Vetëmashtrimi i Maqedonisë Në të shumtën e rasteve, - TopicsExpress



          

Vetëmashtrimi i Maqedonisë Në të shumtën e rasteve, Maqedonia mëtohet të paraqitet si vend i qetë dhe me marrëdhënie të mira ndëretnike, si dhe çdo lëkundje të situatës së sigurisë e sheh si pasojë e zhvillimeve negative në vendet fqinjë. Kjo gjithherë paraqitet e pafajshme, për të ngarendur kështu pas prodhimit të sa më shumë fajeve, ku bjeshkën e fajësisë që sillnin gjoja shtetet fqinje, pa ngurrim e zbarkonin në truallin e shqiptarëve, për t’ia mbyllur kështu gojën atyre që thoshin se në rajonet ku jetojnë shqiptarët asgjë nuk investohet. Shfrytëzimi i situatës në Kosovë për shfajësimet e saja Dalja në shesh e krizës në pjesën veriore të Kosovës, shfaqi edhe shqetësimin e pushtetit në Maqedoni, shqetësim që në spikamë kishte mbartjen e mundshme të krizës së atjeshme këtu. Ky shqetësim në syprinën e kësaj çështjeje është me vend, ngaqë nuk mund të jesh rehat, përderisa në shtëpinë e fqinjit tuaj, kërcëllojnë plumbat. Kjo është panorama sipërfaqësore dhe mashtruese e këtij shteti, ku trumbetohet si vend i qetë dhe me të gjitha mekanizmat e sigurisë në vend të duhur, por të tjerët për rreth po ia shpërpushin gacat e ndenjura dhe të mbuluara. Ndërsa dihet mirëfilli i mendësisë së këtij shteti. Sikur edhe fqinjët të jetonin në një paqe skandinave, prapë në këtë shtet do të këtë probleme dhe ngacmime të marrëdhënieve ndëretnike, të nxitura me mos reagim të pushtetit në kohën dhe palën e duhur. Plagët që akoma lëngojnë Plagët e pashëruara në këtë shtet janë të vjetra dhe asnjëherë nuk arritën të mbyllen, ngase pas një lëndimi pasoi tjetri, për ta harruar kështu të parin dhe për t’u marrë me të dytin, duke e lënë kështu në lëngatë të vazhdueshme edhe njërën edhe tjetrën. Sikur u tentua që pas vitit 2001 t’i vendoset një kapak çështjeve që në vazhdimësi prodhonin trazira dhe luftëra. Por rasti i Brezës, Vaksincës, Sopotit, Brodecit, Shkupit dhe shumë të tjerë, rrëfyen për plagën e prekur me dorën e hekurit sërish. Në këto aksione që kishte të vrarë dhe të plagosur shqiptar, aspak nuk kishte ndikim grimcat e pluhurit të shteteve fqinjë, por shtytëse e kësaj shkarravitje të mëtejme të plagës shqiptare ishte grimca e urrejtjes që aspak nuk ishte pastruar në zemrat e atyre që thellësisht e urrenin qenien shqiptare, pavarësisht që thirreshin në udhëheqës të të gjithë qytetarëve të shtetit. Viktima të përbashkëta për probleme të veçanta Moszgjidhja e emrit pavarësisht çmimin dhe njëkohësisht ngritja e figurave antike për inati të Greqisë dhe ajo që nuk thuhet publikisht, është edhe për inati të shqiptarëve të këtushëm, këtë shtet e vuri në tehun e briskut, që pritej sa ora të shfaqeshin bulëzat e para të gjakut të kësaj qenien përplot kundërthënie dhe konteste. Me ngritjen e figurave dhe objekteve me pamje antike maqedonase dhe me material modern të përzier, irrituan grekët, zbrazën buxhetin e përbashkët dhe skajshmërish mënjanuan shqiptarët nga çdo paraqitje, qoftë si pjesëmarrës në këtë projekt provokues, apo qoftë si konsultues për fillimin dhe rrjedhat e një projekti të këtillë. Madje edhe në raportet evropiane, cekej se edhe “Shkupi 2014” ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Kjo është e vërtetë, jo vetëm pse kështu shkruan në raporte, por këtë e dëshmojnë vetë qytetarët shqiptar. Dështimi i regjistrimit Ndërprerja e regjistrimit, njëherësh ishte edhe argumenti më i fortë se këtu gjithçka të përbashkët është e prirë të ndërpritet, sepse dy mendësi thellësisht të kundërta (populli shqiptar dhe pushteti maqedonas) nuk mund të shkojnë, sikur polet e njëjta të magnetit (jug – jug, ose veri – veri) që asnjëherë nuk mund të puqen dhe në vazhdimësi refuzohen nga njëri tjetri. Regjistrimi u ndërpre nga shkaku se numrat statistikor, desh e turpëruan kryeministrin dhe si zakonisht, me shpejtësi krijuan një shkaktar të fajit për ndërprerje dhe dihet shënjestra e fajit, ai ishte qytetari shqiptar që ishte kërleshur kur regjistruesit maqedonas nuk ia kishin regjistruar pesë vëllezërit dhe katër xhaxhallarët me familjet e tyre që gjendeshin në mërgim, gjë që për regjistruesin maqedonas ky numër përbënte një fshat të tyre. Nuk vonoi shumë, kur qëllimi i partisë maqedonase në pushtet doli sheshit, kur tha se nuk do të vepronte si partia tjetër, që kishte regjistruar 120 mijë shqiptar më shumë, ndërsa u nënkuptua se qëllimi i kësaj partia ishte zvogëlimi i shqiptarëve për aq sa i kishte “zmadhuar” partia tjetër. Futbolli miqësor një rrëfim për armiqësitë e pashuara Dhoma gazi për shqiptarët, shqiptari i mirë është vetëm kur është i vdekur dhe shumë fjalë të tjera fyese brohoriste publiku maqedonas, duke u ngrohur njëkohësisht edhe me djegien e flamurit shqiptar dhe të nesërmen nuk rrodhi asnjë reagim zyrtar e të mos flasim për ndonjë padi penale. Për t’ia bërë me dije se puna kështu nuk ecën në binaret e duhura, në një ndeshje tjetër të futbollit, publiku shqiptar dogji flamurin maqedonas. Shqiptarët e këtushëm një gjë të tillë nuk e bënë, të paktën kishin një fije të hollë respekti për flamurin shtetërore. Pas kësaj tymnaje, më në fund autoritet maqedonase panë se flaka kishte marrë përpjetën dhe në mungesë të një ndërhyrjeje do të shkrumbohej shumëçka dhe pas kësaj kthjellje të domosdoshme autoritetet maqedonase reaguan, me këtë duke e pranuar në heshtje fajin e heshtjes për fyerjet dhe djegien e mëparshme të shkaktuara prej bashkëkombësve të tyre. Kjo njëherësh tregoi masën e mundësisë për një bashkëjetesë të lumtur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Barrikada për pengimin e ndërtimit të xhamisë në Manastirë Kanë filluar të frikohet maqedonasit e Manastirit. Druajnë se përmes objekteve me karakter kombëtar (Muzeu i alfabetit) dhe atyre me karakter fetar (ndërtimi i një xhamie), shqiptarët do t’i rikthehen Manastirit. Kësisoj, gjatë këtyre ditëve, në fshatin Llazhec të Manastirit disa banor maqedonas sërish reaguan, tashmë përmes barrikadave (një ngjashmëri me serbet në Mitrovicë) kanë bllokuar rrugën dhe hapësirën ku duhet të vendoset gurthemeli për një xhami, përkundër se për ndërtimin e një objekti të tillë fetar është siguruar dokumentacioni përkatës. Këta janë mësuar ta shohin vetëm kryqin e tyre dhe pushtetarët përmes mos reagimit t’i përkrahin në veprimet e tyre, duke pritur kështu që pala e penguar të gabojë në ndonjë mënyrë të pahijshme të reagimit dhe këta me shpejtësi t’ia rendisnin akuzuat shqiptarëve mysliman që kanë të bëjnë me çrregullimin e situatës në vend. Ndrydhja e dëshirës natyrale për Shqipëri Natyrale Së fundi dëgjuam seç merren në pyetje katër shqiptar që kishin vizatuar në mur Shqipërinë Natyrale. Madje mund të përballen edhe me burg, njoftojnë mediat e këtushme. Ky është kulmi i çmeritjes dhe argumenti i pushtetit të forcës, që përbën një sfidë të rëndë për sigurinë e këtij shteti. Nëse në demokraci, që pretendojmë se jetojmë në një sistem të tillë, lejohet shfaqja e gjoksit lakuriq, pse vallë të ndalohet të shfaqet ajo që gjendet nën gjoks. Ajo që gjendet nën gjoks është dëshira për bashkimin e kombit shqiptar nën një ombrellë dhe kjo dëshirë natyrale nuk pranon kurrfarë analogjie me shtetin e Maqedonisë. Fillimisht duhet bërë dallim ndërmjet rastit të Maqedonisë së Madhe dhe Shqipërisë Natyrale. Ngase harta që simpatizantët e partisë maqedonase në pushtet e shpalosën publikisht, është vetëm imagjinare, sepse nën atë përvijim kufijsh, nuk ka njeri që do të deklarohet si maqedonas dhe i cili do të fliste maqedonisht. Deshën apo nuk deshën, ato pjesë territoriale, sot janë nën shtete tjera dhe qytetarët e atyre shteteve nuk ndjehen maqedonas. Ndërsa në përvijimin e kufijve të Shqipërisë Natyrale, aktualisht jetojnë shqiptarët, ndjehen si të tillë, flasin shqip, të njëjtën histori e duan dhe e mësojnë dhe shumë e shumë tipare të tjera të ngjashme. Fundja nëse fillojnë me burgosjen e dëshirës për një shtet të mundshëm shqiptar (pavarësisht kohës), atëherë duhet rishikuar hollësisht edhe figurën e Mehmet Pashë Derrallës, ngase ai ishte ministri i parë i atij grafiti (Shqipërisë Natyrale), për të cilën, dikush mund të përballet me burg. Pas këtij letërnjoftimi tashmë të njohur, thuajse prej të gjithëve, vallë dikush mund të mashtrohet se ky murrlan i fortë me gjithë pluhurin me këllirë qenka prej shteteve fqinjë, duke e pasur parasysh kridhën gllabëruese në këtë shtet. Rrahja sporadike me dhimbje të përhershme Shqiptarët rrihet, ngase ende nuk kuptuan se Shkupi maqedonas nuk e duron dot këmbën shqiptare. Gjithmonë rrihet të vegjlit, sa herë kur të mëdhenjtë nuk mund të merren vesh. Rrihet ata, ngase deri më tani, për rrahjet e mëparshme askush nuk u përgjigj para drejtësisë. Rrihen fëmijë, gjakosen fytyrat e tyre ende të njoma, gjakosin edhe zemrat e të rriturve, të cilat rrahin fortë, sa herë të dëgjojnë për rrahje fëmijësh dhe fatkeqësisht nuk kanë mundësi të ndërmarrin ndonjë gjë konkrete, sepse pastaj mund ta trazojnë drejtësinë e fjetur. Drejtësi është e fjetur kur bëhet fjalë për të rrahur shqiptar! Kësisoj, sa herë që rrihen shqiptarët prej huliganëve maqedonas, mua si një shkreptimë më shkon mendja se këto ditë është duke u pastruar ndonjë rrugë për ecjen e makinës politike, caku i së cilës fatkeqësisht kërkon kurban fëmijë. Sërish dikush mendon se nuk do të rrihen më në befasi shqiptarët, madje sërish dikush mendon se mund të bashkëjetojmë në harmoni ndëretnike. Derisa ne flijohemi për identitetin e tyre, ata neve na ngrehin kurthe vrasëse! Siguria në Maqedoni është një emër i vënë gabimisht, ngase siguri nuk shohim a nuk përjetojmë. Ndërsa dihet mirëfilli se aty ku nuk kemi siguri kemi pasiguri, të cilën sikur të jetë një mace me thonj të rritura, kemi filluar ta urrejmë, por të cilës me pahir i japim shpesh bukë! Mr. Iljasa SALIHU
Posted on: Sun, 23 Jun 2013 20:45:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015