shkatrrimi i perandoris bizandine :Sfondi romak dhe i - TopicsExpress



          

shkatrrimi i perandoris bizandine :Sfondi romak dhe i krishterë[redakto] Uniteti dhe diversiteti në Perandorinë e vonë romake[redakto] Perandoria romake, paraardhësja e bizantines, arriti të kombinojë jashtëzakonisht mirë unitetin dhe diversitetin. Gjuha latine e përbashkët, monedha, ushtria ndërkombëtare e legjioneve romake, rrjeti urban, ligjet dhe trashëgimia e kulturës civile greko-romake shquheshin nga hallkat që Augusti dhe pasardhësit e tij shpresonin se do sillnin bashkim dhe paqe në një botë mesdhetare të lodhur nga shekuj luftërash civile. Për të lidhur këto nyje të qytetërimit perandorak, perandorët shpresonin se një tregti e gjallë dhe e lirë do të zhvillohej në provincat e perandorisë. Në krye të piramidës së kësaj bote qëndronte vetë perandori, burrë i mençur që do të strehonte shtetin nga çfarëdo problemesh që fati fshihte në errësirë. Perandori i vetëm mund të jepte këtë mbrojtje dhe duke qenë se konsiderohej mishërim i të gjithë virtyteve, zotëronte në perfeksion ato cilësi të shfaqura vetëm të paplota nga nënshtetasit e tij. Formula romake e përballimit të fatit me arsyen (dhe në këtë duke siguruar unitetin në gjithë Mesdheut) punoi si për çudi mjaft mirë nën presionin për paqëndrueshmëri që koha shumëfishon. Pushtimet sollën rajone me sfond të larmishëm nën sundimin romak. Provincat lindore ishin qendra të lashta dhe shumë të populluara të jetës urbane që përcaktoi karakterin e qytetërimit mesdhetar për mijëvjeçarë. Provincat perëndimore kishin hyrë vonë në rrugën e zhvillimit urban nën administrimin jo gjithmonë të butë të mjeshtërve të tyre romakë. Secili nga aspektet e unitetit të numëruara sipër kishte cenin e vet. Jo të gjithë kuptonin apo flisnin latinisht. Duke paralelizuar dhe ndonjëherë ndikuar ligjin romak ishin zakonet dhe praktikat lokale, kuptueshëm të ngulitura në arsye prej vjetërsisë së tyre. Tempujt paganë, sinagogat hebreje dhe pagëzoret e krishtera janë treguese të shtrirjes së feve të organizuara me të cilat format zyrtare të shtetit romak, përfshirë adhurimi i perandorit, nuk mund të bashkëjetonin në paqe. Në vend që të bashkonte botën romake, rritja ekonomike shpeshherë krijoi njësi të vetë-mjaftueshme në disa rajone, provinca apo prona të mëdha. Duke ditur pengesat me të cilat mjeshtërit e shtetit romak u përpoqën të kapërcejnë, është për tu lavdëruar që patriotizmi romak qe më shumë se një formulë boshe, por që i vinte në dijeni njerëz nga Shtyllat e Herkulit në Detin e Zi se kishin diçka të përbashkët. Kjo diçka mund të përkufizohet në kuptimin më të gjerë si tradita civile greko-romake nga ana institucionale, intelektuale dhe emocionale. Mirënjohës për kushtet e paqes që ajo krijoi, njerëz të pasur dhe të kulturuar ia dedikuan kohën dhe burimet e tyre lartësimit të kësaj tradite duke zbukuruar qytetet që ishin shembuj të saj dhe duke arsimuar të rinj që shpresonin një ditë ta vazhdonin atë. Në këtë botë barbarët u shfaqën pas vitit 150. Për të mbrojtur kufijtë prej tyre, perandorët luftëtarë ia kushtuan aq kohë sa kishin në dispozicion përleshjeve konstante për të rivendosur kontrollin mbi provincat ku regjime lokale ishin krijuar. Duke parë luftën e vazhdueshme, sëmundjet e shumta dhe ndryshimet e shpeshta të fronit perandorak, do ishte e lehtë të thuhej se pak ngelej nga shoqëria greko-romake apo struktura burokratike e krijuar enkas për të. Asnjëri nga këto sugjerime nuk është i saktë. Shkatërrimi ishte rastësor dhe disa rajone vuanin më shumë se të tjerat. Në fakt, ekonomia dhe shoqëria e perandorisë si e tërë gjatë kësaj periudhe qe më e larmishme se kurrë. Të detyruar nga nevoja ose të tërhequr nga fitimi, njerëzit shpërnguleshin nga provinca në provincë. Parregullsitë sociale krijuan mundësi për pasuri dhe pushtet që rregulli i qëndrueshëm i epokës më të hershme nuk i kishte lejuar për të talentuarit dhe ambiciozët. Për arsye personale dhe dinastike, perandorët preferonin disa qyteza dhe provinca mbi të tjerat dhe seria e paqartë e pasardhjes bashkë me një ndryshim të vazhdueshëm të zyrtarëve të lartë administrativë dëmtuan rëndë qëndrueshmërinë ekonomike dhe shoqërore.[4] Reformat e Dioklecianit dhe Konstantinit[redakto] Tetrarkët, një skulpturë porfiri e plaçkitur nga një pallat bizantin në 1204, sot qëndron në cepin jugperëndimor të Bazilikës së Shën Markut, Venecia Përkufizimi i një politike të qëndrueshme perandorake u vendos nga dy perandorë-ushtarë të mëdhenj, Diokleciani (sundoi 284-305) dhe Konstandini I (perandor i vetëm 324-337), që sëbashku i dhanë fund një shekulli anarkie dhe rithemeluan shtetin romak. Ka shumë ngjashmëri mes tyre, një prej tyre problemet që u desh të përballnin: të dy nxorrën mësimin nga anarkia e shekullit të 3-të se një burrë i vetëm dhe pa ndihmë nuk mund të shpresojë të kontrollojë botën shumëformëshe romake dhe as të mbrojë kufijtë e saj; si ushtarakë, të dy konsideronin reformën e ushtrisë si nevojë parësore në një epokë që kërkonte mobilitetin më të lartë të mundshëm; të dy e panë Romën e vjetër dhe Italinë si baza ushtarake të pakënaqshme për shumicën e forcave perandorake. Të ndikuar thellësisht nga prirja e ushtarit për hierarki, sistem dhe rregull, diçka që e kishin patur me shumë nga bashkëkohësit e tyre si dhe perandorë paraardhës, ata u tmerruan nga mungesa e sistemit dhe parregullsia karakteristike e ekonomisë dhe shoqërisë në të cilën jetonin. Të dy, si pasojë, ishin të vendosur për të përmirësuar dhe familjarizuar disa masa të dëshpëruara të marra nga paraardhësit e tyre ushtarakë për të komanduar aferat e shtetit romak. Çfarëdo bindjesh fetare kishin, të dy besonin se çështjet e perandorisë do ecnin për mbarë vetëm nëse nënshtetasit e perandorit besonin në zotat e vertëtë në mënyrën e saktë.[5] Rrugët me të cilat adoptuan këto qëllime ndryshojnë kaq shumë nga njëra-tjetra saqë njëri, Diokleciani, sheh nga e shkuara dhe mbaron historinë e Romës; tjetri, Konstandini, sheh nga e ardhmja dhe themelon Bizantin. Kësisoj, në çështjet e pasardhësisë së ofiqit perandorak, Diokleciani adoptoi precedent që mund ta gjente në praktikat e shekullit të 2-të. Ai e shoqëronte veten me një bashkëperandor, ose August. Secili August pastaj adoptonte një koleg të ri, ose Çezar, për të ndarë sundimin dhe përfundimisht për të marrë vendin e partnerit të vjetër. Ky sundim katërsh, ose tetrarki, dështoi në qëllimin e vet dhe Konstandini e zëvendësoi atë me parimin dinastik të pasardhjes trashëguese, një procedurë e ndjekur përgjithësisht në shekujt në vazhdim. Për të ndarë përgjegjësitë administruese, Konstandini zëvendësoi prefektin e vetëm pretorian, që tradicionalisht ushtronte funksione civile dhe ushtarake në afërsi të perandorit me prefektë rajonalë të vendosur në provinca që gëzonin këtë autoritet civil të vetëm. Me kalimin e shekullit të 4-të, katër prefektura rajonale të mëdha dolën nga fillimet e Konstandinit dhe praktika e ndarjes së pushtetit civil nga ai ushtarak vazhdoi deri në shekullin e 7-të. Ndryshime në fusha të tjera të politikave perandorake janë po aq të dukshme. Diokleciani i persekutoi të krishterët dhe u përpoq të ringjallte fenë e vjetër. Konstandini, një i konvertuar i fesë tjetër, e ngriti në statusin e një feje të lejuar. Diokleciani e vendosi qendrën e tij në Nikomedi, një qytet që kurrë nuk u ngrit më shumë në status sesa një qendër provinciale gjatë Mesjetës, kurse Konstandinopoja, qyteti i themeluar nga Konstandini, lulëzoi madhërishëm. Diokleciani u përpoq të sillte rregull ekonomik duke fiksuar rrogat dhe çmimet dhe duke startuar një reformë valute të bazuar mbi një monedhë të re ari, aureus-in, i barazvlefshëm me 120 për një kilogram ar. Fiksimet dështuan dhe aureus-i u zhduk për t’i lënë vend arit të Konstandinit, solidus-it. Monedha e dytë u vendos me vlerë më të ulët: 150 për një kilogram ar, standard që ngeli funksional për shekuj. Për çfarëdolloj arsye, si përfundim, politikat e Konstandinit qenë shumë të suksesshme. Disa prej tyre—sidomos pasardhja trashëguese, njohja e krishtërimit, reforma e valutës dhe themelimi i kryeqytetit-qenë përcaktuese për disa prej aspekteve që qytetërimi bizantin njihet.[6] Megjithatë do ishte e gabuar ta konsiderosh Konstandinin një revolucionar ose të mos vësh re ato fusha në të cilat ai ndoqi paraardhësit dhe nuk qe inovativ. Perandorët e hershëm ishin përpjekur të detyronin grupe njerëzish të kryenin detyra të caktuara që ishin jetësore për mbijetesën e shtetit por që qenë jo tërheqëse për ata që u detyruan të marrin këtë barrë. Detyra të tilla përfshinin lëvrimin e tokës, që ishte detyra e fshatarit, ose colonus; transportimi i mallrave të lirë në shumicë në zonat metropolitane të Romës ose Konstandinopojës, që ishte detyra e mjeshtrit të anijeve, ornavicularius; dhe shërbimet e sjella nga curiales, anëtarë të senatit bashkiak me detyrë vlerësimin dhe mbledhjen e taksave vendore. Ligjet e Konstandinit në shumë raste i bënë të trashëgueshme këto përgjegjësi të detyruara, duke vendosur kështu bazat e sistemit collegia, ose esnafeve të trashëguara shtetërore që qenë një tipar shumë i shquar në jetën shoqërore të vonë romake. E fundit, por po aq e rëndësishme, ai i kërkonte fshatarëve që të qëndronin në atë zonë ku listat e taksave i kishin shënuar.[7] Shekulli i 5-të: Vazhdimi i qytetërimit greko-romak në Lindje[redakto] Qoftë inovative apo tradicionale, masat e Konstandinit përcaktuan drejtimin e politikave perandorake përmes shekullit të 4-të deri në të 5-tin. Gjendja e perandorisë në 395 mund të përshkruhet si rezultatet e punës së Konstandinit. Parimi dinastik qe vendosur aq fortë saqë perandori që vdiq atë vit, Teodosi I, ia la trashëgim ofiqin perandorak djemve të tij, të cilët ishin të dy të rinj dhe të paaftë: Arkadi në Lindje dhe Honori në Perëndim. Kurrë më nuk do sundonte një njeri i vetëm të gjithë sipërfaqen e perandorisë në të dyja pjesët e saj. Konstandinopoja ishte rritur në një popullsi midis 200 000 dhe 500 000; në shekullin e 5-të perandorët u përpoqën të zvogëlojnë rritjen. Pas 391 krishtërimi ishte shumë më tepër se një prej feve: nga ai vit e tutje, dekreti perandorak ndalonte çdo lloj forme të kultit pagan dhe tempujt u mbyllën. Presioni perandorak ishte shpesh i pranishëm në këshillet e kishës në shekullin e 4-të, kur perandori ndërmori një rol në përcaktimin dhe shtypjen e herezive. Politikat ekonomike dhe shoqërore[redakto] Ekonomia e perandorisë kishte lulëzuar në disa pika. Provinca të caktuara ose pjesë provincash si Italia veriore lulëzuan në tregti dhe bujqësi. Konstandinopoja, në veçanti, ndikoi në rritjen urbane dhe shfrytëzimin e frontiereve bujqësore. Qytezat e Ballkanit përgjatë rrugës që të çonte në kryeqytet lulëzuan, kurse të tjerat jo shumë të pëlqyera ngelën mbrapa, madje edhe u zhdukën. Toka e palëvruar në rajonet kodrinore të Sirisë veriore filluan të plugohen për të furnizuar me ushqim masat e Konstandinopojës. Me ecjen e shekullit të 4-të, solidusi i Konstandinit jo vetëm qëndroi ar i pastër, por prova të nxjerra nga shumë burime tregojnë se ari ishte shumë më i bollshëm se ç’kishte qenë në dy shekujt e fundit. Ndoshta burime të reja të këtij metali të çmuar u zbuluan: këto ndoshta mund të jenë plaçkitur nga tempujt paganë; ose nga miniera të reja në Afrikën perëndimore që u bënë të mundura për herë të parë për tokat e perandorisë nga nomadë që transportonin me deve arin përmes Saharasë në bregdetin mesdhetar të Afrikës veriore. Mobiliteti shoqëror gati ekstrem që u shqua në fund të shekullit të 3-të dhe në fillimet e shekullit të 4-të shfaqet më pak karakteristik në gjysmën e dytë të shekullit të 4-të. Me siguri perandorët vazhduan përpjekjet për të detyruar njerëzit të kryenin detyrën e tyre kolektive, por përsëritja e vazhdueshme e ligjeve që lidhnin colonus-in në pronat e tij dhe navicularius-in te anija e tij dhe curialis-in te senati i tij bashkiak tregon se këto edikte patën shumë pak ndikim. Në fakt, do të ishte gabim të konkuldosh nga ky legjislacion se shoqëria romake ishte e organizuar kudo në mënyrë universale në kasta të vendosura nga urdhërat perandorake. Çdo provincë kishte ndryshimet e saj. Edhe përpara përfundimit të çerekut të parë të shekullit të 5-të, këto ndryshime provinciale ishin të dukshme; dhe në një shkallë jo të vogël ato ndihmojnë në shpjegimin e mbijetesës së qeverisë perandorake dhe qytetërimit greko-romak në Lindje kur të dyja këto ishin zhdukur në Perëndim. Në provincat lindore popullsia ngeli e lartë dhe perandorët në Konstandinopojë kurrë nuk iu duhej të kërkonin (të paktën deri në shekullin e 6-të) për burra që të mbushnin ushtrinë. Siç mund të pritet nga ato toka lindore ku qytetërimi urban ishte disa shekuj i vjetër, qytetet qëndruan dhe me to një ekonomi monetare dhe një klasë tregtarësh. Tregtarët lindorë, të njohur në burime si tregtarë, ndërmorën trasnportimin e mallrave midis Lindjes dhe Perëndimit, shpeshherë duke vendosur koloni në qytetet e dëmtuara të Perëndimit. Më e rëndësishmja, perandori në Lindje kurrë nuk e humbi aksesin ose kontrollin mbi burimet e tij të krahut të punës dhe parasë. Një klasë e vjetër dhe e pasur senatoriale aristokratike konsolidoi pronat e saj të mëdha në Perëndim dhe ndërmori mbrojtjen dhe patronazhin e klasave punëtore rurale, duke i hequr shtetit shërbime financiare dhe ushtarake që i duheshin dëshpërimisht. Klasa senatoriale në Lindje nuk kishte origjinë aq të vjetër dhe fillimet e tyre gjendeshin te favoritët e Konstandinit apo parvenytë që e kishin ndjekur në kryeqytetin e tij të ri. Në fillim të shekullit të 5-të, pasuria e tyre ishte shumë më e vogël se ajo që homologët e tyre në Perëndim zotëronin; pronat e tyre ishin shumë të shpërndara dhe ruralët e varur nën ta shumë më të pakët. Ata ishin kështu më pak të aftë për të sfiduar vullnetin perandorak dhe të viheshin mes shtetit, në njërën anë, dhe ushtarëve apo taksapaguesve potencialë në tjetrën. Marrëdhëniet me barbarët[redakto] Teodosi, portret në argjend. Këto ndryshime midis Perëndimit dhe Lindjes, shtuar dhe tiparet gjeografike, janë shkaku i pritjes së ndryshme që iu bënë pushtuesve gjermanikë të shekujve të 4-të dhe të 5-të në Lindje dhe Perëndim. Ndonëse popujt gjermanikë kishin krijuar valë në frontieret e Danubit dhe Rinit që nga shekulli i 2-të, sulmet e mëdha filluan vetëm në pjesën e dytë të shekullit të 4-të, kur Hunët e frikshëm shpërngulën nga vendi i tyre Ostrogotët dhe Vizigotët, duke bërë që këta të fundit të kërkonin strehim brenda frontierit të Danubit në perandori. Ndërveprimi i parë mes romakëve dhe barbarëve nuk ishte aspak miqësor; romakët filluan t’i shfrytëzonin të ftuarit e padëshiruar dhe gotët u inatosën, duke mundur një ushtri romako-lindore në Adrianopojë në 378 dhe duke vrarë perandorin lindor që komandonte ushtrinë. Perandori Teodosi I (sundoi 379–395) adoptoi një politikë tjetër, duke i dhënë gotëve toka dhe status ligjor të aleatëve, ose foederati, të cilët ishin pjesë e ushtrisë romake si njësi autonome nën liderin e tyre. Politika e Teodosit I nuk qe popullore as në Perëndim, as në Lindje. Gotët, ashtu si shumica e popujve gjermanikë me përjashtim të frankëve dhe lombardëve, ishin konvertuar në arianizëm, të cilin romakët katolikë, apo ortodoksë, e konsideronin një herezi të rrezikshme. Natyra luftëtare e gjermanëve nuk qe shumë e pëlqyeshme nga aristokracia senatoriale që ishte kryesisht pacifiste dhe fillimi i shekullit të 5-të shquhet në të dyja pjesët e perandorisë nga reagimi ndaj liderëve gjermanikë në poste të larta. Në Konstandinopojë më 400, p.sh, qytetarët u ngritën kundër një oficeri të vjetër të gardës perandorake (magister militum), Gainas, duke therur atë bashkë me gjithë ndjekësit e tij gotë. Ndonëse kjo revoltë e caktuar nuk pati të njëjtat rezultate si ngjarje të ngjashme në Perëndim dhe liderët gjermanikë u shfaqën përsëri në role komande në Lindje, këta vepronin tanimë si individë pa mbështetjen e atyre grupeve autonome të ushtarëve që komandantët barbarë perëndimorë vazhduan të gëzojnë. Më tej, Lindja përdori më së miri burimet e saj të arit, krahu pune dhe diplomacie, kur në të njëjtën kohë mësoi si të veprojë me secilin armik. Gjatë sundimit të Teodosit II (408–450), hunët nën kryetarin e tyre Atila morën sasi të mëdha ari që ruajtën gjendjen e paqes së vështire me perandorinë lindore. Kur Marciani (sundoi 450–457) refuzoi dhënien e arit, Atila u tërhoq nga hakmarrja për shpresën e pushtimit në Perëndim. Ai kurrë nuk u kthye për të sfiduar perandorinë lindore dhe me vdekjen e tij në 453, perandoria hune ra përtokë. Si Marciani ashtu edhe pasardhësi i tij, Leoni I (sundoi 457-474) sunduan nën mbikqyrjen e Flavius Ardaburius, ose Aspar; por Leoni I arriti të sfidojë pozitën e Asparit dhe ndikimin e gotëve duke favorizuar izaurët luftëtarë dhe kryetarin e tyre, Tarasikodisa, të cilin e martoi me princeshën perandorake, Ariadnën. Ndjekësit izaurë të Tarasikodisës, i cili sundoi në një kohë të vorbullt si perandori Zeno (474-491), ishin popull malësor nga Anadolli jugor dhe nga ana kulturore ishin edhe më barbarë se gotët apo gjermanët e tjerë. Megjithatë, ata ishin nënshtetas të perandorit romak në Lindje, pra ishin padyshim romakë dhe qenë mjaft efektivë në zvogëlimin e ndikimit të gotëve në Konstandinopojë. Në prefekturën e Ilirisë, Zenoni zhduku kërcënimin e Teodorikut duke e bindur atë (488) të guxojë të marrë Italinë bashkë me ostrogotët e tij. Kjo provincë ishte nën duart e kryetarit gjerman Odoakër, i cili në 476 kishte hequr nga froni Romul Augustin, perandorin e fundit romak në Perëndim. Kështu, duke sugjeruar se Teodoriku duhet të pushtonte Italinë për mbretërinë e tij ostrogote, Zenoni mbante të paktën një supremaci juridike në tokën perëndimore ndërkohë që hoqi qafe nga perandoria lindore një nën-sundimtar të rrezikshëm. Me vdekjen e Zenonit dhe ngritjen në pushtet të shërbyesit civil romak Anastasi I (sundoi 491-518), mbajtja e ofiqit perandoral nga izaurët përfundoi, por jo deri në 498 kur forcat e perandorit të ri morën masa efektivë kundër rezistencës izaure. Pas fitores së atij viti, nënshtetasit besnikë të perandorit romak lindor mund të merrnin frymë lehtësisht: izaurët u përdorën për të mundur gjermanët, por populli i egër malësor nuk arriti dot të zotërojë përfundimisht ofiqin perandorak. Autoriteti perandorak kishte ruajtur integritetin e vet në Lindje ndërkohë që ishte shpërbërë në Perëndim në disa shtete pasardhëse: anglët dhe saksonët kishin pushtuar Britaninë që në 410; vizigotët kishin zotëruar pjesë të Spanjës që në 417, kurse vandalët kishin hyrë në Afrikë në 429; frankët, nën Klodvigun, kishin filluar pushtimin e Galisë qendore dhe jugore në 481; dhe Teodoriku sundoi Italinë deri në 526. Grindjet fetare[redakto] Nëse armiqësitë etnike ishin më pak kërcënuese rreth vitit 500 se në të shkuarën, mosmarrëveshje që buronin nga çështjet fetare kërcënuan seriozisht unitetin perandorak dhe historia politike e shekullit të ardhshëm nuk mund të kuptohet pa ekzaminuar të ashtëquajturën herezi monofizite. Ishte herezia e dytë e madhe në perandorinë lindore; e para ishte konflikti i shkaktuar nga mësimet e prifit nga Aleksandria, Ariusit, i cili në një përpjekje për të ruajtur madhështinë e Të Atit, predikonte se vetëm ai ishte i përjetshëm, kurse I Biri ishte krijuar në një kohë të caktuar. Falë mbështetjes perandorake, herezia ariane kishte mbetur përmes shekullit të 4-të dhe u dënua përfundimisht vetëm në 381 me nxjerrjen e doktrinës se I Ati dhe I Biri ishin një substancë dhe ekzistonin sëbashku. Nëse Baballarët e kishës në shekullin e 4-të grindeshin mbi marrëdhienet mes Të Atit dhe Të Birit, ata të shekullit të 5-të u përballën me problemin e përcaktimit të marrëdhënies mes dy natyrave – njerëzore dhe hyjnore- të Të Birit, Jezu Krishtit. Teologët e Aleksandrisë në përgjithësi besonin se natyrat njerëzore dhe hyjnore ishin të bashkuara pa dallim, kurse ata të Antiokut predikonin se të dy natyrat bashkëjetonin veçmas te Krishti dhe natyra njerëzore sipas tyre ishte “ena e zgjedhur nga Zoti … njeriu i lindur nga Maria.” Me kalimin e shekullit të 5-të, këto dy pozicione kundërshtuese teologjike u bënë pjesë e një përleshje për supremaci ndërmjet patriarkanave rivale të Konstandinopojës, Aleksandrisë dhe Romës. Nestori, patriarku i Konstandinopojës në 428, adoptoi formulën antiokase, e cila, sipas tij, theksonte natyrën njerëzore të Krishtit mbi atë hyjnore. Kundërshtarët e tij (fillimisht patriarku i Aleksandrisë, Cirili dhe më vonë dishepujt e Cirilit, Dioskuri dhe Eutiku) theksuan natyrën e vetme hyjnore të Krishtit, rezultat i Ringjalljes. Besimi i tyre në Monofizizëm, ose natyra e vetme e Krishtit si I Biri, u bë shumë popullore në provincat e Egjiptit dhe Sirisë. Roma, në personin e papës Leo I, deklaroi, në kundërshtim me të tjerët, pro Diofizizmit, një doktrinë që predikon se dy natyrat, perfekte dhe të veçanta, ekzistonin te Krishti. Në Këshillin e Kalcedonisë (451), kjo pikëpamje triumfoi falë mbështetjes nga Konstandinopoja, që ndryshoi pozitën e saj dhe dënoi si nestorianizmin, ose theksimin e natyrës njerëzore të Krishtit, dhe Monofizizmin, ose besimin në natyrën e vetme hyjnore. Më e rëndësishme për historinë ushtarake dhe politike sesa detajet teologjike të konfliktit ishte impakti që Monofizizmi shkaktoi në disa rajone të botës mesdhetare. Duke qenë një formulë që shprehte rezistencë ndaj sundimit perandorak të Konstandinopojës, Monofizizmi qëndroi në Egjipt dhe Siri. Derisa këto dy provinca u pushtuan nga islamikët në shekullin e 7-të, secili perandor duhej në njëfarë mënyre të përballej me tendencat separatiste të shprehura me anë të herezisë. Ai duhej ose të merrte armët kundër Monofizizmit dhe të përpiqej ta zhdukte me forcë, ose të formulonte një doktrinë që do mund të përziente atë me Diofizizmin, ose të besonte vetë te kjo herezi. Asnjë nga këto të treja nuk qenë të suksesshme dhe armiqësia fetare nuk ishte më e pakta nga pakënaqësitë që çuan Egjiptin dhe Sirinë t’iu dorëzoheshin me lehtësi pushtuesit arab. Nëse perandori lindor donte të rivendoste kontrollin mbi Perëndimin, ai duhet të zbulonte një formulë që do kënaqte ortodoksinë perëndimore duke mos armiqësuar Monofizizmin lindor. Perandoria në fund të shekullit të 5-të[redakto] Nën sundimin e Anastasit I (491–518), të gjitha tendencat e shekullit të 5-të gjetën fokusin e tyre: ndjenja e Romanitetit, që kërkonte një romak dhe jo një izaur apo gjerman si perandor, konflikti mes ortodoksisë dhe monofizizmit dhe vazhdimi i lulëzimit ekonomik në Lindje. I vlerësuar dhe zgjedhur si perandori ortodoks dhe romak që do i jepte fund hegjemonisë së izaurëve dhe aktiviteve të urryera të heretikëve monofizitë, Anastasi arriti objektivin e parë por dështoi në të dytin. Ndonëse ai mundi izaurët dhe i çoi shumë prej tyre në vendlindjen anadollake, ai gradualisht filloi të mbështesë herezinë monofizite megjithë deklarimet e ortodoksisë që bëri në kurorëzim. Nëse politikat e tij fituan mbështetës në Egjipt dhe Siri, ato armiqësuan nënshtetasit e tij ortodoksë dhe në fund çoi në luftë civile dhe trazira. Politikat ekonomike të Anastasit qenë shumë më të suksesshme; nëse ato nuk dhanë bazën për arritjet e shquara në shekullin e 6-të në çështjet ushtarake dhe artet e qytetërimit, ato të paktën shpjegojnë pse Perandoria Lindore lulëzoi në ato fusha gjatë kësaj periudhe. Një inflacion i monedhës së bakrit, i pranishëm që nga koha e Konstandinit, mbaroi më në fund me rezultate të dëshiruara për ata anëtarë të shtresave të ulëta që i kryenin operacionet e tyre me këtë metal bazë. Përgjegjësia për mbledhjen e taksave bashkiake u mor nga anëtarë të senatit vendor dhe iu vu si detyrë agjentëve të prefektit pretorian. Tregtia dhe industria u nxitën nga mbarimi i chrysargyron, një taksë në ar që paguhej nga klasat urbane. Nëse klasat rurale duhej të paguanin taksën e tokës në para dhe jo në natyrë, thjesht fakti se ari mendohej se ishte i disponueshëm në fshatra, është një tregues i fuqishëm i prosperitetit rural. Në Lindje, rritja ekonomike e shekullit të 4-të vazhdoi dhe nuk është e çuditshme që Anastasi pasuroi thesarin me 150 000 kilogram ar gjatë sundimit të tij. Me këto burime financiare në dispozicion, pasardhësit e perandorit mund të shpresonin të rivendosnin autoritetin romak mbi shtetet pasardhëse gjermanike perëndimore, nëse mbushnin këto dy objektiva: e para, ata duhet të shëronin mosmarrëveshjet fetare ndërmjet nënshtetasve; e dyta, ata duhet të mbronin frontierin lindor ndaj kërcënimit të persëve sasanidë. Për shkak se kishte luftë të vazhdueshme në të dy frontet gjatë shekullit të 6-të, pak njohuri e këtij rivaliteti shumë të vjetër mes Romës dhe Persisë është thelbësor për të kuptuar problemet me të cilat u përball më i madhi nga pasardhësit e Anastasit, Justiniani I (sundoi 527-565), ndërkohë që ndërmerrte pushtimin e Perëndimit. Në 224 Perandoria antike perse ra nën duart e një dinastie të re, sasanidëve, regjimi i të cilëve i solli një jetë të re shtetit të dobësuar. Pasi kishin siguruar kontroll të qëndrueshëm mbi tokat e mëdha që ishin nën ta, sasanidët ringjallën përleshjet e vjetra me Romën për Mesopotaminë veriore dhe qytetet fortesa të Edesës dhe Nisibisit, që shtriheshin mes Eufratit dhe Tigrit. Në shekullin e 4-të, burime të reja armiqësie u shfaqën kur Roma lindore u bë një perandori e krishterë. Pjesërisht si reagim, Persia Sasanide forcoi organizimin klerik të fesë zoroastriane; jotoleranca dhe përndjekjet u bënë çështje të ditës në Persi dhe konflikti mes perandorive u bë njëfarë lufte fetare. Armiqësitë u u përkeqësuan kur Armenia, që shtrihej në veri midis këtyre dy perandorive, u konvertua në krishtërim dhe kështu kërcënonte integritetin fetar të Persisë. Nëse lufta në shkallë të vogël gjatë shekujve të 4-të dhe të 5-të rrallë shpërthente në fushata të mëdha, kërcënimi ndaj Romës mbetej gjithnjë i vazhdueshëm dhe kërkonte vigjilencë dhe fortifikime të kënaqshme. Në 518, balanca mund të thuhet se anonte nga ana e Persisë kur ata fituan qytetet e Teodosiopolisit, Amidës dhe Nisibisit. Shekulli i 6-të: nga Roma lindore në Bizant[redakto] Justiniani I, detaj nga kisha San Vitale, Ravenë Shekulli i 6-te u hap me vdekjen e Anastasit dhe ngjitjen në fron të ushtarit ballkanas që e zëvendësoi atë, Justinit I (sundoi 518-527). Gjatë shumicës së sundimit të Justinit, pushteti aktual ishte në duart e nipit dhe pasardhësit të tij, Justiniani I. Të dhënat për më shumë se 40 vjet të sundimit të Justinianit janë të bazuara në veprat e bashkëkohësit të Justinianit, historianit Prokop. Ky i fundit shkroi një vepër lavdëruese të arritjeve ushtarak të perandorit të titulluar “Polemon (Luftëra)” dhe i shtoi edhe “Anecdota (Historia Sekrete)” ku sulmon furishëm jetën personale të perandorit , karakterin e perandoreshës Teodorë dhe drejtimin e administratës së brendshme perandorake. Sundimi i Justinianit mund të ndahet në tre periudha: (1) një epokë fillestare e pushtimeve dhe arritjeve kulturore që shtrihet deri në dekadën e 540-ës; (2) 10 vjet krizë dhe gati shkatërrim gjatë viteve 540; dhe (3) dekada e fundit e sundimit të tij, në të cilën gjendja shpirtërore dhe realitet sociale ishin shumë të ngjashme me ato gjatë sundimit të pasardhësve të Justinianit sesa viteve të para të sundimit të tij. Pas 550, është e mundur të flasim për një bizantin mesjetar sesa për një romak antik lindor, ose perandori. Nga katër traumat që transformuan Bizantin—murtaja, luftërat, trazirat sociale dhe sulmi musliman arab në vitet 630-dy të parat ishin tipare të sundimit të Justinianit. Vitet e arritjeve deri në 540[redakto] Justiniani ishte veç një shembull i magjisë civilizuese që Konstandinopoja punonte mbi pasardhësit e atyre që rrezikonin brenda mureve të saj. Justini, xhaxhai i tij, ishte një ushtar i ashpër dhe analfabet; Justiniani, nipi, ishte një zotëri i kultivuar, i aftë në teologji, ndërtues kishash madhështore dhe nxitës i kodifikimit të ligjit romak. Të gjitha këto arritje janë, në kuptimin e thellë të fjalës, civile dhe është e lehtë të harrosh që perandoria e Justinianit ishte pothuajse gjithmonë në luftë. Historia e Romës lindore gjatë kësaj periudhe tregon si efektet e luftës transformojnë ide dhe institucione njëlloj. Sundimi u hap me luftëra të jashtme dhe konflikte të brendshme. Nga Lazika në shkretëtirën arabe, frontieri pers u ndez nga një seri fushatash ku shumë gjeneralë të destinuar për famë në Perëndim demonstruan për herë të parë aftësitë e tyre. Fuqia e ushtrisë romake lindore ishte e tillë që ndërsa mbanin persët në kufijtë e tyre, Justiniani mund të çonte trupa për të sulmuar hunët në Krime dhe të ruante frontierin e Danubit kundër shumë armiqve. Në 532, Justiniani vendosi të lërë mënjanë operacionet ushtarake në favor të diplomacisë. Ai negocioi, për një haraç të lartë, një “Paqe të Përjetshme” me mbretin pers, Kosraun, që i liroi duart e romakëve në këtë pjesë të globit. Kështu, Justiniani arriti objektivin e parë të nevojshëm për ripushtimin e Perëndimit: paqen në Lindje. Edhe përpara ngjitjes në fron, Justiniani kishte ndihmuar në arritjen e objektivit të dytë. Pak pas shpalljes si perandor, Justini kishte mbledhur një këshill peshkopësh në Konstandinopojë. Këshilli ktheu politikat e Anastasit, pranoi formulën ortodokse të Kalcedonisë dhe shprehu gatishmërinë për negocime me papën. Justiniani personalisht mori pjesë në këto diskutime dhe rivendosi vëllazërinë me Romën dhe gjithë kishat lindore përveç Egjiptit. Jo më një mbret barbar mund të ruante besnikërinë e nënshtetasve të tij katolikë duke bindur ata se një perandor monofizit sundonte në Lindje. Perandoresha Teodora, detaj nga kisha San Vitale, Ravenë Në po atë vit 532, Justiniani i mbijetoi një revolte në Konstandinopojë, kryengritjes së Nikas, që fillimisht kërcënoi jetën dhe fronin e tij, por ngjarja vetëm sa forcoi pushtetin e tij. Për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve, është thelbësore të kujtohet që Konstandinopoja, si qytetet e tjera romake lindore të mëdha, varej nga milicia urbane, ose demes, për të mbrojtur muret e tyre. Brenda demesit kishte ndarje te bazuara në dy grupime që mbështesnin garues rivalë në koçi: Blutë dhe të Gjelbërit. Fillimisht mendohej se këto dy grupime ishin të ndara nga pikëpamje të ndryshme politike dhe fetare që i transmetoheshin perandorit gjatë garave. Studime të fundit kanë treguar se këto dy grupime zor se motivoheshin më shumë se fanatizmi partizan për garuesit respektivë. Kryengritja e Nikës—“Nika!” (“Pushto!” ose “Fito!”) ishte slogani që thërritej gjatë garave—e vitit 532, megjithatë, ishte një rastet e rralla ku grupimet shprehën kundërshtim politik ndaj qeverisë perandorake. Të zemëruar nga shkalla me të cilën prefekti urban kishte shtypur një grindje të mëparshme, Blutë dhe Të Gjelbërit u bashkuan për herë të parë dhe liruan liderët e tyre nga burgu; ata kërkonin që Justiniani të shkarkonte nga zyra dy prej zyrtarëve më jopopullorë të tij: Johanin e Kapadokias dhe Tribonianin. Edhe pse perandori iu dorëzua këtyre kërkesave, turma nuk u zbut, duke e kthyer grindjen në kryengritje, dhe shpalli një nip të Anastasit si perandor. Justiniani u shpëtua vetëm se perandoresha Teodorë refuzoi të dorëzohet. Gjenerali i aftë i Justinianit, Belisari, i rrethoi rebelët në Hipodrom dhe i masakroi të 30 000. Liderët u ekzekutuan dhe pronat e tyre kaluan përkohësisht në duart e perandorit. Pas vitit 532 Justiniani sundoi më fort se kurrë. Me shpalljen e “Paqes së Perjetshme”, ai shpresonte të përdorte reputacionin e tij si kampion i ortodoksisë kalcedonase dhe t’i tërhiqte romakët perëndimorë që preferonin sundimin e një perandori romak katolik sesa një mbret arian gjerman. Në vitet e hershme të 530-ës, Justiniani mund të pozicionohej si perandor romak dhe i krishterë. Latinishtja ishte gjuha e tij dhe njohuria e tij e historisë romake dhe antikitetit ishte e thellë. Në 529 zyrtarët e tij përfunduan një mbledhje të madhe të ligjeve të perandorit dhe dekrete në fuqi që nga sundimi i Hadrianit. I quajtur Codex Constitutionum dhe i bazuar pjesërisht në Kodin Teodosian të shekullit të 5-të, ai përbën të parin nga katër veprat e përpunuara mes viteve 529 dhe 565 të quajtura sëbashku Corpus Juris Civilis (Kodi i Ligjit Civil), i njohur nga shumica si Kodi i Justinianit. Ky koleksion i parë i edikteve perandorake, megjithatë, nuk krahasohet dot me Digesta që u përfundua nën direksionin e Tribonianit në 533. Në këtë vepër, rregull dhe sistem u vendosën në qëndrimet kontradiktore të juristëve të mëdhenj romakë; për të udhëzuar nxënësit në shkollat juridike u bë i gatshëm një libër mësimor i quajtur Institutiones (533). Libri i katërt, Novellae Constitutiones Post Codicem (i njohur nga shumica si Novelat), përmban një koleksion të edikteve të Justinianit mes viteve 534 dhe 565. Aja Sofia Ndërkohë, arkitektët dhe ndërtuesit punonin me ritëm të lartë për të ndërtuar Kishën e re të Mençurisë së Shenjtë, Aja Sofia, që do zëvendësonte një kishë më të vjetër që ishte shkatërruar gjatë kryengritjes së Nikas. Ata arritën ta ndërtojnë këtë ndërtesë në pesë vjet, që qëndron sot si një nga monumentet më të mëdhenj të historisë së arkitekturës. Në 533 kishte ardhur koha për të rivendosur autoritetin romak të krishterë në Perëndim dhe Afrika veriore vandale dukej si më interesanti nga teatret e luftës që mund të hapeshin. Megjithëse një ekspeditë madhore e kryesuar nga Leoni I kishte dështuar të rifitonte provincën, gjendja politike në monarkinë vandale e kishte bërë situatën më të favorshme për perandorin lindor. Kur mbreti Hilderik ra nga froni dhe u zëvendësua, Justiniani mundej me të drejtë të protestonte ndaj një veprimi të ndërmarrë kundër një monarku që kishte ndaluar persekutimin e katolikëve afrikano-veriorë dhe kishte krijuar aleancë me Konstandinopojën. Tregtarët lindorë preferonin veprimin ushtarak në Perëndim, por gjeneralët e Justinianit hezitonin; për shkak të kësaj, vetëm një forcë e vogël u bë gati nën Belisarin. Suksesi u arrit me një lehtësi të çuditshme pas dy angazhimesh dhe në 534 Justiniani iu vu organizimit të këtyre provincave të reja të Perandorisë romake. Në fakt, këto ishin vite të riorganizimeve madhore të provincave dhe jo vetëm në Afrikën veriore. Një seri ediktesh të viteve 535 dhe 536, të konceptuara qartësisht si pjesë të një plani mjeshtëror nga prefekti Johan i Kapadokias, ndryshuan strukturat administruese, juridike dhe ushtarake në Trakë dhe Azi të Vogël. Në përgjithësi, Johani u përpoq të bënte të mundur një strukturë ekonomike dhe adminstruese të thjeshtuar ku jurdiksione që takoheshin me njëra-tjetrën u zhdukën, funksionet civile dhe ushtarake u kombinuan në dhunim të parimeve të Konstandinit dhe ata zyrtarë që mbetën iu dhanë paga më të mëdha duke siguruar personel më të mirë dhe duke zvogëluar tërheqjen ndaj ryshfeteve. Në parathëniet e edikteve të tij, Justiniani mburrej për autoritetin e rivendsour në Afrikën veriore, linte të kuptohej për pushtime më të mëdha që do vinin dhe—si kompensim për përfitimet që dekretet e tij do sillnin—nxiste nënshtetasit e tij të paguanin taksat në kohën e duhur në mënyrë që të ekzistonte “harmoni mes sunduesit dhe të sunduarve.” Shumë qartë, perandori po organizonte shtetin për përpjekjen ushtarake më rraskapitëse dhe më vonë (mundësisht në 539), reformat e tij u zgjeruan edhe për Egjiptin, nga ku eskporti i grurit ishte absolutisht thelbësor për mbështetjen e ushtrive në fushata dhe Konstandinopojës. Ngjarjet gjatë viteve 534 dhe 535 në Italinë ostrogote e bënë atë viktimën më të mundshme të rradhës pas rënies në Afrikës veriore vandale. Kur Teodoriku vdiq në 526, atij ia zuri vendin një nip i vogël për të cilin vazja e Teodorikut, Amalasunta, veproi si regjente. Kur vdiq djali, Amalasunta u përpoq të fitojë pushtetin me të drejtën e saj dhe bashkëpunoi në vrasjen e tre armiqve të saj kryesorë. Marrëdhëniet e saj diplomatike me perandorin lindor gjithmonë ishin shquar nga miqësia, madje edhe nga varësia; prandaj, kur Amalasunta vdiq si viktimë e gjakmarrjes e ndërmarrë nga familjet e burrave të vrarë, Justiniani gjeti mundësinë për të protestuar vrasjen. Në 535, ashtu si në 533, një ekspeditë e vogël u dërgua në Perëndim-në këtë rast, në Sicili-dhe pati fillimisht sukses të lehtë. Në fillim gotët negociuan; pastaj ata e forcuan rezistencën, rrëzuan nga froni mbretin e tyre, Teodahadin në favor të një burri më të fortë, Vitigun, dhe u përpoqën të bllokojnë ushtrinë e Belisarit kur ata hynë në gadishullin Italik. Atje progresi i ushtrisë romake lindore qe më i ngadaltë dhe fitorja nuk erdhi deri në 540 kur Belisari mori Ravenën, bastionin e fundit madhor në veri dhe me të, mbretin Vitig, disa fisnikë gotë dhe thesarin mbretëror. Të gjithë u kthyen në Konstandinopojë, ku Justiniani ishte mirënjohës për përfundimin e armiqësive në Perëndim. Gjatë viteve 530, gjeneralët e Justinianit duhet të luftonin vazhdimisht për të ruajtur autoritetin perandorak në provincën e re të Afrikës veriore dhe në Ballkan gjithashtu. Në 539 disa delegatë gotë arritën Persinë dhe informacioni që i dhanë mbretit Kosrau e bëri atë më të padurueshëm nën shtrëngesën e “Paqes së Përjetshme”. Gjatë vitit tjetër (i njëjti vit [540] kur një forcë bullgare plaçkiti Maqedoninë dhe arriti muret e Konstandinopojës), ushtria e Kosraut arriti deri në Antioki në kërkim të plaçkës dhe duke bërë shantazh. Ata u kthyen të padëmtuar dhe në 541 persët morën nën zotërim një fortesë në Lazika. Në Itali, ndërkohë, gotët zgjodhën një mbret të ri, Totilën, nën udhëheqjen e aftë të të cilit situata ushtarake në atë tokë do transformohej së shpejti. Kriza e mesit të shekullit[redakto] Kërcënimi i dy luftërave të njëkohësishme rrezikonte planet e Justinianit. Gjatë viteve 550, ushtria e tij qe e aftë t’i bënte ballë kësaj sfide, por një fatkeqësi madhore i pengoi ta bënin këtë mes viteve 541 dhe 548. Fatkeqësia ishte murtaja bubonike e viteve 541-543, e para nga këto goditje, ose trauma të përmendura sipër që e transformuan Romën lindore në Perandorinë bizantine mesjetare. Murtaja u shqua për herë të parë në Egjipt dhe nga atje kaloi në Siri dhe Azi të Vogël deri në Konstandinopojë. Në 543 ajo arriti Italinë dhe Afrikën dhe mund të ketë goditur edhe ushtrinë perse në fushatë atë vit. Në Azinë lindore kjo sëmundje ka vazhduar deri në shekullin e 20-të, duke i dhënë mundësi shkencës mjekësore ta studiojë me imtësi atë. I transmetuar te njerëzit nga pleshtat e infektuar prej brejtësve, murtaja sulmon gjendrat e trupit dhe shfaqet në fillimet e saj me fryrje (buboes) në sqetulla dhe ijë, nga vjen dhe emri bubonike. Po ta gjykosh nga përshkrimi i simptomave nga Prokopi në 542, sëmundja atëherë dukej më shumë si një formë virale pneumonike, ku bacilet vendosen në mushkëritë e viktimave. Shfaqja e formës pneumonike ishte shumë e rrezikshme sepse mund të transmetohej drejtpërdrejt nga një person te tjetri, duke shpërndarë infeksionin me lehtësi dhe me shkallë vdekshmërie tmerrësish të lartë. Studimet krahasuese, të bazuara në statistika nga përphapja e të njëjtës sëmundje në Europën e mesjetës së vonë, sugjerojnë se një e treta deri një e dyta e popullsisë së Konstandinopojës mund të kenë vdekur, ndërkohë që qytetet më të vogla të perandorisë dhe fshatrat nuk qenë në asnjë mënyrë më pak të rrezikuara. Impakti afat-shkurtër i murtajës mund të vërehet në disa forma të aktiviteteve njerëzore gjatë viteve 540. Legjislacioni i Justinianit i atyre viteve ishte padyshim i preokupuar me amanetet dhe pasardhjen e pasurive që linin njerëzit pa testamente. Krahu i punës qe shumë i pakët dhe punëtorët kërkonin rroga aq të larta, saqë Justiniani u përpoq t’i kontrollojë me edikt siç monarkët e Francës dhe Anglisë bënë gjatë murtajës së shekullit të 14-të. Sa për çështjet ushtarake, ato vite ishin vite humbjesh, ngecjeje dhe mundësish të humbura. Në vend të një opozite efektive romake, ishte lodhja e Kosraut nga një luftë pa fitim që e bëri atë të nënshkruajë një traktat paqeje ku pranonte haraç nga Justiani dhe ruante pushtimet perse në Lazika. Hunët, sllavët, antët dhe bullgarët plaçkitën dhe shkatërruan Ilirinë pa opozitën më të vogël nga ushtritë romake. Në Afrikë, një garrizon i zvogëluar nga murtaja përballi me vështirësi kërcënimin e një pushtimi maur. Në Itali, Totila filloi sulmin, duke marrë Italinë jugore dhe Napolin dhe shkoi edhe në Romë (546) megjithë përpjekjet e Belisarit për të çliruar rrethimin. Dëshpërmisht, gjenerali i madh i Justinianit kërkoi përforcime nga Lindja; edhe pse erdhën, ato erdhën shumë vonë dhe ishin nga ana numerike aspak të mjaftueshëm për tu përballur me detyrën që u ishte vënë. Vitet e fundit të Justinianit I[redakto] Pas vitit 548, fatet e romakëve u përmirësuan dhe në mes të viteve 550, Justiniani kishte fituar në shumicën e teatreve ushtarakë, i vetmi përjashtim Ballkani, një shenjë orgurzezë. Ai e filloi me frontierin lindor. Në 551 fortesa e Petrës u rimor prej persëve, por luftimi vazhdoi në Lazika derisa u nënshkrua një paqe 50 vjeçare në 561 që përcaktoi marrëdhient mes dy perandorive të mëdha. Peshorja anonte në anën e Justinianit. Ndonëse Justiniani pranoi të paguajë haraçin vjetor prej 30 000 solidesh, Kosrau, në rikthim, hoqi dorë nga pretendimet e tij për Lazikën dhe premtoi të mos persekutojë nënshtetasit e tij të krishterë. Traktati gjithashtu regulloi edhe tregtinë mes Romës dhe Persisë, meqë rivaliteti mes dy fuqive të mëdha kishte patur gjithmonë edhe aspektin ekonomik, dhe fokusohej kryesisht në tregtinë e mëndafshit. Mëndafshi mbërrinte në Konstandinopojë nëpërmjet ndërmjetësve persë, ose me rrugë tokësore që shkonte nga Kina përmes Persisë ose nga agjencia e tregtarëve persë në Oqeanin Indian. Nevoja për të thyer këtë monopol pers e kishte çuar Justinianin në kërkim të rrugëve dhe popujve të rinj për të shërbyer si ndërmjetës: në jug, tregtarët etiopianë të mbretërisë së Aksumit; në jug, popujt rreth Krimesë dhe në mbretërinë kaukaziane të Lazikës, ashtu si dhe turqit e stepave përtej Detit të Zi. Mallra të tjerë të vlefshëm shkëmbeheshin në rajonin e Detit të Zi, përfshirë tekstile, bizhuteri dhe verë nga Roma lindore për gëzofë, lëkura dhe skllevër të ofruar nga barbarët; megjithatë, mëndafshi mbetej malli më kryesor. Qenë me fat atëherë, kur përpara 561-shit, agjentët romakë lindorë kishin marrë krimba mëndafshi nga Kina për në Konstandinopojë, duke themeluar një industri mëndafshi që e çliroi perandorinë nga varësia perse dhe u bë një nga operacionet më të rëndësishme ekonomike të Bizantit mesjetar. Në Perëndim, sukseset e Justinianit ishin edhe më spektakolare. Në 550 kërcënimi maur kishte përfunduar në Afrikën veriore. Në 552 ushtria e Justinianit ndërhyri në një konflikt mes sundimtarëve vizigotë të Spanjës, por trupat romako-lindore qëndruan më gjatë se ç’ishin ftuar të qëndronin dhe shfrytëzuan mundësinë për të pushtuar disa qyteza bazë në cepin juglindor të Gadishullit Iberik. Më e rëndësishme nga të gjitha, Italia u rimor. Në fillim të viteve 550, Justiniani mblodhi një ushtri të madhe të përbërë jo vetëm nga romake por edhe nga barbarë, përfshirë lombardë, herulë dhe gepidë ashtu si dhe dezertues persë. Komanda e kësaj ushtrie iu dha një komandanti të aftë, siç provuan ngjarjet, por të pamendueshëm: eunukut dhe oborrtarit Narses. Në dy beteja vendimtare (Busta Gallorum dhe Mons Lactarius), gjenerali romako-lindor mundi fillimisht Totilën dhe pastaj pasardhësin e tij, Teiasin. Gotët pranuan të largohen nga Italia. Megjithë rezistencën e vazhduar nga disa garrizone gote, bashkë me ndërhyrjen e frankëve dhe alamanëve, pas 554 toka ishte thelbësisht një provincë e Perandorisë romake lindore. Me kaq shumë popuj që zbarkuan aty, Ballkani përbënte një situatë shumë më të ndërlikuar dhe romakët përdorën një larmi më të madhe taktikash për të larguar barbarët. Pasi sulmit të bullgarëve Kutrigur në 540, Justiniani vuri në punë një rrjet fortifikimesh që shkonte në tre zona përmes Ballkanit dhe në jug deri në Kalimin e Termopileve. Megjithatë, fortesat, kështjellat dhe kullat e vrojtimit nuk qenë të mjaftueshme. Sllavët plaçkitën Trakën në 545 dhe u kthyen në 548 duke kërcënuar Dyrrahun; në 550 Skllavinët, një popull sllav, arritën deri 65 kilometra larg Konstandinopojës. Pushtimi i madh erdhi në 559, kur bullgarët Kutrigur, të shoqëruar nga sllavët, kaluan Danubin dhe ndanë forcat e tyre në tre kolona. Njëra kolonë arriti Termopilet; e dyta zuri rrënjë në Gadishullin e Galipolit afër Konstandinopojës; e treta shkoi deri në periferinë e vetë Konstandinopojës, të cilin Belisari i moshuar duhej ta mbronte me një forcë të dobë të civilëve, burra të demesit dhe disa veteranë. Të shqetësuar nga veprimet detare romake në Danub, që rrezikonin rrugën për shtëpi, kutrigurët hoqën dorë nga sulmi, u kthyen në veri dhe e gjetën veten të sulmuar nga utigurët, një popull që agjentët e Justinianit e kishin fituar me një ryshfet të majmë. Dy popujt dobësuan njëri-tjetrin në luftëra dhe kjo ishte ajo që diplomatët bizantinë donin të arrinin. Sa kohë që burimet financiare ishin të mjaftueshme, diplomacia provoi se ishte arma më e kënaqshme në një kohë kur trupat ushtarake ishin të rralla dhe shumë të shtrenjta. Vartësit e Justinianit përpiqeshin të rregullonin marrëdhëniet me popujt e Ballkanit dhe Rusisë jugore. Sepse, nëse nga tokat e Azisë qendrore kishte shumë popuj nga ku një kërcënim i ri mund të shfaqej, shtimi i armiqve do të thoshte përdorimin e njërit kundër tjetrit me anë të ryshfeteve, traktave apo tradhtive. Marrëdhëniet romako-lindore në fund të shekullit të 6-të me avarët, nje popull mongol që kërkonte strehim larg turqve, janë një shembull i shkëlqyer i këtij “imperializmi mbrojtës”. Ambasadorët avarë arritën Konstandinopojën në 557 dhe, megjithëse nuk morën tokat që kërkonin, ata u mbushën me dhurata të çmuara dhe me aleancë nëpërmjet një traktati me perandorinë. Avarët lëvizën në perëndim nga Rusia jugore dhe mundën utigurët, kutrigurët dhe sllavët në dobi të perandorisë. Në fund të sundimit të Justinianit, ata qëndronin në Danub, një popull nomad i uritur për toka dhe gjithashtu të aftë në atë lloj diplomacie të pabesë që do t’i ndihmonte të arrinin objektivat e tyre. Asnjë përmbledhje e viteve të fundit të Justinianit nuk mund të jetë e plotë pa marrë parasysh murtajën e vazhdueshme bubonike dhe efektin që ajo pati deri në shekullin e 8-të. Ashtu si shoqëritë e tjera të shkatërruara nga luftërat apo sëmundjet, shoqëria romako-lindore mund t’i kompensonte humbjet e viteve 540 nëse mbijetuesit martoheshin herët dhe riprodhonin më shumë fëmijë. Dy shkaqe nuk lejuan rikuperimin. Monasticizmi, që kërkonte beqari, u rrit shumë në shekullin e 6-të dhe murtaja, që rikthehej sporadikisht duke sulmuar të sapolindurit që mund të kishin zëvendësuar anëtarët e rënë të brezave të vjetër. Shkurtimi i ndjeshëm i krahut të punës ndikoi në disa aspekte të shtetit dhe shoqërisë që po humbisnin karakterin romak dhe po merrnin atë bizantin. Ndërtimi i kishave, një tipar i shquar i viteve më të hershme, ndaloi dhe njerëzit nuk bënë më shumë sesa mirëmbajtje apo të shtonin ndonjë pjesë. Nevoja në rritje për taksa, me një numër në ulje të taksapaguesve, çoi në ligje të rrepta që detyronin anëtarë të një grupi taksash të fshatit të merrnin përgjegjësinë kolektive për tokat joprodhuese ose të papunuara. Kjo, siç thonë burimet bashkëkohore, qe një barrë shumë e vështirë për tu mbajtur, pas reduktimit të bujqve prej murtajës. Si përfundim, ushtritë që fituan betejat e përshkruara sipër në lindje dhe perëndim qenë fituese vetëm për shkak se Justiniani i mbushi me më shumë barbarë si asnjëherë tjetër: gotët, armenët, herulët, gepidët, saracenët dhe persët-për të përmendur më të njohurit. Ishte e vështirë të ruhej disiplina në një ushtri kaq të përzierë; megjithatë, kur barbari i padisiplinuar pranonte jetën më të qetë të ushtarit të garrizonit, ai humbiste aftësinë për të luftuar kundër barbarëve të tjerë përtej frontierit, që akoma e ruanin karakterin luftarak. Ushtria qe një krijim i luftës dhe e ruajti cilësinë sa kohë që merrte pjesë në fushëbetejë, por luftë e vazhdueshme nuk mund të ndërmerrej nga një shoqëri me një mungesë kronike të njerëzve dhe parave. Si përfundim, shteti romako-lindor (më saktë, bizantin) i fundit të shekullit të 6-të u përball me shumë nga rreziqet që shkatërruan Perandorinë perëndimore në shekullin e 5-të. Barbarët ushtronin presion nga përtej frontierit të Ballkanit dhe në të njëjtën kohë, popujt me origjinë barbare kishin mbushur ushtritë që mbroheshin prej tyre. Pasuria e mbledhur në shekullin e 5-të ishte harxhuar; dhe kishte shumë pak romakë për të përmbushur nevojat bazë ekonomike dhe ushtarake. Nëse Perandoria bizantine shmangu fatin e Romës Perëndimore, ajo e bëri këtë vetëm pse kombinoi trimërinë me fatin sëbashku me disa avantazhe si institucionet dhe qëndrime që perandoria e vjetër nuk i gëzonte. Një nga avantazhet e përshkruara më sipër, aftësia diplomatike, përzien ndryshimin në qëndrim dhe institucione, sepse diplomacia nuk do funksiononte kurrë nëse shtetarët bizantinë nuk do ishin aq të ditur dhe kuriozë për zakonet dhe lëvizjet e popujve barbarë, ndryshe nga paraardhësit e Justinianit. Qëndrimi i bizantinëve kishte ndryshuar edhe në një mënyrë tjetër. Ai ishte i gatshëm të pranonte barbarët brenda shoqërisë së tyre nëse ata pranonin krishtërimin ortodoks dhe autoritetin e perandorit. Krishtërim qe shpesh një lustër që në kohë krize plaste dhe paganizmi i vjetër shfaqej, ndërkohë që mund të hiqej dorë nga besnikëria ndaj perandorit dhe kjo ndodhte shpesh. Megjithë këto të meta, besimi i krishterë dhe institucionet klerike të shekullit të 6-të qenë shumë më të afta për të bashkuar njerëzit dhe nxitur moralin e tyre sesa kultura pagane e botës greko-romake.
Posted on: Fri, 28 Jun 2013 15:22:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015