ZONJA ME KONEN E BUKUR petrit sulaj Gjithë njerëzit e kanë - TopicsExpress



          

ZONJA ME KONEN E BUKUR petrit sulaj Gjithë njerëzit e kanë një çati të padukëshme mbi kokë. Por shumë pak nga ne, kanë dijeni për këte gjë. Nga këto të paktë njerëz, as gjysma e tyre i kushtojnë kohë, për të riparuar në çatinë e tyre të padukëshme, ndonjë tjegull të thyer a ndonjë ulluk të shpuar e të ndryshkur, dhe pothujse asnjeri denjon të ngjitet në kulmin e saj, e të ngulë, aty flamurin e tij personal. Unë, futem në kategorinë e parë të njerëzve, di vetëm që gjithë njerëzit kanë një çati mbi kokë dhe kaq. Nuk e di pse e kemi këtë çati, nuk e kam vrarë mendjen për të kurrë, e praktikisht nuk jam marrë asnjëherë me çatinë time dhe akoma më pak, kam menduar të valvis në kulmin e saj një flamur personal. Bile, për të qenë i saktë, as do e kisha vrarë mendjen për këso gjërash e konceptesh, po qe se nuk do kisha asistuar një rast të veçantë " njeriu me çati mbi kokë". Unë i isha ngjitur rrodhe atij personi, thjesht se kisha kuptuar se nuk ishte njeri si gjithë të tjerët. Ndërsa po provoja të njihesha, në fakt njohja ime me të ishte e njëanëshme, unë thënë të drejtën vetëm sa e përgjoja dhe spiunoja, duke e ndjekur sa e si të mundja, pa patur rreth tij asnjë qëllim a synim konkret. Por ndërkohë mund të them, se në atë kohë më sundonte një tentativë e çuditëshme, që mu desh kohë ta deshifroja e të ja bëja praktikë vehtes time. Dhe ai person mu duk tepër i përshtatëshëm. Pra më kishte rënë mendja që të bëja vëzhgime, për të zbuluar sekretin, që shkurton distancën në mes ëndrrës dhe mundesisë konkrete për realizimin e saj. Dhe ai person mu duk tepër i përshtëshëm, për punën time. Deri në atë kohë, nga vëzhgimet e mija të pafundëme, kisha arritur të zbuloja një mizëri gjërash të reja, që kishin të bënin me racën tonë në përgjithësi. Përshembëll, më shkonin e më vinin ide të tilla për njerëzit, si: njeriut, më shumë se njeri, i shkon emërtimi "ndërrim mendje," apo " vendosmëri për të bërë një gjë, që ndërsa natën i dukej e shpifur, ditën tashmë i duket mrekulli e paparë" apo " gjëja që ka bërë një njeri, pesë minuta më parë, aq e shpifur i duket tani, sa mendon se është e pamundur të jetë vepër e tij". Në çatinë e atij njeriu, të them të drejtën, nuk shihja asgjë interesante, por ndërkohë kjo gjë nuk më pengonte të isha më se i bindur, se në kulmin e saj, valëvitej prej vitesh një flamur origjinal, një flamur tip: " indiferenca jote për botën nuk është as më shumë e as më pak se indiferenca e botës për ty". Bile në fantazitë e mija që bëja rreth çatisë së atij njeriu, shkoja më tej: flamurin e gjeja krejt të logoritur e të shplare nga koha, aq sa i kishte mbetur vetëm shtiza, e bile dhe ajo më shumë kujtimi i një shtize flamuri që nuk kishte eksistuar kurrë. Kur isha në situatë artistike, ndërsa mendoja për objektin e vëzhgimit tim, që në marrëveshje, po e quaj “njeri i vetprangosur”, më vinte dëshira ta shënderroja botën në një metaforë të madhe, të paktën sa miniatura e saj në një glob mësimor në orën e gjeografisë. Vetëm kështu kisha mundësi, që simbolikisht, njeriun e vetprangosur, ta krahasoja me një pikë shiu në potencë, burgosur në një re që nuk premtonte asgjë për tokën dhe qiellin, përjashtuar një indiferencë totale për të dy. Një pikë shiu, që po të donte, bënte gjithëçka, ndërkohe që nuk bënte asgjë, nuk kishte dëshirë, nuk kishte nevojë, nuk kishte imagjinatë të ikte nga reja, bile as të hapte një frëngji të vogël fare, vetëm ca milimetra, aq sa për ti dhënë jetë vështrimit të saj të përgjumur. Ndryshe ndodhte kur nuk isha në situatë artistike, krejt diskutimi poetik binte poshtë, sepse dikush, jashtë a brenda meje, kishte marrë masa e mbyllur, me dymbëdhjetë dryna, metaforën në bodrum. Njeriu i vetëprangosur, me sa dukej gjendej mirë kështu, as në qiell e as në tokë dhe pse jo, e kisha goxha zili për standardet e gjendjes së tij. Nga kjo përvojë e dyzuar, me diferencë të madhe të arsyetuari, unë nxora avantazhe për vehten, e ndërkohë, nga ana tjetër kapa dhe thelbin e indiferencës së njeriut të vetprangosur. Vetëm pastaj, u mora me të sipas mënyrës time dhe bëra nja dy a tre konkluzione, po sipas mënyrës time. Njërin nga konkluzionet, shfrytëzoj rastin dhe dua ta ndaj me ju, ndërsa dy të tjerët jam i detyruar të ja lë peng kohës, deri në një moment tjetër dhe nëse ato kanë mbijetuar, ju jap fjalën, se përsëri, njësoj, do ti ndaj me ju. Konkluzioni që dua të sjell në vëmendjen tuaj, është se njeriu i vetprangosur jo vetëm donte, por më e rëndësishmja, dinte të priste. Por mund të ishte dhe e kundërta, domethënë kjo gjë e kthyer përmbys. Kisha përshtypjen se duke bërë, a duke mos bërë kështu, ai kërkonte të reduktonte sa të mundëte, presionin e botës jashtë tij, ose të mendonte për botën jashtë tij si i vinte për mbarë: të gjymtuar, një botë e përgjumur që lëvizte e bënte gjëra njësoj, si në pushtetin e indiferencës së tij e kështu dhe jashtë pushtetit të saj. Gjatë kohës që përdora, duke vëzhguar e bërë konkluzione të tilla, mësova gjëra me vlerë. Përshembëll mësova, se kur njeriu pret në heshtje, pa rënë në sy, jo vetëm që ka përshtypjen, por në fakt realizon rritjen e vërtet, më cilësoren ritje të tij. Vetëm kur pret, njeriu arrin të shkurtojë distancën në mes ëndrrës dhe mundësisë konkrete për realizimin e saj. Vetëm kur din tè presë njeriu nuk është me fëmijë. Gjatë kësaj kohe që pret, rritet ajo gjë origjinale mbjellur brenda tij, qysh kur ka lindur, bashkë me të, në embrion. Bile dhe ai flamuri i çuditëshem, kur vjen koha e artë që vetëngrihet në kulmin e çatisë, atje e ka origjinën. Gjëja që bënte më shumë njeriu i vetprangosur, ishte të priste, gjendje të cilën unë e interpretoja sikur, ai ishte i detyruar nga dikush që të bënte gjumë, gjithë jetën. Por dhe kur zgjohej, gjithmonë e gjente vehten, një gjë të rëndë, dhe kur mundohej që këtë zbulim të ja servirte mendimit të tij, për ta shqyrtuar, pesha i rritej tmerrsisht dhe e zinte përsëri gjumi, më i rëndë se plumbi. Gjithçka, duke filluar nga pesha e tij në gjumë e zgjuar, e duke përfunduar te sendi më i rëndomtë që e qarkonte, ishte në çrregullim të plotë. Kjo ishte në thelb jeta e tij. Ishte lodhur duke kërkuar që të vinte rregull, e nga që nuk kishte mundur të bënte asgjë në këtë drejtim, kishte marrë si keshilltare indiferencën që ta ndihmonte për ta transformuar çrregullimin e tij, në një rregull special. Kështu, tepër i duruar e kurioz, unë vëzhgoja jetën e tij, e cila në fakt, më vonë doli se nuk ishte gjë tjetër, veçse një sintezë artistike për një njeri jo të zakonshëm në statusin “ duke pritur”. Me një fjalë, po kuptoni se bëhet fjalë për një të vetëprangosur në vetmi, deri mbrëmbjen që vendosi të merrte pak ajr të pastër. Ishte një pasdite krejt normale, kur vendosi të dilte nga rrëmuja, të cilën ai e konsideronte rregull, duke bërë një shetitje qytetit ku ishte lindur, gjë e paprovuar kurrë më parë. Shkoi nga shkoi, brodhi pothujse gjithë qytetin në këmbë dhe dikur e gjeti vehten të kruspullosur në një kënd të " Kishës së Madhe". Njeriu i vetëprangosur, nuk ishte i njohur në atë shesh, askush dinte se ai bënte pjesë në atë qytet, e ndërkohë të njejtën shkallë njohje që kishin të tjerët për të, kishte dhe ai për gjallesat që shkonin e vinin andej pari. Kështu, e gjeti vehten krejt jashte loje dhe bëri gjëne më të lehtë, që mund të bënte, më të zakonëshmen për të, por ndërkohë më të pazakonëshmen e më pak të pranueshmen për njerzit tjerë e kafshët e sheshit. U ul të pushojë në cepin e kishës, bile u kruspullos aty, në një farë feje, sikur po ngrinte nga të ftohtit dhe se vera ishte në kulmin e saj. Nuk ishte mësuar të ecte kështu ai: me orë e orë, dhe pa njè pa dy, e zuri gjumi, njësoj sikur të ishte në divanin e shtëpisë së tij. Para kishës, kapërdisej sheshi më i frekuentuar i atij vendi, që me kalimin e viteve vetem rritej e zgjerohej, dhe se këto cilësi të tij nuk e shihte askush veç meje. Në shesh, sidomos mbrëmbjeve, mblidheshin krejt njerzit e kafshët e qytetit, që kishin e nuk kishin kohë për të humbur. Nuk dihej kush ishte arësyeja, që në sheshin para " Kishës së madhe" vinin lloj lloj njerëzish, duke filluar nga besimtarèt më të devotëshëm të Jezuit e duke perfunduar me ato që besonin vetëm qenin e tyre, tek e shoqëronin në ajër të pastër e për të bërë nevojat personale. Unë isha marrë ca me sheshin, dhe isha munduar ta përkufizoja atë në vija të trasha. Ndërsa pas ndodhisë që po tregoj kisha bërë për të alamet zbulimi, zbulim i cili në sintezë, përmblidhej në faktin se ai shesh ishte kthyer për njerëzit e atij vendi, në një magnet të stërmadh sa vetë perimetri i tij. Sheshi ushtronte një pushtet të tillë ndaj banorëve e kafshëve të atij vendi, njësoj si një magnet normal bën gatitu, njëmijë gozhdë, që një cast më parë ishin rrëmujë sipër njëra tjetrës, pa bërë dhe sforcimin më të vogël. Dihet se gjaku i njeriut ka jo pak jone metali, më saktë hekuri, gjë e cila më bindi jo pak për të më çuar në këtë konkluzion jo të zakonshëm për sheshin. Njeriu i vetëprangosur, plus lodhjes së përherëshme që i kishte mbirë në kokë prej kohësh, atë mbrëmbje ishte dërmuar dhe nga këmbët. Sigurisht, gjithë të tjerët, përjashtuar mua, kur e shihnin kështu të transformuar në një deng leckash, nëse u tërhiqte vëmendjen a bile nëse arrinin të mendonin për të, thonin me vehte a flisnin me njeri tjetrin, fjalë e mendime keqardhje. Por nuk ndodhëte kështu me dy autoritetet e sheshit, dy njerzit më të kualifikuar për mbarëvajtjen e punëve në atë vend. Ato ishin për punë aty, jo për të shëtitur dhe po përpiqeshin të kuptonin se pse sheshi e e madje dhe kisha, po fyheshin pa pritur e kujtuar në një mënyrë kaq të pacipë nga një i panjohur. Njëri autoritet, ishte polici i bashkisë e tjetri, psikologu i qendrës sanitare. Polici, ishte njeriu më i kualifikuar për të bërë çvendosjet fizike të gjallesave që prishnin ligjin në shesh, a më gjërë e që nuk duhej të bënin figurë të keqe në atë vend, ndërsa psikologu, më i kualifikuari në çvendosjet mendore të kësaj kategorie njerëzish e kafshësh. Fillova ti ndiqja me interes, dy autoritetet e sheshit para “ Kishës së madhe” për të cilët ndjeva ca zili: Ato ishin treguar të devotëshëm për të kapur rastin e kruspullosjes pa leje, të njeriut të vetprangosur. Si duket, ishte rast i pazakonshëm për to, e ndoshta dhe i komplikuar, e që me sa po shihja, nuk po mundin ta zgjidhnin duke dialoguar mes tyre. Ndërsa nuk ia ndanin sytë prishësit të rendit, filluan të bëjnë plane. Vura re se polici ishte bërë tym dhe gati po merrte flakë, ndërsa psikologu ishte më i qetë. Po bindësha dhe njëherë për faktin se kur dy njerëz dhe se shohin të njëjtën gjë, kurrë nuk mendojnë për të njësoj sepse kanë të drejtë të dy. Dhe te ato dy njerëz, si gjithë të tjerët, nuk po vendoste llogjika por psikologjia e tyre. U llafosën shumë dhe kuptova se nuk arritën të vendosnin mes tyre, mënyrën e lëvizjes së njeriut të çuditëshëm, nga vendi ku ishte kruspullosur. Rasti, si duket ishte i komplikuar dhe u detyruan të telefononin shefin e madh. E ndërsa po mernin udhezime e detaje për të bëre një spostim të virtutëshem, e me sa më pak pasoja për mjedisin e sheshit, pra pikërisht në kohën kur po shkonin të bënin çvendosjen e të kruspullosurit, ndodhi diçka, që ju betohem, jo vetëm në sheshin para Kishës së Madhe, jo vetëm në krejt vendin, por dhe në të gjithë botën do të kisha imagjinuar të ndodhte. Pikërisht, në kohën teksa autoritetet e sheshit, po drejtoheshin andej ku ishte bërë shuk leckash, njeriu i vetëprangosur, në çatinë e tij filloi të bjerë shi dhe ulluqet filluan ti pikonin mbi hundë e veshë. Ishte aq i lodhur i kruspullosuri, sa njëherë, nuk i dha rëndësi kësaj gjëje, por kur lageshtira e zhurma që ben shiu kur bie, u shoqërua dhe nga një erë e rëndë amoniaku, që i shpoi keq hundët, diçka kuptoi që nuk shkonte në atë situatë reshje dhe u detyrua të hetojë se ç’ po ndodhte. Kur kuptoi se lagèja e tij nuk ishte punë shiu, u ngrit vrullshëm në këmbë. Një qen e kishte marrë për një kaçube, madje më keq, për një kosh me rraqe të vjetra hedhur aty rastësisht. Kafsha me pafajësinë më të madhe kishte ngritur njërën këmbë, dhe kishte bërë gjënë më normale qenore: një pshurrosje mbrëmëbje, thjesht për qejf. Një situatë e tillë pshurrosje me qen nuk i kishte ndodhur kurrë, njeriut të vetprangosur, madje, një ngjarje e tillë ishte aq e virgjër dhe originale për të, që sa hap e mbyll sytë, u detyrua, nuk dihet se nga kush e se si, të mendonte për të ndërruar flamurin e vjetër mbi çati. Në fakt do ti duhej të ndërronte dhe shtizën, e vjetra ishte bërë me kohë fërtele. Autori i gjithë këtij ndryshimi, ishte një qen i lezetëshëm, i cili tashmë po ndiqte të zonjën, vetëm dy hapa para tij. Njeriu i vetëprangosur, punë e parë, nxori një facoletë dhe nisi të fshije fytyren e lagur, ndërsa vështrimin nuk e hiqte nga qeni që e kishte detyruar të bëhej sa hap e mbyll sytë, tradhëtar origjinal flamujsh. Fshiu çfarë mund të fshinte, por erën e rëndë nuk e zboi dot. Po të mos e kishte hundën në vendin e zakonshëm, njeriu i vetprangosur, nuk do ishte përballur kështu me atë erë të shpifur. Provoi njëherë mos e spostonte hundën dhe kur nuk ja arriti, i shtërngoj flegrat e saj fort. Diçka arriti, erën e shurrës së qenit, tashmë e spostoi nga sfera ndjesore drejt sferës së mendimit. Ndërkohë, nuk dihet pse, vështrimi i tij, iu ngjit zonjës së qenit. Nuk po ja ndante sytë zonjës së kones dhe se sheshi ishte plot me zonja e zonjusha, shumë më interesante se ajo. I la pas dore gjithë realitetet e tjera dhe u perqendrua tek zonja e qenit, madje leshoi dhe doren me te cilën kishte shtupuar hundët të binte e lirë ne peshen e vet. Asgjë i bënte përshtypje, krejt pushteti tashmë kishte kaluar te vështrimi. Nuk po ja ndante sytë gruas, ndërkohë që filloi ti dilte gjumi dhe mendimit. Pas pak filluan të nxjerrin kokën dhe ndjenjat. Pikërisht kur ndjeu prani ndjenjash, i erdhi një dëshirë e marrë për tu vetnjohur, megjithëmend. E gjeti vehten duke lundruar në ndjenja e mendime dhe i pelqeu kjo gjë, asnjëherë kishte qenë kështu i lirë. Ndjente e çfarë nuk ndjente për atë grua, më e pakta ndjente pushtetin e një dashurie me vështrim të parë, ndërsa, krejt çrregullimi e vetëprangosja avulluan sikur të ishin katapultuar nga një forcë misterioze e pakonsiderueshme. Tashmë gjithëçka po bëhej e thjeshtë dhe e kuptueshëme për heroin tim. Nuk dihet si e pse, por pikërisht mjaftuan vetëm ca minuta intensive, teksa vështronte të zonjën e kones, e ai krejt papritur të lundronte në ndjenja e mendime të tilla, sa e gjeti vehten krejtësisht të transformuar. Transformimi i tij, tashmè qe për tu marrë në konsideratë, ishte një gje e thellë e me themel. Transformimi i tij kishte në origjinë vështrimin, ushqehej nga ndjenja dhe administrohej nga mendimi. Duhet thënë se ai nuk ishte i përgatitur të kalonte në sitën e mendimit, stimujt që ndjenjat po provokonin neë qënien e tij. Reflekset emotive që ajo femër kishte provokuar te ai, ishin një sinjal i çmuar për të kuptuar se kush ishin në të vërtetë ndjenjat e tij më të thella. Përpiqej, provonte me shpejtësi, për të vendosur ç’të bënte. Vazhdoi kështu ca kohë, pa vendosur asgjë, ndërsa zonja me konen e saj i humbën nga sytë, dhe vetëm kur vështrimin e tij e gjeti pa objekt, u përqëndrua në mendimin e tij. Ndërsa me sytë nuk dinte ç’ të bënte, mendimi e bëri të qetsohej: " Zonja me konen e bukur do ktheheshin përsëri.” Krejt papritur, apatia njeriut të vetëprangosur u zhduk, si për të ndjekur fatin e shtizës së flamurit të logoritur nga mosha. Po vërdallosej rreth e rrotull sheshit me këmbë, ndërsa në kokë i vinin vërdallë një mizëri me projekte. Fillonin nga më të thjeshtit e mbaronin me të ndërlikuarit, projektet e tij, dhe ndërsa bënte kështu vuri re se duke bërë projekte jeta bëhej megjithëmend e bukur. Po bënte zbulime ndërsa vinte vërdallë sheshit, duke bërë projekte, ai kuptoi se vetëm kështu mund të ndryshonte vehten. Ishte në një moshë, në të cilën nuk mund të priste më shumë. Ishte në atë moshë kur hija e të ardhmes shkurtohet, në atë moshë kur ngjyrat e forta fillojnë dhe zbehen. Vinte vërdallë rreth sheshit, heroi im, dhe në mendje përsëriste pa pushim:” O zot, më jep guximin të ndryshoj gjërat që mund të ndërroj, qetësinë për të guxuar në këtë drejtim, dhe urtësinë për të mos u kthyer më mbrapsht” . Pastaj e mbytnin pyetje që si kishte imagjinuar se do të ja kishte bërë vehtes ndonjëherë: “ Pse kam bërë kështu deri tani? Pse nuk e kam përdorur jetën time? Pse nuk kam kërkuar të realizohem? Akoma, çfare mund të bëj? Ku jam destinuar të shkoj…?” Ndërkohë zonja me konen po kthehej dhe sa i pa nga larg, zemra filloi ti rrahë me forcë. Koneja, megjithëmend ishte kryevepër, por ai vështronte vetëm të zonjën e saj. Dhe ndërsa me vështrim e ndjenja, bënte gjithëçka mund mund të bënte një mashkull i dashuruar në vështrim të parë me një femër, mendjen ia kishte marre koneja. I dyzuar tmerrësisht: mendjen te koneja dhe ndjenjat e vështrimin te e zonja e saj, për herë të parë i dyzuar kështu në jetën e tij, i shoqëronte pa rënë në sy deri tej kthesës që linte sheshin. E ndërsa dashuria për të zonjën e kones bëhej gjithmonë e më djegëse, me mendje bënte plane se si të bënte për vehte konen. Teksa kthehej në shtëpi, ai ndjente dhe mendonte, ndërsa e gjente vehten brenda në një ëndërr të madhe. Në qendër të ëndërrës ishin zonja me konen e saj të bukur. Ecte pa parë nga i hidhte këmbët, dhe kur këpucët i përplaseshin me ndonjë shishe bosh a kanaçe alumini, zhurma e tyre, i dukej një muzikë enkas për të bërë ëndërrën më reale se dhe vetë jeta. Të nesërmen mbrëmba, ishte përsëri në sheshin para Kishës së Madhe. Sheshi gëlonte nga njerëzit e kafshët, por ai nuk kishte sy për ti parë. Ndërkohë, e kishte ndarë mendjen që të mos kruspullosej a të bënte gjëra të tjera të këtij rangu të rëndomtë. Tashmë ai ishte gjë tjetër, brenda e jashtë. Gjendjen brenda e shihja vetëm unë, ndërsa atë jashtë, veshur, ngjeshur e kollarisur si dhëndërr, dhe të tjerë. Priste me padurim që zonja e bukur me konen e saj, të bënin shëtitjen e mbrëmbjes. Në dorë mbante një qeske letre, brenda të cilës kishte mbështjellur një copë sallami. Aq cilësor e i shijëshëm ishte sallami, sa po tërhiqte jo vetëm nuhatjen e vëmendjen e qenëve, por dhe të mjaft njerëzve që shëtisnin atë mbrëmbje në shesh. Në cepin e rrugës dikur u shfaq koneja dhe menjëherë pas saj e zonja. Ndërsa afroheshin, ndjenjat dhe mendimi po gatuanin një ankth të pandjerë kurrë në qënien e tij, dhe sa më intensiv bëhej kjo ndjenjë, aq më shumë shtërngonte ai copën e sallamit. Koneja po vinte drejt tij me vendosmëri e dëshirë dhe kur arriti një hap larg, filloi të nuhasë. “Po funksion, po funksion.” Kështu mendoi, i drithëruar. Menjëherë çmbështolli copën e sallamit, gjë e cila sa hap e mbyll sytë, u gjend në gojën e kones. Ndërkohë që copa e sallamit përfundoi në gurmazin e kafshës, dy palë sy u përplasën në vështrimin e tij. Pesha e dy vështrimeve ishte e ndryshme. Sytë e kones ishin mirënjohës ndaj tij, sa shumë ishin të tillë, mirënjohës. Por jo kështu, vështrimi i gruas. Vështrimi i saj ishte gjë e padeshifruar, dukej si një kuadër impresionist mbushur me penelata habije, që pastaj në pak çaste, penelatat në vazhdim e përfundonin në indiferencë totale. Heroi im, nuk mund të kuptonte gje rreth atij kuadri hermetik, dhe nisi të flasë: - “ O sa qen i bukur, zonjë...! sa qen të bukur keni zonjë...!” Në fakt frazën donte ta formulonte ndryshe: " sa e bukur jeni zonjë! Sa e mrekullueshëme jeni zonjë…!” Gruaja vetëm po e vështronte krejt indiferente, ndërkohë që po i vinte plasje me qenin e saj që ishte bërë gaz i botës, duke ngrënë lloj lloj gjërash, ofruar nga njerëz krejt të panjohur, e për më shumë dhe të pasigurtë. Më në fund, para se të largohej, thjesht për mirësjellje e falenderoj shkurt, shkurt fare, duke i thënë: - " Faleminderit." Pastaj uli vështrimin te kafsha e saj dhe e ftoi të vazhdonin shetitjen. Fjalët e gruas po ngjisnin te ai si flokët e parë të dëborës mbi token e ngrire. Vetëm i ndjente, as i dëgjonte e akoma më pak i kuptonte. Ai ndjehej aq i lumtur, sa do të donte të hipte në shkallën me të lartë para kishës, që të tregonte gjithëçka ndjente ato caste. Madje kur gruaja me kafshën u larguan, provoi, i mori shkallët dy e nga dy, por kur u gjend në shkallën e kreut, sapo u përball me turmën që shetiste e bënte gjëra krejt pa lidhje me gjendjen e tij, u ndal. Bile u çudit kur shihte gjithë atë indiferencë rreth rrotull tij. Ndërsa zbriste shkallët, tashmë jo me dy nga dy, i erdhi për mendje një ide tjeter - të çante sheshin mes për mes dhe të fliste me secilin - duke u treguar kështu të gjithëve se sa i lumtur ndjehej. Ai ndjehej i lumtur mes njerëzish që as donin të ja dinin se eksistonte. Por erdhi koha dhe as atij nuk i interesonin më të tjerët. Ai tashmë dinte çfarë të bënte, kishte gjetur çfarë donte dhe eksistonte diçka në të cilën besonte. Kjo ishte lumturia e tij, e para dhe e fundit. Të nesërmen mbrëmba, ishte përsëri para Kishës së Madhe. Priste te vendi i caktuar, si një natë më parë. Copa e sallamit që kishte blerë për rastin, ishte më e madhe dhe më e shijëshme se e një dite më parë. E kishte ndarë në katër pjesë copën e sallamit, kështu ndërsa koneja do vonohej duke ngrënë, ai ndërkohë do të mundëte të bisedonte ca më gjatë me të zonjën. Mossuksesi i menjëherëshëm me të, një natë më parë, as e kishte lëkundur fare. Dhe ndërsa priste, mendjen e detyronte të bënte projekte. Në të gjithë projektet që bënte, e shihte vehten bashkë me zonjën dhe konen e saj - një familje të përbashkët - realitetitin e vetëm të mundëshëm. Priti kështu atë mbrëmbje, shumë. Priti deri sa sheshi u boshatis dhe nga i fundit kalimtar, por zonja me konen e bukur nuk u bënë të gjallë. Kur në sheshin para kishës ngeli vetëm ai, i vëzhguar rreptësisht nga dy autoritetet përgjegjës, polici dhe psikologu, kuptoi se kishte ardhur ora të shkonte në shtëpi, dhe ashtu bëri. Ndërsa bënte rrugën drejt shtëpisë qeska me sallam, në dorë nuk ushtronte asnjë peshë, por krejt ndryshe, ajo në mendjen e tij peshonte një mal. Atë natë për darkë ai gatoi sallam, sallamin që nuk e hëngri qeni, por nuk i shkonte poshtë dhe u detyrua të ja japë maces. Të nesërmen doli nga shtëpia pa u bërë ditë mirë, tashmë nuk mund të rrinte më brenda, por nuk u ndal te Kisha e Madhe. Bile as kishte menduar më për të, madje, thënë e verteta, kisha dhe sheshi para saj, nuk eksistonin më. Mori një rrugë tjetër, rrugicën që e çonte drejt Kishës së Vogël. Ne ate vend nuk mungonin kishat, bile tashme e tutje ai filloi te konsideronte dhe shtepite e pallatet, jo vendbanimi per njerzit e tjerë, por thjesht kisha, në sheshet e të cilave ai do vazhdonte të ushtronte profesionin e tij. Ne fund te fundit, as humbete e as rrezikonte gje, nese bente keshtu. Ai tashme mbi kokë kishte ngritur çati të re, ne kulmin e te cilës valevitej flamuri i tij personal. Ne çatine e tij çfardo qe te binte tani tashme: shi...debore a bresher e madje, ne rastin me te keq dhe nje nevoje e holle a te trashe qeni e asgje nuk ndryshonte më, flamuri ishte ngritur për të mos ndryshuar më. Ai tashmë ishte bërë nacionalist i thekur. petrit sulaj shkeputur nga libri " Njè cigan ka humbur udhèn "
Posted on: Thu, 29 Aug 2013 06:58:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015