Zgjedhjet 2013 - Si mund të grabitet vota? Nga Lorenc - TopicsExpress



          

Zgjedhjet 2013 - Si mund të grabitet vota? Nga Lorenc Vangjeli Tensioni për rezultatin po vjen në rritje. Po raportohen raste ende sporadike të planeve për manipulim votash. Paralajmëron Arvizu e Topi, garanton mbrojtjen e votës Rama dhe Meta. Disa nga mënyrat klasike që janë përdorur në Shqipëri dhe që mund të përdoren sërish për të deformuar vullnetin politik të shqiptarëve Ngjan si një suprinë deti që nuk lëviz. As erë mbi të dhe as dallgë. Problemi është thellësia. Rrymat e nënujëshme. Tensioni i brendshëm. Në këtë fushatë zgjedhore rryma më e tensionuar që drithëron partitë politike në garë është një: ruajtja e votës nga vjedhja. Garantimi i mostjetërsimit të saj dhe shkëmbimit të votës si mall me mall apo mall me para, po bëhet çështja e ditës. Dëshmitë e para në këtë terren të rrëshqitshëm janë dhënë. Madje edhe në Tiranë. Votë familjare në këmbim të një qeseje me ushqime, kartë identiteti e dorëzuar përkundrejt një pagese. Në target janë kryesisht të varfërit apo komuniteti rom. Top Channel i ka denoncuar edhe me pamje praktika të tilla që nuk kanë munguar kurrë në proceset zgjedhore në Shqipëri. Dhe ky është hapi i parë. I dyti do të hyjë shpejt në kuti, në momentin kur ato do të mbyllin brenda votën e shqiptarëve në 23 qershor. Shembulli i famshëm i Ruzhdijes në zgjedhjet e 2009-ës, Jubanit në Shkodër apo dhe gjetkë, kutitë e pafundme me zero vota për partinë socialiste të shpërndara nga veriu në jug të vendit, janë të mjaftueshme për të prishur gjumin si të opozitës që garon e bashkuar, si të ndërkombëtarëve që janë bërë bashkë në paralajmërimin: po blihet vota! Këto elementë u shtohen dyshimeve serioze për defekte të hatashme në listat e votuesve e deri tek akuzat konkrete për fabrikim votuesish të rremë, të pajisur me karta të rreme identiteti. “Po shohim përpjekje të ndryshme që ndikojnë mënyrën se si votojnë njerëzit. Japin para ose ofrojnë perspektiva pune ose kërcënime për humbjen e vendit të punës. Shohim raste kur njerëzit shkurajohen për të votuar. Shohim raste kur burimet përdoren për fushatë,” tha këtë javë ambasadori amerikan Arvizu publikisht. Me siguri, diplomati foli shumë më pak në krahasim me sa është në dijeni. “Është e turpshme që në një vend anëtar të NATO-s dhe që aderon për në BE, pushteti ta bazojë suksesin tek blerja e votës dhe presionet mbi administratën, biznesin dhe qytetarët”, akuzon rëndë ish-presidenti Topi, kryetar i FRD-së. Tonet e Edi Ramës janë të ndryshme dhe kërkojnë që të paktën publikisht të lexohen edhe si njohje e asaj që përgatitet të ndodhë, edhe si paralajmërim se opozita nuk do ta tolerojë një gjë të tillë dhe se ka marrë kundërmasa. Me një betejë dy vjeçare mbi shpinë, 2009-2010 për denoncimin e vjedhjes së votave në zgjedhjet e shkuara, Rama deklarohet më i qetë: “Sot ne jemi një koalicion më i madh. Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë, sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare janë më të vetmuar në humbjen e tyre”. Një gazetar i njohur investigativ, Artan Hoxha i News 24 denoncon prodhimin e kartave të fallsifikuara të identitetit. “...pjesa dërrmuese e personave të pajisur me dy identitete, apo e familjeve fantazmë të krijuara posaçërisht për zgjedhjet, vijnë nga zonat që njihen si bastion i mazhorancës që qeveris vendin. Bëhet fjalë për persona nga rrethet Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Has, Kukës, Bulqizë, Dibër, të cilët kishin lëvizur nga zonat e banimit drejt kryeqytetit, duke u vendosur po ashtu në njësi vendore që drejtohen nga kandidatë të djathtë. Jo më kot zona e veprimit e këtij kontingjenti, janë zona e Kamzës, Paskuqanit, Njësia 11, etj. Këto fakte besoj se nuk kanë nevojë për koment të mëtejshëm. Policia ka zbuluar në disa raste punishte ku prodhohen dokumentet e falsifikuara. Shqetësimi më i madh, nuk janë këto dokumente të falsifikuara, por kartat e identitetit apo pasaportat biometrike të prodhuara në rrugë zyrtare me identitete të rreme. Ky kontingjent përbën numrin më të madh që është njëkohësisht dhe rrezik për zgjedhjet”, thotë Hoxha. Zyrtarisht ka nisur një hetim penal për këtë çështje. Mbas zgjedhjeve të 2009-ës, e njëjta akuzë penale e politike është bërë dhe nga opozita socialiste. Në prokurori dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Prokuroria nuk mundi të zbulojë prova dhe mbylli hetimin. Kuvendi mbylli mundësinë politike dhe kushtetuese për të ngritur një komision hetimor për hapjen e kutive të votimit, ku sipas opozitës, fshihej prova e krimit mbi vullnetin real të shqiptarëve. Vetë fletët e votimit – provë, u dogjën në bregun e lumit të Tiranës, duke marrë me vete sekretin e tyre. Kurse materialet e votimit, u mbyllën në arkiv. Për zgjedhjet e 2009, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it dhe mbi 30 rekomandime të shenjuara ishte sërish kritik, si me çdo palë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet “…shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit lidhur me numërimin e votave dhe hartimin e tabelave të rezultateve, gjë që përkohësisht bllokoi procesin e numërimit në disa zona, si edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore. Këto veprime të partive politike lëkundën besimin e publikut në procesin zgjedhor”. Me gjasa, qoftë dhe duke gjykuar nga raportet paraprake, sërish edhe kësaj here do të thuhet: ndonëse u plotësuan pjesa më e madhe e standarteve zgjedhore, sërish ato mbetën larg standarteve më të mira ndërkombëtare. Sepse “hilja” elektorale është duke u gatuar. Nën sipërfaqen e qetë të fushatës, gjykuar sipas standartit shqiptar të fjalës “e qetë”. Dhe hilet janë të shumëllojshme. Të paktën në zgjedhjet e shkuara, ku më shumë e ku më pak, ato kanë funksionuar. Ja një listë e pjesshme e turpit. Lista të ndryshuara Emërimi i Flamur Nokës si ministër i brendshëm një vit më parë, u komentua nga opozita edhe si një sinjal, se Berisha, veç talljes me ushtrimin e pushtetit, kishte dhe një qëllim dhe prapamendim tjetër: kontrollin besnik të infrastrukturës zgjedhore. Zëvendësi i tij Ferdinand Poni konsiderohet si një nga mjeshtrat e “përpunimit” të listave zgjedhore dhe po një vit më parë, ai u dyfishua me një tjetër sozi, Arben Ristanin, arbitrin – lojtar të zgjedhjeve të 2009-ës, ish-kryetari ogurzi i KQZ-së. Kanë qenë rreth pesë lista paraprake votuesish, të cilat janë debatuar gjatë në KQZ. Specialistët e auditit, të pozitës dhe të opozitës kanë debatuar gjatë për emra që mungonin në lista, për emra të dubluar votuesish, adresa të panjohura të tyre e deri votues të vdekur që ftoheshin të votonin. Edhe kësaj rradhe, listat janë problematike. Votim më shumë se njëherë Ka ndodhur gjithmonë dhe janë të gjitha gjasat që të ndodhë edhe në këto zgjedhje. Edhe pse gishti ngjyhet me bojë, e cila teorikisht duhet të lahet mbas më shumë se 24 orësh, votues që e gjejnë emrin e tyre më shumë se njëherë në listë, kanë mundësi të votojnë më shumë se njëherë. Sipas asaj që ka ndodhur edhe në 2009-ën, ky është një skenar i mundshëm. Përgjithësisht qendrat e votimit ku paraqitet ky tip votuesi janë në qytete të ndryshme. Atyre u garantohet transporti dhe pagesa, por ka dhe nga ata që e bëjnë një gjë të tillë vullnetarisht dhe për militantizëm. Rasti i një qytetari shkodran katër vjet më parë, i denoncuar edhe në media, ishte vërtet i jashtëzakonshëm: me të njëjtin identitet kishte arritur të votonte nëntë herë. PS atëherë paraqiti dhe një dokument origjinal, një skemë të shkruar me shkrim dore që dëshmonte mënyrën e votimit. Prokuroria nuk lëvizi. Dorëzo kartën e identitetit e mos voto Një gjë e tillë ndodh me votues që dihet se votojnë për partinë kundërshtare. Atyre u propozohet që të dorëzojnë përpara ditës së zgjedhjeve kartën e identitetit në këmbim të një shume parash dhe karta ju kthehet mbrapsht mbas ditës së zgjedhjeve. Në 2009-ën ka pasur shumë raste të tilla të denoncuara, por askush nuk është ndëshkuar për këtë krim elektoral. Natyrisht jo “hallexhiu”, i cili peshkohet nga shtresat më të varfëra të shoqërisë, por as ai që afron para në emër të partisë së tij. Voto, por fotografo votën Kjo është një mënyrë tjetër e tjetërsimit të votës. Këtu përfshihet kushdo që pranon të shesë votën. Përpara se të hedhë votën në kuti, “shitësi” i saj fotografon kryqin që ka vënë në fletë. Jashtë qëndrës së votimit, një militant i partisë, njeri i besuar, kontrollon foton e bërë kryesisht me celular dhe nëse i rezulton e saktë, bën pagesën përkatëse. Kryesisht në para. Qeset me ushqime apo zerimi i listës së ushqimeve që merren veresie nëpër dyqane nga të varfërit, janë gjithashtu një mjet pagese për votën. Kontrolli i tyre bëhet në të njëjtën mënyrë, duke fotografuar fletën e votimit. Treni bullgar Për herë të parë, kjo skemë sa e thjeshtë në të zbatuar, po aq e pamundur për t’u ndaluar, është përdorur në Bullgari. Mjafton që në dorë të një militanti partie jashtë qendrës së votimit të “bjerë” një fletë e bardhë dhe e rregullt votimi. Ai e plotëson atë me kryqin-shenjë tek kutia e partisë së tij dhe ja jep votuesit të parë. Ky, votuesi, hyn në qendrën e votimit, merr një fletë votimi, hyn në dhomën e fshehtë dhe kur del që aty, në kuti hedh fletën e plotësuar që më parë. Fletën e paplotësuar ja jep sërish personit, militant partie, në këmbim të lekëve. Dhe kështu me rradhë, pa kufizim. Numra inkzistent kartash identiteti Në zgjedhjet e 2009-ës ka ndodhur në shumë qendra votimi, por dy prej tyre u bënë simbol i mashtrimit elektoral. Ruzhdia në Fier dhe Jubani në Shkodër; u vërtetua dhe nga hetimi gjyqësor se në listën e zgjedhësve që kishin firmosur për marrjen e fletës së votimit, në krah të tyre ishin shënuar numra të paqenë kartash identiteti dhe pasaportash. Kjo mënyrë manipulimi është më e vështirë sepse duhet të jenë në të njëjtën mendje të gjithë komisionerët e forcave të ndryshme politike që ndodhen në qendrën e votimit. Votimi i emigrantëve Shifrat zyrtare të shtetit për emigrantët, për shembull, janë të pabesueshme sepse askush nuk e ka vrarë mendjen për një gjë të tillë. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për listat partiake. Në këto lista, zonë për zonë, pallat për pallat, militantët kanë regjistruar fqinjët e tyre emigrantë dhe mundësinë që ata të jenë apo jo në Shqipëri në ditën e votimit. Me votën e tyre spekulohet në dy mënyra; e para ju merren numrat e kartave të identitetit dhe në vend të tyre voton dikush tjetër dhe e dyta, thjesht shënohen numra fallso të kartave për të hedhur në kuti një votë të vlefshme. Në 2009-ën, kjo ishte një dukuri mjaft e përhapur sidomos në zonat e mëdha urbane, ku dhe njohja fizike e banorëve nga komisionerët është më e vështirë. Votimi familjar Ndodh kryesisht në zonat rurale. Kreu i familjes konsiderohet dhe i zoti i vullnetit politik të të gjithë anëtarëve të familjes së tij. Ai shkon në qendrën e votimit, merr të gjitha fletët e votimit dhe i plotëson në emër të të gjithë familjarëve të tij. Që të funksionojë një mënyrë e tillë duhet të bien dakort të gjithë komisionerët. Në fshat, ku të gjithë njohin të gjithë, është relativisht e vështirë të bllokohet një votim i tillë: “Pse ta prish me komshiun për një gjë kaq abstrakte sa partia”, mund të thuhet në të tilla raste me naivitet. Votimi në ambiente private Ka qenë gangrenë në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, por kësaj here është disi më e reduktuar në sasi. Kujtohet ende një qendër votimi në Kamëz në zgjedhjet e 2009-ës, kur i zoti i shtëpisë kishte liruar katin e parë të banesës dhe vetë qëndronte në ballkonin e katit të dytë. Që andej nuk lejonte votues të majtë të hynin në qendrën e votimit, duke ju thënë se në shtëpinë e tij lejonte të hynte vetëm demokratët. Në listë 24 orë përpara votimit Vetëm 24 orë përpara ditës së votimit, në listë shënohen emra të rinj votuesish. Kjo gjë e bën të pamundur kontrollin e tyre. Fletë e pavlefshme votimi E ka në dorë komisioneri, i cili duhet të ketë gjithashtu duar të shkathta. Komisioneri që di pak a shumë mënyrën sesi do të votojë një qytetar i caktuar, për shkak të njohjes së mëparshme me të, në momentin që i jep fletën e votimit, i bën një shenjë çfarë do asaj. Qoftë me duar të bëra pis më parë, qoftë duke dëmtuar disi fletën dhe në shumë mënyra të tjera. Kur vjen çasti i numërimit të votave, kjo fletë votimi konsiderohet e pavlefshme. Komisionerë & numërues Çdo gjë është mall dhe si çdo mall, çdo gjë e ka një çmim. Edhe vota. Edhe besnikëria ndaj forcës politike që e klasifikon një militant të sajin si komisioner dhe numërues. Dhe kjo është metoda klasike e manipulimit të votës. Blihen apo kërcënohen komisionerët e njërës forcë politike dhe ata lejojnë të ndodhin të gjitha truket që deformojnë votën. Kur duhet të numërohet vota, i njëjti proces vihet sërish në funksionim. Ka pasur raste të pafundme, kur përtej tensionit në Tiranë, komisionerët në bazë, miq me njëri-tjetrin dhe të detyruar të jetojnë edhe mbas zgjedhjeve me njëri-tjetrin, thjesht nuk prishin qejf. Kaq ti dhe kaq unë, është një marrëveshje që funksionon jo rrallë. Madje kjo metodë është përdorur dhe në kurriz të partive të vogla, votat e të cilave ndahen “ndershmërisht” në të djathta dhe të majta në thesin e dy partive të mëdha. Shpall i pari fitoren Nëse një komisioner i djathtë në Tropojë do të dëgjojë se në Gjirokastër është bërë nami me vota në favor të së majtës apo anasjelltas, komisioneri i majtë në Sarandë do të dëgjonte lebeti votash të djathta në Kukës, natyrisht që do të impresionohej. Do ta merrte atë rezultat të pjesshëm si trend të rezultatit të përgjithshëm dhe do t’i dorëzohej edhe panikut, edhe mungesës së përgjegjësisë. Duke lejuar kështu rrjedhjen e votave nën mëngë. Në vitin 2009, votat e qarkut të Kukësit u numëruan me shpejtësi rrufe dhe më pas edhe në Kamëz. Për disa orë rresht, të vetmet rezultate zyrtare që përmendeshin nga televizioni në televizion ishin këto të dy zonave. Aq sa dhe në Tiranë dukej se rezultati ishte paracaktuar për PD-në. Kjo shkaktoi edhe demotivimin e procesit në vijim në zona të tjera. Në këto zona, numërimi herë lirohej dhe herë bllokohej sapo njëra nga forcat politike dilte në avantazh. Veç këtyre metodave artizanale dhe industriale të deformimit të votës, kryesisht të përdoruara nga PD në mënyrë tradicionale, ka dhe lloj – lloj marifetesh të tjera. Në krye të listës qëndron KQZ-ja. Ajo çfarë KQZ bëri me votën lokale për Tiranën ishte ulërimë. Me një fjalë të vetme, ndërroi rregullat e lojës mbasi kishte filluar loja. Dhe të njëjtës lojë i erdho mbas avazit edhe Kolegji Zgjedhor. Kërcënimi me vendin e punës, me ndihmën ekonomike apo dhe thjesht, dhuna e pastër, janë mënyra të tjera për të deformuar pikë mbas pike të gjithë procesin. Por tani në 2013-ën ka një risi dhe një premtim publik: kush vjedh votën, me gjasa edhe në zgjedhjet e ardhshme do të votojë nga qelia e burgut. E thotë kodi. E premtojnë dhe mtonjësit e pushtetit. Çfarë do të ndodhë në 23 qershor dhe në pak ditët në vijim? Suprina vazhdon të duket ende e qetë, por tensioni është i madh. E sigurtë është vetëm një gjë: sa kohë në Shqipëri do të ketë deformim të vulllnetit të votuesve, vendi do të kalojë nga kriza në krizë dhe demokracia do të jetë ende një skenar i palexuar evropianisht në truallin arbëror. revistajava.al
Posted on: Mon, 24 Jun 2013 03:06:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015