Tregu kombëtar mekanizëm zhvillimi ekonomik : Sa "po" dhe sa - TopicsExpress



          

Tregu kombëtar mekanizëm zhvillimi ekonomik : Sa "po" dhe sa "jo"? – Nga Artan Fuga - Përgjigjen kësaj pyetjeje në thelb mund t’ia japin ekonomistët. Po nuk përjashtohet që çështja të shihet edhe më tej dhe përtej horizontit ekonomik. Padyshim që tregu kombëtar ka qenë në fillimet e kapitalizmit modern një faktor zhvillimi. Në disa pikëpamje strategjike ai mbetet edhe sot një instrument i rëndësishëm i mirëqenies së kombit dhe i forcimit të shtetit kombëtar. Pse edhe jo edhe një faktor shpeshtësimi marrëdhëniesh dhe shkëmbimesh midis bashkëkombësve. Fundja është thënë që, sidomos në shekujt e 18-të dhe 19-të, përforcimi i identiteteve shtetërore kombëtare lidhej edhe me kontrollin nga ana e faktorëve ekonomikë me të njëjtin identitet kombëtar të hapësirave kombëtare në rrafshin ekonomik. Dihet se kjo ka karakterizuar sidomos atë që në planin e perspektivave të asaj kohe kishte të bënte me krijimin e borgjezive kombëtare, forca ekonomike, politike dhe kulturore e periudhës së atëhershme. Lidhet gjithashtu edhe me gjendjen e teknologjive prodhuese dhe të komunikimit të periudhës në fjalë, çka në rrafshin politik ripohoi nacionalizmin modern. Mirëpo, lind gjithmonë pyetja nëse tregu kombëtar si instrument zhvillimi a është edhe më i rëndësishmi dhe i vetmi sot? A mund të jetë ai edhe sot instrumenti prioritar i zhvillimit? E mbi të gjitha: Çfarë do të kuptohet me treg kombëtar? Nga pikëpamja institucionaliste, pra normative dhe juridike, kuptohet që është më e lehtë dhe e kuptueshme që të ecet drejt heqjes së barrierave doganore, fiskale, në mënyrë që të lehtësohet dhe të rritet qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve, po ashtu edhe i flukseve monetare. Nuk mund të mos ndihesh mirë kur ndodhesh në pikën kufitare të Morinës dhe konstaton se për të kaluar nga territori i Shqipërisë në atë të Kosovës dhe anasjelltas nuk ka nevojë veçse për të pasur një kartë identifikimi dhe nuk ke për të paguar asgjë për të kaluar. Mirëpo, sot lehtësimi i barrierave doganore është një koncept dhe realitet shumë më i gjerë dhe nuk ka lidhje me çështje të natyrës kombëtare. Tregtia e lirë dhe parimet e saj, krijimi i tregjeve globale, si edhe perspektiva e Bashkimit Europian janë të mbështetura pikërisht mbi këto parime. Maks Weber qysh para një shekulli arsyetonte bindshëm duke u shprehur se ekonomia moderne nuk njeh “vëllazëri”. Pra, nuk njeh solidaritete pjesëmarrjeje në bashkësi të tjera veç atyre të mbështetura në arsyen instrumentale ekonomike dhe financiare. Këtu nuk është fjala për solidaritetin kombëtar në kushtet e arritjes së objektivave strategjikë politikë mbarëkombëtarë. Ai e kishte fjalën që në fushën e ekonomisë racionaliteti i mbështetur në rentabilitetin e fitimit, në rendimentin në punë, në arritjen e objektivave të konkurrencialitetit etj., janë faktorë përcaktues. Vetëm një ekonomi rentabël në këta parametra mund të bëjë që edhe solidariteti kombëtar të ketë instrumente të fuqishme për t’u realizuar dhe shprehur. Prandaj, ndaj si dy koncepte të veçantë, ndonëse me një farë lidhje, konceptin e arritjeve strategjike të objektivave politikë dhe kulturorë kombëtarë nga koncepti i tregut kombëtar si instrument prioritar zhvillimi. Nuk është e thënë që këto dy koncepte të mbivendosen mbi njëri-tjetrin, as nuk identifikohen midis tyre. Dihet se qysh në themelet e ekonomisë klasike, Rikardo shprehej se ka pasur prirje të fuqishme që bënin që në vend të këmbënguljes për t’u mbyllur brenda kufijve kombëtarë në fushën ekonomike, do të ishte mirë një pozicionim më i fuqishëm dhe më i logjikshëm drejt ndarjes ndërkombëtare të punës. Në kushtet e ekonomisë globale, të teknologjisë së informacionit dhe të një sërë ndryshimesh të tjera në strukturën e krijimit të produktit global kombëtar, nuk është e thënë që ndjekja në mënyrë prioritare e strategjive të mbështetura te tregu kombëtar të jetë më e suksesshme. Nuk është puna te tregu dhe përmasat e tij, puna është se na duhet kudo një shqiptar i konsoliduar nga pikëpamja e pronësisë, e punësimit, e zhvillimit profesional, na duhen politika publike që të kenë sa më shumë buxhete në dispozicion për t’i vendosur pastaj në shërbim të strategjive kombëtare, na duhen instrumente fiskalë sa më të përsosur me qëllim që të arrijmë parametrat e zhvillimit njerëzor, për të plotësuar kushtet e një zhvillimi të qëndrueshëm. A realizohen të gjitha këto në kushtet e një tregu kombëtar apo në kuadrin e kornizave të tjera reale, kjo është një çështje e dorës së dytë? Ekonomia ka ligjësitë e veta të zhvillimit dhe mbivendosja ndaj tyre e kritereve politike mund të ishte me pasoja ekonomike, financiare dhe shoqërore jo fort të këndshme. Tjetër është të ndjekësh objektiva politikë edhe në fushën e ekonomisë dhe tjetër është që instrumentet e dinamikave ekonomike të kufizohen nga kritere politike. Kjo strategji e dytë ka kufizimet e veta dhe nuk mund të shtrihet përtej disa kritereve racionalë. Personalisht i përmbahem idesë se tregu kombëtar, në kushtet e sotme, ndonëse ka rolin e vet si në planin institucional ashtu edhe në atë të ekonomisë reale, ka dy handikape që duhen mbajtur mirë parasysh. Tregu kombëtar, nga njëra anë, është shumë i ngushtë për disa zhvillime ekonomike, dhe nga ana tjetër është shumë e gjerë për disa zhvillime ekonomike të tjera. Është ose shumë i ngushtë ose shumë i gjerë. Është disi i ngushtë kur është fjala për hapjen jetësore drejt dinamikave të ekonomisë globale. Kjo ekonomi globale nuk mund të mendohet se mund të përmbyllet brenda veprimit të aktorëve ekonomikë shqiptarë. Në këtë plan marrëdhëniet ekonomike me tregun global, investimet direkte, pjesëmarrja në ndarjen ndërkombëtare të punës etj., kërkojnë për të parë shumë gjerë në tregun rajonal, europian dhe në atë planetar. Përndryshe mund të mbeteshim përgjithmonë pas në zhvillimet teknologjike, prej të cilave sot kemi një distancë boll të konsiderueshme. Tregu global dhe aktorët e tij luajnë shumë më gjerë sesa ekonomia kombëtare e çdo shteti të sotëm. Nga ana tjetër, tregu kombëtar realisht është shumë i gjerë për shkak se disa sektorë ekonomikë të hapësirave për të cilat po flasim janë në një bujqësi familjare, në sektorë shërbimesh me rreze hapësire të kufizuar, në ndërtim etj., çka e bën që shkëmbimet të jenë të lokalizuara e shumta në nivel krahinash, biles edhe në këtë dimension me një farë dobësie. Aq më shumë që këta sektorë ekonomikë vuajnë nga uniformiteti i produkteve dhe i shërbimeve që realizojnë, ndaj kanë pasur pak kapacitet shkëmbimesh dhe qarkullimi vlerash me njëri-tjetrin. Aktualisht, tregu shqiptar kërkon makineri e pajisje teknologjike për prodhimin dhe shërbimet, kërkon mallra konsumi me cilësi të lartë, elektroshtëpiake etj., të cilat është i detyruar t’i kërkojë në hapësira përtejballkanike, për shkak të cilësisë së tyre. Para sesa të mendojnë për më tej, ndofta krijimi i disa qendrave të tregjeve rajonale do të kishte qenë më afër një përqasjeje racionale. Rajoni, pra krahina, zona gjeografike me një identitet ekonomik dhe natyror dhe kulturor më të qartë jep më tepër mundësi zhvillimi. Aty bashkohen specifikat në burimet natyrore, përqendrohen investime direkte të huaja, si edhe kemi të bëjmë me distanca të cilat lejojnë që edhe sektorët ekonomikë ose të shërbimeve që përmendëm t’i përballojnë për t’i mbuluar. Ne kemi nevojë për tregje rajonalë më shumë se për çdo gjë tjetër. Biles disa qendra ekonomike rajonale. Me lehtësira fiskale, me profilime, të mbështetur në identitete subkulturore, në strategji transnacionale punësimi dhe investimesh. Pikërisht edhe në shërbim të rendimentit të punës, edhe në mbështetje të politikave publike, e medoemos edhe në të mirë të çështjes kombëtare.
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 18:30:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015