përkrahësve, pra jemi rritur si organizatë. Dhe, jemi rritur politikisht e intelektualisht, duke e avancuar Manifestin në Program Politik dhe tash së fundi edhe në Alternativë Qeverisëse”, tha Albin Kurti. Duke folur për situatën aktuale, ai tha se Kosova e shpallur si shtet multietnik, që në vend të integritetit territorial po federalizohet në territore etnike, edhe komuna si nocion është e gjymtuar. “Nuk është e rastësishme që entiteti i Serbisë në Kosovë po quhet Asociacion a Bashkësi e komunave me shumicë serbe. Në vend se të kemi bashkësi të qytetarëve brenda komunave po sajohet Bashkësia e komunave që i ndajnë njerëzit mbi baza etnike dhe privilegjojnë njërën përkatësi. Ashtu qysh Republika e Dytë e Kosovës që u shpall me 17 shkurt të vitit 2008 doli të jetë Republikë e pakicës dhe jo Republikë e shumicës, njësoj, komuna aktuale në Kosovë është komunë e pakicës. Në pakicën e privilegjuar të Republikës së Dytë bëjnë pjesë kriminelët serbë nga veriu, qeveritarët e korruptuar në Prishtinë dhe burokratët ndërkombëtarë.Në pakicën e privilegjuar të komunës bëjnë pjesë kryetari me farefis, miqtë biznesmenë të partisë së tij dhe ndërtuesit ilegalë”, potencoi Kurti. “Komuna është marrëdhënia e afërt e qytetarëve, interesi dhe përgjegjësia e përbashkët. Komuna është intersubjektiviteti i institucionalizuar i qytetarëve. Komuna nuk privilegjon dhe komuna nuk diskriminon prandaj, quhet komunë dhe është komunë”, vazhdoi më tutje Albin Kurti. Ai tha se sot komuna është e tjetërsuar. Si territor, si hapësirë, si pushtet dhe si administratë. Komunën e kanë lidhur pas interesit privat dhe politikës e administratës së korruptuar. Hapësirën publike na e kanë kthyer kundër si të privatizuar, interesin publik na e ndërmjetësojnë përmes përfitimeve private. Pushteti ka marrë karakterin privat që ka krijuar lidhjet e veta tregtare me qytetarët. “Kjo na kthen të gjithëve nga qytetarë në klientë, nga përfitues të shërbimeve në shërbyes të pushtetarëve”, vërejti ai. “Me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s nëpër komuna nuk do të kemi garë shkatërruese midis komunave por bashkëpunim të tyre. Dhe, kurrsesi nuk do të kemi nënshtrim ndaj politikave qeveritare të paligjshme apo tekeve të pushtetit qendror. Me fitoren tonë në zgjedhjet lokale i hapet rruga fitores sonë në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat më së largu mbahen në vitin e ardhshëm. Kështu, ndërrimi i pushtetit qendror do të nis prej poshtë lart, ashtu siç e ka kahjen vetë demokracia. Komuna është pasqyra ku shikohet qytetari. Te komuna qytetari gjen arkivën e qytetarëve dhe dëshirat e shndërruara në plane. Kryetarët tonë të komunave dhe asamblistët tonë komunalë do të jenë qytetarë aktivë dhe aktivistë qytetarë. Me shembullin e tyre ne do ta dëshmojnë veten dhe do ta garantojnë qytetarin, porositi në fund Albin Kurti. Më pas fjalën e mori nënkryetarja e Lëvizjes, Aida Dërguti. Duke folur për rolin e gruas, ajo tha se historia e njerëzimit na tregon se pabarazia në shoqëri mbi çfarëdo baze të jetë e ndërtuar ka si rezultat padrejtësinë. “Gratë pra nuk janë aparati i riprodhimit të kombit. Gratë janë gjysma e potencialitetit intelektual e shpirtëror të kombit. Janë gjysma e potencialit tonë shoqëror për zhvillim. Mungesa e aktivizimit të këtij potenciali nënkupton ngecje serioze për shoqërinë” tha Dërguti. “ Sot kemi kaq shumë gra dhe vajza në mesin tonë. Posaçërisht jam e lumtur që kemi edhe tri gra kandidate për kryetare komunash, të cilave iu është dhënë besimi përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, që të shtyjnë përpara konceptin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ajnishahja, Arbëria dhe Afidja kanë vendosur që të hyjnë në këtë rrugëtim jo të lehtë, duke pasur parasysh ambientin tradicional në politikë, i cili nuk është shumë i favorshëm për gratë. Këto të trija, bashkë me kandidatet tjera për asamble komunale, do ta dëshmojnë se kanë guximin dhe aftësinë për përmbushjen e angazhimit politik”, theksoi Aida Dërguti. Në fund ajo tha se koncepti i Lëvizjes për barazi udhëzon të bashkojmë energjitë për ndryshim e transformim shoqëror. Lëvizja VETËVENDOSJE! beson thellësisht në rëndësinë e angazhimit të grave dhe vajzave drejt realizimit të ndryshimit. “Të gjitha ju që jeni sot prezent në këtë sallë, do të jeni modeli i gruas në politikë për gratë dhe vajzat tjera dhe frymëzimi për gjeneratat e ardhshme” përfundoi Dërguti. Profesori i Filozofisë nga Tirana, njëherit anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se Pushteti vendor nuk ndryshon për natyrë aspak nga pushtetet e rangjeve te tjerë, qofshin kombëtarë apo ndër kombe. Përkundrazi ai i bën të kuptueshëm ata dhe familjarë për njeriun e gjithgjendshëm të këtij globi. Prandaj, sipas tij, në çdo njeri të mirë të këtij kombi duhet të mobilizohet vetëvendosja. Aktivisti i vërtetë dhe i plotë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! delegon fitoren e betejave të veta në betejat e të tjerëve. Ai e di mirë se Lëvizja nk është përvetësim i virtytit të vetëvendosjes, por përgjithësim i këtij virtyti në mishin dhe shpirtin e çdo njeriu të republikës.“Ne nuk kemi drojë të deklarojmë se aktualisht organizimi i vetëm politik është Lëvizja Vetëvendosje!, lëvizja jonë. Ne e vlerësojmë heqjen dorë prej simboleve kombëtare ose përdorimin e tyre bosh si një privatizim të gradës së dytë”, tha Elvis Hoxha. “Shqiptari i përhumbur në ëndrrën se shteformimi vjen nga protektorate apo aderime ndërkombëtare është politikisht, publikisht dhe historikisht i dalë në pension. Ky pensionim nis e shtrihet që prej komunave më të largëta, prej moshave më të harrura, prej sakrificave më të larta për të pushtuar progresivisht forcat më të reja. Papunësia, arsimi fals dhe arbitrariteti i funksionarit e ushqejnë pensionimin e qenies shqiptare. Për këtë arsye, në alternativën qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Theksohet afrimi i ekspertit dhe qytetarit, i dijes teknike dhe përgjegjësisë politike. Prova jonë nuk është e fundit, eksperimenti ynë është i gjatë, sepse është eksperimenti i themelimit të një populli”, tha në fund Elvis Hoxha. I fundit, të pranishmëve iu foli Sekretari Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Molliqaj, i cili shpjegoi hollësitë e organizimit të fushatës, si dhe parimet e rregullat në përgjithësi e ato të VETËVENDOSJE!-s, gjatë këtij procesi. 15 shtator 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE
Posted on: Sun, 15 Sep 2013 19:29:03 +0000

Trending Topics



Kombëtar Demokrat, zoti Artur

Recently Viewed Topics




© 2015