TRADITA E SHQIPTARE E DASMAVE (KRUSHKËVE) MBIJETON EDHE NË - TopicsExpress



          

TRADITA E SHQIPTARE E DASMAVE (KRUSHKËVE) MBIJETON EDHE NË SHEKULLIN XXI Edhe në shekullin XXI dasmat organizohen sipas traditës. Kjo është një mbijetesë e fuqishme e traditës kundrejt modernes. Edhe pse po vlojnë restorantet nga dasmorët, dërgimi i krushqëve për të marrë nusen mbetet i njëjti ritual. Mikpritësit (familjarët e nuses) e përgaditin vendin ku do të priten krushqit, zakonisht në një hapsirë publike të frekuentueshme. Vendosin një rreth me dërrasa ose me ulëse ku do të bëhet pritja. Krushqit, ku zakonisht marrin pjesë disa dhjetëra pjesëmarrës, vijnë në kolonë të udhëhequr nga përfaqësuesit kryesorë të grupit, pleq të familjes, dajallarë, bashkëvendas, përfaqësues fetarë etj. Në krye të kolonës qëndron flamurtari i cili bartë flamurin kombëtar. Duke u vendosur flamuri u dorëzohet mikpritësve që ta mbajnë për kohën sa rrijnë krushqit. Mikpritësit bëjnë muhabet me krushqit përderisa këta gjejnë pak kohë që të organizojnë ndonjë lojë vallëzuëse tradicionale apo edhe ndonjë këndim. Pasi të përfundojë ceremonia e marrjes së nuses, nga grupi i grave, në familjen e nuses, lajmërohen burrat të cilët marrin “leje” që të shkojnë. Mikpritësit rreshtohen për të përcjellur krushqit duke i uruar për dasmën. A PO DEFORMOHET BARTJA E FLAMURIT?! Zakonisht krushqit bartin flamurin kombëtar që tregon për përkatësinë etnike të dasmorëve. Tek shqiptarët është krijuar një realitet i ri me krijimin e shtetit të Kosovës. Për të pavarësuar këtë shtet u dashtë të krijohej flamuri shtetëror i cili ka ngjallur huti tek njerëzit dhe ka ngritur pikëpyetjen se cilin flamur duhet bartur dasmorët. Pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës disa filluan ta bartin flamurin shtetëror e disa atë kombëtar. Gjithmonë kam menduar se bartja e flamurit shtetëror është një deformim i traditës sepse flamuri kombëtar është flamur “shpirtëror” për të gjithë shqiptarët njëkohësisht tregon identitetin kombëtar të dasmorëve. Në anën tjetër, flamuri shtetëror nuk përfaqëson anën kombëtare sepse është përfaqësues i të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë. Duke qenë kështu nuk përfaqëson as anën shpirtërore të shqiptarëve. Në një situatë të tillë disa dasmorë kanë filluar ti bartin të dy flamujt atë kombëtar dhe atë shtetëror. Përballë nevojës që dasmorët duhet të përfaqësohen vetëm më një flamur disa filluan të përdorin të dy flamujt të qepur njërin për tjetrin, njëra faqe e flamurit shtetëror e tjetra e flamurit kombëtar. Edhe kjo paraqet një deformim në vetvete sepse një flamur i tillë më shumë mund të quhet një instalacion dekorativ sesa një flamur! Të gjithë flamujt e botës kanë të njëjtën pamje në të dyja anët. Prandaj bartja e flamurit kombëtar nga dasmorët është vendimi më i qëlluar. RESPEKTOJENI.
Posted on: Mon, 05 Aug 2013 13:36:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015