ZOTI TEPSHI! KUR TË FLISNI NË KUVENDIN PUBLIK MERR ME VETE: “ - TopicsExpress



          

ZOTI TEPSHI! KUR TË FLISNI NË KUVENDIN PUBLIK MERR ME VETE: “ Një kandar, një metër dhe një kunj të mprehtë në dy anët... “ Rreth problemit aq të dhimbshëm të bllokimit të vocërrakëve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë për shkak të shkrimit pa përgjegjësi qytetare të toponimeve mbi pasaporta. Nga Abdurahim Ashiku, gazetar në Athinë A është vërtet çështje toponimia greke?- pyet në një gazetë të shkruar “diplomati Qazim Tepshi i cili disa vite të karrierës së tij i ka kaluar si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Greqi. Më tërhoqi vëmendjen një mëngjes pyetja e diplomatit tonë tek ndiqja emisionin “Pasqyra e shtypit”. Jo për kërshëri por për faktin se si gazetar i cili që në bllokimin e parë në kufi të fëmijëve të moshës infantile lindur në Greqi për shkak të toponimeve, jam marrë me një sërë vëzhgimesh publike, madje edhe me një letër të hapur drejtuar Avokatit të Popullit Shqiptar, letër që po e bashkëngjis. E lexova shkrimin me vëmendje, madje edhe e fiksova në kujtesën e kompjuterit tim. Kërkova një përgjigje por nuk e gjeta, kjo për faktin se as ambasadori Tepshi nuk i kishte shpëtuar thashethemeve të rrugës duke e përcjellë ngjarjen në religjione ortodokse. Zoti Tepshi e fillon ligjëratën e tij me një gabim që nuk do ti falej një nxënësi gjimnazi e jo më një diplomati. “Ka disa muaj, shkruan z. Tepshi, që zhvillohet një luftë nervash midis policisë kufitare të Greqisë dhe policisë kufi tare të Shqipërisë, pasi emërtimet që shkruhen në pasaportat shqiptare si vendlindje të fëmijëve me origjinë shqiptare ... E përsëris jo vetëm në kursiv por edhe të nënvizuar: vendlindje të fëmijëve me origjinë shqiptare. Po qe se fëmijët do të ishin me origjinë shqiptare, atëherë nuk do të kishim asnjë problem me toponiminë e toponimet, nuk do të kishim luftë nervash midis policisë kufitare të Greqisë dhe policisë kufi tare të Shqipërisë. Fëmijët me origjinë shqiptare, kudo në botë (edhe në Greqi) kanë letërnjoftim dhe pasaportë të vendit ku kanë lindur dhe jetojnë bashkë me prindërit e tyre, kësisoj ata hyjnë dhe dalin në pikat e kalimit kufitar tokësor e ajror si shtetas të vendit ku kanë lindur dhe jetojnë. Zoti Tepshi nuk e ka kuptuar dhe derisa del publikisht me pyetjen: ”A është vërtet çështje toponimia greke?” çuditërisht vazhdon të mos e kuptojë. Fëmijët në fjalë janë qytetarët më të rinj të Shqipërisë, janë SHQIPTARË dhe jo me origjinë shqiptare. Ambasador Tepshi mundohet ta bëjë çështjen si “uniformë policësh” sikur kur thotë: “Këta policë grekë na kërkojnë tani ose pasaporta të jetë anglisht ose nuk kalojnë fëmijët që kanë lindur në fshatra e qytete të këtij vendi”. Ambasadori Tepshi me hulumtimet bërtet “Eureka!” për të treguan se gjeti se ku “fle lepuri” i ndalimeve në kufi, i bllokimit netëve në shi, dëborë, erë e akull të fëmijëve shqiptarë dhe i kthimit të tyre. Fajin për të gjitha këto na e paskan “policët e pikave kufitare” dhe se gjithçka na qenka “një luftë nervash midis policisë kufitare të Greqisë dhe policisë kufi tare të Shqipërisë”... Shteti, diplomacia shqiptare na del këtu “me duar të pastra”... Unë jam dibran dhe në “Universitet e Dibrës” shpesh përdoret si “leksion” porosia “Kandari, metri dhe kunji” të cilën po e përsëris në adresë të z. Tepshi... “Një burrë plak e i përmendur për fjalën e tij të mençur thirret në një kuvend. Meqenëse ishte i sëmurë mendoi të çonte të birin. Para se ai të nisej, plaku e porositi: - Kur të shkosh në kuvend të burrave, duhet të kesh me vete tri gjëra: një kandar, një metër dhe një kunj të mprehtë në dy anët. Me metër mat vendin ku do të ulesh, me kandar pesho fjalët, kurse me kunjin, para se t’ua ngulësh të tjerëve, ngulja një herë vetes tënde” Ambasadori ynë (them yni sepse në momentet më të vështira për mërgatën shqiptare në Greqi ka qenë ambasador në Athinë dhe asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të dalë publikisht dhe të protestojë për fshesën e hekurt dhe për reprezaljet ndaj shqiptarëve të pambrojtur nga...”policia greke” asokohe në kulmin e dhunës), pra Ambasadori ynë në prononcimin e tij publik për “çështjen e toponimeve greke” nuk shoh të ketë marrë me vete (si diplomat) as metër, as kandar dhe as kunj të mprehtë nga të dy anët me të cilët të maste jo policinë kufitare greke por qeverinë zyrtare greke dhe qeverinë zyrtare shqiptare, me të cilët të peshonte qëndrimet zyrtare të të dy qeverive shprehur edhe në takime të dyanshme ministrash e ambasadorësh, me të cilët, para se t’ua ngulëte të tjerëve, (kunjin) t’ia ngulja një herë vetes... Unë do ti drejtohem vetëm një dokumenti zyrtar, pasaportës biometrike të Republikës së Shqipërisë, pasaportë të cilën z. Tepshi e konsideron “sipas parametrave dhe kërkesave të BE-së” dhe për atë që shkruan se “çështja... nuk qëndron se si është shkruar” Që pasaportat biometrike shqiptare janë sipas parametrave dhe kërkesave të Bashkimit Evropian nuk e ve në dyshim askush, megjithëse një lajm i ditëve të fundit flet për ndërrimin e tyre për tu shtuar elementë të tjerë sigurie duke e bërë Shqipërinë pretendente për çmim Ginis në ndërrimin e modelit të pasaportave! Çështja në pasaportat shqiptare qëndron se si ato janë shkruar, kush i ka shkruar dhe cila është përgjegjësie e shkronjësve. Pasaportat shqiptare, megjithëse që në faqen e parë shkruhen me të 36 germat e alfabetit, përfshirë germën Ë dhe Ç, kur plotësohen në të 11 pikat e kërkuara, dy germat e alfabetit të shqipes (Ë dhe Ç) i eleminojnë. Në fotokopjen e pasaportës që po paraqes shkruhet Kucove dhe nuk shkruhet Kuçovë? Pse në pasaportë në pikën 6 (vendlindja/ place of birth) shkruhet Korce, Vlore, Tirane, Durres, Kruje, Corovode, Diber, Miredite...? Pse dy germat të shqipes shkronjësit e pasaportave i kanë shuar nga alfabeti? Dëshiroj që të marr një përgjigje zyrtare nga z. Tepshi dhe administrata e shtetit shqiptar dhunuese e Gjuhës Shqipe... Çështja i nderuar Ambasador qëndron se si është shkruar pasaporta, se si shkruhen në të toponimet e vendit tënd. Dhe kur nuk respekton vetveten, kur nuk e mat mirë vendin dhe kur nuk e peshon mirë lapsin nuk ke pse të dalësh publikisht dhe të pyesësh drejtuar hapësirave të qiellin “ A është vërtet çështje toponimia greke?” Po, i nderuar ambasador, toponimet greke janë tashmë çështje, një çështje që vret mërgimtarët shqiptarë, fëmijët e tyre që ende nuk dinë as të flasin, as të shkruajnë, e as të bërtasin për dhunën që ushtrohet mbi ta. Nuk e di pse e jargavit problemin zoti Tepshi kur shkruan: Në OKB shkohet me pasaportën e shtetit që përfaqëson dhe flitet me gjuhën që njeh më mirë nga të pesë gjuhët që njihen në OKB . Pra nuk ka detyrim të flasësh kinezçe apo rusisht, etj. Këta policë grekë na kërkojnë tani ose pasaporta të jetë anglisht ose nuk kalojnë fëmijët që kanë lindur në fshatra e qytete të këtij vendi. Nuk është vetëm anglishtja gjuhë e OKB-së, është dhe frëngjishtja, spanjishtja me rusishten dhe kinezçen. Pra, duhet që në pasaportën shqiptare të shkruhen pesë gjuhët e OKB-s se kështu kërkojnë policët e pikave kufitare të Greqisë. Ky është nosens dhe nuk ka të bëjë asgjë as me ato që thonë se po shkelet toponimia greke e as me ndonjë kërcënim nga ana shqiptare ndaj popullit të këtij vendi.” Në përgjigje të një pyetjeje që i kam bërë ambasadorit shqiptarë në Greqi në shkurt të këtij viti për problemin në fjalë z. Dashnor Dervishi (botuar në Plus Gazeta Athina, 22 shkurt 2013” kam marrë këtë pohim: “ Ekziston një rezolutë e OKB, me karakter këshillues, që me kërkesë të një vendi që ndjen shqetësime ndaj një vendi fqinj lidhur me çështje apo pretendime territoriale, i jepet e drejta që t’i kërkojë atij vendi përdorimin e emrave edhe sipas toponimeve të atij vendi...” Ju duhet ta njihnit këtë “Rezolutë të OKB, me karakter këshillues” dhe para se të merreshit me policë e priftërinj ti referoheshit, dhe si kompetent t’i ishe përgjigjur me dokumente pyetjes që bëje si titull shkrimi. Unë, për detyrim qytetar po ju paraqes një kopje pasaporte të një fëmije që ka lindur në Greqi (një ndër mijëra) e që ju e anashkaloni duke na hedhur degë më degë me “frëngjishte, spanjishte, rusishte, kinezçe...” Në faqen 2 të pasaportës biometrike shqiptare të dhënat nga pika 1 tek pika 11 kërkohet të plotësohen në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht. Kjo gjë respektohet vetëm në pikën 3 – shtetësia/nacionality ku shkruhet Shqiptare dhe Albanian. Në të gjitha pikat e tjera të dhënat nuk plotësohen në të dy gjuhët. Pse i nderuar ambasador? E keqja që u vjen vogëlushëve shqiptarë të lindur në Greqi vjen nga mosplotësimi në të dy gjuhët i pikës 6 – vendlindja/place of birth. Në pasaportën e vogëlushes Rea e dhëna merr përgjigje vetëm në shqip (Greqi) dhe nuk merr edhe në anglisht (Greece). Pse i nderuar ambasador dokumenti nuk plotësohet siç është përcaktuar me ligjin për pasaportat biometrike, në shqip dhe në anglisht? A e dini i nderuar z. Tepshi se grekut nuk i lejohet që në pasaportat për udhëtime jashtë vendit ta shkruaj vendlindjen Hellas? A e dini se Evropa e ka detyruar ta shkruaj Greece ?. Mos harroni se edhe ne jemi të detyruar ta shkruajmë vendlindjen tonë Albania dhe jo Shqipëri, ta shkruajmë Albanian dhe jo Shqiptar. Ne i nderuar z. Tepshi dëshirojmë të shkojmë në Evropë, të bëhemi pjesë e kulturuar e saj, gjë për të cilën po çirret këto ditë politika shqiptare. Ju pyes: Si mund të shkojmë në Evropë me gabime drejtshkrimore e toponimore të tilla? Do t’ ju rekomandoja edhe një herë i nderuar diplomat që kur të dalësh publikisht për çdo gjë të vendosësh në çantë “ një kandar, një metër dhe një kunj të mprehtë në dy anët... “ Unë, siç i kam shkruar publikisht Avokatit të Popullit Shqiptar zgjidhjen e çështjes e shoh nëpërmjet një gjyqi publik ku në bankën e të akuzuarit të jenë Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, firma që plotëson pasaportat në Shqipëri dhe në konsullatat jashtë saj. Për ta më e pakta është të detyrohen të plotësojnë pa pagesë pasaportat e fëmijëve, të dëmshpërblehen të gjithë ata që kanë përjetuar dhunën fizike e psikologjike në pikëkalimet kufitare dhe tu kërkohet ndjesë publike të gjithë shqiptarëve, pasaportat e të cilëve janë plotësuar me gabime të papranueshme drejtshkrimore. Së fundi dua t’ju them z. Tepshi më të renë e ditës: Dy kryepolicë, përkatësisht ai i Janinës në Greqi dhe i Gjirokastrës në Shqipëri nënshkruan para zgjedhjeve një dokument ku zotohen se nuk do të ketë pengesa për fëmijët me probleme në pasaporta. Kjo është zgjidhja? Ku është shteti dhe bisedimet dypalëshe për zgjidhjen e këtij ngërçi i denjë për “Ginis”? Abdurahim Ashiku, gazetar, Athinë
Posted on: Sat, 10 Aug 2013 17:04:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015