Vllaznia, mbretëresha heroinë e katandisur në bonjake Opinion - TopicsExpress



          

Vllaznia, mbretëresha heroinë e katandisur në bonjake Opinion nga Redan BUSHATI Në një kohë kur i nxehti ka kapluar vendin dhe njerëzit rendin drejt plazheve për të gjetur qetësinë e freskisë; në një periudhë kur monotonia dhe pazëshmëria nxin në heshtje; kur shumica dynden drejt ajrit nën pemë apo poshtë tendave të lokaleve nën qetësinë e mbytjes së stinës verore me gotën e alkoolit apo shijet e lëngut të frutave; në një kohë zbatice të përgjithshme, ka prej atyre akteve të bujshme për të cilat periudha e tanishme nuk lejon lëshimin e shkëndijave të fuqishme. Kështu, kandidati i parë i LSI, fitues në qarkun e Shkodrës më 23 qershor, njëherazi president i klubit të futbollit “Vllaznia”, Agron Çela, për hir të pozicionit të tij si kuvendar i Rep. së Shqipërisë në legjislacionin 2013-2017, detyrohet të lërë klubin, pasi ka përplasje ligjore, pra nuk e lejon ligji që një deputet të drejtojë një klub futbolli, dhe kjo gjë realizohet në një sfilatë verore me qetësinë më mbresëlënëse. Në fillim të muajit prill, në gazetat e përditshme përmes artikullit “Vllaznia, lavirja e radhës në duart e politikës?” pasqyroja një seri faktesh, të cilat dëshmonin dhe pyesnin përmes fakteve se “a po përdoret Vllaznia nga politika për favoret e kësaj të fundit?” Në fakt, për ata që kanë sy e veshë, mendje të kthjellët dhe qëndrojnë larg fundshpinëlëpirjes, situata e tanishme tregon se Vllaznia u përdor nga politika. Dhe ja pse! Agron Çela, që thoshte se do të ndërtojë një Vllazni kampione në edicionin 2013-2014, nuk e dinte që në fillim se ligji nuk ia lejonte të jetë njëkohësisht edhe deputet, edhe president i klubit? Nëse nuk e dinte, pse nuk u interesua, ndërkohë që shtypi i shkruar ia trumbetoi me të madhe një gjë të tillë? Nëse ai kishte qëllime serioze me Vllazninë, pse lejoi largimin e boshtit të ekipit dhe nuk afroi asnjë futbollist, duke mos derdhur asnjë pesësh për blerje zyrtare? Ja, pra, ngjarjet na tregojnë se qëllimi i tij qysh në fillim ka qenë që përmes Vllaznisë të kap ç’të kap për të fituar mandatin e deputetit. Kalojmë te bashkia, e cila duke ditur që në Shkodër ku ka zë s’është pa gjë, si ka mundësi që ia dha me shumë kënaqësi klubin Çelës, kur qyteti ushtonte se Vllaznia ishte si karrem në duart e këtij biznesmeni? Pse bashkia nuk i bëri ftesë publike dhe direkte Valter Fushajt apo të tjerë biznesmenëve, duke kontribuar edhe ajo (si bashki) financiarisht në ringritjen e klubit Vllaznia? Meqë tanimë Vllaznia ka shkuar tek i zoti i pazotë, Bashkia e Shkodrës, që investon tek klubi me taksat e qytetarëve, do të shikojmë se sa do të arrijnë të bëjnë për Vllazninë, pikërisht këta që u penduan më pas kur ia dhanë Çelës klubin në dorëzim! Pra, do të vëmë re se sa do të investojë dhe sa do të bëjë Bashkia e Shkodrës për Vllazninë, teksa, kur klubi ishte nën drejtimin e Çelës, zyrtarë të saj lart e poshtë pohonin se “sikur ne ta kemi sërish klubin do të ndërtojmë një Vllazni të denjë, do të bëjmë stadiumin, fusha për stërvitje etj.” Tani që e keni çfarë do të bëni? Si rrallë më parë, në historinë e saj të lavdishme, Vllaznia përpëlitet në kapërcyell të skëterrës. Sportdashësit shkodranë prej vitesh, në mënyrë graduale, e kanë braktisur në masë mbështjen në shkallët e stadiumit për të. Opinioni publik nuk është në nivelet e mëparshme; ka rënë ndjeshëm. Për Vllazninë mbeten veç fanatikë dhe dashamirës që asnjëherë nuk e braktisën dhe nuk bënë aleancë me askënd për ngjyrat kuq e blu. Për këta të vjen vërtet keq, pasi Vllaznia as këtë vit nuk do të mund të jetë e denjë të përfaqësojë vetveten dhe traditën e saj në kampionatin shqiptar të futbollit, dhe për këtë përgjegjësia bie mbi ata që e përdorën dhe vijojnë ta përdorin Vllazninë si një plaçkë tregu, si një e përdalë, ku nga shërbimet e saj përfitojnë një grup i vogël njerëzish, dhe ku hijeshia e freskia rinore tregtohet sipas oreksit të atyre që e kanë në dorëzim, duke përfituar politikisht apo ekonomikisht nga drejtimi i klubit me tradita dhe histori në futbollin shqiptar.
Posted on: Sun, 07 Jul 2013 15:30:22 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015