Tre tifozë të arrestuar dhe e gjithë Korça është përfshirë - TopicsExpress



          

Tre tifozë të arrestuar dhe e gjithë Korça është përfshirë nga alarmi. Tre familje të shqetësuara, shumë të tjerë që presin me padurim të mësojnë lajme nga Tirana. Tre tifozë të Skënderbeut janë ndaluar nga forcat e rendit në përfundim të ndeshjes që u luajt në kryeqytet me bardheblutë të dielën dhe që prej atij momenti nuk kanë dalë më nga rajoni i policisë. Mësohet që tre tifozët e Skënderbeut janë shoqëruar në dhomat e paraburgimit dhe tani pritet të nisë një proces gjyqësor kundra tyre. Familjarët kanë qenë dje në kryeqytet për të kërkuar më tepër informacion për tre djemtë e ndaluar, por janë kthyer sërish në Korçë pa i marrë ata me vete. Çfarë ndodhi? – Përgjatë takimit të luajtur mes Skënderbeut dhe Tiranës, tifozët e të dy ekipeve kanë replikuar në distancë me njëri-tjetrin por përplasjet e afërta mes tyre kanë munguar. Në përfundim të ndeshjes, gjatë shoqërimit të “Ujqërve të Dëborës” drejt autobuzëve që i kishin dërguar nga Korça në Tiranë, policia është përplasur me ta. Një keqkuptim në komunikim mes palëve ka sjellë një dhunë të palogjikshme ndaj tifozëve të Skënderbeut. Tre janë ndaluar dhe shoqëruar menjëherë në komisariatin më të afërt. Të tjerë tifozë janë dhunuar gjithashtu por më pas janë lërë të lirë të rikthehen në shtëpi. Arrestimi – Tre djemtë nga Korça prej pesë ditësh qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në një nga rajonet e Tiranës. Njërin prej tyre është 17 vjeç, dy të tjerët rreth të 20-tave. Burime të afërta pranë tifozëve tregojnë se njërit nga tifozët u është sekuestruar nga policia një dorezë hekuri, ndërkohë që dy të tjerët janë ndaluar për shkak se u kanë kthyer fjalën uniformave blu. Familjarët e tre të ndaluarve tregojnë se brenda pak ditësh pritet të nisë një proces gjyqësor për ta. Reagimi – Kryetari i “Ujqërve të Dëborës”, Armando Buda, i pyetur për ngjarjet në Tiranë, ka treguar për dhunën e ushtruar ndaj tifozëve korçarë dhe ka bërë apel për të liruar shokët e tij nga dhoma e paraburgimit ku qëndrojnë prej pesë ditësh. “Policia na dhunoi ne barbarisht. Pa asnjë arsye. Nuk krijuam asnjë problem në Tiranë, përkundrazi bëmë vetëm atë që dimë të bëjmë më mirë në stadium, të përkrahim dhe festojmë me skuadrën e zemrës, Skënderbeun. Pas ndeshjes, pas një keqkuptimi me fjalë, policët na goditën dhe më pas ndaluan tre tifozë të Skënderbeut të cilët janë akoma në rajon. I bëjmë apel policisë t’i lirojë ata tre të pafajshëm. Ne kurrë nuk kemi bërë shfaqje dhune në stadium apo jashtë tij. Gjithmonë kemi treguar qytetari. Këtë sport e kemi pasion dhe nuk mund të na trajtojnë kështu”, ka treguar kryetari i “Ujqërve të Dëborës”.
Posted on: Fri, 27 Sep 2013 16:53:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015