Vizita e përbashkët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - TopicsExpress



          

Vizita e përbashkët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është vetëm konfirmim i afrimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi. Analistët kosovarë kanë theksuar për se problemet brenda PDK-së, e kanë detyruar Thaçin të kërkoj partner të ri brenda opozitës kosovare. Analisti Imer Mushkolaj tha se flirti në mes të Haradinajt dhe Thaçit, i cili po vazhdon me muaj të tërë, ka shumë gjasa që të kthehet në dashuri politike në mes këtyre dy liderëve. Sipas tij, kryetari i partisë më të madhe në vend po përpiqet që çarjet të cilat po ndodhin brenda partisë së tij, t’i riparoj me bashkëqeverisjen eventuale me Haradinajn, pas zgjedhjeve nacionale. “Nëse ndodh një koalicion në mes PDK-së dhe AAK-së, i bie që Haradinaj dhe AAK-ja, po e zgjedhin rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë për të hyrë në pushtet. AAK-ja duhet të ishte pjesë e fuqishme dhe e vyeshme e opozitës, dhe së bashku me akterët e tjerë të ndikoj në ndryshimin e qeverisë dhe pastaj ta marrë pushtetin”, tha ai. Mushkolaj vizitën e përbashkët të Thaçit dhe Haradinajt në SHBA, e sheh si tendencë të këtyre dyve që të krijojnë në opinion përshtypjen, që bashkëpunimi eventual në mes tyre, është si rezultat i kërkesës së miqve të Kosovës, SHBA-ve. “Edhe pse në kaluarën ka pasur polemika të forta në mes dy partive, të cilat mbahen edhe si trashëgimtare të luftës, tash kjo polemik mund të kthehet në një bashkëpunim të frytshëm”, shprehet ai. Mushkolaj ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të njëjtën strategji të cilën e ka përdorur me Aleancën për Kosovë të Re (AKR), kur kjo ishte në opozitë, po tenton ta përdorë tash edhe me AAK-në. Ndërsa, analisti Bexhet Shala, ka theksuar se afrimi në mes PDK-së dhe AAK-së, ka filluar që prej kthimit të Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës, ku prej asaj kohe sipas tij, është menduar që Haradinaj të angazhohet në Qeverinë e Kosovës. Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka mungesë të numrave, për shkak të problemeve brenda PDK-së, dhe kjo e shtyn Thaçin që pas zgjedhjeve nacionale, ta ndërroj një koalicion strategjik me AAK-në. “Në qoftë se Haradinaj dhe Thaçi, vërejnë se koalicioni në mes partive të cilat ata i drejtojnë është në përputhje me interesat e tyre, atëherë me gjasë do të ndodh një bashkëpunim i tillë. Megjithëse ky koalicion prapë nuk garanton qëndrueshmëri. Varësisht si do të kalohet në zgjedhje, me përkrahjen që e ka AAK-ja momentalisht, nuk mund të garantohet një qeveri e qëndrueshme”, ka theksuar ai. Shala ka thënë se përvoja e deritanishme ka treguar se partitë politike në Kosovë bashkohen në mes tyre nëse bashkohen interesat e tyre, sepse klasës politike në përgjithësi i intereson pushteti dhe jo interesat e shtetit.
Posted on: Wed, 02 Oct 2013 14:44:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015