"Zërave të hollë skeptiko-cinikë kundër protestës së - TopicsExpress



          

"Zërave të hollë skeptiko-cinikë kundër protestës së djeshme u është bashkuar edhe zëri i trashë i ish-profesorit tim A. Fuga. Të merremi më së pari me një dozë të lehtë skepticizmi ndaj ‘pretendimeve’ të protestuesve për dhunë. Prof. Fuga, si përdorues mbimesatar interneti duhet ta kishte fare të lehtë t’i gjente filmimet dhe fotot e përdorimit të dhunës, edhe sikur të mos kishte parë kronikën televizive. Po ashtu, ka kohë t’i shohë dhe të paktën të denoncojë jo vetëm dhunën ndaj qytetarëve të padëmshëm, por mbi të gjitha dhunën ndaj studentëve dhe të paktën katër kolegëve të tij, dy prej të cilëve u morën zvarrë, dhe ku pa, në shkallët e Korpusit të Universitetit, çka duhet ta revoltojë jo vetëm moralisht dhe profesionalisht, por edhe ligjërisht, përderisa hyrja e policisë në mjedise universitare, dhe prekja e studentëve dhe pedagogëve mund të bëhet vetëm me kërkesë të drejtuesve të universitetit. Gjithsesi besojmë se profesori s’ka pasur kohë t’i ndjekë të gjitha zhvillimet dhe me t’u informuar për dinamikën policeske të ngjarjes do të mbajë qëndrimin që i takon. Shkojmë tani te paradoksi i mohimit të mohimit të mohimit (kategori e re dialektike kjo), ku profesorit i merren mendtë ironikisht ndaj asaj që e quan ‘protestë kundër protestës që kundërshton protestat që protestojnë kundër Erdogan.’ Nëse do ta gjykonim me të njëjtin kut qëndrimin e tij, dhe protesta mund të jetë edhe ligjërimore, dhe jo vetëm fizike, atëherë e tija mbetet të jetë ‘protestë ndaj protestës që kundërshton protestat që protestojnë kundër Erdoganit’. Sigurisht që profesori mund t’ia behë, dhe jo fare pa të drejtë, se tjetërçka është indinjimi ligjërimor facebookist, e tjetërçka protesta fizike. Meqenëse dallim/padallimi teorik në fjalë kërkon mjaft rreshta, po kufizohem duke thënë se protesta jonë ishte pikërisht shprehje indinjate ndaj një solidariteti të padenjë me një regjim autoritar, që po shfaq pak e nga pak cilësi fashiste, dhe që mbi të gjitha po gjen mbështetje në Shqipëri duke u propaganduar si model i suksesshëm zhvillimi (dhe këtu s’është fjala vetëm për bakllavistët e djeshëm, por edhe për garueset kryesore politike). A duhet të na shqetësojë fati i vendit tonë aq sa për të organizuar spontanisht një manifestim që synonte t’i bënte me turp jo vetëm erdoganistët e hapur, por edhe ata të nënzëshëm? A duhet të na çojë kuptimi i situatës rajonale e më gjerë kah refuzimi i modeleve politiko-shoqërore që ndërthurin politikat më agresive ekonomike neoliberale me autoritarizmin shtetëror dhe konservatorizmin vleror (qoftë nacionalist, fetar, seksist, racist etj)? A duhet t’i marrim medoemos leje ndokujt, formalisht policisë, e simbolikisht etërve skeptikë, për t’u solidarizuar me popujt e tjerë, me të rinj e të shfrytëzuar si vetja? P.S. Profesori aludon në titullin mbi djegien dhe krehjen për karakterin kurvëror të protestës sonë. Në fakt, për keq i marrim vetëm krehjen, sa kohë ata që kriheshin gjendeshin përballë laptopave në mjedise të kondicionuara dhe jo zvarrë trotuareve. Sa për kurvërinë, e pranojmë të jemi edhe kurva, sa kohë kurva nuk është kush tjetër veçse një shoqe apo shok yni që shet ‘fuqinë e vet punëtore’, në këtë rast seksin, për të mbijetuar. Madje edhe historikisht, kurvat, bythqirët, lesbiket, lumpenët, çapaçulët, kokëpalarët, pabuksit, intelektualët etj kanë qenë në të njëjtin krah të lëvizjeve emancipuese. Sidoqoftë, paçka se shesim krahun e punës, s’kemi ndër mend t’i shesim shpirtin shejtanit." Stambolli "digjet", Tirana "krihet"...
Posted on: Thu, 20 Jun 2013 20:47:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015