Të nderuar xhematlinj, feja islame i ka kushtuar një rëndësi - TopicsExpress



          

Të nderuar xhematlinj, feja islame i ka kushtuar një rëndësi të madhe pastërtisë së jashtme dhe të brendshme të njeriut. Këtu hyn edhe largimi nga rrugët e ndyra, siç janë droga alkooli, prostitucioni. Në këtë ditë të madhe xhumaje kemi rastin t’ju prezantojmë një temë që hyn në grupin e temave aktuale: dëmet që sjell droga. Gjatë kësaj ligjërate do të orvatemi që në mënyrë koncize të shpalosim disa nga dëmet e kësaj dukurie vdekjeprurëse që po rrëmben të rinjtë tanë. Droga është një fenomen i pandashëm i cili ka tronditur mbarë vendet me më perspektivë. Me nocionin “drogë” nënkuptojmë të gjitha substancat që veprojnë në sistemin nervor të qelizave të njeriut dhe tjetërsojnë sjelljen e tij, i hapin rrugë fenomenit të jotolerancës dhe më pas shkaktojnë varësi fizike dhe psikike. Sot në botë, qoftë ajo islame apo joislame, punohet pandërprerë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i jepet fund marrjes së të gjitha llojeve të drogave. Vëllezër besimtarë! Droga është një dukuri jashtëzakonisht e rrezikshme, e cila e shkatërron shëndetin e njeriut pa mëshirë, prandaj prej nesh kërkohet që kësaj dukurie të shëmtuar t’i themi stop dhe njëherë e përgjithmonë ta mbajmë shoqërinë të larguar dhe të distancuar nga të gjitha rrugët që shpijnë deri te porti i saj pa kthim. Shumë vende të botës i japin rëndësi të madhe informimit të duhur e me kohë të popullatës së tyre duke raportuar për veprimin e rrezikshëm të konsumuesve të drogës. Gjithashtu rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe gjetjes së ilaçeve shëruese apo metodave për shërimin dhe mjekimin e narkomanëve, në mënyrë që ata t’i shmangen drogës dhe të mos bëhen të varur nga llojet e ndryshme të saj. Është me rëndësi t’ju tregojmë, të nderuar xhematlinj, se droga apo dëmet që sjell ajo në shumicën e rasteve janë dukuri të vështira për t’u kuptuar dhe si të tilla, nëse nuk marrim masa në fillim të infektimit të pacientit, vështirë është të zgjidhet ky problem dhe njëherazi është e rrezikshme dhe me karakter epidemiologjik, pasi e shkatërron shumë shëndetin e të rinjve tanë kosovarë në kohën më të mirë të jetës së tyre.
Posted on: Mon, 28 Oct 2013 10:21:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015