Të dhënat e Turqisë: Në Kazanë e Korçës janë 33 mijë - TopicsExpress



          

Të dhënat e Turqisë: Në Kazanë e Korçës janë 33 mijë vllahë shqipfolës Një vlerë e strukturës tonë kombëtare. Në analizën e këtij fakti të përplasjes së grupimeve vllehe të këtyre shoqatave, zbulohet tendenca e prirjeve greke në një anë dhe asaj vendase për të marrë autoritetin institucional të këtij komuniteti me të gjitha format e monopolit. Në vitin 2006 është e zbardhur plotësisht kjo prirje e marrjes së kryesisë së komunitetit vllah nga ana e z.Kristo Goxhi në cilësinë e nënkryetarit të P.B.D.NJ, sepse edhe përfitimet kanë qenë më të mëdha, prej shetit grek. Të klasifikosh komunitetin vllah, si një etni më vete d.m.th të sajosh kritere të paqena shkencore, sipas shtetit dhe origjinës historike. Është nocioni më i vështirë klasifikimi etnik, dhe mjaft i përshtjelluar në mjaft shtete apo rajone të botës. Kuptimi i fjalës minoritet etnik nuk argumentohet tek elementi vllah. Kjo edhe për faktin, se në momentin aktual nuk ekziston akoma një përcaktim universalisht i pranuar nga të gjithë vendet, edhe pse forume ndërkombëtare punojnë prej kohësh, që të arrijnë një gjë të tillë. Në terma të përgjithshme, një minoritet etnik mund të përcaktohej, si një bashkësi nënshtetasish të një shteti, që dallohen nga pjesa e saj maxhoritare dhe nga pjesë të ndryshme të tjera minoritare, në pikpamje të qëndrimit social, të cilët dëshmojnë të jenë ndërgjegja e kësaj veçorie. Edhe kaq, formulimi i paraqitur shërben vetëm, si një instrument metodologjik për trajtim dhe nuk mund të konsiderohet, si një mjet nëpërmjet të cilit mund të pohosh apo të mohosh ekzistencën e një minoriteti brenda një shteti. Përcaktimet për karakterin etnik nuk janë thjesht çështje interesi, por kur bashkohen elementët e gjuhës, fesë, (por jo gjithmonë), mënyra e jetesës, psikologjia dhe ngjyrimet raciale dhe ato antropologjike. Përveç këtyre futet edhe koncepti i identitetit civil në atdheun e vet etnik. Mirëpo problemi i minoriteteve, siç u shtrua në Atlasin Gjeografik të Popullsisë së Shqipërisë të botuar nga Arqile Bërxholi e Dhimitër Doka krijohet një imazh i rremë i përbërjes tonë kombëtare dhe i gabuar shkencërisht, për sa i përket konceptit për “grupet etnike”, si arrumunë dhe romë, për të cilët pohojnë, se në Shqipëri cilësohen, si “grupe kulturore apo gjuhësore”(faqe 98 e atlasit). Këto grupe janë asimiluar dhe nuk mund të flitet për grupe etnike, sepse asimilimi i tyre ka ndodhur gjatë një procesi historik, i cili ka filluar, qysh para krijimit të shtetit shqiptar dhe është zhvilluar brenda territoreve të bashkjetesës paqësore për vite të tëra. Autorët e atlasit japin për arumunët në vitin 2003 shifrën 139065 vetë, një shifër kjo shumë e dyshimtë, aq më tepër që kjo popullsi është sa e shpërndarë, aq dhe e pamatshme. Zyrat e gjëndjes cilvile, që të cilësohen në atlas nuk mund të provojnë përkatësinë vllehe të qytetarëve dhe nga ana tjetër kjo shifër bie në kundërshtim logjik edhe me shifra zyrtare të kohës, ku popullsia, që fliste gjuhën arumune, mund të matej më lehtësisht. Instituti Kombëtar i Statistikave dhe i Studimeve Ekonomike të Francës jepte në vitin 1946, se në Shqipëri banonin 10000-20000 arumunë. (Institut National Centrale et Balkanique et Des Etudes Economiques- Les Minorites Ethniques En Europe Centrale et Balkanique. Paris 1946, faqe 14). Po kështu të dhëna të besueshme japin statistikat turke, të cilat për vitin 1908, pohojnë, se në kazanë e Korçës kishte 33894 rumë (ortodoksë, që flisnin shqip), 1544 ortodoksë vllahofonë dhe 34171 myslymanë shqiptarë. Kuptohet kështu, se duke u marrë mesatarja e ritmeve të shtimit të popullsisë, duke përjashtuar edhe fenomenin e asimilimit kulturor dhe gjyqësor, shifra 139065 është rritur tej mase. Popullsia është rritur tre herë dhe kjo shifër në këtë propocion shtesë nuk mund të ishte më e lartë se 30000-60000. Prandaj të gjykohet drejtë dhe të studiohet kultura, gjuha dhe traditat vllehe dhe mbi të gjitha marrëdhëniet e mrekullueshme me shqiptarët, për të mos dhënë shifra të ekzagjiruara, të pabazuara shkencërisht dhe me tendencë dallimesh me shqiptarët, duke i paraqitur, si grup etnik, sepse nuk janë, as të ndershme dhe as të dobishme. Pakicat etnike, qoftë ato të sajuara vllehe nuk mund të krijohen me dëshirën e njërit apo tjetrit. Kamuflimi gjoja shkencor për të paraqitur diversitetin kulturor të shoqërisë më të thellë, se ç’është ai në realitet është mjaft e dëmshme, për faktin, se mund të provokojë reagime nacionaliste dhe pse jo shovene. Njëkohësisht nuk i shërben stabilitetit dhe integrimit, që ka ardhur natyrshëm për kombin shqiptar nga bashkëjetesa historike. Si rezultat trajtimi, si “etni” më vete të vllehëve përbën jo vetëm një gabim të rëndë institucional, por rrezikon një të vërtetë shkencore për këtë çështje nga të dy anët qoftë në dukurinë e formës nacionaliste, qoftë edhe në dukurinë e formës së ideologjisë evropianiste, integruese. Në këtë çështje vllehët nga pikpamja e pronësisë, së bashku me ata shqiptarë janë objekt studimi për veçoritë e tyre kulturore dhe tradicionale dhe të ngjizur fortë, si përbërës të bërthamës së përbashkët të kombit tonë shtetformues. Për sa më sipër përçarja e elementit vllah, në mënyrë konvencionale d.m.th sipas interesave të shteteve, që ato referojnë nuk do të thotë, që të kesh të drejtën e ndarjes nga ngjizja vllaho-shqiptare, si bërthamë e kombit tonë. Shkencëtarët, studiuesit, historianët, filozofët e Shqipërisë, që nuk kuptojnë këtë çështje të elementit vllah, se përse po del aktualisht kaq shumë në sipërfaqe, duhet të shkruajnë e punojnë, që kjo vlerë kombëtare të mos cenohet për asnjë arsye, a motiv qoftë. Janë tjetër gjë përfitimet kulturore, arsimore e pse jo materiale, që vllehët mund të marrin, prej Greqisë apo prej Rumanisë apo Italisë, por siç e deklarojnë dhe vetë vllehët mbi të gjitha Shqipëria, është mëmëdheu i tyre. -Disa argumenta historike të trevës jugore Korçë, Leskovik, Përmet, Kolonjë në ekzistencën e tyre materiale dhe morale. Në studimet shkencore, që janë bërë në lidhje me këtë trevë shqiptare, për çështjen në fjalë, po i referohemi disa të dhënave për shekujt XV-XVI, sepse burimet historike janë të pakta për periudhën para pushtimit otoman. Kjo ka arsyet e veta. Këto zona ndodheshin larg interesave politike dhe ekonomike të shteteve perëndimore, prej kancelarive të të cilave është trashëguar një material i pasur i dokumentar për krahinat bregdetare. Për këto arsye janë mjaft të varfra aktet dokumentare nga formacionet shtetërore feudale shqiptare. Një burim me rëndësi është memoranda e princit shqiptar Gjon Muzaka, e shkruar në vitin 1510, në të cilën gjatë përshkrimit të shtrirjes të principatës së Muzakajve, përmenden edhe fshatra të veçanta të trevës së Korçës dhe të Përmetit, por këto burime janë të mjaftueshme për të dhënë në tërësi gjëndjen e trevave juglindore, para pushtimit osman. Më të rëndësishme janë burimet, që paraqesin rregjistrimet kadastrale të tokave dhe të popullsisë, që u kryen nga sunduesit osmanë, pas pushtimit të vendit në shekullin e XV. Studiuesi Artan Pulaha në botimin “Studime Historike” viti 1990, nr. 17, ku flet për etnografinë shqiptare dhe trevat juglindore gjatë shekujve XV-XVI shkruan se: “Ndër regjistrimet më të hershme, që kanë mbetur në arkivat turke janë ato të vitit 1431 të kryera në trevat e Shqipërisë së Jugut, Qëndrore dhe Juglindore, pas zhvillimt të fushatës ushtarake osmane të udhëhequr nga Isa Bej Evrenozi. Këto janë burime historike me shumë rëndësi, që përmbajnë të dhëna të pasura dhe të shumëanëshme të karakterit ekonomik, shoqëror, politik dhe demografik, të nxjerra nga një njohje e drejtëpërdrejtë e terrenit, prej nëpunësve të kadastrës osmane. Ato lejojnë të ndriçohet gjendja në periudhën fillestare të sundimit osman, si dhe mjaft çështje të periudhës, para pushtimit të vendit. Burimi kryesor është defteri i regjistrimit të tokave rreth popullsisë, që kryen pushtuesit osmanë në vitin 1431, në trevat juglindore, të cilat formonin tashmë një njësi administrative më vete të ndara në tre vilajete: të Korçës, Përmetit dhe të Konicës”. Në këtë studim jepen të dhëna konkrete për shtëpitë e fshatit, familjet me dhe pa tokë, të ardhurat për spahijntë e deri në përbërjen beqar apo e martuar. Njëkohësisht në regjistrimet e bëra, pas vitit 1431 saktësohen dokumentet kadastralë dhe gjëndja demografike për fshatrat e reja, që krijohen apo për ato të zhdukura më parë, duke paraqitur të gjithë ndryshimet periodike. Pa dashur të sjellim shifra e fakte në këto dy drejtime të tokës dhe demografisë, del shumë i qartë karakteri shqiptar i kësaj zone në të gjitha drejtimet. Të gjitha fshatrat dhe qytetet të Konicës apo Voshtinës, të Korçës, Përmetit, të Kolonjës flasin shumë qartë, se ishin tërësisht shqiptare. Po t’i referohemi tabelave përkatëse, sipas ndarjes administrative të vitit 1431 p.sh për Kazanë e Korçës janë 92 fshatra të ndara në të krishterë dhe myslymanë, ku mbizotërojnë krishterët, sepse pas këtij viti defterët sjellin të dhëna për procesin e islamizimit. Në këtë zonë në gjysmën e parë të shekulllit të XV, e gjithë popullsia ishte e krishterë. Islamizmi kishte përfshirë vetëm elementët feudale vendas, që kishin hyrë në klasën feudale, sipas kërkesave islame. Në Kazanë e Korçës, në gjysmën e dytë të shekullit XVI, fenë islame e kishin përfaqësuar edhe një pjesë e fshtarësisë. Në Kazanë e Korçës numuroheshin 967 familje myslymane; në Kazanë e Bilishtit 879 dhe në atë të Përmetit 1092 familje myslymane. Në raport me sasinë e përgjithshme të shtëpive, të islamizuarit, si shtëpi zinin në Kazanë e Korçës afro 16% të tyre (843 shtëpi, kundrejt 5054 shtëpive), në Kazanë e Bilishtit 28% (784 shtëpi, kundrejt 2738 shtëpive), në Kazanë e Përmetit 14%. Pa u zgjatur me të dhëna më të hollësishme, zbulohet fakti i të qenurit element shqiptar në këto zona plotësisht pronare të tokave dhe të studiuara, sipas kriterit territorial; të gjitha shifrat e regjistrimet përkatëse japin pastër të drejtën e trashëgimisë së pronave shqiptare në shekuj. Një vështrim më tipik të kësaj zone e gjejmë në burimet bizantine, në veçanti për tokat shqiptare, që kanë qenë nën sundimit e Despotatit të Epirit (viti 1204-1215). Në kohën, kur sundimtar i Epirit ishte Mihail Komneni, të bën përshtypje fakti historik, që lufta e latinëve me bizantinët kufizohej me kalimin e maleve të Pindit, d.m.th atje, ku Greqia kishte kufinjtë e vet perëndimorë. Krahina e Albanonit përfshinte, edhe viset e Kosturit, si shqiptare. Malet Pirine (Pindit) ndajnë Epirin e Vjetër dhe të Riun nga tokat greke dhe nga toka tjetër e bizantit. Pra, ndarja administrative e Epirit (i vjetër dhe i ri) dhe e Greqisë kontinentale perëndimore kupton shtrirjen gjeografike edhe në fund të shekullit XII të Epirit shqiptar. Autori Theudor Skutarioti në veprën e tij “Paraqitje Kronikale” të botuar, prej K.N.Satha, ishte njëri nga intelektualët e oborrit të perandorit Theodor i Dytë Laskari (1254-1258). Për historinë tonë kombëtare ky autor jep të dhëna për dështimin e ushtrisë bizantine, kundër shqiptarëve, kur e gjithë treva jugore e Shqipërisë, deri në malet e Pindit, duke përfshirë edhe Artën ishte shqiptare. Qëndra e kryengritjeve shqiptare, sipas këtij autori, kundër perandorit ishte Kosturi. Kur u thye e “si pasojë u tërhoqën, deri në kufinjtë e tyre d.m.th të maleve Pirene (Pindit), të cilat ndajnë në kufi Epirin e Vjetër dhe të Riun nga tokat greke dhe bizantit”. Po kështu vijon ky autor, se “Domestiku i madh Aleks Stratigopulli dhe Jan Rauli, pasi kapërcyen malet Pirene, marshonin drejt Artës, duke lënë një ushtri për rrethimin e Janinës. Këta pushtuan Artën”. Kjo tregon, që Arta nuk ishte greke, por u pushtua, si shqiptare. Duke iu referuar të gjitha kronikave dhe autorëve të Bizantit, kufinjtë e Despotatit të Epirit dhe të territoreve shqiptare të atyre greke kanë pasur historikisht dhe gjeografikisht, si vijë ndarjeje vargmalet e Pindit. Janë me shumë interes të dhënat burimore, që flasin për Karl Topinë, në veçanti “Kronika e Janinës”, si dhe “Kronika e Tokove”. Në shpjegimet e autorëve të mësipërm zbulohen të dhëna, se në tokat e Epirit nga fundi i shekullit XIV dhe fillimi i shekullit të XV tregohet heterogjeniteti i popullsisë, ku përfshihen vlleh e bullgarë, por gjithmonë dëshmohet, se shumica e popullsisë përbëhej nga shqiptarë. Kronistët i specifikonin shqiptarët “shumë të panumurt” ose “shumicë pa fund”. Vllehët dhe bullgarët, si pakicë që ishin në vartësi të prijësve shqiptarë në Epir, paraqiten tepër primitivë dhe me botkuptim fetar ortodoks. Fakti i të qenit tërësisht të zonës jugore shqiptare autoktone vërtetohet, jo vetëm nga autorë të “Historisë së Bizantit”, por edhe të paraardhësve të tyre për të cilët kemi referenca të plota edhe tek autorët e vjetër klasikë grekë dhe romakë. Jo më kot Leon Rey në cilësinë e drejtorit të misionit arkeologjik francez në Shqipëri në vitin 1987 shkruan: “Se, kur u themelua udha Egnatia, që lidhte Adriatikun me Egjenë dhe vinte në komunikim qarkun e Ohërise me atë të Manastirit, nuk bëri tjetër gjë veçse të marrë një itinerar të vendosur, që prej kohësh…Megjithë këtë, më pëlqen të besoj se toka shqiptare përmban në ndonjë vend sekretin e banorëve të saj më të vjetër”. Kështu, duke shkuar deri në provat arkeologjike, argumentet historikë kanë të drejtën shkencore, që t’i pohojnë brezit aktual trashëgiminë legjitime të këtyre tokave, që po na i marrin grekët. Për sa i përket trashëgimisë kulturore, mjafton t’i referohemi studiuesit dinjitoz Ilo Mitkë Qafëzezit në shkrimin e tij për Voskopojën, i cili na zbulon se nga djegia e Voskopojës shpëtuan jo më pak se XIX libra, ndërsa mjaft botime kishtare dhe pedagogjike kishin datën e vitit 1720, por veprat e shpëtuara, deri në vitin 1944 përfshinin vetëm vitet 1791-1765. Sipas këtij autori, në Korçë një libër voskopojare, të vitit 1734, e posedon Stefanaq Faber. Manastiri Shën Pjetër i Vithkuqit ka në biblotekë shumë copë të njëjta botimesh të 1774 dhe një copë të 1744. Mungesa e këtyre librave e bën pak të errët edhe kohën e prejardhjes së vllehëve në këtë territor. Ajo, që të gëzon, është fakti historik i elementit vllah, si i pandarë në përgatitjen e alfabetit, si dhe burrat, që kanë dalë nga shkolla e Voskopojës. Kështu p.sh. Todi Haxhi Filipi ka qenë për shumë kohë koleg i Kavaliotit. Për të kuptuar rëndësinë e Voskopojës me të cilën me të drejtë mburren vllehët, po e ilustroj me një shëmbull. Autori grek Alekso Ullis në vitin 1868, Korfuz në faqen 70-73 me titull “Sintomos Ist Mitropolios Velegrallon”, shkruan se: “Një grindje interesante lind në 1779 në mes të dhespotit të Beratit dhe të Durrësit, kur ky i fundit, pas shpërndarjes së kryepeshkopatës së Ohërisë (1767), ka pushtuar padrejtësisht të parët enorinë beratas të Stërmenjit, Malësenin, Sirianin, Kuqanin, Gostimën, Muriçanin dhe ca fshtara të Shpatit. Në komisionin e mbylljes të kësaj grindjeje, i kryesuar prej dhespotit Joaqim të Korçës me porosi të posaçme të Patrikut të Stambollit Sofron figurojnë, si dëshmitarë edhe “Ierodhaskali Protopapa,Theodhori me Theodhor Haxhi Filipidin”, i cili nuk ka asnjë titull përveç emrit. Mbledhja e Komisionit është bërë në Voskopojë. Mirëpo, duke folur autori Ilo Mitkë Qafëzezi për Shinjon e Vladimirit të Elbasanit vë në diskutim vrasjen e Dhaskal Todrit, duke shkruar, se: Problem tjetër është vrasja e Dhaskal Todit në mënyrë të pabesë nga “Kolasët” (qiragjinjë), vllehë, kur u nis për të ardhur në Elbasan, prej Manastirit në vitet 1801 apo 1803, është në diskutim. Nuk ka përse ta vrisnin Todi Kavaliotin për t’i vjedhur torbat me shkronjat e shtypshkronjës, sepse në këtë datë (1803) figuronte si i vdekur, që më 1879 në Voskopojë prej zotit. Një njeri nuk mund të vdesë dy herë. Me këtë të dhënë I. M. Qafezezi i çliron vllehët nga akuza historike, si pjesëmarës në vrasjen e Dhaskal Todrit. Mbi të gjitha vllehët, mund të krenohen me Veqilharxhin, Vithkuqarin për punën e bërë për alfabetin shqip, por edhe si mësues i gjuhës shqipe për albanologun e madh gjerman Dr. Han. Një autor tjetër dinjitoz është K.N.Sathas, që dokumenton nga arkivi i Venedikut (vitet 1400-1500) me titull “Historia e Greqisë”, midis të tjerave, kur shkruan “në luftën kundër persianëve, grekët e justifikuan, si traditë, ndërsa në luftën, kundër banorëve sllavë, shqiptarë, vlleh të Peloponezit nuk bënë gjë tjetër, veçse krijuan terren pa rezistencë, ndaj pushtimit turk”; të gjitha ngjarjet historike të kësaj periudhe vllehët i përcakton, si një nocion të përzierë me shqiptarët në tërë territotin e Lakonisë, Pndin dhe të Epirit në përgjithësi. Asnjëherë autori grek nuk dokumenton ndonjë luftë të bërë, midis shqiptarëve dhe vllehëve, por kurdoherë, si aleatë ndaj pushtuesve të tyre. Me një kulturë dhe erudicion për t’u pasur zili, për marrëdhëniet e vllehëve dhe të shqiptarëve që paraqesin botimet e autores Dora d’Istria. Njëkohësisht mjaft albanologë dhe historianë përcaktojnë faktin gjenetik, që shqiptarët dhe rumunët ishin njerëz të lashtësisë të fiseve Daci Ans ose Thraci Ans, së bashku me ilirët autoktonë në Ballkan. Turhan Pasha në librin “Shqipëria para Konferencës së Paqes” vëllimi i parë, botuar në Romë në vitin 1919 faqe 9-20 shkruan: “Dakord, që kufinjtë e shtetit shqiptar të jenë, deri në vargamalet e Pindit”. Korçari Mihal Turtulli me 24.2.1919, para “Këshillit të të dhjetëve” deklaroi, se “grekët quajnë grekë të gjithë ata që janë ortodoksë. Unë jam ortodoks, por nuk jam grek. Bullgarët, serbët, rusët janë ortodoksë, por ata nuk janë grekë”. Pastaj M.Turtulli vijon, se “Lëvizja e Vitit 1914” në Shqipërinë e Jugut, jo vetëm kishte qenë e organizuar nga qarqet zyrtare greke, por ne të kishin marrë pjesë drejtpërsëdrejti ushtarët dhe andartët greke”. Ngjarjet e Konferencës së Paqes në Paris treguan, se deri në 21.1.1920, delegacioni shqiptar u thirr dhe u pyet sa për formë. Mihal Turtulli, si anëtar i këtij delegacioni, për më tepër, si i krishterë nga Korça me shumë vështirësi, u lejua të vinte në Paris. Shëmbujt historikë për këtë trevë jugore të Shqipërisë në marrëdhënie me Greqinë janë të reflektuara mirë dhe me një dokumentacion të pasur në arkivin tonë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që përfshinin çështjen e “Epirit te Veriut”. Sa për kujtesë po i referohemi, disa të dhënave prej tyre; p.sh në 5 prill 1950 gazeta greke “Vrallini” shkruan: “Kryesia e Shoqërisë Vorio-Epiriote të rretheve të Korçës, Përmetit, Voskopojës, Kolonjës, i bënë një vizitë gazetarit shumë të njohur amerikan z.Robert Kliman…”. Në datën 6 Maj 1950 gazeta greke “Ermis” shkruan “Vorio-Epiri mbas kryengritjes së vitit 1821. Vorio-Epiriotët e mëdhenj, mirëbërës të kombit grek Evangjelis Zappas- Kostandinos Zapas- Apostolos Arsaqis- Jeorgjijos Sinas- Hristaqis Zografos- Ioanis Bangas…”. Pasi i’u bëhet biografia e shkurtër, secilit si përkrahës të interesave pangreke theksohet, se me ndihmën e tyre materiale të pakufijshme, gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX d.m.th në fillim të luftërave ballkanike funksiononin 360 shkolla greke me 22595 nxënës dhe në një popullsi afro, prej 120000 greke. Artikulli përfundon ndjenjat e popullit të Epirit dhe dashuria e tyre kundrejt nënës Greqi, janë dëshira për origjinën e tyre të pakundërshtueshme ultra greke. Në artikull tregohet, se vendi i këtyre Vorio-Epiriotëve të mësipërm, si grekë janë: Labova e Tepelenës, Hotova e Përmetit, Voskopoja e Korçës, Qestorati i Gjirokastrës dhe Korça. Me anën e këtyre renegatëve bëhet thirrje për çlirimin e Vorio-Epirit. Renegatët kanë dalë në fotografi në Athinë së bashku me klerikun e lartë grek Pandeleimon, duke vendosur kurora lulesh në varrin e ushtarit të panjohur. Gazeta “Elmis” 6 Maj 1950, në kryeartikullin e saj “Padrejtësia e Madhe”, shkruan: “Me 1914 Greqia, pas vendimit të padrejtë të aleatëve u tërhoq nga rrethet e Himarës, Gjirokastrës, Përmetit, Kolonjës dhe Korçës, të cilat një vit më parë i kishin çliruar nga zgjedhja shekullore. I gjithë kombi grek ndjen një dhëmbje të madhe për shkëputjen e pjesës së gjallë nga trungu i tij. Kjo pjesë e pandarë, që prej 1914 kaloi në histori me emrin “Epiri i Veriut”, e cila deri sot nuk ka pushuar nga vuajtja të martirizohet dhe të luftojë me vendosmëri për çlirimin e saj të plotë…Propoganda armiqësore, kundrejt Greqisë paraqet Vorio-Epirin, si tokë shqiptare, populli i së cilës është shqiptar dhe në të cilën rri një komunitet i vogël grek. Historia e vjetër dhe ajo e re dëshmojnë krejt të kundërtën. Shqiptarët dhe mbrojtësit e tyre me prapamendime pretendojnë, se që prej kohërave të lashta Vorio-Epiri banohesh nga ilirët, që kanë si stërnipër të tyre shqiptarët e sotëm. Është një çështjë shumë e diskutueshme në rast se shqiptarët rrjedhin nga ilirët e vjetër. Shqiptarët si popull janë dukur nga mbarimi i epokës së Mesjetës, por jo si popull i bashkuar, pa ndonjë qytetërim elementar, pa ndjenja kombëtare. Shqiptarët, si një total njerëzish kanë banuar në skajet malore, në Veri-Perëndim të Ballkanit. Sidoqoftë nuk është ndodhur ndonjë shkrimtar grek apo romak, i cili në shkrimet e tij të ketë përfshirë edhe Vorio-Epirin me Ilirinë dhe, as ka ekzistuar ndonjë dëshmi e tillë në lidhje me të. Shkrimet e vjetra tregojnë, se vendi i ilirëve fillonte shumë larg nga kufinjtë e sotëm të Vorio-Epirit. Në tokat e Vorio-Epirit nga Joni e deri në Korçë gjenden aq të dëndura ndërtimet e vjetra greke, akropolet e vjetra greke, kalatë e vjetra greke, me shumë mbishkrime e shenja të tjera dhe që vërtetohen, se çfarë populli banonte në ato vende në kohërat e vjetra. Në vitet e para të epokës, pas Krishtit, helenizmi ishte përhapur më shumë në Veri dhe që nga kjo, një pjesë e Shqipërisë u helenizua dhe që romakët e asaj kohe e quanin “Iliria greke”.
Posted on: Sat, 07 Sep 2013 09:49:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015