Vlera e të shkuarit herët në xhami në ditën e Xhuma Ebu - TopicsExpress



          

Vlera e të shkuarit herët në xhami në ditën e Xhuma Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kushdo që merr gusul ditën e Xhuma, sipas atyre rregullave të larjes nga xhunubi dhe pastaj shkon në namaz në orën e parë (herët), kjo është për të, sikur të ketë bërë kurban një deve, dhe kushdo që shkon në orën e dytë, kjo është për të sikur të ketë prerë kurban një ka; dhe kushdo që shkon në orën e tretë, kjo është për të sikur të ketë prerë kurban një dash me brirë; dhe kushdo që shkon në orën e katërt, kjo është për të sikur të ketë dhënë bamirësi një pulë; dhe kushdo që shkon në orën e pestë, kjo është për të sikur ka dhënë bamirësi një vezë, ndërsa kur del imami (për të mbajtur hytben), melekët (bëjnë roje tek dyert e xhamisë për të shënuar kush paraqitet) vijnë për të dëgjuar hytben.” Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. Mësimet e nxjerra nga hadithi: 1 – Allahu kënaqet me robërit e Tij besimtarë të cilët rendin sa më shpejt për të bërë punë të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xheneti, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” Sure Ali Imran: 133. Ndërsa në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të Dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.” Sure El Hadid: 21. Nuk ka dyshim se vajtja herët në xhami në ditën e Xhuma është rendje sa më shpejt për tek falja hyjnore. 2 – Vlera e marrjes së gusulit në ditën e Xhuma, njëlloj sipas rregullave të marrjes gusul kur njeriu është xhunub. Gusuli merret në këtë formë: në fillim lahet avreti, pastaj merret abdes, lahet krahu i djathtë, pastaj i majtë dhe në fund i gjithë trupi. Ai cili merr abdes, i lejohet që mos të lajë këmbët gjatë abdesit, por ta vonojë larjen e tyre kur ta lajë të gjithë trupin. Ai i cili merr gusul duhet të bëjë shumë kujdes që uji të prekë të gjithë pjesët e trupit. Gratë dhe vajzat që kanë flokë të gjata apo gërsheta duhet të bëjnë kujdes që uji të depërtojë deri në rrënjën e flokut. 3 – Në lidhje me faktin se kur fillon ora e parë që është përmendur në këtë hadith, juristët myslimanë kanë dhënë disa mendime. Disa kanë thënë se ajo fillon pas faljes së namazit të sabahut, kurse disa të tjerë kanë thënë ajo fillon pas lindjes së diellit, për shkak se pas namazit të sabahut, myslimani bëhet gati për të falë namazin e Xhumasë duke u larë, veshur rroba të mira e të hekurosura, duke u parfumosur..etj. 4 – Përllogaritja e orëve fillon nga lindja e diellit deri kur ai të arrijë në zenit, përkatësisht kur imami të hypë në minber për të mbajtur hytben. Këtu nuk bëhet fjalë për orën të cilën ne e njohim të barazvlefshme me 60-të minuta, por ajo ndahet në kohë të barabarta në varësi të kësaj distance kohore të sipërpërmendur. Gjatë dimrit, kjo distancë kohore është më e shkurtër, kurse gjatë verës është më e madhe. 5 – Sa më herët që myslimani të shkojë në xhami në ditën e Xhuma, aq më shumë sevape ai fiton, ashtu siç është përmendur edhe në hadith. Shpërblimi është: një deve, ka, dash me bri, pulë ose vezë. Njërën prej këtyre ai e fiton. Kur hyn në xhami duhet të falë dy rekate namaz, pastaj duhet të lexojë Kuran, të bëjë dhikër e të dëgjojë vazën. Kurrësesi ai nuk duhet të merret me fjalë të kota e boshe, sepse qëllimi kryesor i vajtjes herët në xhami është që ai të adhurojë Allahun me të gjithë format e sipërmendura. 6 – Nëse për të gjithë myslimanët është një veprim i pëlqyeshëm që të vijnë herët në xhami në Ditën e Xhuma, ndryshe është për imamin, i cili duhet të hyjë në xhami në kohën që hyn vakti. 7 – Ndodh që shpeshherë që shikojmë shumë myslimanë të cilët vijnë shumë vonë në xhami, kur imami është duke mbajtur hytben, ose në fillim të namazit, apo qoftë edhe në fund të tij. Nuk ka dyshim se ka raste të veçanta dhe përjashtuese, sepse njerëz jemi dhe na dalin gjëra të papritura. Por unë flas për ato raste kur myslimani vonohet për neglizhencë, sidomos ata që punojnë në instuticione, tregti..etj. 8 – Dijetari i shquar Abdul Kadër El Arnauti (Allahu e mëshiroftë) duke komentuar këtë hadith thoshte: [Kur myslimanët hyjnë në xhami në ditën e Xhuma, ëngjëjt regjistrojnë çdokënd që hyn në xhami sipas rradhës se kush hyn i pari. Ata vazhdojnë të regjistrojnë çdokënd që hyn derisa imami të ngjisë shkallët e minberit. Në këtë rast ata e mbyllin regjistrimin dhe ulen për të dëgjuar hytben. Prandaj ai i cili vjen me vonesë, pasi imami ka filluar të ngjisë shkallët ka humbur një mirësi shumë të madhe.] Allahu e mëshiroftë dijetarin e nderuar, prej të cilit kemi përfituar jashtëzakonisht shumë. 9 – Disa dijetarë (jo të gjithë) kanë thënë se përderisa Profeti (a.s.) në këtë hadith e ka krahasuar gusulin e ditës së Xhuma me gusulin e xhunubllikut, është e pëlqyeshme për myslimanin që të kryejë marrdhënie intime me bashkëshorten e tij përpara se të marrë gusul.
Posted on: Thu, 28 Nov 2013 19:09:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015