Tregim Gruaja e braktisur Më në fund, edhe ai mori - TopicsExpress



          

Tregim Gruaja e braktisur Më në fund, edhe ai mori banesë. Një përdhesë, me pak oborr. Të gjithë të tjerët që i morën në të njëjtat kushte sikurse edhe ai-u gëzuan. Vetem ai, përpos që u gëzua, edhe u këndell. I mblodhi duart te bërrylat dhe vallëzonte. Zgjerohej sa i arrinin bërrylat. Edhe shtëpi mund të ndërtonte në atë hapësirë që e liroi nga tërheqja e parallanëve. Çka shkon prej aty deri tek majat e gishtërinjve, shërben si strehë e shtëpisë. Brenda distancës së bërrylave lindi shtëpia në oborr të banesës, pa e pritur e kujtuar. Tash me banim kaloi në shtëpi, ndërsa banesa mbeti zbrazur. U paraqitën edhe kërkuesit e parë të banesës me qera. E mbushi përplot banesën e re me banues. Askush nuk e shihte më ndryshe pos kah vrapon. Kah merr diçka e kah jep vete. Krejt veten ia jepte punës, angazhimit. Kur e merrte pjatën me gjellë, memzi e priste edhe bukën dhe shkonte fshihej në një skutë dhe i ndiente hurbat e veta. S’ka për mua sallatë. As me supën s’dua të humbas kohë Gjithmonë e hante bukën vetem me një lloj mëlmese. Dy gjëra i ha vetëm atëherë kur përfundon dita. Vezë të fërguara në sabah. Groshë në drekë. Gruan për darkë. Vdekja është shah më vete. Kur vdiste epshëm mbi grua, i kujtohej kalimthi e për ngut se ç’nuk kishin arritur të tjerët, të afërm me të. I vinte të qeshte, por përmbahej. Sa qeshem unë me ta, thoshte, atëherë ata mud të qeshen me veten dhe me dështimet e tyre. Merrte të qante për veten, që kishte vdekur aq me afsh mbi grua, por menjëherë i kujtohej se kjo po i përsëritej ka shumë kohë, kështu që tashmë e kishte shndërruar në akt përsëritjeje që ia numronte shkallët e hipjes në lartesi epshi e kënaqësie. Po ngjiste shkallën e katërt dhe përms xhamit të vogël më vërejti mua si fqinjin e parë. Pse s’më fton ky të pijmë kafenë së bashku? Mu bë se e dëgjova që po ma thotë. Unë e ftova tash me fjalë më vete dhe ai erdhi, e pimë kafenë e s’folëm gjë. Tash kur ai s’po më fton mua që të dalin barabar në cilësim mysafiri, unë po i flas të madhe: çka po bën, o budalla? Po a s’ke sy të shohësh, a s’ke vesh të dëgjosh, a s’ke gishta të prekësh. O i verbër, o i shurdhër, o i pa ndjenja! Po mos bëj or si unë, po bëj bile diçka të ngjashme. Shkruaj roman. Merrmë mua për personazh. Më paraqit në këto e ato skena, Më mori ai që e lexonim romanin së bashku, mua për personazh që e shkruan romanin dhe prej atij çasti lindi mospajtimi për vdekje në mes nesh në këtë botë, e ku unë duhej t’i paguaja qeranë, të bëja harxhime të mëdha jetësore, të jetoja në lukse, kurse ai të kursente. Vetëm me qeranë time mund të jetonte kollaj, po të tjerat…edhe një ditë – si sot një shekull – nëse do përpara nëse do prapa, se njësoj është, përderisa mbretëron harresa e skajit të tyre, pra askush s’e di çka ka pasur në fillim apo në fund të shekullit, kur këta merren e numrohen nga vitet e fundit, njëherë shekulli i vjeter, i shkuar, me fillimin e tij dhe së dyti shekulli i ri, me fundin e tij. E pashë në ëndërr se po më adhuronte lexuesi i romanit, si personazh i mundshëm (nga ana ime) dhe po gjatë ëndrrës unë i lakmoja për të arriturat e tij dhe tash si njeri që ma kishte jetën në dorë, duhej të ikja sa më larg nga fusha e tij e mahnitjes që përjetonte për mua dhe të dilja vetëm në qetësi normale të takimit dhe përsëritjes së njhohjes të dy njerëzve që janë njëri asgjë e tjetri gjithçka - personazh e krijues. “Nuk jam më njeri, por vend gjendjesh të mia” - hyra në bisedë me fjalët e kritikut , Sharl Dy Bos. “Kjo është gjendje e vendit kalimtar, vendit ku tashmë vetëm edhe trenat e brendshëm do të udhëtojnë nëpër ne” - nuk e kish harruar ai pjesën vijuese të frazës së Dy Bos. “Sa më hidhet të të vras, aq jam në gjendje të të përqafoj” - i thashë. “Këto janë fjalë që i pëshpërit gruaja në afshin seksual” - më tha. “Edhe grua jam.” “Në qofsh ti grua, atëherë unë burrë bëhem.” “Piskas vrastarisht.” “Vdes nga fisheku i piskamës.” Një materje e valë u derdh pak nën kërthizen time e pak mbi vendin ku ndahen këmbët. Ai u neverit nga ajo materje. U pështiros. Zuri inat me veten, se si u derdh mbi burrin. E urrejti atë materje. Tentonte të ikte sa më larg saj. Dukej si ikte prej gjenezës së vet, prej përkatësisë së vet. Mu duk sikur aq të largët e pashë, aq te rrejshëm, aq te huaj, sa u binda se tash ai po shkilej si banues me qera një kat nën mua. Dhe meqë unë peshoja mbi të, nuk ma kërkoi fare pagimin e qerasë. Nga frika se do të tregoj se çfarë disfate pësoi, qe i gatshem krejt të kursyerën të ma hidhte në prehër. I nxorri paratë e mykura nga dysheku ku i kishte strukur, dhe mi lëshoi në duar. Me mbuloi të tërin me para. Hipi në trenin e tij të brendshëm të quajtur harrim dhe në shtëpinë që po rrëzbitej e ngujoi gruan dhe I braktisi përnjëherë dy kupa me gralin e shenjtë të lëpira nga flaka e zjarrit, shtëpinë dhe gruan e ngujuar në të. Ajo po dergjet në praninë time. Deri më tash në procesin e zhbërjes dhe shhkatërrimit të kësaj shtëpie çeremidet iu kanë thyer. Dritaret kanë luajtur nga vendi dhe kanatat ndodhen në pozitë të shtrembëruar. Herë pas here në njërin nga kapakët e dritarës e shoh një kreaturë gruaje me kokën përgjysmë të nxjerrë jashtë, kah shikohet në njërën kanatë që e përdor për pasqyrë. Ajo ka shikim të largët dhe pritje të afërt të dikujt, që s’do të vijë kurrë. Ai kujton se unë rri në pozitë si me të me gruan e tij, prandaj i duket sikur edhe njëherë po i përsëritet historia.
Posted on: Sat, 23 Nov 2013 18:31:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015