VAJE ME SHTATË OI PËR ZIKO KAPURANIN.Poemë nga SHERIF BALI July - TopicsExpress



          

VAJE ME SHTATË OI PËR ZIKO KAPURANIN.Poemë nga SHERIF BALI July 22, 2013 | Filed under: Poezi | Posted by: admin VAJE ME SHTATË OI PËR ZIKO KAPURANIN IKJA E MIQVE Nga SHERIF BALI Zyrtar, që këto rreshta po lexon: Dhe hapet. Varri nuk harron. Më 15 tetor të këtij viti (2012), mbylli sytë (por jo vargjet!) në Menemeni të Selanikut, një nga miqtë e mi më të mirë të kohës së trishtë të ushtrisë dhe një nga poetët shqiptarë më të shquar të ekzilit, autori i dhjetëra librave me poezi, prozë e publicistikë (shqip e greqisht), Ziko Kapurani, ai Ziko që deri në nëntëdhjetën ndiqej nga sigurimsat ,si armik i popullit, e pas nëntëdhjetës nashojorgaqët e alialinjtë s’i futën asnjë varg në ato antologjitë e tyre të arta e gjysmë të arta (por më shumë të tharta!), po ashtu, organizatorët e festivaleve poetike të ashtuquajtura ballkanike e deri ndërkombëtare, ku ftohej më shumë për dekor, nuk i dhanë asnjë çmim nga ato çmimet e tyre zulmëmëdha (mjaftonte për këtë vjersha Lojë me gurë apo Zonja A.!) me të cilat mbushnin torbat, kur iknin, mjaft mediokër këtej e matanë kufirit, pra, ai Ziko, që kur hynte në tokën greke, mblidhte gurë e qëllonte Shqipërinë dhe kur kthehej në vendlindjen e tij në Floq, i mblidhte përsëri ata gurë e qëllonte Greqinë, kurse në ditën e largimit të tij nga jeta asnjë media elektronike apo e shkruar nuk dha për të qoftë dhe një njoftim të shkurtër ofendues siç dha Njuz 24 për poetin dhe përkthyesin e njohur Perikli Jorgoni “u aksidentua me vdekje duke kaluar autostradën në Durrës, i moshuari Perikli Jorgoni”, poeti dhe përkthyesi ?, se mos janë biznesmenë, ish-byroistë apo politikanë krijuesit që të rendin pas tyre gazetarët e t’u shkruhen titujt, ofiqet e bëmat me të madhe!, por… hapet varri. Varri nuk harron., thotë Serembia gjenial, e si do të rrinë ahere këta gazetarë (të pavarur e të varur!) pa politikanë e kockëhedhës? Mirë ata, po ajo ngrehina që quhet Ministri e Kulturës, me gjithë ata aparatçikë rrogëngrënës, ç’bën për këta martirë të kulturës? (Sidomos, kur mendon se Shqipëria është ndërtuar nga poetët, kur në vitet 12-13 të shekullit të kaluar, në Janinë e Shkodër, u braktis nga “Baballarët e Kombit”!) Pa mbushur ende të dyzetat Ziko, shkova në Kapshticë, t’i gjej ata gurë me të cilët ai qëlloi për 22 vjet me radhë (1990-2012) herë Shqipërinë (kur ikte!), herë Greqinë (kur vinte!). I gjeta e i mblodha të gjithë një e nga një dhe i ngrita atij me ta një bust të vogël modest, por jo në buzë të rrugës, si ata lapidarët e gjakmarrjes apo aksidenteve automobilistike, por në mes të librit tim poetik më të ri “Vaje me shtatë oi për Ziko Kapuranin”. Po ia heq bezen e kuqe tani këtij busti: Shikojeni! Zyrtar, që këto rreshta i lexove: Dhe ti e ke një varr. Si s’e kuptove?! Lushnje, e premte, 28 dhjetor 2012 VAJE ME SHTATË OI PËR ZIKO KAPURANIN 1 -O gjëmim, o gjëmim, o gjëmim, Mbi Tiranë, mbi Tiranë, mbi Tiranë, Me një shpim, me një shpim, me një shpim, Në kambanë, në kambanë, në kambanë! A e di, a e di, a e di, Në ç’datë je, në ç’datë je, në ç’datë je, O sherrxhi, o sherrxhi, o sherrxhi, Pa atdhe, pa atdhe, pa atdhe? -Është tetor, është tetor, është tetor, Lart tek retë, lart tek retë, lart tek retë. Data mor, data mor, data mor, Pesëmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë. Ziko ynë, Ziko ynë, Ziko ynë, Sot na la, sot na la, sot na la. Me Zotynë, me Zotynë, me Zotynë, Tash është pra, tash është pra, tash është pra. 2 O Ziko, o Ziko, o Ziko, Që ike, që ike, që ike: Në ç’pliko, në ç’pliko, në ç’pliko, U fike, u fike, u fike? Ç’më vrave, ç’më vrave, ç’më vrave, O humbo, o humbo, o humbo, Ndan grave, ndan grave, ndan grave, Me rumbo, me rumbo, me rumbo. Të mori, të mori, të mori, Sa erdhi, sa erdhi, sa erdhi, Tetori, tetori, tetori, (I verdhi!). (I verdhi!). (I verdhi!) Të ruan, të ruan, të ruan, Nën drithë, nën drithë, nën drithë, Ku shkuan, ku shkuan, ku shkuan, Të gjithë, të gjithë, të gjithë. 3 Në tako, në tako , në tako, Ç`të vunë , ç`të vunë , ç`të vunë, Vëllako , vëllako , vëllako, Nën blunë, nën blunë ,nën blunë. Më s`vete , më s`vete , më s`vete , Tek miket ,tek miket , tek miket , Por mbete , por mbete , por mbete , Ku s`iket , ku s`iket , ku s`iket. Ku s`iket , ku s`iket , ku s`iket, Sytë shuhen , sytë shuhen , sytë shuhen, E miket , e miket , e miket , Më s`duhen, më s`duhen, më s`duhen. Vëllako, vëllako ,vëllako : Nxir kokën , nxir kokën , nxir kokën, Në tako? Në tako ? Në tako ? Lër tokën ! Lër token! Lër tokën! 4 Oi për Ziko Kapuranin Oi Për vargjet që mezi e mbanin Oi Oi për flakën e qiriut Oi Që dritë i bën mbi pllakë të ziut Oi Oi për krillat në shtegtim Oi Që dot s’i erdhën në varrim Oi Oi për penën që ti pate Oi E që u bë prapë pupël pate Oi 5 Ziko, a e di kush më erdhi në Lushnje për kryeshëndoshë për ty, Pa rënë ende e verdha e pjeprit tim Mbi fytyrën tënde? Koço Kosta Me Sofie Kondilin, Koço Kosta, Ziko, Koço Kosta i famshëm. Nëse ti thua për mua tek I kthyer në re: Sherif-Esenin-Seferis, Unë për të them: Koço Kostë-Ivo Andriq-Kazanzaq. Sofie Kondili kish veshur gjakun e saj (Se s’kishte fustan) Atë gjak që iu derdh kur u hodh në greminë. Sa i bukur kish dalë ai gjak, sa i bukur! I shkonte më shumë se fustani, po të kish. Më ngushëlluan për ty. Si? Nuk e ditke? Nuk ta kanë thënë? Prita miq, për ty, në të tretat e tua , prita miq, Ziko! 6 Oi për Zikon ku ka shkuar Oi Ku trupi s’ka nevojë për duar Oi Oi për sytë që u meksën Oi E s’do ta shohin më Aleksën Oi Oi për gurët që ti hodhe Oi Për bustin dot më nuk i mblodhe Oi Oi për vargjet që më s’shprehen Oi Nën tokë me Zikon do zbërthehen Oi 7 U bëre kurioz kush më erdhi tjetër për kryeshëndoshë,Ziko, Pa rënë ende e blerta e ahishtes tënde, Mbi fytyrën time? Erdhën shumë, miku im , erdhën shumë. S’numërohen. Nuri Plaku më mori në telefon Nga kati i dytë i një reje mbi Fier, Novruz Shehu nga çerdhja e bilbilit në jelen e kalit të tij, Por më e çuditshmja, e di kush më erdhi? Esenini me Shaganenë Dhe Seferisi Me Maron! -Si mos të të vinim, thanë ata, si mos të të vinim, Kur Ziko ty të ka futur Në dyshen tonë? Tani u bëmë tre! Ti po më pyet për Skënder Rusin? Ai s’kishte kohë, s’kishte kohë të vinte, Po ndante çmimet poetike për të mëdhenjtë. Unë dhe ti, Ziko, jemi të vegjël. (Nuk dukemi!). 8 Oi për gurin tënd nga Floqi Oi Në Menemeni dot s’të ndoqi Oi Oi për bletën në koshere Oi Që nuk ka dalë gjer ahere Oi Oi për brirët e një dreri Oi Që më në kokë s’mund t’i veri Oi Oi për derën që u hap Oi Për ty. Po ti më s’kthehesh prapë Oi 9 A e mban mend, Ziko, atë natë njëmbëdhjetë çerekshe Kur erdhe tek unë i rraskapitur Nën hënën 85? Njëmbëdhjetë çerekshe qe nata, por hëna pesëmbëdhjetë çerekshe (Qe zmadhuar nga gëzimi i vdekjes së Diktatorit!) E kishe bërë në këmbë Rrugën Floq-Balaj Vetëm për mua Survejuar nga spiunët: Ku vete? Pse shkon? Ç’e lidh me Sherif Balin dhe hënën 85, Pikërisht tani që vdiq shoku Enver? Por më keq se spiunët Të paska ndjekur nga prapa data 15 tetor, Ziko, Data që të mori e të la në Selanik. Por si hipi, Si hipi kjo datë, Në katin e tretë atje tek ti në Menemeni?! 10 Po kur erdha un tek ti, a e mban mend lepuri yt, Ai lepuri i vetëm që kishe dhe e there për mua? Mbi Floq dridhej nga era Një si zinxhir i bardhë hallka – hallka, Apo qe bishti i lepurit të therur që përpëlitej në oborr? Jo, vargu i krillave që shtegtonin drejt jugut. -Hyri vjeshta, mërmëriti Aleksa. -Jo, hyri Sherif Bali, – ia ktheve ti, Ja ,vargun e fundit tek na e ka sjell mbi Floq, E po shkon drejt Greqisë. Qe 1 shtator i vitit 90. Një ditë më parë Sapo ishe kthyer nga Selaniku Si një Milosao për tek bija e Kallogresë I ndjekur këmba-këmbës jo nga De Rada, Por nga data 15 tetor. Të tretat të ranë në tetëmbëdhjetë, Në një datë me çlirimin e Lushnjës sime E, si ta festoja atë ditë çlirimin e saj unë? (Por le – e kam thënë – ti s’je çliruar ende, moj Lushnjë.) 11 Oi për greken që u mbyt Oi Në vendet ku ti pate sytë Oi Oi për syzet përmbi triko Oi Që ende pyesin “ ku është Ziko “ Oi Oi për bukurinë në vrap Oi Që nuk ka më se kush e kap Oi Oi për kafkën pa buzëqeshjen Oi Që prapë nën tokë e nisi ndeshjen Oi 12 Tetorin, Ziko, tetorin, mes përmes e çave tetorin Me datën 15, Siç çan ai mes përmes një shegë të sapopjekur T’i duket brenda Lushnja me Shtëpinë e Kongresit Dhe ime shoqe Shega, Që del nga shega. Këtej jemi ne: Aleksa, Jani, Dhimitri Nuriu (Plaku) Unë. Matanë jeni ju: Ti, Dara (I Riu) Seferisi, Maro, Ricosi, Është e hollë data 15, Ziko, na sheh e ju shohim! 13 Ah, Ziko, po ato mbrëmjet e trishta të ushtrisë Të viteve të largëta 70-71, A i mban mend? Të gjithëve mbi helmeta u pasqyrohej partia, Vetëm ne të dyve Na pasqyrohej Hëna. Dhe lorka Ne ishim dy zilka në qaforen e një kali. Për të mos tërhequr vëmendjen, Me bar gjithë ditën i mbushnim të dy zilkat. Vetëm mbrëmjeve, kur dilnim të vetëm mbi Kaninë, Barin atyre ua hiqnim te dyjave Dhe tringëllinin ato : tring-tring, tring-tring. Tring-tring, tring-tring, u përgjigjeshin atyre Shtatë zilka të tjera në qiell sipër Vlorës, Nëpër krahët e një gushëkuqi. Tani ne ato s’i mbushim më me bar, Por në qaforen e kalit veç një zilkë, ah, ka mbetur! 14 Oi për lumin që u tha Oi Nga peshku gjer në SHBA Oi Oi për pamjen e një busti Oi Me gjasme është Marsel Prusti Oi Oi për rrotat e një treni Oi Ku s’është as Ziko as Migjeni Oi Oi për ne dhe për ata Oi Që i themi vdekjes marshalla Oi 15 Ziko, sonte natën dola erras në kopsht, Si një kusar me këta vargje në brez, Mos më shihnin fqinjët, Pa ndezur dritën, Pa ndezur as hënën (Se unë shpesh, kur shëtis natën fushave, Ndez hënën, Ziko, në pamundësi të ndez dritën E ku ka drita fusha?!) Me furçë në dorë Zura të lyej me bojë të zezë Kokrrat e kuqe të mollëve të pjekura Që i bënin karshillëk Pikëllimit tim. Si të rrinin ato Ashtu veshur me të kuqe, Kur mua më ka ikur miku im më i mirë?! Me të zeza do t’i lë deri në të dyzetat, Kur ta prish unë zinë, Do ta prishin atë dhe mollët e mia, Ziko! 16 Oi për arkivolin plot Oi Që s’të lë më të kthehesh dot Oi Oi për baltën që ti deshe Oi E bëhet kot fytyrë mikeshe Oi Oi për yllin që nuk shuhet Oi E lart i ndrit atij që s’duhet Oi Oi për arkivolin bosh Oi Që vjen të merr dhe mos t’i shkosh Oi 17 Sot në mëngjes ,kur u ngrita,pashë i çuditur, Ziko, Se kavaku im që kam mbjellur tek porta, Kishte lënë në ajër folenë e vetme që pati Dhe kishte ikur Nuk di se për ku. -Vërmë në kokë ,mu lut foleja, Vërmë në kokë, se s`po qëndroj dot më në ajër, Do të bie në rrugë e do të më shkelin me këmbë njerëzit. Tek unë e shkon natën një harabel jetim, Prandaj, imzot, nuk më mori me vete, Më la këtu.Merrmë.Aq më shumë. Nuk ke dhe kapele.Përdormë në vend të saj. Ai ku ka shkuar?U nis për në Menemeni. Ah , po , u kujtova :Të shtatat e tua janë sot, Ziko, Unë nuk vij dot, jam i papunë, Vajtje – ardhje duhen njëqind euro, Por të nisa këtë vaje me shtatë oi E me fole në kokë Po pres tek porta nën muzg të vijë harabeli jetim. 18 Oi për kalin me fre vargu Oi Që hingëllin për ty së largu Oi Oi atij ti sa i zbrite Oi Në Menemeni një pasdite Oi Oi për bardhësinë e shkumësit Oi Që rrugën s`ja tregon më humbësit Oi Oi tani dhe për vit-gjorin Oi Që plagë e ka pesëmbëdhjetë tetorin Oi 19 O Ziko, o Ziko, Ziko, Po eja, po eja, po eja: Ja, miko, ja, miko, ja, miko, Xhadeja, xhadeja, xhadeja. Nën grurin, nën grurin, nën grurin, E meshës, e meshës, e meshës, Sill nurin, sill nurin, sill nurin, Përqeshës, përqeshës, përqeshës. Sill flakën, sill flakën, sill flakën, Që s’pyet, që s’pyet, që s’pyet, Për pllakën, për pllakën, për pllakën, Te kryet… te kryet… te kryet… E solle, e solle, e solle, Në pako, në pako, në pako? Fitore, fitore, fitore, O plako, o plako, o plako! 20 Lajm i zi, lajm i zi, lajm i zi, Që m’u dhe, që m’u dhe, që m’u dhe, Nga një shi, nga një shi, nga një shi, E tri re, e tri re, e tri re-, Dhe gjëmim, dhe gjëmim, dhe gjëmim, Mbi Tiranë, mbi Tiranë, mbi Tiranë, Me një shpim, me një shpim, me një shpim, Në kambanë, në kambanë, në kambanë! Tani shko, tani shko, tani shko, Çlodhu pak, çlodhu pak, çlodhu pak, Tek ajo, tek ajo, tek ajo, Murga pllakë, murga pllakë, murga pllakë. Mikut t’lumë, mikut t’lumë, mikut t’lumë, Silli paqë, silli paqë, silli paqë. S’dua shumë, s’dua shumë, s’dua shumë: (Vetëm kaq!). (Vetëm kaq!). (Vetëm kaq!) 21 ALEKSËS (GRUAS SË ZIKOS) Këtë vaje, këtë vaje, këtë vaje, (A oi!). (A oi!). (A oi!) Për të ndaje, për të ndaje, për të ndaje, Si grurë ti, si grurë ti, si grurë ti! Lushnjë , 22 Tetor 2012 VARGU I KËPUCËVE NË QIELL -Për ku po shkoni, o varg këpucësh në qiell? -Të gjejmë të zotët tanë ku kanë ikur. Ja,ja, Dy këpucë, Me dy lidhëza ajri bardhë e zi Tek ranë mbi Menemeni, sipër një varri, Qenkan këpucët e Zikos që mbante në Floq. -E gjetët me vonesë tët Zot, o këpucë, Po tani si do ktheheni , pa të, prej nga erdhët?! PSE E DUA KUÇOVËN Kuçovën e dua se një esmere e saj S`e di se me ç`lloj pigmenti të mistershëm Netët e zeza të rinisë sime m`i zbardhe. Pastaj po Kuçova e ngre çdo natë hënën mbi Lushnje Pa mbajtur mëri pse s`u bëra dhëndrri i saj. KUÇOVA Kuçovës, Të kuqtë, Për nder të Stalinit, Ia kthyen emrin Nga Kuçovë në Qyteti Stalin. A ishim a s’ishim fener ndriçues në Europë? A ishim a s’ishim portokalle me vajguri? 40 vjet me radhë Këtë emër mbajti Ajo Mbi ballë, Jo si një nishan (si i Margarita Xhepës p.sh.) Por si ekzemë (Margarita Xhepë, më fal!) Demokracia ia ktheu përsëri në Kuçovë, Ia hoqi portokalles nga kokrra vajgurin. Megjithatë, Kur i pyet banorët e saj: Nga jeni, Shpesh dhe sot të përgjigjen “nga Qyteti” Dhe të shikojnë në kokërr të syrit, Sikur aty do t`u shfaqet Fytyra e Stalinit. A ka përgjigje më kuptimplote se kjo? Ah, portokalle, që kërkon të rrish me vajguri! QYTETI NË PROVË Mora rrugën për Kuçovë, Ditën-o, natën-o. Pas pa asnjë rus moskov, Ditën-o, natën-o. Pas dhe pa arap Haxhinë, Ditën-o, natën-o, (Se nuk shkoja për Janinë) Ditën-o, natën-o. S’qe as miku im më i mirë, Ditën-o, natën-o (Se nën Selanik qe shtrirë) Ditën-o, natën-o. Kalova urën e Kuçit, Ditën-o, natën-o, Vetëm me arapkë Lushnjën, Ditën-o, natën-o. Ç’kërkoja më shumë fundja, Ditën-o, natën-o, Nën një hënë që vetë e tundja, Ditën-o, natën-o. Si dikur në vitet triste, Ditën-o, natën-o, Ja dhe plepi tek më priste, Ditën-o, natën-o. Po ku ishte tash perria? Ditën-o, natën-o. Të paktën të dilte e bija! Ditën-o, natën-o. Së ëmës t`i lante fajet, Ditën –o, natën- o, Të më lehtësonte vajet, Ditën-o ,natën – o. Kuçovë,e zezë Kuçovë, Ditën-o ,natën – o, Ende je qytet në provë, Natën –o , ditën-o! TË SHTATËT KUNDËR LUSHNJËS Nga letrat e tua që më pate dërguar, Ziko, Në vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë, Ruaj vetëm shtatë. Ah, shtata, ah, shtata! Vërtet më kujton ditët e javës ajo (Sidomos të shtatën-ditën e nuseve) Apo atë Luftën dhe Paqen e famshme nën re: Ylberin, Por më shumë Ajo më ndërmend Të shtatët kundër Tebës. Tani të shtata Kundër meje ato letra janë sulur: -Ku i ke, ku i ke shoqet tona, pse i zhduke? Si the? Frika? Dekonspirimi…? Rrezikshmëria…? Pse, po ne ishim Më pak të rrezikshme?! Si? Të dukeshin pa rrezik këto fjalë: Do të vijë dita jonë, Kur t’i botojmë dhe ne veprat tona Si këta Në seri?! Qetësoji, Ziko, qetësoji të shtata. Vërtet s’po sulmojnë Një qytet të shenjtë Siç ishte Teba Por, sidoqoftë, nuk është më pak e shenjtë dhe Lushnja! HAPINI NJË VEND Hapini një vend dhe Ziko Kapuranit, yje, Dhe ti-zebër-hiqe një shirit të zi e ma vër mua në gjoks! ZIKO VDIQ NË KATIN E TRETË Ziko vdiq në katin e tretë në Menemeni, Tani pallateve gjer në katin e dytë do t’u ngjitem! ZONJA A A, a, Ziko, a po të qan zonja A.? B, b, Ziko, zonja B po të qan! ZONJA O -Gjethe, mikun tim mos ma rëndo. -Sherif, nuk jam gjethe, por zonja A (tani O!) O ZONJA O -O zonja O (dikur zonja A !): I paske vlejtur vargjet Që dikur të kushtoi, miku im, pra! NË MORINË E PAFUNDME TË PLLAKAVE Në morinë e pafundme të pllakave Në Menemeni Atje U shtua së fundmi dhe një pllakë e re: Ziko Kapurani (1951-2012) Një re e kopjon dhe e hedh në internet. ZIKO IKU NË TETOR Ziko iku në tetor, Tetori iku në Ziko E këtë që kam në dorë Do t’ia nis atij me pliko. Do të vijnë ata dhe ne, Do të shkojmë ne dhe ata. Po ti, Ziko, Ziko pse E bëre këtë hata? Vjeshta qenka pabesí, Pabesia qenka vjeshtë. -Ziko, nuk e dije ti? -E dija, Sherif, por hesht! -Nëntor, më jep dy ditë hua, Të thaj tetorin e ç’mbetën. -Merri të gjitha. Ç’i…dua? Lër veç një. (Njëzet e tetën!) -Po t’i marr dy ditët,shi, Por a do të ngrihet Ziko? -Mos e humb, Sherif: Tani Ai është nën Porto-Riko! SA RONSARI Iku, iku sa Ronsari Ziko (61 vjeç) Shtatorit s’i qe tharë ari, Tetori qe pesëmbëdhjetë neç. Hëna doli e palarë (Dhe ajo pesëmbëdhjetë neçe) Duke ikur me të qarë Nëpër natën kryeneçe. Jevga në një kënd të barit Kapi me trishtim buzukun E prej tij, si prej Mesharit, Shtyu jashtë Gjon Buzukun. Jevga nga tubeti i zi Nxori shpejt të kuqnë e buzëve Dhe e ndezi si qiri Për çudinë e damuzëve. Iku, iku sa Ronsari Ziko (61 vjeç.) Shkoi të na presë i pari Nën tetorin pesëmbëdhjetë neç. EH, NGA LLAMBA TE QIRIRI Eh, nga llamba te qiriri Ne na ndajnë veç ca vite. Këtë rrugë dhe më i miri Do ta bëjë një pasdite. Do të jetë pasditja e fundit Që do jemi ne mbi tokë. Ndan qytetit a katundit Veç dy gurë do kemi shokë. Prifti do të tundë zilet, Hoxha do këndojë duvanë Por ne dera më s’na çilet As në Lushnjë, as në Tiranë. Xhiko, që aq shumë e deshëm, Do na qajë atë pasdite E në darkë do puthet ngeshëm… O i vdekur: po habite? Eh, nga llamba te qiriri, Rruga s’është e gjatë, moj xhiko: Gati-gati sa kalliri I një gruri. (Thuaja, Ziko!)
Posted on: Sun, 01 Sep 2013 17:32:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015