TRAGJEDIA E QERBELASË -nga Xhevat Kallajxhi Kur ndërroi - TopicsExpress



          

TRAGJEDIA E QERBELASË -nga Xhevat Kallajxhi Kur ndërroi jetë i Madhi Ali, fuqia e Mavijes u forcua akoma më shumë. Duke marrë nëpër këmbë kushtetutën fetare dhe lirinë e popullit, Mavijeja e shtoi sundimin e terrorit dhe filloi të zhdukë të gjithë kundërshtarët, duke mos kursyer as të birin e të Madhit Ali, Imam Hasanin. Imam Hasani ndërroi jetë në Medinë në vitin 669, duke qenë i helmuar nga njerëz të urdhëruar nga Mavijeja. Me vdekjen e Mavijesë, vendin e tij si Kalif e zuri i biri, Jezidi. Edhe ky e zuri atë vend në mënyrë arbitrare, siç e kishte zënë i ati i tij, kundër rregullit fetar, sipas të cilit kryetari duhej të zgjidhej me dëshirën e popullit. Populli filloi të revoltohej për këtë veprim të padrejtë, por Jezidi, me vrasje e terror, e shtypi dhe frikësoi popullin dhe u imponua si prijës i tij. Jezidi, pasi e siguroi pozitën në Sham, kërkoi ta zgjeronte influencën vet edhe në vende të tjera. Por kishte frikë se nuk do të mundte ta realizonte këtë ëndërr derisa ishte gjallë Imam Hysejni, nipi i Profetit Muhammed dhe biri i të Madhit Ali, vëllai i vogël i Imam Hasanit. Jezidi e dinte mirë se Imam Hysejni gëzonte të gjitha cilësitë për Kalif dhe adhurohej nga krejt populli arab. Jezidi përdori të gjitha mënyrat dhe djallëzitë për ta detyruar Imam Hysejnin që ta njihte atë zyrtarisht si të parin. Në fillim dërgoi shpallje te të gjithë guvernatorët arab, me anë të së cilave e bënte të njohur fronëzimin e vet. Të gjithë e përbuzën këtë fronëzim, por heshtën nga frika dhe terrori i Jezidit. Asokohe Imam Hysejni ndodhej në qytetin Medine, së bashku me farefisin e tij. Jezidi i dërgoi urdhër guvernatorit të Medinës që të thërriste Imam Hysejnin dhe ta detyronte në çdo mënyrë që Jezidin ta njihte si prijës. Kur e thirri guvernatori, Imam Hysejni u përgjigj kështu: “Kjo punë është e rëndë dhe nuk më përket mua. Vini në zbatim ligjin tradicional fetar dhe mblidhni përfaqësuesit e popullit. Po të vendosin ato, unë s’kam asnjë kundërshtim”. Fjalët e Imam Hysejnit guvernatori ia përcolli Jezidit, i cili u zemërua fort për këtë refuzim dhe dha urdhër që të kapej Imami dhe të detyrohej me forcë të pranonte njohjen, ose nëse nuk pranon, atëherë të ekzekutohej. Imami, kur e pa që po keqësohej gjendja, mori farefisin dhe shkoi në Mekë. Populli i Mekës e priti krahëhapur dhe i bëri nderime të mëdha. Me mijëra njerëz e vizituan dhe u përulën përpara tij. Ngjarja bëri bujë të madhe dhe Jezidi u trondit shumë, sepse kishte frikë se mos Imami mobilizonte popullin kundër tij dhe veprës së paligjshme që kishte bërë. Lajmi për këtë ngjarje u përhap edhe në vise të tjera. Banorët e Kufasë filluan menjëherë t’i dërgojnë mijëra letra Imamit, me të cilat i luteshin t’i vizitonte dhe të drejtonte sytë drejt tyre, duke e siguruar se do të ishin gjithë jetën besnikë të tij. Pasi u përsëritën shumë herë këto lutje, Imami u tregua i gatshëm të shkonte, por miqtë e tij e këshilluan të dërgonte më parë një përfaqësues të bënte hetime, sepse banorët e Kufasë ishin njerëz të frikshëm dhe nuk e mbanin besën. Atëherë Imami vendosi dhe dërgoi në Kufa, për të bërë hetime, kushëririn e tij, Myslim Ibën Akilin. Në fillim, banorët e Kufasë treguan një bindje të madhe ndaj Myslimit, i cili i shkroi Imamit që të nisej për në atë vend. Dhe Imami, porsa mori letrën, u nis për në Kufa. Nga ana tjetër, Jezidi i dëgjoi këto lajme dhe, nga frika se mos populli ngrinte krye, mori masa të rrepta. Dërgoi në Kufa një guvernator terrorist, i cili vrau e preu dhe u futi frikën banorëve. Si përfundim i këtyre masave të rrepta, populli i Kufasë e harroi besën që ia pat dhënë Imam Hysejnit. Atëherë, nga ana e Jezidit dhe përkrahësve të tij, u dha urdhër të kapej Myslim Ibën Akili, i cili i tradhtuar ra dëshmor duke luftuar trimërisht. Edhe të dy bijtë e tij, Muhtari dhe Ibrahimi, njëri shtatë dhe tjetri tetë vjeç, humbën jetën, duke u therur barbarisht nga një katil që rrallë ka parë bota. Ky katil i gjeti fëmijët e mitur të fshehur në shtëpinë e tij dhe vendosi t’i vriste për të marrë shpërblimin e caktuar nga guvernatori. Fëmijët e gjorë i kishte fshehur e shoqja dhe dy djemtë e tij. Këta bënë çmos që ta ndalonin atë nga bërja e këtij krimi të tmerrshëm. Por krimineli nuk hoqi dorë nga rruga e tij. Përkundrazi, për të kapërcyer pengimet, në zemërim të sipër vrau të shoqen me të dy djemtë e vet. Pastaj u vërsul si egërsirë kundër dy fëmijëve të mitur të Myslimit, të cilët, kur e panë se humbën çdo shpresë, ulën kryet dhe secili prej tyre i tha: “Më ther mua më parë, se nuk mund të duroj dot hidhërimin për vëllain.” Kjo vrasje, që ndodhi në vigjilje të tragjedisë së Qerbelasë, është një nga krimet më të shëmtuara që ka parë njerëzimi. Në këtë mënyrë përfundoi misioni i Myslim Ibën Akilit në Kufa. Me gjithë këtë, para se të vritej, ai i shkroi një letër Imam Hysejnit, me të cilën e paralajmëronte që të kthehet e të mos vazhdonte për në Kufa, sepse populli i Kufasë e shkeli besën. Imami ishte nisur dhe vetëm kur arriti në Qerbela, mori letrën dhe mësoi lajmet e hidhura. Qau me dëshpërim dhe tha: “Tani s’mbeti më për të jetuar. Më mirë të vdesim.” Pastaj pyeti se si quhej ai vend, në të cilin ndodhej në ato çaste kur morri lajmin e hidhur. Kur iu përgjigjën se quhej Qerbela, shtoi, “Ah! Ky qenka vendi i belasë, që më pat kallëzuar im At. Këtu jemi të destinuar të presim fatin.” Atëherë ngritën tendat dhe qëndruan duke pritur fatin e tyre. Jezidi porsa kuptoi se Imam Hysejni me farefisin e vet ndodheshin në Qerbela, dërgoi me mijëra ushtarë për ta kapur. Në ndihmë të Imam Hysejnit shkuan me qindra dashamirës, por ai nuk i mbajti. I largoi duke u thënë: “Ju faleminderit shumë. Shkoni në vatrat tuaja. Unë jam nisur për të vdekur. Nuk dua që miqtë e mijë t’i shti në mundime.” Mbetën vetëm 72 burra, të cilët iu lutën me këmbëngulje dhe lot në sy që të mos i largonte, sepse dëshironin të vdisnin bashkë me të. Imami i falënderoi për besnikërinë dhe vendosmërinë e tyre dhe iu lut Zotit për ta. Lufta e Qerbelasë u bë në gusht të vitit 680 dhe filloi e vazhdoi me tërbim. Imam Hysejni dhe shokët e tij, ndonëse ishin të lodhur, të pangrënë dhe pa pikë ujë, luftuan si luanë derisa të gjithë dhanë jetën trimërisht. Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e njerëzimit. Në luftën e Qerbelasë mbizotëroi forca brutale kundër idealit, shtrembëria kundër të drejtës, pasioni kundër urtësisë. Në atë shkretëtirë të Arabisë u rrëzua dhe u shkel trupi i Imam Hysejnit nga ushtarët e Jezidit, i cili gjatë tre vjetëve e gjysmë të mbretërimit të tij bëri shumë faje të rënda e të pafalura kundër Islamit. Në vitin e parë të ardhjes së tij në fuqi, Jezidi vrau Imam Hysejnin në Qerbela. Në vitin e dytë plaçkiti qytetin e shenjtë të Medinës. Në vitin e tretë sulmoi Mekën. Por tragjedia e Qerbelasë, në të cilën ra dëshmor Imam Hysejni (i biri i Aliut dhe i Fatimesë) tronditi, tmerroi dhe pikëlloi gjithë Botën islame. Me gjithë këtë, gjaku i Imam Hysejnit nuk shkoi dëm. Sakrifica e tij, e bërë për një kauzë të drejtë, dha rast të lindë një besim i ri në zëmrat e Myslimanëve. Pas asaj tragjedie, një shpirt i ri u ngrit lart kundër tiranisë. Një frymë e re gjallërie u përhap në gjithë Botën islame. Myslimanët nxunë nga Imam Hysejni një mësim të madh: kushtimin dhe sakrifikimin e vetes ndaj besimit te Perëndia. Ata kuptuan gjithashtu se lufta e Imam Hysejnit dhe e shokëve të tij, kundër fuqive të mëdha të Jezidit, ishte, në të vërtetë, një pjesë e luftës universale: e së mirës kundër së keqes, e drejtësisë kundër shtypjes. Në Qerbela mizorisht u vranë gjithsej 72 dëshmorë, të cilët ushtria e Jezidit i pat rrethuar dhe nuk i lejonte të afrohen dhe pinë ujë, edhe pse ndodheshin midis dy lumenjve: Eufratit dhe Tigrit. Pa asnjë dyshim, Imam Hysejni ra dëshmor në Fushën e Qerbelasë për të mbrojtur idealet, porositë dhe parimet e lirisë e të demokracisë së Fesë Islame.
Posted on: Sun, 03 Nov 2013 21:48:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015