f. 442 Të persekutuarit e kësaj kategorie, ish të burgosur a - TopicsExpress



          

f. 442 Të persekutuarit e kësaj kategorie, ish të burgosur a që do të shkonin nëpër burgje, me njerëz të arratisur, të pushkatuar a që do të arratiseshin e do të pushkatoheshin, punonin vetëm në bujqësi ose në ndërtim, zgjoheshin herët, merrnin trastat me bukën me vete, ca djathë e domate (ndonjë i krisur fuste dhe ndonjë libër, sa për t’i prishur punë vetes edhe më) e ktheheshin vonë, flinin shpejt. Martoheshin shpejt, gjithmonë duke marrë te njëri-tjetri, se nuk lejohej të dashuroje përtej klasës tënde, e vdisnin shpejt. Por përgjoheshin rreptësisht, me spiuna nga jashtë dhe nga brënda. I raportohej operativit të lagjes çdo buzagaz i këtushëm, pse, ç’u dha shpresë, trishtimi dhe heshtja, pse, ç’kanë ndërmend të bëjnë? Të gjitha këto m’i tregonte një pinjoll i familjes së madhe të Butkajve. Punonte bashkë me nënën e vet në ndërtim, bënin llaç e mbartnin tulla me tezgë nëpër shkallë të pambaruara dhe skela që binin shpesh. Nënë e bir. Në një biçikletë të dy. Askush dhe asgjë më. Ai që duhej të ishte i zoti i shtëpisë, ah, nuk e kishin, qe arratisur herët në Gjermani, emigrant politik. Një nga djemtë e të famshmit Sali Butka, Safeti kishte vrarë veten gjatë luftës, sepse nuk duroi dot vëllavrasjen, tradhtinë e komunistëve, mashtrimin, pragun e luftës civile. Me vdekjen e vet bëri apel për bashkim kombëtar. Por vendi ra në krime të tjera dhe në humnerat e luftës së klasave. Po shikoja pllanga gjaku. Befas u bënë fantazma e një violine të dënuar. Rridhnin rekuieme si lumë. Ah, sa e bukur Valbona, ç’kaltërsi thellë mes humnerave të tjetërllojta. Po burimi është i mrekullueshëm. Do të shkojmë? Nuk të lënë pa leje të Degës së Punëve të Brendëshme, është afër kufirit me Jugosllavinë, fillon Kosova aty. Të të kapin andej, konsiderohet si tentativë për arratisje dhe askush nuk të beson se ke dashur të shohësh burimet e Valbonës. Po endesha rrugëve të qytetit verior Bajram Curri me mikun tim, skulptorin Ilmi Hoxha. Pimë një kafe me poetin e këtushëm, të njohur kudo, Ndoc Paplekën, te një klub nën hijen e rëndë të maleve. Bjeshkët e Namuna janë? Më pyeti për vëllimin tim me poezi. Ma kthyen, i thashë. Me gabime ideore. Takova dhe një mikeshën time, kur ishim studentë dhe rapsoden Fatime Sokoli. Pas atij mali është mësues poeti Halit Shamata? Kam ardhur të shkruaj një reportazh për nxënësit e mij, që tani punojnë në ndërtimin e hidroçentralit të Fierzës, thashë. Nga feneri diogjenik te drita gjigande. Dhe endeshin rrugëve, të ndjekur jo vetëm nga sytë kureshtarë të vendasve, por dhe të Sigurimit. Kërkoja Uran Butkën, të dëbuar nga Tirana në Tropojë, nga që ishte i biri i Safetit. Darka në apartamentin e tij ishte e tëra e ngrohtë dhe e përzemërt, intime, me gjellë të mira. Kujtuam librin e Sabri Godos, aq shumë i pëlqyer nga ne, “Plaku i Butkës”, monografi për gjyshin, Saliun e famshëm. Edhe Urani vetë shkruante, por nuk botonte dot. Pikturonte, prandaj dhe në Bajram Curri punonte si dizenjator. Me zërin e butë, aq shumë i njerëzishëm, Urani nuk ngjante i këtij realiteti të ashpër klasor, plot me persekutime e dëbime të befta. Pastaj skulptori shuajti cigaren se nga dhoma tej sollën çupën e vogël se nuk flinte dot. Vetëm. -E di – më pyeti Urani – Sali Butka shumicën e poezive të veta i ka shkruar në Milovë, në shtëpinë tuaj në Skrapar? -Po – thashë - ma kishte thënë gjyshi. Dinte përmendësh poezi të tijat dhe nga të dashurisë, të Naim Frashërit. – Qeshëm prapë. Pastaj folëm për zanat dhe shtojzovallet e veriut dhe për kujdesin që duhej të kisha se mos vizita ime për të parë Valbonën shndërrohej ...në arratisje. f. 451 Si thua ti, jemi ne një popull që lexon? Ç’të të them, vijmë nga një popull analfabet që zhduku analfabetizmin vetëm për të lexuar veç një lloj libri. Gjendje të frikshme të dyja. Dhe gjendja e tretë, një popull në burg, që lexon. Ndërkohë leximi nuk është bërë ende kënaqësi, por pakëz detyrë dhe më shumë vetëmbrojtje. Kemi një gjuhë librash dhe një gjuhë tjetër që prodhon veç urrejtje, sterilizohet. Kurse elita jonë, jo vetëm që është e politizuar, por dhe e inkriminuar. S’ka unitet më të fortë se ai i kriminelëve komunistë. Me ata dhe gjuha bëhet gjuhë e minimizuar, gjuhë vrasësish, s’kanë nevojë për fjalë, por për fshehje fjalësh. Aranit Çela, psh, ka firmosur rreth 800 dënime me pushkatim. Ka mbushur 800 gojë me dheun e vdekjes. Jo më kot këta një prifti patriot, më kanë thënë se pasi e torturuan, ja nxorën gjuhën, ja zgjatën mbi tryezën e hetuesisë dhe ngulën thikën mbi të. S’doje të flisje për ne? Tani kurrë s’ke për të folur! Pse ky inat i shfrenuar, kriminal mbi gjuhën e njeriut? E, si e spjegon ti? Mirë neni 55 që ndalon të folurit ndryshe, se jemi në diktaturë, por masakrimi i organit të të folurit?! Pse? Dënohet folësi dhe goja e tij, fjala dhe ara e fjalës, libri, të cilin nuk e lënë as si varrezë të fjalës, por e riciklojnë në letër dhe ashtu le të mbetet për këta, shkretëtirë. I gjymtojnë veprat, i shëmbin, i shkurtojnë, u hedhin ngjyrë tjetër apo prangat, i ndalojnë, i rrahin, i çojnë në gjyq, i bombardojnë, i fusin në fondin e zi si në varr, i djegin, i zhbëjnë. Nëse autorët i shpëtojnë pushkatimit ose burgut, dënohen sërish veprat. Si asgjëkundi. Me mosbërjen. Ne nuk kemi të shkruar strategjinë tonë kombëtare. Ndoshta jemi i vetmi popull sot në Europë pa strategji kombëtare. Kurse rilindasit tanë ishin të qartë dhe me vizion dhe bënim programe kombëtare. Nga vinim dhe ku donim të shkonim? Tani s’dijmë ç’duam e ç’bëjmë? Ndërtojmë Shqipërinë e re me shqiptarë robër, të burgosur. A ka Shqipëri të lirë, të begatshme pa shqiptarë të lirë, të begatshëm? Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja? Këta po abortojnë të ardhmen. Ç’kërkojmë nga vetja dhe nga të tjerët, nga kampi socialist dhe bota, ç’duam t’u japim atyre? Por të veçuar. Dhunshëm. Dhe me një braktisje të përdhunshme prej të gjithëve. Të veçantë dhe të çuditshëm! Kisha dëgjuar nga im atë, kur isha fëmijë, që atij i kishte rrëfyer Abaz Ermenji, kur kishte shoqëruar dikur nja dy francezë nëpër Shqipëri, njëri prej tyre kishte thënë: vend i varfër dhe i paditur. I përshtatshëm për komunizëm. Këtu mund të bëhen revolucione leninisto-staliniste. Po, po, ashtu është, thoshte një tjetër mik i tim eti, Haki Ballshi. Të jesh nacionalist do të thotë të duash nënën tënde. Hamdi Gani ofshante kundër gjyqeve politike, kurse Panajot Papingji, i bardhë si Priami, më bënte krahasime të përkthimit me origjinalin e “Odiseut”, pjesë të të cilit i dinte përmendësh. Dhe i kishte thënë tim eti, nisemi ta takojmë djalin në Spaç. Prandaj kam ardhur. Normalisti tjetër, Naim Babameto, e kisha dëgjuar të tregonte se kishte lexuar në frëngjisht një përshkrim udhëtimi nga Shatobrian nëpër fshatrat shqiptare në Greqi. Qe mrekulluar nga bukuria e grave shqiptare dhe sjellja e tyre fisnike. Ah, psherëtija unë, në shkollë bënim veç rusisht e nuk gjeja asnjë mundësi për frëngjishten, kurse në burg, puna në minierë, llahtarisht e rëndë dhe rraskapitëse, policia – vrasëse e detyronin kohën të ikte si ujë i zi skëterror e unë sipër tij – kufomë e gjallë! Pse e donin atdheun më shumë dikur? Apo nga që po e bënin vetë. Atdheu është njeriu. Sa pak fare çmohet!... Nga përtej po zbriste shkallët burri jo dhe aq plak, trup pakët që mua më dukej sikur mbartte një kumt të përtejmë. Me një shqetësim të tillë të përtejshëm, që askush nuk meritonte t’ia dorëzonte, endej i qetë. Dhe veshët si dy gjethe të mëdha, më dukeshin si me dhè, nga që patjetër i kishte rrasur trojeve të lashta, herë njërin dhe herë tjetrin për të dëgjuar zërat e thellësive. Ne andej punonim dhe kështu asgjë nuk na tralliste. Plaku Ziso Vangjeli gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Historian dhe ushtarak punoi në Paris pastaj në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog. Ja fali shtetit gjithë bibliotekën e tij, por përfundon në burg. -Kur të bjerë “komunizma”, - thosh – se do të bjerë “patjatër”, ne do të vuajmë më pas me dekada prej hibridit. Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojnë etërit. Ajo përzjerje zelli dhe inati, herë i fshehtë e herë i hapur për etërit e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë dhe më të liq. Nga kundërshtarët e tyre që i urrejnë për vdekje, do të vjedhin idetë, projektet dhe deri slloganet e do t’i propogandojnë më mizorisht për t’i vënë ata në jetë, gjoja si amanete. Dhe do të kërkojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj të kuq dhe kundërshtarët do t’i durojnë sa për sfond. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe që të mbrohen do të bëjnë ata politikë që etërit e tyre e rroposën ose e luftuan gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur as kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, janë të papërvojë. Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Gjatë, mjaft gjatë. Hibridët janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë e njerëzit do të mendojnë diktaturën si zgjidhje. Burg i detyruar. Liri e detyruar. Kaos dhe llum. Pra pas dënimit me burg, populli do të dënohet me liri qorre. Liria qorre është dënim. Se ne nuk do të dimë ç’t’i bëjmë asaj si një gjëje të tepërt. Do ta përdhunojmë si barbarët. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni. Mbahe mend dhe kujtomë. S’ke ç’bën, jo. Veç kujtomë mua, plakun. *** ...nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut... f. 461 Unë e di se letërsia që po bëjmë këtu ka si vlerë të parë aktin e të krijuarit në burg, një mrekulli e rrezikshme, sfiduese që mbart mbi supe (ndërsa duart janë të lidhura) gjithë historinë martire të librit. Unë gjithashtu e di që kjo nuk është vlerë e mirëfilltë letrare, por gjithsesi ky akt i duhet letërsisë. Do ta ushqejë atë si një lumë i nëndheshëm, i turbullt dhe i përgjakur. Ne do të mund të sjellim atë që mungon e jo përmbytjen e asaj që është. Ne jemi të egër, sepse mbartim egërsinë e rrethanave të atyre që i krijuan ato. Dhe faji s’ka si të jetë i yni. Të paktën jo i tëri. Ne s’do të kemi turp nga veprat tona siç do të keni ju për shumë e shumë vepra, për të cilat merrni shpërblim e medalje. Ne - plagët si medalje. Veprat tona të gjymtuara kanë vetëm një çmim: dënimin e madh. Ato janë kafkat e realitetit, asgjë nuk thonë dot, por të paktën paralajmërimit “Rrezik vdekje” i ngjajnë. Nëse nuk mundin të tregojnë jetën, vdekjen e tregojnë, qoftë dhe me shenjëz, me fare pak, me një copëz tel me gjemba. Në hieroglifin e tyre mund të lexosh se nga vjen dhuna, ku shkon e ç’kërkon. Ne s’ditëm të jetojmë, nuk na latë ju, por ne dimë të mbijetojmë, qoftë edhe të vdekur. Vdekja është një çast, por mbasvdekja është e pavdekshme. Për një shkrimtar a nuk është më e rëndësishme pavdekësia e veprës? Leximi i saj ndryshe. Ne krijuam dhe lexuesin tonë të përvuajtur, i dënueshëm pse na lexon, pra mbrojtësi ynë dhe martiri. Afrohu, vëlla, të vdesim së bashku. Ku po shkojmë?
Posted on: Thu, 17 Oct 2013 13:28:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015