TË MARKOSH NAFTËN DHE T’I BËSH “NAFTËN” - TopicsExpress



          

TË MARKOSH NAFTËN DHE T’I BËSH “NAFTËN” KUSHTETUTËS?! ANDREA STEFANI Ka disa kohë që Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve (SHSHH) ka shfaqur mosdakordësinë me dy vendime të qeverisë Berisha lidhur me koncesionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve dhënë një bashkimi të shoqërive të huaja “Global Fluids International SA” dhe “Petroleum Consulting Partners AG”. Dhe përveç se janë marrë në dhunim të Kushtetutës së Republikës për sa i takon konkurrencës së lirë dhe politikës së taksave, në SHSHH këmbëngulin se vendimet e qeverisë dhe koncesioni i markimit në fjalë, jo vetëm nuk sjellin asnjë përmirësim në kontrollin e standardit të karburanteve në treg, por bëhen edhe një barrë prej disa qindra milionë dollarësh për konsumatorin shqiptar. Mos kemi të bëjmë me një tjetër rast korrupsioni, ku qeveritarët janë kujdesur të mbushin xhepat e të huajve dhe të vetët pa menduar aspak për taksapaguesit që i kanë votuar dhe interesat e të cilëve duhet të mbrojnë? *** Shënjimi apo ngjyrosja e karburanteve është një procedurë që njihet edhe në vendet e BE-së, si praktikë për shmangien e evazionit fiskal dhe dhunimin e standardeve të produktit. Por ajo që po ndodh në Shqipëri, lidhur me atë që tashmë quhet markim i karburanteve, duket ka devijuar dukshëm nga kjo përvojë. Pra nuk kemi të bëjmë me ngjyrosje, por thjesht me hedhjen e një kimikati në sasinë e karburantit që duhet të tregtohet. Këtë kimikat e posedon vetëm koncesionari i huaj. Dhe ai e ofron kimikatin kundrejt një pagese që është 8.57 USD për 1 ton. Sipas një llogarie, ky shërbim, për periudhën 10-vjeçare të koncesionit, do të kushtojë mbi 380 milionë dollarë amerikanë, që duke iu bashkëngjitur strukturës së kostos së produktit, do të reflektohen në çmimin e mallit, pra do të rëndojnë mbi konsumatorin e varfër shqiptar. Përse duhet të ndodhë e gjithë kjo? A i shërben një gjë e tillë ruajtjes së cilësisë së karburanteve nga mashtrimet? Përgjigjja që na vjen nga SHSHH është befasuese: Aspak! – thonë ata. Dhe shpjegojnë se vendimet e qeverisë nuk e lidhin fare markimin e karburanteve me kontrollin e cilësisë së tyre. Pra, kompanitë e huaja koncesionare nuk kanë asnjë detyrim dhe asnjë përgjegjësi lidhur me cilësinë e karburanteve që ato markojnë. Si edhe më parë, cilësia e karburanteve do të mbetet objekt i punës së një sërë institucionesh të specializuara të shtetit shqiptar që kanë edhe laboratorët e tyre për këtë qëllim. Atëherë përse u dashka që konsumatorët shqiptarë të paguajnë disa qindra milionë më shumë për të blerë karburante? Mos vallë se dikujt në qeveri i është tekur të jetë bujar me ca kompani të huaja, të cilat, të kënaqura me milionat, nuk mund të mos ia kthejnë mirënjohjen me të njëjtën monedhë? *** Mungesa e një impakti pozitiv në cilësinë e karburanteve të tregtuara po sipas SHSHH, e shndërron procesin e markimit në një taksë. Dhe e tillë cilësohet ajo edhe në një nga VKM-të në fjalë: Taksa kombëtare e markimit! E nëse është vërtet kështu, atëherë kemi të bëjmë me dhunim të Kushtetutës nga qeveria. Sepse, sipas dokumentit themeltar të shtetit shqiptar, “taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore… caktohen me ligj”, ndërsa në rastin në fjalë, kemi një taksë të caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Është kjo arsyeja që SHSHH ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin si antikushtetuese të VKM-ve mbi koncesionin e markimit të hidrokarbureve. Por ka edhe një shkak tjetër që shpjegon se përse SHSHH i është drejtuar Kushtetueses. Atje këmbëngulin se koncesioni i markimit të karburanteve është edhe një dhunim i lirisë së konkurrencës. Dhe sjellin si shembull faktin që në të gjitha vendet e BE-së, ngjyrosja e karburanteve (themi ngjyrosja, sepse markimi “Made in Albania” nuk është procedurë e pranishme në BE, por vetëm diku në Afrikë) apo shënjimi i tyre nuk është i përqendruar në duart e një kompanie apo një koncesionari të vetëm si në rastin shqiptar. Por edhe këtë monopol Kushtetuta e kundërshton, duke sanksionuar se “kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”. Mos vallë është “arsye publike” t’u japësh ca kompanive të huaja, s’dihet sepse, mbi 300 milionë dollarë, duke i bërë karburantet më të shtrenjta për publikun shqiptar? Prandaj, vendimet e qeverisë për koncesionin e markimit të karburanteve shfaqen absurde. Dhe në këto kushte, anëtarët e SHSHH-së i kanë mbështetur shpresat te Kushtetuta. Prandaj edhe sot do të ngjisin shkallët e Gjykatës Kushtetuese në një seancë për të kërkuar të drejtën. Një tjetër rast që provon se Kushtetuta nuk është një dokument formal, por një mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të gjithkujt që është pjesëtar i një shteti. I kompanive të biznesit dhe i qytetarëve. Mjafton që edhe gjykata t’i qëndrojë besnike asaj!
Posted on: Thu, 03 Oct 2013 15:51:12 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015