Çela: PD e mbaroi misionin, duhet një e djathtë e re jashtë - TopicsExpress



          

Çela: PD e mbaroi misionin, duhet një e djathtë e re jashtë saj Blerim Çela, një nga figurat drejtuese të PD-së gjatë viteve 1992-1998, e cilëson të përfunduar misionin e partisë që ai ka bërë pjesë. Çela, në intervistën e tij për gazetën Shqip, shprehet se duhet të krijohet një e djathtë e re, jashtë vorbullës së PD-së. Z. Çela, pas 8 vitesh në pushtet, PD doli në opozitë. Pas humbjes së zgjedhjeve, u bë publike dorëheqja e kryetarit të saj, Sali Berisha. Pati një garë të hapur për zgjedhjen e kreut të ri, ku u zgjodh nga anëtarësia Lulzim Basha. Në këtë betejë pati disa reagime, pasi zgjedhja e Bashës nga disa analistë përflitet si e diktuar nga preferenca e liderit të demokratëve, Berisha. Si e shihni ju një proces të tillë. Ai ishte një proces që do të ndihmojë në konsolidimin e PD-së, e dalë e tronditur nga vota e 23 qershorit, për shkak të rrudhjes së votave? Sigurisht që pati garë, por jo të ndershme. Sepse, zoti Basha ishte i preferuari i zotit Berisha, pavarësisht se kjo preferencë nuk u bë publike. Në traditën 23-vjeçare të PD-së janë zgjedhur beniaminët e kryetarit Berisha, jo vetëm në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesinë qendrore, por edhe në kryesitë e rretheve. Kjo është realizuar nëpërmjet lobimit të njerëzve hije të kryetarit Berisha që kanë punuar nëpërmjet të ashtuquajturit “telefoni i prishur”. Gjithashtu, nga kongreset ka dalë ai Këshill Kombëtar që është paracaktuar nga kryetari Berisha, jo vetëm nëpërmjet komisionit të tij të numërimit të votave, por edhe nga monitorimi i këtij komisioni nga i deleguari personal i zotit Berisha, që ka rregulluar rezultatet e votimit, sipas shijes së shefit të madh. Votimi “një anëtar, një votë” degjeneroi në heqjen nga listat e votimit të mijëra demokratëve të thjeshtë si dhe të figurave politike që kanë qenë në krye të PD-së në rrethe, të cilësuar si njerëz të Olldashit. Megjithatë, sipas mendimit tim, edhe sikur këta njerëz të votonin, i ndjeri Olldashi nuk do të fitonte, sepse porosia e shefit të madh kish mbërritur nëpërmjet njerëzve hije tek çdo demokrat. Aty ku është hasur rezistencë ka pasur heqje nga listat e votimit. Pra, testimi është bërë kohë përpara procesit të votimit. Pikërisht, këtu qëndron degjenerimi i procesit dhe jo se zoti Basha nuk do të fitonte, derisa kishte përkrahjen e kryetarit. Sigurisht, që ky proces i parapërgatitur për fituesin nuk e ndihmoi konsolidimin e PD-së, por e dobësoi, sepse humbi besimin e një pjese të anëtarësisë te drejtësia e udhëheqësit. E thashë dhe më lart që Basha do të fitonte, por kryetari Berisha i do rezultatet 100% të sigurta, prandaj merr masa të jashtëzakonshme për ta realizuar. Kështu veproi ai me kandidatët për kryetar partie vite më parë, derisa asnjë nuk pranoi të vinte kandidaturën përballë tij. PD-ja doli e rrudhur nga 23 qershori 2013, por u trondit akoma më shumë nga farsa e votimit, ku u pa qartë se në PD nuk ka demokraci të brendshme. Kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, PD akoma nuk ka bërë një analizë të thellë për shkaqet e humbjes së pësuar. A mendoni se mungesa e një analize të tillë me strukturat po pasohet në mënyrë indirekte dhe me mënyrën e bërjes së opozitës në Kuvend, e cila duket e çorientuar, ku pesha e drejtimit të kreut të PD-së duket fare ose aspak? Në traditën e saj, PD-ja nuk ka bërë analiza të vërteta, përveç një analize për humbjen në zgjedhjet e 1997, ku Berisha pranoi një sërë gabimesh, por që nuk i mori kurrë në konsideratë gjatë ushtrimit të detyrës së tij në parti. Kush ka qenë kritik, është larguar me “votim” nga konferencat e partisë në rrethe si dhe në Kongreset ku është konfiguruar ajo udhëheqje, që ishte e zonja të mbyllte gojën dhe t’i bënte lavde njëshit. Ky është shkaku që në PD akoma nuk është bërë analiza e humbjes. Kjo analizë duhej bërë në mënyrë urgjente duke filluar nga seksionet, nëndegët, degët e PD-së në rrethe e deri në Këshillin Kombëtar si organi më i lartë vendimmarrës, që në fakt nuk ka funksionuar as formalisht. Zoti Berisha, duke marrë mbi vete përgjegjësitë e kësaj humbjeje, mendon se e kreu detyrën para anëtarësisë. Ky ishte një veprim që largoi vëmendjen nga problemet e brendshme të partisë, nga përgjegjësitë individuale të udhëheqësve dhe të kryetarëve të grupeve të punës së qarqeve, që ishin bërthama kryesore për degradimin e PD me largime e spostime inatçore të militantëve dhe të udhëheqësve lokalë, që ngrinin zërin për padrejtësitë në emërime në parti. Në fushatën e 23 qershorit 2013, Berisha mori takime nëpër komuna gjoja me fermerë, por që ishin militantë të thekur të PD-së, e megjithatë, aty pa për herë të parë nervin e kohës dhe problematikat e fshatit. Çfarë e pengonte të kishte bërë takime të tilla shumë përpara fushatës zgjedhore? Asgjë, përveç indiferencës së tij për hallet e popullit të thjeshtë. Si mund t’u kërkonte votën atij populli që nuk i përfilli, dhe asaj anëtarësie që e flaku në rrugë për hir të mbajtjes së pushtetit të tij personal nga aleanca me LSI-në, e cila ishte faktori kryesor i humbjes së thellë të PD-së?! Që PD-ja do të humbiste, këtë e dinin të gjithë ata që kishin kontakte me popullin e thjeshtë kudo e veçanërisht në Kavajë e Shkodër, dy qytetet bastion i PD-së, por që humbja do të ishte aq e thellë, befasoi çdo analist. Kjo tregoi se populli shqiptar është pjekur politikisht dhe, këtej e tutje, është zor ta tërheqësh për hundësh. Këtë ta mbajë mend mirë edhe e majta e të mos fluturojë kot, por të mbajë premtimet që ka dhënë. Sa i përket opozitarizmit, ai lë për të dëshiruar. Është anemik e inatçor, pa udhëheqje, pa koordinim të punëve dhe ngritjes së problemeve të kohës e të detyrave të qeverisë. Janë me mijëra nëpunës të aftë që po hiqen padrejtësisht dhe opozita merret vetëm me disa emra që janë një hiç para masës së madhe të administratës. Berisha ka kompleksin se quhet kryetar de fakto i PD-së dhe nuk po bën atë që duhet të bëjë, ndërsa kryetari aktual nuk është në Parlament, duke krijuar një boshllëk të pazëvendësueshëm, jo për faj të tij. Si e komentoni drejtimin e deritanishëm të PD-së nga Lulzim Basha. A gëzon ai një mëvetësi për marrjen e vendimeve, apo ndikohet në mënyrë direkte dhe indirekte nga ish-kreu Berisha? Zoti Basha është politikan i ri, por i aftë dhe për mendimin tim me mendime gjithëpërfshirëse të së djathtës, jo duke kryer rolin e tutorit, por atë të partnerit të barabartë. Në dijeninë time, ai është i prirur të bashkojë të gjitha forcat politike të së djathtës, por… Vijmë tek pyetja juaj, nëse gëzon mëvetësinë e duhur në PD. Nuk mund të përgjigjem kaq shkurt, sepse duhet parë realiteti në sy. Çfarë është Basha para Berishës në politikë? Sigurisht një nxënës i tij, dhe tutela e mësuesit është shumë e fortë mbi nxënësin si ajo e prindit ndaj fëmijës. Kësaj i shtojmë edhe faktin që Berisha e ka mbajtur nën sqetull këtë parti për 23 vjet me radhë me shumë mund e djersë, veçanërisht në një opozitë, pas 1997, të copëtuar, pa para, me shumë sulme të paprecedentë nga mazhoranca e asaj kohe. Ai pati meritën ta ringrejë PD-në, se rënia e saj ishte kryesisht përgjegjësi e tij dhe e jona që ishim në krye të saj, por barra kryesore binte mbi të. Ky është një problem që nuk kalohet me një paragraf, por e vërteta është që Berisha e ringriti PD-në edhe për faktin që rënia e ‘97-s nuk ishte e barabartë me këtë të 2013-s. Vota popullore nuk ishte për të majtën, por kryesisht anti-Berishë. Njerëzve u kish mbirë në ekran vetëm fytyra e zëri i tij që i thurte lavde vetes, kur problematika e standardit të jetesës dhe e problemeve me shtetin të masës së gjerë popullore ishte tepër e madhe. Berisha dhe udhëheqja e PD-së nuk donin ta shihnin këtë realitet, por bazoheshin tek disa shifra statistikore që nuk kishin lidhje fare me ushqimin, strehimin e veshmbathjen e popullit, me sigurinë, arsimin e shëndetin e tij. Këta ishin faktorët kryesorë që humbën besimin e popullit në përgjithësi e të militantëve të ndershëm në veçanti tek udhëheqja e Berishës. Ky është shkaku që, megjithëse Berisha ishte udhëheqësi karizmatik i PD-së dhe mësuesi i Bashës e pjesës tjetër të PD-së, ishte i papëlqyeshëm për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Basha është në mes të dy zjarreve, nga njëra anë Berisha imponues, por jo më karizmatik, dhe nga ana tjetër anëtarësia e zhgënjyer e PD-së dhe populli i pakënaqur nga qeverisja e tij. Basha po nuk u shkëput nga Berisha, jo me llafe, por me vepra, nuk mund të bëhet kurrë lider i PD-së. E them me keqardhje se ai ka aftësi, të cilat do t’i shkojnë dëm. Të shkëputesh nga Berisha është një fjalë goje. Zyrat e PD-së i ringriti, i mobiloi dhe i rregulloi Berisha nëpërmjet sponsorëve të tij. Partinë e organizoi ai sipas modelit të tij dhe njerëzit që e drejtojnë atë në qendër e në rrethe janë fluksi i tij. Këtu nuk është fjala për shkëputje personale, por për thyerjen e një tradite dhe mentaliteti se pa Berishën gjithçka merr fund në PD. Kjo është e vërtetë! Ikja faktike e Berishës nga prapaskena politike, do të ishte fundi i PD-së së mbetur, prandaj Basha nuk ka asnjë mundësi të shkëputet nga Berisha se ndryshe nuk mund të drejtojë një parti që nuk e njeh pa suportin e shefit të madh të pavdekshëm. Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e deputetit Sokol Olldashi pak ditë më parë, përveç humbjes njerëzore për familjen e miqtë e tij, çfarë boshllëku krijoi ai në PD? Flitet që i ndjeri Olldashi kishte një platformë për reformim të Partisë Demokratike, por që kurrë nuk e bëri të ditur se çfarë përmbante në të dhe, që nuk e tha asnjëherë se si e mendonte ai PD-në. Në reagimet e fundit kemi parë kryetarin Basha që ndan me publikun momentet e takimit të tij të fundit me z. Olldashi, dhe u kërkon të tijve të bëjnë opozitën brenda opozitës. Nga ana tjetër, nga foltorja e Kuvendit, deputetja Mesila Doda, fajëson krerët e PD-së që e braktisën Olldashin. Si e shihni këtë situatë të fundit brenda PD-së? Mos ndoshta dikush brenda radhëve të së djathtës po përfiton nga kjo? Më ka ardhur shumë keq për ndarjen nga jeta të të ndjerit Sokol Olldashi. Isha në homazhe për të, por nuk munda të futem në sallë sepse kishte shumë njerëz. I shpreh familjes së tij ngushëllime të sinqerta e veçanërisht nënës së tij Kozetës, gruas, fëmijëve dhe të afërmve. Për ta kjo ishte një gjëmë e madhe. Ndarja nga jeta e mikut tim Sokolit, për mendimin tim, nuk ka lënë asnjë boshllëk në PD. Populli thotë – vdis pa të të dua. Kështu është edhe puna me Sokolin. Për jetën e tij të re i ka ardhur keq ‘drurit e gurit’, thotë populli, por për PD-në, ai ishte një numër si gjithë të tjerët që u përdor, por nuk u planifikua për udhëheqës. Nuk di që i ndjeri Sokol të ketë pasur ndonjë platformë për PD-në. Mendime për reformimin e PD-së ka çdo demokrat e aq më tepër drejtuesit e saj, por është ndryshe ta kesh në mend, dhe ndryshe ta hedhësh për diskutim në parti. Nuk di që idetë e tij të jenë hedhur në kryesi të partisë a po në Këshillin formal kombëtar. Kur nuk është formuluar, nuk ka ekzistuar, por edhe sikur të ketë ekzistuar, nëse kjo do të ishte një platformë reformimi brenda PD-së ku është Berisha, nuk do të kishte sukses pa miratimin e Berishës, pra pa u kryer sipas mendimeve të tij që nuk kanë lidhje me demokracinë. Nëse kjo platformë do të miratohej nga Berisha, nuk do të ishte asgjë përveçse vazhdimësisë që i ka dale boja. Nëse platforma do të ishte shkëputja e pjesës së pakënaqur të PD-së ngaqë nuk u zgjodh Sokoli, përsëri do të ishte një përçarje pa fryte e PD-së. Megjithëse i ndjeri Sokol kishte kontribute shumëvjeçare në PD, realisht ka qenë pjesë e udhëheqjes së Berishës, pra përgjegjës për humbjen e 23 qershorit, veçanërisht në Qarkun e Fierit, dhe si i tillë nuk kishte të drejtën morale të riformonte një PD të re, sepse nuk u bë kryetar. Po të ishte zgjedhur kryetar, a do të dilte kundër Berishës? Mendoj që jo. Ai do të ishte bërë si Basha sot. Për mendimin tim, PD-ja duhet reformuar jo nga drejtuesit e djeshëm e të sotëm, por nga baza, nga fillimi. PD-ja e përmbushi misionin e saj. Një e djathtë e re duhet formuar jashtë PD-së. Këtu e keni idenë për bashkimin e së djathtës duke përfshirë dhe Frymën e Re Demokratike të ish-presidentit Topi? Nuk aludoj për FRD-në, megjithëse kjo është një parti serioze, por që nuk e kaloi klasën më 23 qershor. FRD nuk mund të bashkohet me PD-në përderisa ajo udhëhiqet nga Berisha. A mund të marrë rolin e së djathtës FRD? Kam pasur besim realisht të madh që 23 qershori do të performonte një FRD parlamentare ndikuese dhe atraktive për PD-istët e pakënaqur, por u zhgënjyem. Votat e të pakënaqurve të PD-së shkuan tek LSI-ja, çka na befasoi të gjithëve. Nuk di ç’të them.
Posted on: Sun, 01 Dec 2013 14:19:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015