Vangjush Saro Nga almanakët te “Bota e re” Shënime - TopicsExpress



          

Vangjush Saro Nga almanakët te “Bota e re” Shënime Përpara se të parashtroj disa argumente e konsiderata në lidhje me krijimtarinë letrare dhe krijuesit e një hapësire të njohur për trashëgiminë, sa edhe zhvillimet në art e kulturë - është fjala për rafshe ku përherë është kultivuar letërsi (Korça, Pogradeci, Devolli, Kolonja, etj.,) - do t’iu lutesha lexuesve dhe kolegëve të mos mërziten nga digresionet në të shkuarën apo vështrimet në të ardhmen, sepse pa to nuk i qasemi si duhet asaj çka merr përsipër ky shkrim. Po ashtu, do të duhej të shprehja që në fillim bindjen se këto argumente, edhe pse në dukje “lokaliste” - besoj nuk e kini harruar epitetin e vjetër - synojnë një trend që shkon përtej termit qark apo disa kufijve antologjikë. Më herët, duke ndjekur bisedat dhe krijimtarinë që përcillet përmes portalit “Bota e re” - një pjesë e tyre përthyhen edhe te “Fjala e lirë”, por edhe në revista e portale të tjera - ashtu vetiu m’u kujtuan almanakët e dikurshëm; bashkë me ta, edhe një sërë emra krijuesish të një kohe jo shumë të largët. Ndonjëherë, kujtesa është po aq e vlefshme dhe ndriçuese në shërbim të interesave letrare (dhe jo vetëm), sa edhe realiteti që jetojmë. Këto radhë le t’i përplasim me butësi në dyert e rënda të institucioneve (të një qarku e zone ku rëndom ka blla-blla-blla, por jo vëmendje ndaj vlerave) mbase edhe si një apel njerëzor ndaj emrash të pazakontë, që heshtjet e pushteteve ikëdhehajde nuk ua bjerrin asfare rëndësinë dhe shkëlqimin. Do të vijë dita të pyesin brezat që vijnë - me më shumë ndriçim në mendje se ne dhe se ata para nesh - çka ndodhur në këtë vend, midis të tjerave, përtej subjekteve me socializëm e postsocializëm dhe përtej ngrënies së vakteve gjithashtu...Që të dimë çfarë t’iu themi, lipset të mbajmë shënime. Ndoshta përpara e shumë përpara almanakëve, por sot po them dy fjalë edhe për ata. Ishin (le të themi) njëlloj reviste letrare-artistike, ku botohej krijimtaria më e mirë e shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve të tjerë të rrethit, madje edhe më shumë se kaq. Duke filluar nga fundi i viteve ‘60 dhe më tej, ishin shkrimtarët Sotir Andoni, Vangjush Ziko, Teodor Laço, Petraq Zoto, që i dhanë tonin jetës letrare atje. Duke qenë shkrimtarë profesionistë, me një trend të qartë drejt majave të letërsisë shqiptare, çka i çlironte nga çdolloj cmire dhe paranoje, gjëra këto mjaft të përhapura në rrethet artistike, ata e vështronin gjithë pjesën tjetër të krijuesve në një dritë inkurajuese. Ky është një mësim që (ne) jo gjithherë e kemi parasysh. Të kesh ambicje artistike dhe të mos njohësh zilinë artistike, këto janë dy gjëra të ndryshme. Një nga reflekset më të ndriçuara qetësisht të kësaj vlere, e kam parë këto kohë te shkrimtari dhe kritiku i njohur Fatmir Terziu (mik i klubit “Bota e re”). Nuk them asgjë të re nëse kujtoj që jo të gjithë krijuesit i realizojnë më së miri - apo ashtu si ata do të donin - ambicjet e tyre. Kjo dukuri, e tillë mbetet në çdo kohë. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se statistika e botimeve dhe kontributi në tërësi i krijuesve, janë instrumente të rëndësishme nëse duam një pamje sa më të vërtetë; edhe më shumë vëmendje kërkon mandej qasja në shkallë që i ngjisim duke pasur sekush grintën e vet, sa edhe vështrimin e publikut, të kritikës, të mediave, të tregut, të antologjistëve, etj. Nuk jam shprehur dhe nuk do të shprehem asnjëherë me fjali të përmbyllura, me fjali përjashtuese, qoftë edhe për krijuesin më pak të favorizuar nga fati apo talenti i tij; ne asnjëherë nuk e dimë të gjithë të vërtetën e perspektivës së gjithësecilit në artin e vet, koha do të flasë më shumë dhe me paanësi. Unë nuk bëj pjesë ndër ata krijues a intelektualë që duket se e mbajnë larg metoniminë dhe i bien shkurt e thonë: “Është kështu (siç them unë).” Bëj pjesë ndër ata që thonë: “Mendoj se...” “Ndjej që...” Pra, kam thjesht një mendim, jo kutin për të peshuar të tjerët, staturën apo edhe prurjet e tyre. Por sa shkon ky mendim te kolegët dhe lexuesit, sikundër çdo gjë tjetër që shkruaj, kjo po, është shumë e rëndësishme për mua. ■ Jam përpjekur edhe më parë të vizatoj një pamje të jetës letrare dhe artistike në Korçë dhe në krahinat fqinje të saj, Devoll, Pogradec, Kolonjë, etj., kur përgatita shënimin për poetin V. Ziko. Po rikujtoj sërish episode të atyre dhjetëvjeçarëve të fundit (të shekullit që shkoi) për të cekur sadopak temën - pothuaj tabu - dhe që shpjegon pak a shumë nga ne vijmë dhe çka ne përfaqësojmë sot; mandej, si ta bëjmë këtë më mirë. Në mesin e viteve ‘60, biblioteka e Korçës ishte një nga më të pasurat që mund të kishte vendi. Dhe në librari gjendeshin pothuaj të gjitha letërsitë e mira të botës, nga Dante, Servantesi e Shekspiri, te Balzaku, Esenini dhe Heminguej. Shkrimtarët dhe poetët e asaj treve, ishin në akord me këtë klas, (për aq sa mundej). Muzika dhe teatri po ashtu. Kristo Kono e Preng Jakova (kompozitori i njohur shkodran) do të kompozonin operat e para shqiptare; kjo nuk ishte pak. P. Mani vuri në skenë dramën “Pamje nga ura” të dramaturgut amerikan A. Miler. Në fillim të viteve ‘70, M. Luarasi do të sillte në skenë (bashkë me fatin e tij) dramën “Njollat e murme” të M. Jeros. “A.Z.Çajupi” një ndër teatrot më të njohura në Shqipëri, duke bashkëjetuar me temat e kohës, duke sjellë vlera nga krijimtaria botërore, nganjëherë, si e thashë më lart, duke kërkuar edhe të thyente tabutë, mbajti gjallë atmosferën artistike, edhe pse moti ngrysur ishte mjaft... Në këtë stinë të paqendrueshme, më e shumta me ‘ngrica’, shkrimtarët dhe artistët përpiqeshin të bënin edhe ata artin e tyre. Almanakët që botonte Dega e LSHA dhe Pallati i Kulturës, në njëfarë mënyre e pasqyronin këtë. Edhe pse në kushte të denatyruara, shkrimtarët ishin të apasionuar pas letërsisë dhe i dhanë asaj më të mirën e vet. Ashtu bëri Arsinoi Bino (që shkroi disa novela, edhe pse merrej me dramën veçmas); Andon Mara njihej për prozën e tij të thjeshtë dhe subjekte tërheqëse; unë do ta kujtoja edhe si një njeri shumë serioz dhe gazetar korrekt. Petraq Samsuri shkruante fabula dhe vjersha të bukura për fëmijë; botoi edhe ndonjë roman. Riza Hyso dhe më pas Muharem Xhaxho, shkruanin kritikë. (Ky i fundit shkruan edhe poezi për fëmijë, ka disa botime.) Nedai Thëllimi shkroi tregime; tani e kam parë të shfaqet më shumë si historian. Një pjesë e krijuesve ishin punëtorë, si Rafael Stavre dhe Ilia Grabocka, që vdiq herët. (Ishte një njeri pa fat, nuk arriti të botonte asnjë libër me poezi, ia kthenin vazhdimisht, por unë kujtoj që poetizonte thjesht e pa bujë ideologjike dhe para së gjithash, e adhuronte poezinë.) Më tej, Guri Miçinoti, prozator dhe njeri i çuditshëm, ngac. Hamza Koçiu, pedant. Nëse mund të kem harruar ndokënd - kjo jo për shkak të mungesës së dashamirësisë - kërkoj ndjesë. Gjithsesi, po i vëmë një pikë kësaj pjese të parë të këtyre përsiatjeve, duke pohuar se pavarësisht trysnisë, kishte një jetë letrare, paçka se në limite të kontrolluara. ■ Vite më vonë, po avitej në këto “lundrime” të vështira një brez tjetër. Kostaq Duka. Poezia e tij është një minierë përsiatjesh e meditimesh. Kristaq Balli. Nuk di pse po hesht. Prozator me sqimë. (Para ca kohësh, nën kujdesin e tij, u botua një libër me prozë nga autorë të Qarkut të Korçës.) Klito Fundo, i njohur për vjershat erotike; (së bashku kemi udhëtuar në këmbë me orë të tëra, vite të tëra, duke ngjitur rrugët e përbaltura të fshatrave të Gramshit). Thani Naqo. Proza e tij është tejet origjinale, por edhe poezitë e tij janë të sinqerta dhe të drejtpërdrejta. Jam shprehur disa herë për romanin e tij “I fundmi i shalëgjatëve”, që në vështrimin tim përbën një punë me interes për letërsinë shqiptare. Ilir Buzali. Kolegu im i humorit dhe satirës. Para disa kohësh, na mrekulloi me kujtimet për kinematë e Korçës dhe për raportet tona romantike me to, shtyrja për bileta, bërtitjet kur digjej filmi, ngrije zërin, ndreq figurën...Kristaq Turtulli, që rrëfen aq natyrshëm dhe me të cilin jemi rritur në një mëhallë romantike, kur dëbora dhe rëshkitja me ski gjatë dimrit apo bredhjet te Korija e Shetros a te Panda gjatë verës, zgjuan te ne shkrimtarin. Vladimir Toroveci. Një nga më ‘besnikët’ e poezisë. Petraq Kita. Para disa javësh, kishte shkruar me shumë ngrohtësi për një krijues të ri. Piro Visari. Iku herët bashkë me fabulat e tij. Skënder Rusi. Një lirik i njohur, që ndjek traditën më të mirë të kësaj gjinie. Skënder Demolli. Humorin e tij gjithnjë e kam vlerësuar dhe me erdhi mirë që komedia e tij e fundit pati sukses në Manastir. Duke mos folur për Dritëroin e Naum Priftin, që kishin jetuar gjithnjë në Tiranë, apo për Dhori Qirjazin e pafat, një pjesë e krijuesve - përfshi edhe autorin e këtyre radhëve - do ta vazhdonin edukimin letrar dhe krijimtarinë larg hapësirave në fjalë: Ruzhdi Pulaha. Nasi Lera. Kiço Blushi. Koçi Petriti. Gaqo Veshi. Natasha Lako. Gjikë Kurtiqi. Tatiana Kurtiqi. Adelina Balashi. Valter File. Vasil Dede. Çelik Petriti, etj. Në dekadat e fundit, ofruan prurje të spikatura shkrimtarë dhe poetë që e zhvilluan talentin e tyre sa brenda, aq dhe jashtë vendit, në rrethana krejt të ndryshme: Ylber Merdani, Rajmonda Moisiu, Agim Bacelli, Edmond Shallvari, Ziko Kapurani, Hysen Kobellari, Fation Pajo, Estref Haxhillari, Kristaq Mizaku, Kosta Nake, Luan Xhuli, Koço Sterjo, më pas edhe vëllezërit Pandi e Dhimitraq Papando. Nga gazetaria qaset heraherës në letërsi plot kolorit Fiqri Shahinllari; por edhe Resmi Çorbaxhi shkruan thjesht dhe me një gjuhë të pasur. Nga dekadat e pamundësisë, vinte Merita Bajraktari-McCormack. Shohim në disa botime interesante Luan Kalanën. Në rrugën e tyre të formimit si krijuese janë të talentuarat Julia Gjika, Lida Lazaj; po ashtu, krijues që për momentin nuk zunë vend në këto shënime - autori i këtyre radhëve do ta rimarrë këtë shkrim - trokitën dhe vazhdojnë të trokasin në blog me krijimet dhe librat e tyre. Ky është një proces, që sot meriton vështrim tjetër, vëmendje më të madhe. Gjithsesi, “shkolla” u zgjerua. Po rilindte, në një rend tjetër, në rrethana të tjera, “Bota e re”, gazeta (pothuaj institucion) e njohur e viteve ‘30 me një rreth të tërë artistik, ku gjetën veten një plejadë shkrimtarësh të njohur: Migjeni, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, por edhe Kristaq Cepa, etj. ■ Sot, nuk jemi më në kushtet kur një almanak botonte krijimtari të kufizuar. Dhe performimi artistik trysnohej nga censura, autocensura, presioni ideologjik në tërësi. Mundësitë e sotme janë shumë më të mëdha, për shkak të zhvillimeve teknologjike, por më së pari për shkak se po jetojmë në një rend tjetër, ku liria e krijimit është një realitet. Pikërisht një klimë e tillë, rrethanat e reja të zhvillimit të letërsisë dhe fakti që ka një sërë autorë të spikatur - ka ardhur koha - duhet të përcillen në publikun mbarëshqiptar (dhe jo vetëm) në një dimension të ri; pamja e kësaj letërsie meriton më shumë. Fakti që një pjesë e krijuesve jetojnë në Shqipëri dhe një pjesë e tyre jashtë vendit, e bën edhe më interesante sfidën, ndehja e kësaj letërsie në disa kontinente, natyrshëm “përkthehet” në cilësi dhe rritje. Krijimtaria artistike është vetiake; është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo; por qasja në “tribuna” klubesh e shkollash, si dhe përpjekjet për një menaxhim bashkëkohor, janë të rëndësishme gjithaq. Autori i këtyre radhëve, me këtë shkrim apo edhe me disa përsiatje të tjera, vetëm sa po e shkund paksa monotoninë që ndonjëherë na pushton të gjithëve, veç e veç apo edhe si komunitet, por më së tepërmi ai rreket të rrahë këmbanat për institucionet që duhet të kenë një strategji e një axhendë për etapat dhe protagonistët e kësaj krijimtarie, e shtrirë në kohë dhe tashmë edhe në një gjeografi që të lë pa fjalë. Vangjush Saro Vankuver - Gusht 2013
Posted on: Fri, 09 Aug 2013 21:22:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015