Vështrim për librin “Nga sfida në sfidë : jeta, Behgjet - TopicsExpress



          

Vështrim për librin “Nga sfida në sfidë : jeta, Behgjet Pacolli” PACOLLI: KY JAM UNË “Ky libër është një pjesë e mirë e librit real të jetës sime. Ky që gjeni këtu jam unë, me forcën dhe dobësitë e mia, me njerëzit dhe miqtë e mi, madje dhe me armiqtë e mi. Jam me veprat e mia, dështimet e mia. Me idetë dhe vizionin tim. Unë nuk jam shkrimtar, nuk jam gazetar, megjithëse di të flas shumë mirë me gjuhën e shpirtit tim dhe ata që më kanë dëgjuar thonë se rrëfej shumë mirë” / Behgjet Pacolli Berat ARMAGEDONI Njoftimin për këtë libër e kam marr nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në dhjetor të vitit 2010, se së shpejti do t’i dalë një libër nga shtypi, kurse librin e tij, dy javë pas botimit, së bashku me një informacion, se pas një kohe do ta botojë edhe një libër tjetër, sikurse ky: autobiografik. E që nga ajo kohë deri më sot ka kaluar një vit e gjysmë. Mos më shumë! Sfida tjetër e tij ende s’duket në asnjë librari, ende asnjë njoftim për të, as nga Pacolli, as nga ndonjë këshilltar i tij. Ka mundësi ta ketë penguar Pacollin politika të rrëfejë edhe më tutje për jetën e vet? Kushedi! Por, sido që të ketë ndodhur, edhe vetë Pacolli e di, siç thoshte dikur Noli, se librat më të mirë (edhe më të lexuar) sot në botë janë librat biografikë dhe autobiografikë, të kujtdo qofshin ato biografi të njerëzve me nam: të shkrimtarëve, të politikanëve, të diktatorëve, të këngëtarëve, të studiuesve, të shkencëtarëve... pasi realja në ta paraqitet në nivel artistik ose shkruhet aq thjesht sa njerëzit i tërheq pas vetes, se ata janë të interesuar të dinë kush kanë qenë dikur dhe kush janë sot, ngritjet dhe rëniet e tyre, pëlqimet dhe dëshirat, sjelljet dhe dhuntitë, ndjenjat për dashnorët, gratë dhe familjen etj. Edhe libri “Nga sfida në sfidë : jeta, Behgjet Pacolli” është një prej autobiografive të këtij lloji, e cila është përgatitur bazuar në intervistat e dhëna e shkrimet e shkruara në shtypin kombëtar e botëror (opinionet e tij) dhe në bazë të bisedave të realizuara për tema të ndryshme e në kohë të ndryshme. Pasi kjo autobiografi është shkruar në vetën e parë, edhe emocioni, bindja dhe sinqeriteti janë shumë më të fortë sesa biografitë e shkruara në vetën e tretë. “Nga sfida në sfidë : jeta, Behgjet Pacolli”, si shumë libra biografikë e autobiografikë, hapet me një fotografi portret të autorit, Behgjet Pacolli, në të cilin ka edhe një përkushtim për lexuesit: “Këtë libër ia dedikoj të rinjve të Kosovës dhe rinisë në përgjithësi duke ju përcjellë mesazhin se në jetë çdo gjë është e mundur aty ku investohen koha, vullneti dhe shpirti. Të mos humbin shpresën dhe besimin se me punë dhe përkushtim arrihet çdo gjë, duke respektuar njeriun me tërë vlerat dhe atributet që i ka. Mbarë botës i kemi dëshmuar se kombi ynë i vogël gjithmonë ka nxjerrë njerëz të mëdhenj. Beso gjithnjë se ti mund të jesh njeri prej tyre, mos qëndro anonim, jeta është plot sfida-sfidoji ato, por me një kusht: interesat e secilit të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe harmonike”. Pasi në vitin 2010 autori i saj, Behgjet Pacolli, na informonte në Facebook se shumë shpejt do t’i dalë nga botimi ky libër e kërkonte nga ne gjykimet tona, të cilat ia pata nisur t’i shkruaj atëkohë kur më ra libri në dorë, po i bëj publike tash, me disa ndërhyrje të vogla nga versioni i parë, të cilat nisin kështu. Jeta ka sfida të shumta. Edhe titulli i kësaj autobiografie duhet të ketë qenë një prej sfidave, pasi është dashur të mendohet më shumë për titullin e saj, t’i gjendej një titull më i bukur, më artistik, pse jo ky: KY JAM UNË. Pra, kësaj biografie të shkurtë është dashur t’i gjendet një titull më i bukur për punët e tij të shumta gjithandej botës, për ato tokë të shkelura, për ato takime me lidership të ndryshëm, për ato ndërtime të mrekullueshme që kishte kryer firma e tij, për shumë ngritje të tij e për pak rënie, për shumë kultura që kishte njohur, për shumë gjuhë që flet sot, për raportet që ka sot me krerët e shumë shteteve, për raportet që ka sot me partitë e tjera, për raportet që ka sot me mediet, për raportet që ka sot me familjen (fëmijët), ndjenjat për fëmijët Mashën, Isën, Hanën, Arbëreshën e gruan, për raportet me shumëkënd. Dhe kur i lexon gjitha këto rrëfime të tij, kur i sheh gjitha ato udhëtime të tij, gjitha ato takime me shumë burrështetas, s’ka se si mos të krijohet bindja se ky është njeri i zoti, njeri i madh, njeri i Kosovës, të cilin, ani pse nuk është kryeministër as president i shtetit, ta njehë e gjithë bota më shumë se ta, ta respekton më shumë se ta, ta pret më mirë se ta. Më tutje, sa lexoja këtë libër të Pacollit, kujtoja biografitë e shumë shkrimtarëve, shumë këngëtarëve, shumë biznesmenëve, shumë patriotëve e shumë politologëve. E kur bëja krahasimin e biografive të tyre me këtë të tijën, ato dilnin të vogla, jo për nga numri i faqeve, as për nga niveli estetik, por për personalitetin që kishte ndërtuar Pacolli për këto vite e të tjerët që nuk kishin arritur ta kishin. Por, prej gjithë atyre autobiografive që kam lexuar, edhe “Guximin për të shpresuar” të Barak Obamës, autobiografi më të sinqertë sesa të Fan Stilian Nolit dhe të Behgjet Pacollit s’kam lexuar. Në këtë kontekst duhet bërë një veçim, pasi Noli e shkroi biografinë në fund të jetës dhe e shkroi një dhe të vetme, ndërsa prej Pacollit presim edhe ndonjë plotësim tjetër ose ndonjë tjetër autobiografi, jo ndryshime në gjenealogjinë e familjes së tij, por ndryshime e kujtime të tjera gjatë jetës së tij, edhe tash kur është mjaft aktiv në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Po ashtu, një veçanti është se, Noli, përpos rrëfimtar e shkrimtar, nuk kemi të dhëna nëse autobiografinë e vet ia kishte dhënë ndokujt për ta lexuar, shtuar në të e ndrequr stilistikisht. Tek autobiografia e Pacollit kemi një situatë tjetër. Ai disa prej teksteve i ka marrë nga mediet, të shkruara e televizive, ato intervista që i ka konsideruar më të rëndësishme, për të cilat i ka angazhuar disa prej këshilltarëve të vet t’i bëjnë gati për shtyp për format të librit, edhe profesor Rexhep Qosjen për lexim e plotësim, i cili, sa e kishte dorëshkrimin para vetes, thotë Pacolli, e kishte plotësuar me data të sakta. Prandaj, duke qenë kjo ndërhyrje e tyre e përkujdesje, vihet dilema: është biografik apo autobiografik ky libër i Pacollit, në të cilin thotë: “Ky jam unë”. Dhe shohim se në këtë libër, ta quajmë tash biografik dhe autobiografik, pasi është bërë nën përkujdesjen e Pacollit dhe miqve të tij, shohim një njeri të sinqertë jo vetëm kur rrëfen për gjendjen ekonomike të familjes kur ishte i ri, as për punët e ndryshme të tij prej punëtorit të krahut, as për zënkat me Ana Oksën (Ilirjana Hoxhën), as për dashurinë për gruan e sotme e fëmijët, por edhe për falënderimet për ata që kontribuuan që ky libër të botohet dhe ta marrë këtë formë e të ketë këtë përmbajtje të përzgjedhur, së cilës i prijnë dy tekste, në të cilët jepen përshtypjet për të dhe për librin e tij. Njëri është i Rexhep Meidanit, tjetri i Uilliam Uokerit. Së këndejmi, libri ka 28 kapituj, të gjithë kanë nga një titull dhe nga një nëntitull, kurse shumica prej tyre janë të ilustruar edhe me fotografi (edhe me disa faksimile) me ngjyra nga vizitat e Pacollit në vende të ndryshme të botës, nga familja e tij, nga takimet me liderë të huaj e vendorë. Analizuar titujt e këtyre kapitujve, shohim se autobiografia e tij ka radhitje kronologjike nga vitet e jetës së tij: Fëmijëria, Jeta në Prishtinë, Ikja në botën e lirë, ëndrrat filluan të jetësohen, Një vit i veçantë, Teknologjia ime – revolucion në industrinë tekstile, Lindja e Mabetex-it, Hyrja në Kremlin, Kazakistani, një sfidë tjetër, “Russiagate”, si filloi?, Skena dhe prapaskena, Përballë Karla del Pontes, Fundi i lojës, Unë njoh dhe dështime. Por kudo investoj besim, Misioni i pamundur, Si e shoh unë historinë tonë të afërt, Kthimi im në Kosovë dhe kontaktet e para me politikën, Një forum i vërtetë për Kosovën, Lobimi për pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen e saj si shtet në botë, Angazhimi im partiak në AKR dhe klasa politike e Kosovës, Forca e jetës, forca e familjes, Misioni im në Afganistan, Detajet e lirimit, Shqipëria, si vend ku marr fuqi para sfidave të reja, Manifesti im personal si politikan, Epilog: lobimi dhe punë të tjera të pakryera. Pra, derisa këta tituj në dukje të parë janë kronologji e ngjarjeve të jetës së tij, brenda biografisë ka digresione, ka retrospektivë dhe perspektivë, që do të thotë se për hartimin e autobiografisë në këtë rast nuk merren parasysh parimet që i ka përcaktuar teoria. Megjithatë, e rëndësishme është se, në cilëndo kohë që flet, në çdonjërën prej tyre ndeshim: sfidën e Pacollit si punëtor, sfidën e Pacollit si biznesmen, sfidën e Pacollit si bashkëshort, sfidën e Pacollit si baba, sfidën e Pacollit si politikan, sfidën e Pacollit si humanist e shumë sfida të tjera, të cilat janë rrëfime të sinqerta, të veshura me gjuhë artistike. Ndër të tjera, Behgjet Pacollin shumica e popullit e njeh si politikan, si biznesmen, si humanist. Askush s’e njeh si gazetar, si shkrimtar, se kurrë nuk i ka bërë këto dy punë. Shumëkush e njeh si pilot, sepse piloton avion. Pak e mbajnë mend si president, se shumë të shkurtë e kishte atë detyrë. Por nëse shprehim interesim ta njohim Barak Obamën, Hitlerin ose Osama bin Ladenin, të bërat e tyre, pse mos ta njohim më shumë Pacollin. Ai na ka dhënë këtë mundësi pothuajse që dy vjet të dimë për të, që prej kur doli nga botimi kjo autobiografi e tij, të cilën, nëse vonohet edhe shumë kohë biografia e tij e plotësuar, kësaj së tashmes duhet t’i bëhet një ribotim dhe të shpërndahet jo vetëm në tregun e Prishtinës, por në të gjitha tregjet e librave të Kosovës. Nëse për asgjë tjetër, se me të ai të jep shpresë se “çdo gjë është e mundur aty ku investohen koha, vullneti dhe shpirti”. Po ashtu, nëse edhe më tutje ndonjë nuk e njeh Pacollin sa e si duhet, ashtu siç nuk e njihja unë derisa e lexova këtë autobiografi, që ta njohë atë dhe ta ndërrojë konceptin për të dhe lidhjet e tij, veçanërisht me politikanë e shtete, ngritjen e deritashme dhe gjithë atë sukses, duhet jo vetëm ta ketë para syve këtë libër, por ta lexojë germë për germë dhe ta dëgjojë në 500 faqe tekst këtë njeri të madh, i cili rrëfen thjesht, por shumë bindshëm dhe me shumë sinqeritet, e ju do të bindeni se ai ka investuar shumë kudo, se investon edhe sot shumë në Kosovë dhe me mish e shpirt lobon për të besnikërisht aty ku i jepet mundësia. Kështu që, kushdo që dëshiron ta njohë Pacollin e vërtetë, tashmë e ka mundësinë ta lexojë rrëfimin e tij të sinqertë.
Posted on: Mon, 10 Jun 2013 18:19:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015